Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ardian Ramadani: Në Augsburg dhe Mynhen

| E marte, 29.03.2011, 07:59 PM |


Në Augsburg dhe Mynhen

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

Eh,  Evropë. Çdoherë të kemi ëndërruar. Më në fund na u hoqën vizat dhe po kemi mundësinë të të vizitojmë më lirshëm. Po, ç`farë të shohësh atje se? Të zhgënjehesh me vendin tënd. Të turpërohesh nga vetja. Të urresh veten dhe vendin tënd. Të mos e duash atë dhe njerëzit tu. E gjithë kjo përse? Sepse, që në çastin e futjes në territorin slloven, të bën përshtypje klima, ndjenja dhe përshtypja evropiane. Hyn në botën e quajtur Evropë. Bota e cila është botë e sundimit të ligjit, botë ku sundon demokracia e vërtetë, ku gjithçka është në vendin e vet, ku secili ka të drejtën të jetojë si të dojë, pa mos e penguar tjetrin, ku secili ka qasje në rrogë të mirë dhe të sigurt, duke  u bazuar në merita, si dhe mirëqenie ekonomike. E pse ne mos të kemi këtë? A thua vallë nuk jemi Evropë, nuk e meritojmë të jemi Evropë, edhe pse thërrasim se Dje dhe sot, sot dhe nesër jemi Evropë? Ku qëndron problemi apo problemi dihet, po ku është zgjidhja e këtij problemi? Kur qytetari i kësaj pjese të egër të quajtur Ballkan do të jetë Evropë në kuptimin e plotë të fjalës, e jo vetëm territorialisht. Pa mos mundur të gjej përgjigje për një sërë pyetjesh që i parashtroja vetes, e që në fakt ishin pyetje retorike, vazhdoja rrugëtimin tim nëpër Evropë. Nuk ishte hera e parë, pata udhëtuar edhe hera të tjera, në Francë, Belgjikë, Zvicër, Luksemburg, Austri, Slloveni... Po, Gjermaninë e vizitoja për së pari herë. Kemi dëgjuar shpesh fjalët “Punon si gjerman”, po me të vërtetë nuk mund të ketë popull si gjermanët të dalluar në aspekt të punës. Punonin pa ndalur. Punonin pa reshtur. Më linte përshtypje ai sistemi i rregullave dhe rendit në Gjermaninë e bukur. U impresionova dhe mbeta pa mend nga bukuritë e territorit gjerman. U mahnita nga ajo shoqëri e vlerave dhe e punës, nga ajo shoqëri tipike pozitiviste, shoqëri e dijes dhe e mirëqenies ekonomike. Dhe shoqëri e punës mbi të gjitha.

Përse vallë nuk mund të bëhemi edhe ne si ata? Kjo pyetje që përgjigjen e ka në brendësi të vet, me vret dhe do të më zgjojë kureshtjen saherë që futem në mendime. A thua kush ka faj që jemi kështu në këtë derexhe, kushtimisht të them? Pa mos u munduar të gjej fajtorin, ngase fajtor si pikë e parë jemi ne, rrugëtimi im në territorin gjerman më fascinoi. Dalloja diskprepancën e madhe me Turqinë, që e pata vizituar shumë pak ditë më herët, para se të nisesha për Gjermani. Se më dallimin me Ballkanin tonë as që dua ta përmend. Thjesht është botë e paimagjinueshme. Nuk ta kap logjika dot. Duke udhëtuar rrugëve të bukura të Sllovenisë, Austrisë..... më tërhiqte gjithçka. Më bënte për vete në çdo moment. Po e ndija se nuk mund t`a përjetoja këtë gëzim që më përshkroi shumë kohë. Ngase duhet të kthehesha pas dy javësh. Po vendosa thjesht të jetoja, për ato dy javë në dispozicion. Destinacioni, Augsburgu. Arrita aty pas disa orësh udhëtim pa pikë gjumi. Po çfarë gjumi se, ku mund të flija pa mos parë Evropën me sy. U trondita nga bota e quajtur Gjermani, nga qyteti i bukur Augsburg, që gjendej në landin e quajtur Bayern-Bavaria. Gjermania kishte edhe 15 Lande të tjera. Po s`kisha kohë t`i shihja të gjitha, se supozoja se nuk kanë dallim njëri me tjetrin, për shkak se në shoqërinë perëndimore, e më konkretisht në atë gjermane nuk mund të ketë dallime klasore ose shoqërore. Augsburgu, ky qytet që gjendet në jugperëndim të Bavarisë, është i njohur me Festën me emrin “Paqja e Augsburgut”, që festohet më 8 gusht të secilit vit. Qytet i renesancës, qyteti i tretë i ndërtuar me radhë pas qytetit të Trierit dhe Regensburgut. Qytet shumë i bukur, me pamje jashtëzakonisht impresionuese, me një histori prej 2100 vjeçare. Qytet i cili dallohej për bashkëpunimin e mirë me Kishën që e kishte aty. Po në këtë qytet, Martin Luter kishte dashur të bënte skizmën e tij të famshme, po ja që nuk e kishte pasur fatin ta bënte një gjë të tillë. Pra, ishte qyteti ku i kishte lindur ideja reformiste për të krijuar protestantizmin, po që fatkeqësisht nuk do ta bënte aty po do ta realizonte këtë ide në qytetin e Nyrembergut.

