| E merkure, 23.03.2011, 08:59 PM |
Tuni Papuçiu ka lindur më 23 mars 1922 në qytetin e Fierit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen dhe studimet e larta në Tiranë. Që nga shtatori i vitit 1943 e deri në çlirimin e Shqipërisë, ishte inkuadruar në Zonën e Parë Operative të Vlorës. Menjëherë pas çlirimit, iu përshkushtua gazetarisë. Nxori dhe drejtoi në Sevaster të Vlorës gazetën « Përpjekja e rinisë ». Veprimtarinë gazetareske e vijoi në Tiranë në gazetën « Sporti » (1945), si kryeredaktor i saj, duke qënë përkrah Andon Mazrekut në Ballkaniadën e vitit 1946. Më pas, deri në 1959 punoi natën « si i freskët » në gazetë. Që prej vitit 1959 deri sa u nda nga jeta, drejtoi të përdyjavshmen letrare dhe artistike të ilustruar, revistën « Fatosi ». Vdiq papritmas në Shkodër, më 3 qershor 1975. Një rruge në qytetin e tij të lindjes, Fieri, i është vënë emri i tij. Është dekoruar disa herë për veprimtarinë e tij letrare dhe publiçistike.
Trashëgimia publiçistike dhe letrare e Tuni Papuçiut është në koleksionet e medias së shkruar të viteve ’40-
Mendime për Tuni Papuçiun, jetën dhe veprën e tij
Tuni Petro Papuçiu (1922-1975)
Tuni Petro Papuçiu , për nga karakteri i vet, natyra gazmore dhe aftësitë e gjithanshme, ka qënë një personalitet i tipit unikal, një djalë fierak që, siç shprehet populli, e lind nëna rrallë.
Lindi në Fier në vitin 1922 dhe punoi për vite të tëra në gazetë e më pas, deri sa vdiq, në revistën “Fatosi”. Ai i ngjante minierës. Sa më shumë të kërkoje, aq më shumë vlera do t’i njihje, aq më shumë xhevahire do të gjeje te ky njeri.
Pati një temperament të gjallë. Nxënës në Fier la mbresa të pashlyeshme te shokët e tij, gjimnazist në Tiranë përqafoi idetë më përparimtare të kohës, partizan gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e vuri jetën në roje nderi të atdheut. Qe gazetar dhe publiçist i shquar: Së bashku me Jakov Xoxën, fill pas çlirimit, nxori gazetën e parë “Përpjekja e rinisë” në Vlorë. Qe ndër udhëheqësit e BRASH-it në Tiranë, kryeredaktor i parë i gazetës “Sporti”, organizator dhe publiçist në Ballkaniadën e vitit 1946, së bashku me të paharueshmin Andon Mazreku. Qe “njeri i mirë”, siç e ka përcaktuar akademiku Alfred Uçi, njeri i pazëvëndësueshëm i gazetës, që përballoi me ndërgjegje të lartë edhe punën më të thjeshtë teknike aq delikate, edhe të redaktorëve e kryeredaktorit.
Llambi Blido, piktori ynë i mirënjohur e pati quajtur Tunin “njeri redaksi”. Pra ai punonte si një redaksi e tërë. Te revista “Fatosi” u shpalos talenti i tij si shkrimtar dhe publiçist për fëmijë, si edukator i brezit të ri të artistëve e letrarëve, që e ngritën në majë artin dhe letërsinë tonë. Piktori i merituar Agim Faja ka shkruar se Tuni Papuçiu “qe njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës, me zemër të madhe dhe shpirt fisnik”.
Tuni i madh e në të njëjtën kohë modest ishte miku më i ngushtë i tipografëve, ishte mësuesi i tyre dhe shpesh, kur bëheshin gabime të rënda në shtyp, ishte shpëtimtari i tyre, sepse i merrte në mbrojtje duke i hedhur vetes gabimet e tyre.
Tuni Papuçiu qe shpirti i festivaleve kombëtare të këngës për fëmijë në Shkodër. Jo vetëm si anëtar permanent i jurisë, por edhe si autor i teksteve të këngëve për fëmijë, ku laurohej çdo vit me çmime nderi; jeta e tij u sos pikërisht në festivalin kombëtar të këngës për fëmijë në , në vitin 1975.
Tuni Papuçiu i përket elitës së publiçistëve. Aty ku ndohej Tuni, aty buron kënga, buronin gëzimi dhe humori. Aty ku ishte Tuni, aty takoje ndershmërinë, gatishmërinë për të ndihmuar njerëzit, takoje besimin dhe optimizmin për jetën.
Marrë nga libri: “Figura të shquara të rrethit të Fierit”, 2002
Kujtime qershori
41 vjet!
Për ty, vogëlush, janë shumë këta 41 vjet! Kurse për ne, që e kaluam gjysmë shekullin na duken pak, shumë më pak këto vite.
Ishin ditët e para të qershorit 1959. Atëhere doli në shitje numri i parë i revistës “Fatosi”, i cili mbante në kopertinë Nr.1 dhe muajin maj. Pra, numri ishte i majit, kurse revista u shpërnda në ditët e para të qershorit. E kjo ndodhi kështu, sepse punëtorët e mrekullueshëm të shtypshkronjës “Mihal Duri” nuk e paten të lehtë të shtypnin këtë numër të “Fatosit”, që për herë të parë dilte me gjashtë ngjyra. Më kujtohen si sot ato ditë e netë, kur përgatitej revista. Si do ta presin miqtë tanë të shtrenjtë, kalamajtë e vegjël, fatosat?
