| E enjte, 31.03.2011, 06:55 PM |
 Qëndresa shqiptare në veprën e shkrimtarit disident Bilal Xhaferri
Qëndresa shqiptare në veprën e shkrimtarit disident Bilal Xhaferri
 
Mendime për librin e autorit Resmi Osmani “Bilal Xhaferri, poeti i shpirtërave njerëzorë”
Nga Namik Selmani
Në këtë kohë që jetojmë edhe kulturalisht, të gjithë e kudo lakojmë ankesën 
(s’dimë se kujt ia bëjmë!) se mungon ndjeshëm kritika letrare për ato, jo 
qindra, po mijëra libra shqip që botohen  çdo ditë kudo në Shqipëri, Kosovë, 
Maqedoni, Mal të Zi pa folur për libra që botohen në shtypshkronjat e huaja. Ne 
nuk do ta njohim kurrë shpejt këtë hartë botimesh dhe  ndjejmë së bashku një 
vështirësi. Po, e kemi shumë të vështirë që të tëharrim nga kjo bahçe super e 
madhe librat që e masin vërtet vlerën e tyre ndershmërisht, profesionalisht, për 
të mos thënë edhe sinqerisht, analizën e një libri, aq më shumë edhe të një 
autori në tërësinë  e letërshkruarjes së tij. Kjo po ndodh rëndom dhe ne e kemi 
të vështirë që të orientohemi në këtë rrokopujë letrash. Libra të pakët me 
kritika na e jetësojnë këtë shqetësim. Ndërkohë që shkrime të pafund në numër, 
të cilat japin sihariqin e botimeve te shumta, veç një informacioni gati të 
sipërfaqshëm dhe jo kaherë profesional, nuk na  e shuajnë atë uri natyrore 
kulturore të profesionistëve për profesionistët.  Librat e shkruara në formën e 
analizve të mirëfillta janë të pakta. Botuesit nuk marrin përsipër që të 
rriskojnë  të paguajnë paraprakisht libra të tillë. Me gjithë pasionin  e 
libërshkruarjes apo të një autori që do sa më shumë e sa më shpejt të shohë 
ballinën e re të librit me fytyrën e emrin e tyre edhe vetë autorët që mund ta 
bëjë bajagi mirë këtë punë, e kanë të vështirë që të botojë këto libra të paktën 
për këtë arsye ekonomike. Në Shqipëri nuk ka mekanizma kulturore (ose edhe në se 
ka, ato janë shumë, shumë të brishta) që të botojnë libra të tillë me kritika 
letrare janë në nivel e të pallogaritshmes. Nuk ka një konkurs masiv 
mbarëkombëtar që ta nxisë këtë gjë.
Libri për një autor që mungon fizikisht prej kohësh me një humbje në një mënyrë 
shumë misterioze si Bilal Xhaferri, është një detyrim shumë i madh moral që ka 
shoqëria shqiptare e letrave.  Së pari, vetëm për këtë duhet që të falenderohet 
publikikisht autori Resmi Osmani me këtë ese kritike që ai e ka quajtur “Bilal 
Xhaferri, poet i shpirtërave njerëzorë.” E parë edhe në një dritë jubileu, libri 
i tij botohet në një vit që përkon me 25-vjetorin e vdekjes së tij kur ai ishte 
vetëm 51 vjeç. Duke bërë një bilanc të botimeve të Bilal Xhaferrit, do të 
numëronin vëllimet poetike “Lirishta e kuqe” dhe “Eja trishtim”, vëllimet me 
tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” dhe romanet “Krasta Kraus” (Ra Berati), 
dhe “Hëna e kantiereve “ (botuar në revistën  që ai e krijoi në Çikago ku jetoi 
për disa vite.) Duhet thënë se shkrimet për veprën  e tij para viteve 90 as që 
mendoje të bëheshin apo edhe t’i lexoje në një cep gazete apo libri. Askush nuk 
mendonte një ditë të atyre viteve që të ulej e të analizonte qoftë edhe një 
poezi të vetme të tij, një tregim, apo edhe tërësinë e veprave. Shkrimet e 
ndryshme kritike për të nisin me kritikun Trim Gjata, Ballkëz Halilin, Sabri 
Hamitin, Selfo Hoxhën, Perikli Jorgonin, Vath Koreshin, Bashkim Kuçukun, Namik 
Manes, etj,  e sidomos të shkrimtarit Shefki Hysa që vazhdon me shumë përkushtim 
në Shqipëri traditën e bukur të  të botimit të revistës “Krahu i Shqiponjës“. 