Ky qytet që të bënte pa dyshim për vete, kishte dy lumenj që të kënaqnin sytë kur i shikoje, për shkak të pastërtisë dhe mirëmbajtjes së duhur. Ishin lumi Verta, që gjer vonë kishte pasur emrin Vinda, me 4 kanalet e tij, si dhe lumin Lech me 29 kanalet e tij, që përpara njihej me emrin Licus. Qytet ku Rudolph Diesel, kishte nisur provën e tij për të prodhuar Dizellin e sotshëm qysh në vitin 1829, e që e përdorë e tërë bota sot. Qytet ku gjendej teatri më i famshëm i kukullave në Gjermani dhe i njohur poashtu edhe për atë se për së pari herë në këtë qytet kanë filluar të jepen banesat e para me qira në botë, të njohura me emrin FUGER, e që sot e kësaj dite shërbejnë si banesa që jepen me qira për raste sociale me një shumë simbolike prej 1 euro në muaj, por me kushtin të jesh katolik dhe të jesh brezi i gjashtë që jeton në atë qytet.

Ky qytet që përpos të mirave të shumta dhe të pakontestueshme, kishte edhe anën e errët të vet, nga periudha naziste, sepse jo shumë larg tij ishin ndërtuar dhe ishin projektuar dhomat e njohura të gazit për çifutët nga ana e Hitlerit, dhe që fatkeqësisht Fyreri gjerman e kishte pasur përkrahjen më të madhe me devizën “Revolucioni nacional i Bayernit”, mu në këtë qytet,aty ku për herë të parë në vitin 1938 ishin djegur sinagoga dhe shitoret e çifutëve, pa dyshim se kishte bërë katarzën e duhur dhe i kishte paguar reparacionet e një politike të tillë të gabuar, të implementuar nga një njeri monstruoz, me emrin Adolf Hitler.

Ky qytet, kujtonte turpshëm këtë të kaluar të hidhur të tij, po që ishte shndërruar në strehimore që i kishte dhënë kushte të mira shumë njerëzve nga të katër anët e botës, respektivisht për ata që punonin dhe jetonin aty. I njohur poashtu edhe për atë se trupat amerikane kishin qenë të stacionuara aty që nga disfata e Hitlerit e gjer më vitin 1998, kur edhe ishin tërhequr përfundimisht aty, të bindura për rolin demokratik që kanë luajtur aty dhe për ndikimin e duhur në drejtim të denacifikimit të shoqërisë gjermane.

Augsburgu, ky qytet, me themeluesin e saj Kajzerin Augustus, emrin e të cilit e ka pasur gjer në shek. XV, është i njohur edhe për atë se ka qenë qytet ku është bërë pelegrinazhi i përfaqësuesve të konfesionit katolik. Edhe pse në kohën e sundimit romak ka pasur 12 000 banorë, sot ky qytet gjallëron si në numër të banorëve ashtu edhe në ndërtime, respektivisht disperzim në sipërfaqe, por duke pasur një planifikim për të dyja. Ky qytet është i njohur poashtu edhe për atë se këtu ka lindur babai i Mocartit të famshëm, e ky i fundit promovimin e tij si njeri famoz e ka bërë në qytetin e Salzburgut përmes muzikë kishtare fillimisht.

Augsburgu gjerman është i njohur edhe me Bazilikën shumë të famshme që më impresionoi me gjatësinë e saj gjithsejtë 93 m, ndërsa njëkohësisht ekziston edhe një sinagogë që është më e madhja në Gjermani, si dhe një faltore për besimtarët islam, me ç`rast ky qytet na prezantohet si qytet ku kultivohet toleranca ndërfetare. Ky qytet zhvillimin më të hovshëm e ka pasur pandërprerë, por që vlen të theksohet është viti 1156 kur filloi masivisht ndërtimi i tij.