Ne, një grup shkrimtarësh për fëmijë, një këshill botues vullnetar kishim emocione, sepse nuk ishim mësuar me këtë punë. Pyesnim veten, vallë si do të dale revista? Midis nesh ishte dhe Tuni Papuçiu, redaktori i parë i revistës “Fatosi”, një punonjës i vjetër i shtypit, që ishte marrë me shumë gazeta. Tuni buzëqeshte me ne, na qetësonte dhe punonte me zell, duke trokitur sa në shtypshkronjë, në depot e letrës së revistave, në shtëpitë e piktorëve dhe shkrimtarëve, të cilët na kishin premtuar bashkëpunime për numrin e parë.
Dhe numri i parë u bë gati. U dorëzua dhe në shtypshkronjë për shtyp. Por sa shumë vonoi për të dalë! Gati 45 ditë, sepse ishte një proces i ri shtypi me shumë ngjyra…Për më tepër se një muaj ditën dhe natën, bile ngandonjëherë edhe pas mesit të natës binte telefoni në zyrën e vockël të “Fatosit” dhe në shtëpinë e redaktorit Tuni Papuçiu. Diçka kishte ngelur në shtyp. Dhe Tuni vraponte në shtypshkronjë, punonte me tipografët dhe lyente duart me bojë sikur të ishte edhe vetë tipograf. Dhe vërtet punëtorët nuk e ndanin Tunin nga gjiri i tyre, e donin me gjithë shpirt, e quanin pjestar të kolektivit të tyre.
Kur dolën kopjet e parat ë „Fatosit“, redaktori ynë i dashur erdhi me një tufë revista duke qeshur për fitoren modeste që kishim arritur.
Nuk më harrohen kurrë këto ditë qershori të numrit të parë të “Fatosit”. Kaluan pastaj shumë maje e qershore e revista mori shtat duke u bërë gjithnjë e më e dashur për fëmijët e vegjël. Sot po ta vështrosh koleksionin e “Fatosit” për 41 vjet, ai mbush gati një rresht në një raft biblioteke.
Në redaksinë e revistës “Fatosi” vinin çdo vit me qindra e mijëra letra. Askush nuk merrte mundimin që të gjitha këto t’i lexonte, siç i lexonte redaktori i lavdishëm, Tuni Papuçiu. Ai e kuptonte thellë se pas çdo letre ishte një lexues i vogël, i pasionuar i revistës, që i duhej përgjigjur si edhe shkrimtarëve e piktorëve të rritur. Bashkëbisedimi me të vegjëlit ishte një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së Tuni Papuçiut. Pasi i lexonte të gjitha letrat, ai i klasifikonte, zgjidhte ato që mund të botoheshin në revistë (vizatime, vjersha etj.) dhe ndante më vete letrat, të cilave u duhej dhënë përgjigje përmes Postës së Redaksisë së revistës. Pastaj, ulej në makinë e shkrimit dhe shtypte pa përtesë përgjigjet individuale për bashkëpunëtorët e vegjël. Në sirtarin e tryezës së tij të punës ruheshin, jo vetëm letrat e bashkëpunëtorëve, po edhe përgjigjet e tij të daktilografuara të panumërta që përbënin një arkiv të vërtetë dhe shumë të pasur.
Kjo punë e lodhëshme dhe shumë e kujdesëshme është një shembull i rallë në shtypin tonë.
Tuni Papuçiu na ka lënë disa libra të botuar për fëmijë, midis të cilëve mund të përmendim « Midis shelgjeve buzë lumit » (tregime), « Supa dhe karamelet » (vjersha, skeçe e tregime), « Një sirtar i veçantë » me shkrime të zgjedhura, si dhe dhjetra e qindra skeçe për fëmijë, poezi, artikuj në shtypin shqiptar.
Redaktori i paharrueshëm i revistës « Fatosi », Tuni Papuçiu nuk ishte vetëm shkrimtar dhe publiçist, por edhe një pedagog e psikolog, një mësues i vërtetë, që i donte pa masë fëmijët dhe që shkriu jetën për ta.
Lexuesit e numrit të parë të revistës „Fatosi“ sot kanë mbaruar shkollat e mesme dhe të larta dhe tani punojnë në të katër anët e Atdheut. Por ata kurrë nuk i harrojnë as gëzimin dhe as këshillat dhe mësimet, që u dha revista e tyre e dashur, për të cilën shoku ynë, redaktori i parë, Tuni Papuçiu, për 16 vjet derdhi mundin dhe talentin e tij.
Prof. Bedri Dedja, Akademik, ish kryeredaktor vullnetar i „Fatosit“
(Marrë nga libri „..Një Sirtar i veçantë“, viti 2000
2. Më 3 qershor në Shkodër kishte ndodhur vdekja e papritur e Tuni Papuçiut, vëllait të vetëm të Pandorës. Kjo qe një goditje shumë e rëndë, pasi Tunin nuk e kisha patur vetëm kunat, por edhe shok, edhe bashkëpunëtor në revistën “Fatosi”. Tuni ishte një njeri që meritonte të qahej me kujë, ishte një figurë me reputacion të madh, një flori me shpirt njeriu, që mbaroi në duart e miqve tanë të dashur, Lajde Staku e Xhevat Beqaraj.
