| E shtune, 02.04.2011, 07:33 PM |
Vangjush Ziko
VETMI E MUNDUR
SHELGJET VAJTUES
Pleksur
dhe shpleksur
i kam mendimet.
Shelgjet lotues
më bëjnë hije.
Bashkë të pleksur
qajmë vetminë.
Vargjet me degët
pleksen gërsheta.
Gjethojnë fjalët.
Më flasin fletët.
Si shelg lotues
shushurit vjersha.
Shelgjet këndojnë
me zë të jetës.
Dhe ulen zogjtë
mbi shelgjet-vjersha.
Tulatet vdekja.
Trishtohet vjeshta.
NATA
Kjo natë
më veshi mantelin e saj.
As raso murgu.
As pelerinë donzhuani.
E ndjej veten pallat
të veshur me mur
anembanë,
të rëndë.
Në çdo dritare
një yll.
Në çdo dhomë
një ëndërr.
E ndjej veten pemë
të veshur me gjethe.
Më këmbë fle
Mos zgjohen zogjtë
në fole.
Ndjej veten shtyllë elektrike
buzë trotuarit.
Mbaj në dorë
Zemrën ndezur
t' i ndrit kalimtarit.
Vigjëloj tërë natën
Një ditë e re
të zbardhë.
VETMI E MUNDUR
Në qiell ndrit
i vetëm një yll.
Një anije
e vetme në oqean.
Në majë të malit
vetëm një kryq.
Në shkretëtirë
një oaz.
I mblodha në letër.
S' u ndjenë më
vetëm.
Ylli
i tregoi shtegun
Anijes mes dallgësh.
Kryqi
u bë tempull.
Shkretëtira
parajsë.