Ato duket se nuk e eklipsojnë këtë libër–ese për Bilal Xaferrin. As në 
këndvështrimin që ata kanë, as në sasinë e argumentave dhe të fakteve letrarë, 
të shpalosjes kaq të gjërë të dukurive risitare që sjell vepra e Bilal Xhaferrit 
jo vetëm në hapësirën kulturore të një krahine në  kohën kur ajo u hodh në 
letër, por edhe në kohët tona për të gjithë kombin shqiptar kudo ku ai bën jetën 
e tij sociale dhe kulturore.. Gati të gjithë autorët  e mësipërm nuk e kanë 
ndarë veprën e Bilalit nga jeta e tij, gjë që në një kënd më të gjërë e më të 
spikatur, e ka bërë paksa edhe autori Resmi Osmani në librin e tij. Dhe kjo  
lidhje  e ka ndihmuar atë që të gjejë veçoritë e stilit krijues të Bilal 
Xhaferrit.
Resmi Osmani vjen me këtë libër-ese për veprën e Bilal Xhaferrit pas botimit të 
20 librave shencorë, por edhe të një libri shumë të veçantë si “Mbetërimi i 
Pirros së Epirit” Pjesa shpirtërore që e lidh atë me këtë kënndvështrim të ri 
letrar është edhe origjina e vetë atij nga krahina e Çamërisë duke e quajtur 
këtë libër edhe si zbulimin e vlerave kulturore bashkëkohore që ka krijuar dhe 
krijon kjo krahinë në kohët tona, etnia  e tij. 
Resmi Osmani dikur ka qenë nga lexuesit më të zellshëm të çdo gjëje që shkruante 
Bilal Xhaferri që në vitet 60.  Në kapitullin që flet për romanin 
“Krastakraus”(“Ra Berati”) ai na jep një motiv shumë të fortë të rikthimit te ky 
roman apo edhe te librat e tjerë të autorit të persekutuar: “E lexova dhe u 
mrekullova. Kaluan kohë dhe unë iu riktheva romanit dhe e veprës letrare të 
Xhaferrit edhe një herë, për t’i shijuar faqe pas faqeje, ashtu si bëjmë me një 
verë të vjetër që e pijmë gllënkë pas gllënke dhe guxova që impresionet dhe 
kënaqësinë artistike që më dhanë e vazhdojnë të më japë romanet, tregimet e 
poezitë t’i ndjek me lexuesit e tjerë ..”
Edhe pse ky mendim në pamje të duket paksa vetjak, unë mendoj se ai ka thënë në 
një mënyrë simbolike atë komunikim shpirtëror, por edhe libror që kanë patur dhe 
kanë shumë lexues me veprën  e Bilal Xhaferrit. Edhe pse ajo është ende jo 
shumë  e njohur për publikun e gjërë, ata që kanë fatin që ta studiojnë në 
thellësi e ndjej këtë “pushtet” që jo shumë shkrimtarë e kanë ndaj lexuesit në 
një kohë shumë më të largët se jeta e tyre fizike, do të binin të gjithë në këtë 
“kurth” të bukur krijimtarie dhe vlerësimi për një vepër e për  një autor.
Pas përshkrimit të shkurtër të subjektit të romanit, autori Resmi Osmani na bën 
një përfundim shumë origjinal të mesazhit që Bilal Xhaferri ka dashur që të japë 
në të, që në pamje të parë është roman historik, por që, sipas Osmanit, ka edhe 
një theks shumë të fortë social. Për këtë ai thotë: “Zgjedhja e një periudhe të 
zymtë është refleks i bindjes dhe jetës së autorit. Sado e çuditshme që të 
ngjasë, i tërë romani është metaforë e luftës së të mirës me të keqen, e jetës 
me vdekjen. Midis këtyre dy mokrave shtypëse duhej gjetur edhe pak hapësirë për 
gëzim dhe dashuri, për të zbutur dhimbjen dhe helmin e jetës, për Lumturinë që 
duhej ëndërruar. Për vetë shkrimtarin e vlen të përmendim sërish se jeta ishte 
një katastrofë. I mbetur jetim, iu desh të luftojë me dëshpërim për mbijetesë, 
në kantjeret e largëta të Veriut, herë me punë e herë pa punë, herë ngrënë e 
herë pa ngrënë, pa vatër familjare, thuajse pa miq e shokë e me një dëshirë të 
pashuar për të shkruar e për të krijuar. I ndodhur në këtë gjendje dëshpëruese e 
thuajse i braktisur, atij i lind pyetja: “Të dorëzohej, të vegjetonte si një 
bimë apo të luftonte për jetën e dhe për artin e tij? Për t’i dhënë kësaj dileme 
përgjigje ai pa prapa dhe i kërkoi heronjtë në të tjera kohë dhe përgjigja ishte 
një “Qëndresë dhe vetëm qëndresë! Arma e tij ishte arti i fjalës” .