Prof. Bedri Dedja, Akademik
(Marrë nga libri i tij me kujtime “Nëpër rravat e jetës”, 2001
Posta e “Fatosit”
Në këtë libër me titull “Një sirtar i veçantë” të shkrimtarit dhe publiçistit Tuni Papuçiu përfshihet edhe një përmbledhje e letërkëmbimit të tij me lexuesit e vegjël të revistës “Fatosi”.
Pse u vendos t’i përmblidhen disa nga këto letra?
Janë dy arsye: e para, sepse letrat që shkëmbejnë shkrimtarët, sidomos me lexuesit, janë një lloj i letërsisë me vlera biografike, historike dhe publiçistike. E dyta, sepse Tuni Papuçiu është ndër shumë të rrallët në letërsinë tonë të sotme, që e ka lëvruar këtë zhanër me shumë pasion, vullnet dhe korektesë, duke respektuar si një pedagog i vërtetë personalitetin e fëmijëve të vegjël.
Në redaksinë e revistës “Fatosi” vinin me qindra e mijëra letra letra. Askush nuk merrte mundimin që të gjitha këto letra t’i lexonte me vëmendje dhe me përkujdesje, siç i lexonte redaktori i mire Tuni Papuçiu. Letrat ishin, vërtet të shkurtra, por përmbanin brenda vizatime, vjersha, hartime e krijime të tjera të fëmijëve.
Tuni Papuçiu e kuptonte thellë se pas çdo letre ishte një lexues i vogël i apasionuar i revistës, i cili kishte kënaqësinë dhe sedrën e një bashkëpunëtori të njomë në moshë, po me dëshira, ëndrra dhe fantazi të papërsëritshme, prandaj ai duhej respektuar në mënyrë të barabartë si edhe shkrimtarët dhe piktorët e rritur.
Bashkëbisedimi me të vegjëlit ishte një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së Tuni Papuçiut. Pasi i lexonte të gjitha letrat, ai i klasifikonte, zgjidhte ato që mund të botoheshin në revistë (vizatime, vjersha etj.) dhe ndante më vete letrat, të cilave u duhej dhënë përgjigje, si me anë të letrave të tij, ashtu edhe permes postës së redaksisë në revistë. Pastaj ulej në makinën e shkrimit dhe shtypte pa përtesë përgjigjet individuale për bashkëpunëtorët e vegjël, të cilat i niste me postë, ose kompozonte përgjigjet në faqe të veçanta të revistës. Në sirtaret e tryezës së tij të punës ruheshin, jo vetëm letrat e bashkëpunëtorëve, po edhe përgjigjet e tij të daktilografuara e të panumërta, që përbënin një arkiv të vërtetë dhe shumë të pasur.
Kjo punë e lodhshme dhe shumë e kujdesshme është një shembull i rrallë, të cilin nuk e ndeshnim dhe nuk e ndeshim në asnjë organ të shtypit të kohës, jo vetëm atëhere, por edhe sot.
Pra, Tuni Papuçiu nuk ishte vetëm shkrimtar e publicist, po edhe një pedagog e psikolog, që i donte shumë fëmijët. Në kujtim të kësaj pune, janë zgjedhur për botim disa nga faqet e “Postës së Fatosit”, që e lartësojnë edhe më shumë emrin e autorit.
Bedri Dedja
Posta e « FATOSIT ». Në tryezën time një sirtar i veçantë
Në tryezën time të punës ndodhet edhe një sirtar i veçantë. Atë sirtar unë e hap sa herë vjen xhaxhi postieri e më thotë: “ I dashur Fatos, të ka ardhur një letër nga fatos… Gjergji…ose nga fatose…Merita…Unë vë buzën në gaz, I kënaqur që shokët e mi të vegjël an’embanë Atdheut më dërgojnë bashkëpunime dhe më përshëndesin me dashuri.
Kështu pak e nga pak, sirtari im i veçantë mbushet plot. Atëhere e hap: befas një numër i madh fatosash më vijnë mbi tryezën time, kush duke buzëqeshur, kush pak i ndrojtur, ndonjë tjetëriI heshtur dhe i vrejtur, sikur pret ta qortojmë për një gabim, por ka edhe ndonjë që rri pak i krekosur, i kënaqur nga vjershat e veta.
Në pamje të jashtme ndryshojnë nga njeri-tjetri, por për mua ata janë të gjithë bashkëpunëtorët e mi të vegjël, letrarët apo shkrimtarët e ardhshëm, shokët dhe lexuesit e mi të rregullt, prandaj unë i pres të gjithë me të njëjtën dashuri dhe u them: “Mirë se erdhët!”. Disa ua botoj vjershta në faqet e revistës “Fatosi”. Ata kanë arsye të jenë vërtet të kënaqur, sepse kjo tregon që kanë shkruar vjersha të mira. Megjithatë, mua nuk do të më pëlqente t’i shikoja të krekosur…
Por, ndërsa nga kjo anë gëzohem shumë dhe ju përshëndes, njëkohësisht do t’ju bëj edhe një kritikë të vogël : ju thuajse nuk shkruani fare për mësimin, për veprimtaritë jashtëshkollore, për sjelljen e kulturuar, për marrëdhëniet me shokët e shoqet dhe për sa e sa gjëra të tjera, me të cilat ndesheni në çdo hap të jetës suaj. Me këtë rast do t’ju jap edhe një këshillë (me zë të ulët) : mos ua lini radhën vetëm tetave e xhaxhi shkrimtarëve për këto tema, sepse ata vetë i marrin nga jeta juaj, i m¨seojnë nga ju.
