Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Fantazi dimri

| E diele, 27.03.2011, 07:56 PM |


Vangjush Ziko

 

FANTAZI DIMRI

 

 

FANTAZI

 

Dëborë.

Dhe prapë dëborë.

 

Kur sitte nëna lakrorë,

bëhej mal

me miell dëborë.

 

Dimri sit

dhe nuk pjek lakrorë.

Miell' i tij

nga mielli i qiellit,

Miell i yjeve dhe diellit.

Situr

me sitën e reve,

bashkave të hirta të deleve.

 

Delet

s' kishin më ç' të kullosnin.

Shkurti

lëkurët u ropi

qiejve ua tendosi.

 

Marsi mblodhi lëkurët.

Ndezi të diellit furrën.

 

Do piqet lakrori i dimrit

me manushaqka të prillit.

 

 

QIRINJTË E DIMRIT

 

Paskan ngrurë

qirinjtë e akullt.

 

S' e di kush qau natën.

 

S' e di se ç' dhimbje

lotët ia shtrydhi

Në kallëpë të akullt

ia ndrydhi.

 

Dhimbje e bardhë,

e kristaltë

Gdhendur

me të acarit daltë.

 

Doli dielli

t' i dhelë me rrezet.

Të përloturën lutje

t' u ndezë.

 

 

LIQENI I MJELMAVE

 

Ngriu rruga si faqe liqeni.

Trotuari

dërrasë sergjeni.

 

Mjelm' e bardhë

përpara më del.

 

Mjelm' e bardhë

po ec mbi liqen.

 

Këmb' e lehtë puhizën ngre.

Përmbi akull

gjurmë nuk le.

 

Ç' më kujtoi vitet e largëta.

Ato vite si mjelma të bardha.

 

Ç' më kujtoi

Liqen' e Çajkovskit

në Teatrin e Madh të Moskës...

 

Më kaploi ëndrra

dhe shkava.

 

Rendi mjelm' e liqenit

e bardha.

Më dha dorën.

Më ngriti.

 

Ç' ma puthi

plagën e dimrit.