Për të ngritur përfytërimin e një kohe të tillë zulmëmadhe ai do të jetë 
mbështetur edhe te ajo përvojë jetësore që pati Bilali kur kalonte shumë herë në 
qytetin e Beratit për të shkuar në Poliçan ku bënte ushtrinë në një repart pune 
ku mund të shkonin vetëm ata që kishin një origjinë të deklasuar.
Në libër Resmi Osmani vëren se Bilal Xhaferri ndryshe nga të gjitha autorët e 
atëhershëm, madje edhe ata të sotmit, nuk kërkon që të mitizojë figurën e  
Skënderbeut. Ai e nxjerr atë si një njeri të zakonshëm, që lodhet e dëshpërohet 
nga prapësitë e fatit, nga braktisja e bashkëluftëtarëve dhe tradhëtitë, nga 
intrigat dhe dredhitë por që ka marrë përsipër një vepër të madhe..
Kur analizon dashurinë e Ajkunës me Strezin, autori Resmi Osmani shkruan: “Faqet 
ku përshkruhet dashuria e dy të rinjve, janë nga më të bukurat e letërsië 
shqipe. Të frymëzuara, plot ndjenjë, dridhje e tërheqje shpirtërore, me atë 
molisje të ëmbël, por të përmbajtur e të qetë, pa hove e dalldisje. Janë si një 
fllad që fryn për të shpërndarë mjegullën e zymtësisë dhe për të shkrirë akullin 
e dhimbjes së shkaktuar nga humbja e njerëzve të dashur në luftë. Ca çaste 
lumturie në detin e së keqes që kish pllakosur vendin..” 
Kundërshtinë e hapët natyrisht edhe në mekanizmin që i jep rrëfimi libror, 
autori Resmi Osmani na e tregon edhe për teknikën e rrëfimit xhaferrian në 
tregimet e tij që nuk janë më shumë  se një libër i vetëm.  Ai shkruan: “Autori 
kishte arsye të forta personale, familjare dhe botëkuptimore për të qenë 
disident me tërë qënien e tij. Ai konsiderohej i deklasuar, armik, pa të drejta 
dhe i paracaktuar si punëtor krahu në punë të rënda. Pas shpine si një  një 
makth i përhershëm i rrinte hija  e Sigurimit të Shtetit. Ky ishe fati i tij 
tragjik, i dënuar si fajtor pa faj. Brenda tij luftonin dy kundërshti: “Nga 
njëra anë dëshira përvëluese për të shkruar e për të shprehur lirisht mendimet, 
ndjenjat, botëkuptimin dhe filozofinë humanitare e atdhetare që ia impononte 
talenti, dhuntinë dhe intelekti i spikatur.. Nga ana tjetër ishin kufizimet që 
impononte me kërkesat e veta të padiskutueshme letërsia zyrtare militante, e 
partishme me parimet e atij klani që është etiketuar si socrealizmi”
Brenda kësaj analize serioze autori Resmi Osmani padyshim që do të shkruante dhe 
per poezinë e Bilal Xhaferrit. Për fat të mirë, shumë lexues shqipfolës qoftë në 
Kosovë, qoftë në Maqedoni aq më shumë edhe në Shqipërinë amë, e kanë njohur atë 
ose më saktë e njësojnë krijimtarinë  e tij me poezinë  “Baladë çame” Dihet që 
momentet më kulmore të një kombi kanë patur (dhe do të kenë edhe në të ardhmen) 
poetë që ta gdhendin atë në vepra elitare apo edhe në vepra më të vogla qoftë 
edhe në një poezi të vetme. Në këtë libër–ese shohim një gjykim të tillë: “Si 
shkrimtar ai i donte njësoj si prozën si poezinë. Të dyja i përçonin mendimet 
njëlloj mendimet dhe idetë e tij te lexuesi. Poezitë i vinin vetvetiu. Ato ishin 
kënga e shpirtit dhe i lindnin nga gjendja e tij ideoemocionale dhe 
psikologjike. Nganjëherë poezitë i shkruante në dy a më shumë variante deri sa 
arrinte te më  e mira. Ai nuk u shkëput nga poezia edhe kur shkoi në Amerikë, ku 
shkroi poezi me mall, me dhimbsuri dhe bukuri. Ai u shfaq si poet lirik, 
emocional, spontan, disi enigmatik, i frymëzuar plot freski, me ndjenja të holla 
me vargje plot bukuri e tingëllim. Ishte një poezi që i drejtohej ndjenjave më 
të mira njerëzore që bënin kontratë me poezinë lavdëruese të rreme, të 
sheqerosur që shkruhej në ato vite“.