Veç kësaj, miqtë e mi të dashur, ju duhet të shkruani jo vetëm vjersha, por edhe tregime apo hartime të shkurtëra.
Për këtë herë do ju përshëndes duke ju uruar të merrni nota sa më të mira e të shkruani vjersha e tregime të bukura.
Edhe tani, derisa sirtari im i veçantë të mbushet përsëri me letrat tuaja të dashura.
Mirupafshim
Miku juaj i mirë
« FATOSI »
Mbresat e mia
Tuni ishte vëllai i vetëm midis pesë motrave Qe i dyti nga fëmijët, mbas motrës Kristinës. Babai ynë, Petro Papuçiu ishte njeri i punës, i papërtuar, energjik, me një zemër bujare. Po ai ishte dhe një patriot i flaktë, madje lagjen ku u vendos me familjen e tij, si ndër banorët e parë të saj, e emërtoi Lagjia „Liri“, që këtë emër e ruan edhe sot. Po kështu ishte edhe nëna, Dhora, e urtë, nikoqire, e sakrificës, e cila kurrë nuk na rëndoi me punët shtëpiake. Gjithçka e kryente vetë, duke na lënë kohë të lirë që të mësonim. Babai, që mbante mbi shpatulla gjithë ekonominë e shtëpisë, nuk e kurseu veten, por si arsimdashës, duke njohur inteligjencën e djalit që në moshën dhjetë-njëmbëdhjetë vjeç, e çoi në Tiranë për studime, pasi Fieri, vendlindja jonë, në ato vite kishte vetëm shkollë fillore. Tuni pothuaj u rrit në Tiranë; këtu kreu mësimet me shpenzimet e babait, i cili pothuajse çdo javë do të vinte ta shihte, të ndiqte ecurinë e tij dhe shpesh me bujarinë që e karakterizonte ndihmonte edhe shokët konviktorë të djalit.
Në familje shpërthente gëzimi i madh, kur ai kthehej me pushime pranë nesh. Me vete gjithnjë do të sillte libra, ato vepra të pakta origjinale dhe përkthime që botoheshin në atë kohë. Kështuqë në shtëpinë tonë u krijua një bibliotekë e pasur për kohën, e cila na dha mundësi të lexonim. Fillimisht, në netët e gjata të dimrit, mblidheshim rreth vatrës dhe ne më të vegjëlve na i lexonte motra e dytë, e treta ndër fëmijët, Ksanthipi. Tuni me mua ishte i lidhur shumë. Unë kisha një diferencë moshe me të rreth njëmbëdhjetë vjetë dhe ai do të gjente mënyrën se si të më argëtonte. Mbaj mend që njëherë më hipi në një kalë të babait dhe bashkë me të i ramë përqark rrugës kryesore të Fierit. Dikush lajmëroi babanë dhe ai erdhi menjëherë e na zbriti pasi kali që ishte ende i pashtruar, siç shpreheshin atëhere.
Më vonë kur hyra në shkollën 7 vjeçare, babai pothuajse në çdo javë do t’i niste letra Tunit, duke e vënë në dijeni për gjithçka që preokuponte atë. Letrën ma diktonte babai dhe unë e shkruaja, duke i qëndruar besnike mendimeve të tij, madje edhe presjen e pikën duhet ta vija atje, ku mendonte ai. Kur ia lexoja në fund, ai kënaqej. Kjo qe ndihmesë e madhe për mua, pasi kështu mësova t’i hartoja vetë letrat.
Megjithëse Tuni u rrit me të gjitha të mirat nga prindërit, ai nuk e shpërdoroi asnjëherë përkujdesjen e tyre, përkundrazi, qe gjer në fund të jetës njeri shumë i dhëmsur për familjen e vet, për prindërit, për motrat dhe kjo sjellje e bëri shumë të dashur, jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për miqtë e shokët. Miq të babait, kur kishin halle do të kërkonin ndihmën e Tunit, do të vinin në Tiranë dhe ai shpesh do t’i strehonte në shtëpinë e vet. Madje tregonin se kur vdiq babai i arkitekt Sokrat Moskos, mik i ngushtë i babait, shkoi edhe në morg, e veshi dhe e shoqëroi gjer në Fier për në banesën e fundit.
Tuni kishte edhe një dhunti tjetër të rrallë. Ai i këndonte me passion këngët e popullit, madje disa kohë përpara se të ndërronte jetë, pati dorëzuar në Institutin e Folklorit, siç quhej atëhere, një fletore të trashë me tekste të këngëve popullore, jo vetëm të trevës së Jugut, por edhe të Veriut. Në fisin tonë të gjërë të Papuçinjve dhe të Luleve, zëri dhe kënga e tij ishin gjithnjë të pranishëm. Nuk më harrohen jaret sa bukur i këndonte! Apo këngët myzeqare e përmetare që i merrte shtruar bashkë me dajën e tij, të urtë, të dhimsur e bujar, Kozma Lulen e djalin e dajës së madh Timo Lulen Me ta këndonte me pasion dhe Nasi Bogo, me të cilin kishim krushqi. Këto kanë lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e pjesëmarrësve në këto gëzime. Ne, edhe sot e kësaj dite, në shenjë kujtimi, sa here që mblidhemi këndojmë një nga këngët e tij më të preferuara “Jorgjicën”. Kështu na duket se ai është midis nesh.
