Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ismail Kadare për Kryengritjen e Malësisë dhe Dedë Gjo' Lulin

| E diele, 27.03.2011, 08:57 PM |


Kryengritja e Malësisë së Madhe hyn ndër ato ngjarje, që kanë zëvendësuar në Shqipëri veprat monumentale, bibliotekat dhe akademitë. Ajo ndodhi në një orë të vështirë të popullit shqiptar. Siç është përherë koha kur epokat ndërrohen, Shqipëria po dilte nga nata e gjatë e robërisë.Mëngjesi i saj ishte i turbullt, plot të papritura dhe ankthe.

 

Kjo kryengritje ka atë gjë të veçantë se është lufta e fundit e shqiptarëve përpara fitimit të pavarësisë. Por luftrat e fundit janë shpesh ndër më heroiket. Ato kërkojnë një vetmohim dhe trimëri të pashembullt, për arsyen e thjeshtë se ndodhen shumë pranë lirisë. Dhe dihet se kur liria është pranë, jeta bëhet më e dhembshur, ndaj dhe flijimi i saj është i vështirë.

 

Kryengritja e Malësisë së Madhe është pra hallka e fundit e zinxhirit të luftrave të paprera të këtij populli për liri.Si e tillë ajo lidhet natyrshëm me të gjitha hallkat e tjera, por si epilog ajo lidhet sidomos me prologun e lavdishëm atë të Gjergj Kastriotit.Midis prologut dhe epilogut të përgjakshëm shtrihet krejt historia shqiptare.

 

Dedë Gjo’Luli prijsi dhe heroi i kësaj kryengritje hyn kështu në plejadën e prijsave të kombit shqiptar. Ai është një prijës dhe një hero tipik shqiptar, nga ata që shkojnë  në luftë me krejt familjen, dhe që bashkarisht, me vëllezër e motra, nipër e mbesa janë të gatshme për flijim.

Ai bëri kështu shumë flijime e dha shumë gjak për Shqipërinë. Dhe këto i bëri pa kurrfarë ambicje dhe pa ëndërrim për ndonjë karierë politike, pa kurrfarë piksynimi për të marrë ndonjë post, pa kurrfarë synimi për të përfituar, për të patur një privilegj, një nderim, një shtatore apo një medalje. Ai e bëri këtë në mënyrë të vetëvetishme, ashtu siç bën njeriu jetesën e përditshme, prandaj dhe heroizmi i tij tingëllon edhe më sublime. Ai është madhështor, pikërisht në këtë natyrshmëri e thjeshtësi.

 

Një tipar tjetër i heroizmit të Dedë Gjo Lulit ishte se ai, ndonëse ka qenë fillimi i shekullit, ndonëse ka vepruar në Shqipërinë Veriore, në vizionin e tij e ka patur të qartë mendimin e përbashkët të atdheut, pa kurrfarë gjurme krahinarizmi.Lidhjet e tij kanë qenë me të gjitha pjesët e Shqipërisë, me Jugun, me Verilindjen, me Lindjen, me të gjitha anët e atdheut, me grupe të ndryshme patriotësh, që dukej sikur ishin larg nga malet e Veriut.

 

Gjithçka që bëri ky hero, gjithë aksioni i tij ka qenë një aksion me një vizion të ndritur kombëtar, të pakufizuar, të madh, një vizion për të cilin ne kemi nevojë sidomos sot, kur, për fat të keq, disa herë dalin pasionet e vjetra të përçarjeve, të krahinarizmit primitive, që i kanë sjellë kaq fatkeqësi kombit shqiptar.

 

Për këto arsye, e për gjithë arsyet e tjera që u përmendën më lart, përkujtimi i kryengritjes së Malësisë së Madhe është një akt fisnik e madhor i diasporës shqiptare në SHBA.

 

Diasporat kanë lojtur dhe vazhdojnë të lozin ende një rol të ndjeshëm në jetën e sotme ballkanase.Për vetë kushtet e shkëputjes nga vendi amë, për vetë largësinë në të cilën ndodhen.Vizioni i tyre për vendin e zanafillës e për epokën në përgjithësi qëllon që të jetë jashtë realitetit. Diaspora shqipare, e veçanërisht ajo e Amerikës, kur ka qenë fjala për fatin e përgjithshëm të atdheut, ka ruajtur, për fat të mirë, një pikshikim përgjithësisht të qartë të gjërave. Ky pikëshikim ka qenë e vazhdon të jetë një ndihmesë e ndjeshme për vendin amë.

 

Përkujtimi tashmë çdo vit i Kryengritjes së Malësisë së Madhe, është një tjetër dëshmi për këtë.

 

Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte akti i fundit i një drame të përgjakshme që vazhdonte qysh prej pesë shekujsh. Perdja e kësaj drame ra kur Shqipëria më në fund fitoi pavarësinë. Heronjtë e kësaj drame, e në rradhë të parë kryeheroi i saj Dedë Gjo’ Luli janë personazhe të mëdhenj të epikës shqiptare. Tipari kryesor i heronjve të një kombi është aftësia për t’u përtërirë nga epoka në epokë. Madhështinë dhe shtatin e Gjergj Kastriotit e përcakton pikërisht rigjallërimi i tij në çdo orë të vështirë të kombit të vet.

 

Dedë Gjo’ Luli, prijsi i Kryengritjes së Malësisë së Madhe, është i të njëjtës racë. Duke e përkujtuar atë dhe aksionin e tij heroik, shqiptarët e Amerikës shpallin një kumt vazhdimësie, një kod moral dhe një premtim.

 

Është thënë edhe herë tjetër se ashtu si drita që kap në rradhë të parë malet, ashtu edhe liria qëllon që nis e zbret nga malet. Në rastin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe kjo është më shumë se një metaforë.

 

Shënim:  Në prill të vitit 1996, me rastin e 85 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe “Fondacioni Dedë Gjo’Luli” në New York kishte organizuar në Universitetin Fordham një simpozium shkencor ku morën pjesë 12 dijetarë shqiptarë dhe të huaj. Ismail Kadare kishte dërguar nga Parisi një shkrim për “Kryengritjen e Malësisë se Madhe të vitit 1911”. Për ju lexues të nderuar zgjodhëm disa fragmente nga shkrimi i Ismail Kadaresë. (Gjekë Gjonlekaj).

 

Revista Kuvendi