Me këtë rast lexuesi merr edhe një informacion që nuk  e ka njohur deri tani. 
Vath Koreshi në fillimet e  tij letrare, i ri entuziast dhe admirues i Bilalit, 
i thotë një ditë shokut të poetit, Namik Manes, se nuk kishte lexuar poezi më të 
bukur deri atëherë se “Balada çame” dhe ia kishte deklamuar të tërën përmendësh.
 Në këtë libër na jepet edhe vlerësimi i  kritikut të shumënjohur Sabri Hamiti: 
“Xhaferri duket poet i vetmuar për kohën, duket i lidhur me letërsinë e 
paraluftës, por të shkuarën nuk e merr në stilin e himnizimit dhe të lavdërimit, 
si mbështetje të problemeve aktuale, por ai kërkon për të bërë ndërkomunikim të 
kohëve. Ky kërkim ra në sy të lexuesve që u entuziazmuan nga krijimtaria e tij, 
por edhe të censurës që rrinte syçelët për të gjetur armiq”.
 Për poezinë me vlera antologjike “Baladë çame” autori Resmi Osmani ka marrë  
edhe vlerësimet më të mira të të gjithë autorëve që kanë shkruar për të. Motivin 
e kësaj poezie ai e lidh me të drejtë me Çamërinë. Humbja e Çamërisë për Bilalin 
ishte një tragjedi personale, e bashkësisë dhe e etnosit. Çamëria ishte për të 
dashuria fatkeqe, ishte dhimbja e shpirtit e pafashitur në kohë, brenga që i 
trishtonte jetën dhe ëndrra e netëve të paqeta. Aroma  e saj ishte kujtimi i 
pavdirë i fëmijërisë që nuk iu shqit tërë jetën. Kjo poezi është ndër lirikat më 
të mira të letërsisë shqipe. Janë 21 vargje, por edhe një masë e rëndë dhe e 
ngjeshur me superyjet, një univers poetik, ku pesha e fjalës në varg është gur 
themeli. Ato lidhen me hallka të arta dhe kanë shkëlqim diamanti edhe kur janë 
me ngjyrime të errta. Është zezona rrënqethëse dhe e tmerrshme e tragjedisë 
çame. Është një përjetim apokaliptik në sfondin qiellor. “Matanë largësive u 
zhduk e përflakur Çamëria/ dhe të gjithë rrugët tona të shpien në Veri..”
Pak më vonë sipas kësaj analize në libër shkrihet edhe për një poezi për Kosovën 
që u botua më 1978 kur ai ishte në SHBA. E lidhur po kaq fort edhe me përjetimet 
personale të jetës, por edhe të asaj tragjedie që kalonte ai dhe vendi ynë në 
ato vite bëhet edhe portretizimi i poezisë “Eja trishtim”. Është mbyllja e 
krijimtarisë letrare. Është dhimbja dhe qëndresa. Kishte mbetur pa familje. 
Kishte kaluar nga kantieri në kantier me punë të rënda. Vepra iu ndalua. U 
përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve ku kishte hyrë plot 
dinjitet e po kështu kishte ikur. E poshtëruan. E fyen. E internuan. Përjetoi 
një dashuri të pafat, Po kështu kishte jetuar humbjen e Çamërisë, të Kosovës dhe 
më pas e Shqipërisë kur u detyrua ta braktiste për të shpëtuar veten dhe artin e 
tij. Studiuesi Resmi Osamni citon edhe një mendim të Sabri Hamitiit për 
tragjizimin e  krijimtarisë së tij: “ Bilali është një nga poetët më tragjikë të 
letërsisë shqipe. Tragjike jeta e tij nga fëmijëria e deri në vdekje, tragjik 
fati i Çamërisë dhe i atdheut, tragjik fati iveprës së tij letrare që u ndalua 
dhe u burgos në dosjet e sigurimit dhe u gropos në tokë nga miqtë e tij për t’u 
ruajtur. Për dekada mbeti e panjohur. Tragjikja që pasqyrohet në artin e tij 
është shprehje e gjëmës dhe e fatkeqësive personale, familjare dhe e 
bashkëkombasve të tij, etnisë së tij. Tragjizni është shenjë e identitetit të 
tij..”