Megjithëse kishte një diferencë të madhe moshe, mbi njëzetë e pesë vjetë, me dajën e vet, Vangjel Lulen, një fanolist demokrat, njeri me horizont të gjerë, njohës i disa gjuhëve të huaja, me të mbante një letërkëmbim të rregullt. Daja e donte shumë Tunin dhe Tuni dajën, prandaj për çdo gjë këshilloheshin me njeri tjetrin, sikur të ishin shokë të një moshe.
Familja jonë dhe gjithë fisi si nga ana e nënës, ashtu edhe babait, qenë të lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, madje dy nga dera e Papuçinjve, Miço dhe Loni Papuçiu ranë dëshmorë. Edhe Tuni, megjithëse i vetëm midis pesë motrave u rreshtua në radhët partizane, ashtu edhe një nga motrat, Olimbia. Më kujtohet që në familjen tonë, për gati tre muaj u strehua një partizan, i cili më vonë erdhi përsëri në shtëpinë tonë, për të shprehur ndjenjat e respektit për përkujdesjet e treguara.
Në kujtesë më ka ngelur edhe njëra nga dasmat në shtëpinë e xhaxhait tone, Koçi Papuçiu. Martohej i dyti ndër fëmijët e tij, Mihali. Ka qënë viti 1942 kur u mblodh fisi dhe miqësia. Dasma nuk filloi me këngët karakteristike, por papritur në shtëpinë e madhe të xhaxhait buçiti kënga e sapodalë, kushtuar heroit të pavdekshëm, Qemal Stafa. Të dukej sikur edhe muret tronditeshin, pa përfillur rrezikun nga armiqtë.
Babai ynë, Peçi ndërroi jetë, në moshën 59 vjeçare, më 27 shkurt 1959. Vdekja e babait e tronditi shumë Tunin. Fytyra e tij shumë simpatike, mori pamje të brengosur. Sytë i shprehnin një dhembje të thellë dhe ai për një kohë të gjatë e përjetoi humbjen e parakohëshme të babait. Vite më pas, më 5 qershor të vitit 1972, një humbje tjetër, tepër e rëndë për familjen tonë. Në moshën 45 vjeçare, njëra nga motrat, Ksanthipi, vdiq, duke lënë jetime vajzën 8 vjeçare, Jetën dhe në gjashtë muajt e saj, vdiq edhe nëna jonë e urtë, e cila nuk e përballoi dot dhembjen për çupën e saj.
Dhembja e Tunit, pas këtyre ngjarjeve, u shpreh në përkujdesjen për mbesën, Jetën. Ai flinte natën me të, kujdesej për detyrat e saj në shkollë, për ushqimin, për dëfrimet fëminore. Ai e ndjente shumë thellë përgjegjësinë për fatin e vajzës jetime. Siç na tregonte më vonë e paharrueshmja Lajde Staku, që i ndenji te koka deri në fund, deri në regëtimen e mbrame, ai shqiptonte: „Jeta…Jeta. Jeta sikur qe amaneti i tij i fundit dhe unë e Bedriu këtë amanet e ruajtëm të shenjtë, gjersa Jetën sot inxhinjere dhe nënë e dy fëmijëve, e nxorrëm në jetë…
I shkrova këto radhë me përkushtimin për figurën e Tuni Papuçiut, jo se qe vëllai im dhe jo se ndjenjat e mia tronditen kur e kujtoj, por sepse Tuni ishte një ndër njerëzit e rrallë që gëzoi respektin e shoqërisë shqiptare, gazetar dhe publiçist i talentuar, shkrimtar për fëmijë, artist e këngëtar, miku i madh i punëtorëve tipografë, familjar i rrallë midis shokëve, njeri që gëzoi respekt në mjediset shoqërore, kur ishte gjallë dhe që këtë respekt e ruajnë edhe sot, jo vetëm intelektualët, por edhe njerëzit e thjeshtë.
Pandora (Papuçiu) Dedja
Nata e fundit
1. Sapo kishte mbaruar nata e dytë e Festivalit të Këngës për fëmijë. Shëtitnim në rrugën kryesore të qytetit. Ishim ende me mbresat e zërave të pastër e të çiltër të artistëve të vegjël. Pastaj u ulëm në sallën e vogël të turizmit për të ngrënë darkë. Pimë edhe nga një gotë vetë, edhe nga një shishe birrë.
Ishim regjistruar të dy në një dhomë. S’na flihej. Dualëm përsëri. Shëtitja jonë: venim e vinim përpara Kafes së Madhe.
Nata ishte e freskët. Rruga pothuaj e boshatisur. Na shoqëronte hija e dendur e blirëve buzë trotuareve. Aroma e blirëve na pëlqente të dyve.
Fliste ai më shumë. Dëgjoja unë më shumë. Seç kishte një dëshirë të çuditshme për t’u rrëfyer, për t’u shtyrë në kujtime të herëshme të rinisë. (Ai më besonte).
