| E enjte, 24.03.2011, 07:57 PM |
Janaq Pani, Toronto
HISTORIA E BATAKÇIUT ZIKOB - përrallë fabul
Ngjan me mit apo përrallë
ec e gjeje, lodhu kot,
ca ndodhira ndodhin rrallë
ndaj enigmëm s'e zgjidh dot.
Do bëj punën e rrëfimtarit
ta përcjell si e dëgjova,
ndaj dhe rolin e shkrimtarit
veç nga halli, miq e zgjodha.
1
Sojit të galave, një verë
u lindi një zog çamarok
i tillë q[ lind veç një herë,
dy gurë ai s'linte tok.
Ia falnin se ishte i mitur
çka bënte ai prapësi
dhe thonin:"Ky zog, me t'u rritur
do bëhet patjetër gjeni."
Të ëmës i tha një Fatthënë
nga shenjat që panë filxhan:
"Me pjellën tënde, moj nënë
ti rrit batakçinë shejtan."
Fatthëna çka tha s'e besuan
dhe më nuk e zunë në gojë,
litarin më shumë ia liruan
i vogli të bëjë ç'të dojë.
Kështu ngapak e përditë
po rritet ky zog kokëkrisur
e rrugën nisi të ngjitë
atje për ku ishte nisur...
2
Ditëpërditë na hedh shtat
rrit dhe veset me galop,
është i idhët e zemërak
sa nuk qas asnjë në shkop.
U ndje ngushtë i gjithë fisi,
veç atë mbajnë në gojë,
si shaka kjo valle nisi,
s'dimë si do përfundojë.
Veç të liga bën ngado,
fjalë pise vetëm thotë,
të paturpshëm në e do
shokun nuk ia gjen në botë.
3
Erdh' një ditë, këtij bandillit
në gjith' shpezët iu hap fama,
ndaj vendimin mori pylli
që, mëtej mos hapej flama,
na u mblodh komuniteti,
mendjen vranë mirë e mirë
dhe të udhës na e gjeti
ta largojnë në humbëtirë.
Solemnisht mandej vendimin
ia përcollën zemër-vrarë:
"N'humbëtirë, o trim-trimi
ke mëkatet për të larë.!"
4
Nuk iu drodh aspak qerpiku
as u ndje, jo i penduar,
rrahu krahët edhe iku
ashtu siç kish dëshëruar.
Na u end ashtu së koti,
shkeli në të tjera vise,
gojën dhe më shumë e ndoti,
nxirrte vetëm fjalë pise.
Ik e ikë në këtë tur
diku vjen dhe çast i mbramë,
erdh' një ditë, u sëmur
e askënd nuk iu ndodh pranë.
U këput e ra plandosur
përmbi barin larë vesë,
si kalorës i vrerosur
po pret çastin që të vdesë.
5
Shpirt kur ishte duke dhënë
si vegim po sheh në ëndërr
sikur pranë ndihen këmbë,
sikur rreh për të një zemër.
Qenkish ëndrra e vërtetë
se një zonjë iu gjend aty:
"Oh, fatkeq, çfarë të ka gjetë?"
dhe e ngre e merr në gji.
Gati të shkrihet në vaj,
frikë ka se mos i vdes,
butë, te kapele e saj
e vendosi me kujdes.
Në pallat mandej e çoi,
po i bëhet nënë e dytë.
E ushqeu dhe e kuroi
gjersa zogu hapi sytë.
Veten kur e ndjeu mirë
zonjës na i mori lejë,
që të endej flatra shtrirë
hapësirash të dëfrejë.
6
Sa pa ngjyra hapësira
po i ngjan tek fluturon,
plot me kulme e çatira
që së larti i vëzhgon.
Përreth dhe ca zogj të tjerë
ndjehen të gjithë gëzuar,
por për të nuk kanë vlerë
ndaj s'i fton e rri veçuar.
Për t'u shplodhur, te një urë
ulet ngeshëm mbi parmak,
e kundrojnë gra e burra
kush nga afër, kush nga larg.
Pranë tyre ndjehet mirë
mposhti frikën, që natyrshëm
brenda vetes mbante ndryrë
e nis të na sillet lirshëm.
Po dhe njerëzit, të befasuar
një pyetje bëjnë vetiu:
"Ky pinjoll i trimëruar
nga na erdhi e nga na mbiu!?"
7
Nuk e di kush u kujtua,
nuk e di dhe si e gjeti,
por Zikob u pagëzua
dhe ky emër na i mbeti.
Ndoshta unë flas dhe kot,
vetë zogu s'më rrëfeu
kur e thirrën:" Ej, Zikob!"
i pëlqeu a s'i pëlqeu.
Te parmaku të gjitha orët
veç Zikobi i magjepste,
ndaj kushdo nga këmbësorët:
"Hej, salut! e përshëndeste.
Kishte hyrë pa u ndjerë
brenda sojit njerëzor,
sojn' e galave pa vlerë
t'ia përmendish i vjen zor.
8
Shkuan javë e rrodhën muaj
njerëzia krejt u bind,
ec po deshe e mos e duaj
këtë zogun wandering.(1)
Kthetrat ngul te supi lart
vjen pushon si zot shtëpie
e kapelen nis ta çart
rrëfen sprova "miqësie".
Të çukit mandej te veshi
hedh vështrimin trimëror,
njerëzia krejt te sheshi
po gajasen gjithë në kor.
Admirues përditë mbledh,
nojmat sa i kanë hije,
vetë lodrat i përzgjedh
me çapkënëri fëmije.
9
Erdh' një ditë, me intuitë
po e ndjen se në çdo anë
vese plot të jenë rritë
si një bar i keq me flamë.
Ky zbulim e la pa gojë,
i shpalos në sy trishtimin,
i zhgënjyer dhe me drojë
thellë e thellë e ndjen zhgënjimin.
Për Zikobin ngjan kjo ditë
pështyrosje nga njeriu,
brenda tij krye ka ngritë
befas zgjohet "batakçiu".
Përkëdhelur ish gjer dje
dhe klloun edhe bufon,
mbas tani gjithçka e len
dhe për tjetër strehë kërkon.
Te shkëmbinjtë ku nisa jetën
dhe në pyjet e pa anë
vese plot, ç'është e vërtetë
soji i galave nuk kanë.
Çdokush lind e do të vdesë
brenda pyllit veç i lirë,
e di që për mbijetesë
ndeshen për pak hapësirë.
Unë zgjodha rojtje tjetër
këtu në mjedis të huaj,
por e sheh dhe një i verbër
egërsinë në mes tuaj.
Larg po shkoj nga juaj lloji
e nuk ndjehem i zhgënjyer,
se në luftën midis llojit
bota krejt është mbërthyer...
10
Ngjan me mit apo përrallë
ec e gjeje, lodhu kot,
çon mesazhin për të gjallët
që nga pylli larg në zog.
Bëra rolin e shkrimtarit
ta përcjell si të vërtetë,
për dikë që i mbet' hatri
një përrallë le të jetë...