 Si një kurorë e ndritshme e këtij vlerësimi të këtij autori për autorin 
disident Bilal Xhaferri është gjykimi për stilin e Xhaferrit: “Ai (Bilali) ishte 
një stilist befasues, njohës dhe përdorues mjeshtëror i gjuhës së bukur shqipe, 
si një yll i ndritur në yllësinë e shkrimtarëve bashkëkohorë. Këtë ia ka lejuar 
shpirti i tij, talenti i lindur, imagjinata pjellore, natyra poetike, studimi i 
shkrimtarëve të shquar e, mbi të gjitha, puna e stërmundimshme në netët pa 
gjumë, në të ftohtat e dimrit, ngrënë e pa ngrënë, gati deri në vuajtje e 
dhimbje, për të arritur përsosmërinë e, për të mos harruar se ai ishte 
autodidakt.
Për të kaluar barrikadën e “censurës” së rreptë të kohës, Bilali kishte gjetur 
një formë shumë origjinale në rrëfimin e tregimeve të tij. Ai i vishte ngjarjet 
që transmetonin idetë e tij, me bukuri dhe hijeshi artistike që ato të ishin me 
bukuri verbuese. Dikur për to shkrimtarja dhe piktorja Safo Marko kur e kishte 
takuar Bilal Xhaferrin i kishte thënë : “Po ku je, o Bilal Xhaferri, se me 
novelën ”Përtej largësive” ke çmendur pleq e të rinj!”
Përballë kësaj tragjikjeje ai ideon qëndresën. Unë do të citoja në këtë rrëfim 
kritik edhe monologun e Stresit, në tregimin “Purpuranti” që është ndër të 
rrallët në letërsinë shqipe për forcën e tij shprehëse: “Kur të mbarohen të 
gjitha, për të ndezur qymyrin e drurit në farka do të bëjmë gjyryk mushkuritë 
tona. Do të kalisim brinjët tona për t’i kthyer në shpata. Do të këpusim 
gërshetat e grave për të lidhur harqet. Për të lëshuar shigjetat, do të presim 
gjithë drurët e pyjeve. Në s’mjaftofshin këto do te çajmë djepet e fëmijëve. Kur 
të mbarohen të gjitha, do të rrëzojmë shkëmbinjtë e maleve mbi armiqtë dhe do të 
hapim ngastra toke për vreshta e grunore. Do të ndezim akujt e çative dhe do t’i 
bëjmë shandane  në vend të qirinjve, për të na bërë dritë në netët tona të vona, 
në netët e përgjakura e të ftohta.”
Në fund të librit autori vë edhe disa nga poezitë më të zgjedhura të Poetit 
Bilal Xhaferri.
Libri i autorit Resmi Osmani “Bilal  Xhaferri, poet i shpirtërave njerëzorë” 
mendoj se është një burim shumë i fuqishëm njohjeje jo vetëm për dashamirësit e 
poezisë së tij, por edhe për shumë mësues letërsie dhe nxënës të shkollave të 
mesme që kërkojnë të njohin më nga afër mesazhin ideor dhe aktual të  veprës së 
një poeti jetëtragjiktë, të njohin një letërsi ende të panjohur.  Vepra e Bilal 
Xhaferrit është si një det i thellë ku fshihen perlat. Duhen lexuar e rilexuar 
disa herë, në kohë të ndryshme, në mosha të ndryshme dhe me gjendje të ndryshme 
emocionale. Pas çdo leximi të tillë do të zbulohen të papritura që më parë na 
kishin kaluar pa vënë re.
Një gjykim shumë të sintetizuar për të e bën dhe shkrimtari Shefki Hysa që është 
edhe kryetar i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferi” Ai shkruan: “Të vlerësosh 
figura si Bilal Xhaferri, duhet të jesh vetë i vlerësuar, duhet të jesh tejet 
njerëzor, të kesh vullnet, intuitë dhe shumë dashuri njerëzore. Në të kundërtën 
çdo përpjekje e tillë  do të ishte një artific. Duket se për të hapur Portat e 
Mbretërisë së Krijimtarisë së Bilal Xhaferrit, duhet DASHURI DHE QËNDRESË.”
 Dhe autori Resmi Osmani e ka bërë fort mirë këtë bashkim që ta jep fjala e 
mençur.
 
Mars, 2011