Më fliste për intimitete, miq, shokë, grindje, shqetësime, për përpilues listash ugurzeza qarkullimi (në njërën prej tyre fati a ndonjë « dashamirës » më pat shënuar edhe mua)…Më tregoi për mbledhjen gjer në mesnatë të redaksisë për… »lajthitjet » e Llambit, për librin e tij të parë, për…
Sikur do të ndaheshim bashkë. Dhe të nesërmen (Ah, kjo e nesërme që s’dihet ç’na sjellë!) në agimin e 3 qershorit 1975, pa u gdhirë mirë, një zë mbytës, i turbulltë, që dukej sikur vinte nga thellësi të largëta, me gjuhën pak të trashur e të mpirë, me fjalë gjysmake:
- Xhe-vat, o Xhe-vat!... më bëri të hidhem nga krevati i tronditur. I vajta pranë. E ngrita me kujdes nga supet. Më kapi dorën e ma mbështeti te koka e vet. Më nguli vështrimin e mjegulluar si të më kërkonte shpëtim. Më tregoi lavamanin… I vura një peshqir të lagur te balli e ika të lajmëroj Mirën, Myzin, Aqifin, Mihalin, Skënderin. Erdhi shumë shpejt një mjek. Erdhi dhe një tjetër.
- I pari :
- - Helmim nga ushqimet.
I dyti (duke i provuar te putra e këmbës një çelës të vogël
- Hemoragji cerebrale.
E çuam pa humbur kohë në spital. (Vështrimi i Sandrit gati ka ngrirë. Lajdja i qëndron te kryet. Dënesë…)
Mjekët u përpoqën. Po goditja në kokë qe e rëndë. Dhe shpëtimi i pamundur. Dhe…larg njerëzve të tij më të afërt e më të shtrenjtë, në Shkodër, të cilën e donte shumë, si Tiranën ku banonte, si Fierin ku kishte lindur e ishte endur në miturinë e vet. Tuni mbyll sytë e ndahet për gjithnjë me këtë botë, duke lënë pas kujtimin më të mire tek ata që e donin, tek ata që i donte.
2.
Tuni e donte jetën dhe mundohej ta shijonte atë. Tuni ishte bashkëshort, prind e vëlla shëmbullor. Ishte i hedhur e me humor (dhe humori rallë i mungonte Tunit). Ishte bujar e mikpritës. Tunit i pëlqenin shëtitjet, i pëlqenin këngët e sidomos ato popullore. Kur pinte një çikë e ndodhej mes miqsh, patjetër do të zinte këngët myzeqare dhe përmetare dhe “Jorgjica, Jorgjica”. Ishin këngët e tij të zemrës. Humbiste pas tyre. Ato sikur i buronin nga shpirti. Shpesh në sy i vezullonin lotë.
I donte njerëzit e hapur e të ndershëm (se dhe vetë ashtu ishte). Tuni jo vetëm donte. Edhe nuk donte: ata që të lajnë e të lyejnë, që të vrasin natën e të qajnë ditën. Shpifësit, njerëzit me dy syfete nuk i honepste dot…
3.
“Fatosi” hapat e tij të para (prill-maj 1959) I hodhi së toku me Tunin. Ishte redaktor i vetëm në revistë. Dhe ajo u bë jetë e dytë për Tunin. E ndiqte që nga marrëdhëniet me bashkëpunëtorët (me të cilët dinte të merrej vesh si ai) te faqosja, te rradhitja në shtypshkronjë deri sa të shkonte te të vegjëlit, në shkollën apo shtëpinë e tyre. E donte “Fatosin”, se donte shumë fëmijët, gëzimin e rrallë të prindërve e shpresën e mëmëdheut. Dhe, për fëmijët- të bukurit, të pastërit, ëngjëllorët, shkroi sa e sa këngë, vjersha, skica, tregime… Dëshmi është edhe përmbledhja “Supa dhe karamelet” që po vjen në dorën tuaj, lexues të dashur.
E premte, 15 mars 1996
Xhevat Beqaraj (shkrimtar)
Njeriu me zemër të madhe
Ilustrimet e librit të Tuni Papuçiut « Një sirtar i veçantë » i mbarova të gjitha. I kam punuar me atë dashuri e impenjim si dikur moti, në vitet ‚75 e 76‘ kur punoja mbi „Abetaren“. Veç ilustrimeve ashtu siç më mësonte Tuni, unë kam bërë edhe faqosjen teknike të tyre, duke i aranxhuar edhe me tekstin. Ketë punë e bënim me Tunin në numurat e revistës „Fatosi“ se Tuni qe dhe një redaktor teknik i përsosur. Ai vlerësonte në mënyrë shumë të kulturuar ilustrimet, duke i konsideruar ato si stacione pushimi në librat, jo vetëm për fëmijë por edhe për të rritur. Kujtoj një debat të tensionuar që bëmë në redaksi. Dikush ishte kundër ilustrimeve, në një kohë që Tuni edhe unë ishim pro tyre. Në librat e botuar ,Tuni i vlerësonte ilustrimet tamam si një evropian. Ai shihte shumë revista të huaja për fëmijë dhe mundohej që në një farë mënyre (brenda mundësive që kishte shtypi ynë) ta bënte edhe revistën « Fatosi », simotër të tyre. Shihnim : « Vjesollije kartinkin », rus, « Luminita »-n rumune, « Koriere dei pikoli » dhe …pikolisimo » italiane ; bullgare, franceze, gjermane « Frohlichv sein » dhe « Frosi Magazin », « Gllavejeçe » (bullgare), « Iobatat » (hungareze), « Murtilka » (ruse) etj.
Ndoshta është kjo arsyeja që « Fatosi » tërhiqte vemendjen jo vetëm për përmbajtjen e tij, por edhe për paraqitjen artistike dhe estetike, ç’ka sot për sot mungon në revistat tona për fëmijë. Mbase përdorimi i tepruar i kompjuterëve e ka sjellë këtë ftohtësi estetike.