Ky qytet që të bën për vete, me bukurinë  e rrallë dhe magjepsëse është shembëlltyrë shumë e mirë, që na mëson se si duhet të punojmë dhe të mirëmbajmë edhe ne qytetet tona, po kam dyshimin se për t`u bërë kjo unë duhet të pres në pafundësi...

Pas vizitës së këtij qyteti ia mësyhem Mynhenit të famshëm, ku gjendet edhe përfaqësia e veturave BMW. Nuk kam koment të shtoj se ç`farë nuk pashë atje, në këtë qytet me 25 komuna, me gjithsejtë 3 milionë banorë, ku kishte edhe shumë mërgimtarë turq (42 000 veta), kroat (24 000 veta) e kështu me radhë. Pas vizitës së Shën Alte Peter, sheshin Marien Platze, ndërtesës komunale gjigante, katedrales Shën Marin dhe shumë e shumë dyqaneve e magazeve të ndryshme u fascinova tej mase. Nuk mund ta besoja kur më tregonin se ky qytet ishte shkatërruar tejmase më 1916 nga francezët dhe ishte rindërtuar edhe më mirë, vetëm me punë. Pas LPB-së ky qytet do të udhëhiqej nga një mbret, gjer më 1919 kur do Gjermania shpallej Republikë. Dëgjoja hapat e Marshit të Hitlerit dhe puçin e tij ushtarak të 1923 në këtë qytet, kur më tregonin për historinë e euforisë së Hitlerit dhe ngritjen, shkëlqimin dhe rënien e tij. Aty vizitova edhe Muzeun më të madh gjerman ën teknikë, bujqësi, letërsi etj. Me të vërtetë përderisa në njërën anë isha i gëzuar, në tjetrën anë isha tejet i depresionuar për atë se në ç`farë mjerimi gjendemi ne, në Ballkanin e mbrapshtive.

Pas përfundimit të vizitës, rrugëtimi im, Augsburg, Passau, Linz, Wels, Wien, ishte rrugëtim që kurrë nuk do ta harrojë. Me të vërtetë rrugët e asfaltuara si duhet, (në konstruktim e sipër ishte ndërtimi i asfaltit me gumë për të penguar zhurmën e gomave të automjeteve) të krijonin përshtypjen se je duke qëndruar me një vend, e jo duke u vozitur me veturë. Me tejkalimin e Vjenës, dhe me futjen në territorin hungarez menjëherë, nëpër Budapest, Gyor, Tatabanya, Szeged, ato imazhet e bukura filluan të humbasin, edhe pse edhe Hungaria ishte shumë më mirë se ne.

Por, fatkeqësia më e madhe dhe tmerri do të më shfaqej me futjen në Suboticë, Beograd, Nish, pra në Serbi, ku u desh fillimisht të korruptoja ca policë për të më lëshuar, sepse kisha mjaft gjëra që kisha blerë me vete. Imazhet e rrugëve të Serbisë më ngjanin sikurse ajo rruga e pafund ku nuk ke as shenja, e as drejtimin se ka duhet të shkosh. Shihej qartë Ballkani i egër. Serbia e cila edhe sot e kësaj dite nuk është denacifikuar, e dobët ekonomikisht për shkak të luftërave të njëpasnjëshme është modeli më i mirë që duhet të kuptojë secili shtetar që qeveris me vendin e tij, se çfarë ndodh kur në vend të prosperimit punon për shkatërrimin e vetes dhe vendit tënd. Imazhet e njëjta më përcollën gjatë tërë kohës, e gjer në shtetin tim pa emër, që nuk e di se si do ta quajmë, sepse çdo 20 vjet lypset t`i ndërrohet emri, pra në Maqedoni, ku imazhet përafruese me ato të Serbisë do të më shoqëronin dhe më shoqërojnë edhe sot e kësaj dite.

Zhgënjimin më të madh do ta përjetoja kur pash lajmet e Protestave të 21 Janarit në Mëmëdhenë Shqipëri, dhe vrasjen e tre qytetarëve shqiptarë. Zhgënjimi ishte kulminant. Vallë a nuk kisha të drejtë të zhgënjehesha kur shihja momentet e shkatërrimit të Tiranës, përderisa qytetet në Gjermani, Austri dhe Evropë ndërtoheshin. Vallë si mos të zhgënjehesha kur shihja njerëzit të kënaqur atje, e këtu të zhytur në morozitet dhe në pesimizëm?

I nderuar auditor, a mos vallë nuk do të ishe zhgënjyer edhe ti, sikur të ishe në vendin tim?