Më kujtohet me sa skrupolozitet e ndiqte botimin e « Fatosi-t » në « Mihal Duri ». Megjithatë ato e donin shumë dhe e prisnin me dashuri të tërë, edhe burrat edhe gratë, gjer te vajzat e reja. Se Tuni kishte dhe shumë humor.
***
Kopertinën e librit me krijime të Tunit tonë të paharruar e mbarova. Tunin e konceptova midis fëmijëve, jetës së tyre, krijimeve të tyre, gëzimeve të tyre, të cilët ai i deshi aq shumë, sa e deshën edhe ata Tunin.
Është shumë domethënëse vdekja e Tunit në Festivalin e Këngëve për fëmijë në Shkodër. Tuni me atë punë këmbëngulëse, që ka bërë për nxjerrjen e revistës „Fatosi“, për tërë ato krijime interesante në poezi dhe në prozë për fëmijë dhe për atë dashuri të madhe që kishte për ta, natyrisht vetëm atë lloj vdekje meritonte, se Tuni qe njeri, në kuptimin e vërtetë të fjalës, me zemër të madhe dhe shpirt fisnik. Interesant, asnjëherë krijimet e veta poetike, nuk i qaunte poezi, por thjeshtë vjersha.
Në ballin e parë të kopertinës, Tunin e konceptova në dhomën e tij të punës, në redaksinë e revistës „Fatosi“, i rrethuar nga tërë ata fëmijë, të gjithë fatosa, nga tërë anët e Shqipërisë, nga qytetet dhe fshatrat nga Jugu, nga Shqipëria e Mesme dhe nga Veriu. Duke përjashtuar portretin që është me fotografi, të tjerat i kam punuar vetë, me dorë, me një kujdes të veçantë, duke u munduar që edhe fotografinë ta prekja me ngjyra, për ta harmonizuar me gjithë ambientin fëminor. Megjithatë, duke patur synim, që gjithësesi figura e Tunit ishte parësorja. Dhe kur kam punuar torsin, sillja ndërmend xhaketën e tij, kollaren gri, gjer në mbajtësen metalike të kollares.
Në pjesën e prapme të kopertinës, kam konceptuar fëmijët, duke hyrë në oborrin e Pallatit të Pionierëve për të ardhur në redaksi. Ndaj dhe lart kam vënë portën metalike të Pallatit, atë portë që e kemi kaluar kaq herë, për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë. E them me këtë saktësi, se pas vdekjes së Tunit unë nuk shkela më në atë zyrë.
Botimi i librit për Tunin është një ndërmarrje shumë interesante që ai e meriton. Duke i qëmtuar krijimet e Tunit besoj se ky është shërbimi më i madh që i bëhet atij. Ky vëllim në këtë 25 vjetor të vdekjes së tij, vjen taman si një homazh.
Për fëmijët punove tërë jetën papërtuar
I deshe shumë tamam si sytë e ballit
Ndaj dhe ata kur ndjenë se të erdhi fundi
Të thirrën pranë vetes e të morën
Tek hidhnin valle e këndonin këngët e Festivalit.
Ti ike Tuni
Ti ike dhe na le
Përveç kudo,
Me gëzim, këngë e dhembje
Ti je me ne.
Agim Faja, piktor i Merituar
Mësuese Bora
” E kemi gjithnjë këtu emrin e Tunit, në mes të emrave të tjerë të shokëve e të shoqeve, të cilët i kujtojmë gjithmonë në këto ditë festash. Tani në këtë vit po ndjejmë diçka të vështirë, po ndjejmë boshllëkun e një miqësije… Miqtë e dashamirët gjithnjë e kujtojnë Tunin e “Fatosit” me respekt e mirënjohje, si një njeri që la vetëm kujtime të mira tek të gjithë, si njeri i punës dhe i mirëkuptimit. E ky është një sadisfaksion më i madh. Me dëgjue mirë për njeriun tënd, gjithnjë e kudo, është ngushëllim i madh…E na urojmë që kjo traditë e mirë e babës suaj, të përsëritet gjithnjë në familjen tuaj…”
Lajde Staku, shkrimtare
Tuni Papuçiu, njeriu-redaksi
Na ishte një kohë kur gazetaria shqiptare për fëmijë (si e tërë gazetaria jonë) i qe nënshtruar kërkesave të propagandës së një partie të vetme. Mirëpo edhe në ato kushte kishte njerëz që nuk u nënshtroheshin vështirësive. Ndaj sot kur një vartësi e tillë nuk është më e detyruar, ndjejmë dyfish mirënjohje për të gjithë ata gazetarë, shkrimtarë, intelektualë të botimeve shqiptare, të cilët edhe pse brenda kallëpeve ideologjike të pashmangshëm, arritën të botonin dhe të mbanin gjallë gazetat dhe revista që u bënë të dashura për lexuesin si uji, ajri, drita. E tillë ishte dhe mbeti revista e mirënjohur për fëmijë “Fatosi”.
Tuni, tash e njëzet vjet nuk është ndër ne, por është me ne gjithmonë i paharrueshëm, NJERIU-REDAKSI, gazetari i botës së fëmijëve, redaktori artistik dhe teknik, organizuesi dhe zbatuesi, shkrimtari e njeriu që pjesën më të madhe të jetës ia dhuroi revistës “Fatosi”. Ai bënte faqosjen, ai mblidhte ilustrimet, ai ndiqte zbatimin në shtypshkronjë. Energjik, i përpiktë, i papërtuar, entuziast dhe i trishtuar në të njëjtën kohë. Të këtillë e pata njohur Tunin në ato vite të vështira, pas pleniumit të katërt famëkeq, kur edhe unë punoja bashkë me të në një redaksi. Tuni Papuçiu në atë kohë ishte gazetar i vjetër, me përvojë të gjatë në punën me shtypin dhe si i tillë ai meritonte sigurisht një vend më të rëndësishëm në hierarkinë e gazetarisë për fëmijë. Por ai ishte tepër modest. Puna e tij e madhe, e palodhur, qëndrimi i tij korekt, cilësi të një njeriu të edukuar e të formuar, e mbrojtën nga pasoja, jo të pamundura. Energjia e tij buronte nga dashuria e madhe për botën e fëmijëve. Dhe fëmijët anembanë Shqipërisë ia shpërblenin dashurinë me qindra letra që vërshonin çdo muaj në redaksinë e „Fatosit“, drejtuar „Xhaxhi Tunit“. E „xhaxhi Tuni“ nuk ishte aq „xhaxhi“ Ai ishte i ri dhe mjaft i ri edhe u largua prej lexuesve të tij të dashur, më 3 qershor 1975. Kanë kaluar njëzet vjet pa „xhaxhi Tunin“ dhe ne kolegët e tij dhe të gjithë ish-lexuesit e „Fatosit“ e kujtojmë me respekt gazetarin dhe botuesin e palodhur Tuni Papuçiu. E kujtojmë dhe ndjejmë në shpirt një peng: E meritonte një kohë më të mirë, më të butë, më pak të ashpër.
Llambi Blido, piktor i merituar
Qershor 1995
Mirënjohje dhe dashuri për Tuni Papuçiun
Në këndin “Takim me shkrimtarin”, ne do t’ju njohim sot me një shkrimtar, i cili nuk jeton më, por që është i lidhur me një ngjarje, që ka një rëndësi të veçantë për shtypin dhe letërsinë tonë për të vegjëlit. Ai është Tuni Papuçiu, redaktori i parë i revistës për fëmijë “Fatosi”. Që nga çasti që lindi ajo revistë e dashur për fëmijët, jeta e Tuni Papuçiut u lidh ngushtë me të dhe me të gjithë fëmijët që e deshën, e lexuan dhe e bënë miken e tyre. Për t’u kthyer më vonë tek ajo si shkrimtarë, përkthyes, ilustratorë.
Shpresa Vreto, shkrimtare, Drejtore e gazetës “Sirena e vogël”
I dashur Bedri!
Artikulli që kishit bërë tok me Xhevatin në gazetën “Drita” për poezitë e të nderuarit Tuni më pëlqeu shumë. E lexova me interesim. M’u duk si një lamtumirë entuziaste. Komentet m’u dukën të sinqerta, siç janë vetë vjershat. Artikullin e quaj dhe si plotësim i dëshirës sime për poezitë e Tunit, që lëvroi me passion lirikën qytetare e festive për të vegjëlit.
Valbona ime 6 vjeçe mburret me vjershat e tij. Këtë ja kisha shprehur në një letër të vogël vetë autorit. Librat e xhaxhi Tunit, në bibliotekën e shtëpisë sonë, janë vendosur ndryshe nga të tjerët. Ato qëndrojnë pas xhamit, si një fotografi, si pasqyrë e një shpirti të thjeshtë e të sinqertë.
Aristotel Mici, shkrimtar (1975)
Vdekja e Tunit më preku thellë sepse ai ishte i afërt dhe mik i gjithë letrarëve e dashamirësve të letërsisë për fëmijë. Për herë të parë e njoha në janarin e këtij viti, kur i paraqita një tregim dhe me të shkëmbeva një bisedë të shkurtër dhe miqësore, sa m’u duk sikur të ishim shokë prej kohësh. Nuk më harrohet gjithashtu një takim që pata me të në redaksi, në ditët e simpoziumit të majit.
- Mos je zëmëruar që s’ta kam botuar tregimin-më tha
- Jo-i thashë-tregimin e pres në korrik, se për atë kohë është aktual.
- Unë e kam vënë në një nga numrat e qershorit-më tha
Me Tunin pata rastin të bisedoj disa herë dhe më dha porosi shumë të vlefshme. Mua dhe kujtdo tjetër që iu dha rasti të njihemi sadopak me të, do të na mbetet në kujtesë i paharruar, Tuni i palodhur, i papërtuar, mik dhe dashamirës i letrarëve
Muharrem Xhaxho, shkrimtar (Lubonjë, më 1.08.1975)
|
|
|
|
| |||||||||
|
Disa shkrime, poezi dhe tregime të Tuni Papuçiut Dashuria për Nënën Këtu në zemër folen, Për trimat në djep më këndoi Partizan i paqes Jam i vogël, Thonë, lufta Jo! Unë luftën N’zemër paqen Kush si ne bën gjimnastikë Kush si ne bën gjimnastikë Republika jonë Anembanë fabrika, Vend heronjsh Të kemi vend heronjsh, Ti nxore Skënderbenë, Armiqt’ e patën kot Tri gjëza Nuk është njeri, po di të flasë, (Libri) Nuk di të shkruaj, s’është as piktor, ( Pasqyra) Ecën gjithnjë në rrugë të gjatë ( Lumi) Fëmija dhe shiu Shi, shi, o baba shi, Po të biesh ti më rrallë, Baba shi, ja ku të them
|