| E marte, 22.03.2011, 08:37 PM |
VIRTUALITETI NATYROR I NJË POETI
(Shënime për vëllimin poetik ”Kështu lindi vjeshta” të poetit Albert Pepkolaj)
Nga Fatmir Minguli
Një poet që ka botuar librin e parë me poezi dhe që nuk mjaftohet me kaq.Albert
Pepkolaj është poet i natyrës që si i tillë vazhdon krijimet e tij të brishta,si
një vazhdim të librit të tij,në faqen e Facebook-ut.Pikërisht ky veprim i tij
është për tu spikatur nga kritika letrare dhe nga studiues të ndryshëm.Libri i
tij kështu zgjat krahët e tij amebikë drejt drejtimeve të shumëanëshme duke
emetuar figura artistike,ndjenja rinore dhe vështrime serioze mbi jetën përreth.
E kto poezi lexohen vazhdimisht jo vetëm nga miq të poetit Albert Pepkolaj,por
dhe nga shumë njerëz të tjerë.
Në krijimtarinë e tij dallohen dy fenomene të veçantë,ç’ka tregon se poeti ka
strukturë dhe boshte të poezisë së tij.
Unë do dalloja dy prej tyre:
1.Ndikimet pozitive nga poetë lirikë dhe realistë të mëdhenj.
Vargjet e shkurtra,strofat elegante përmbajnë në vetvehte shpirtin e poetit në
revoltë,ngazëllimet që i jep një dashuri dhe një tradhëti,keqardhjet për pemët
që zhvishen duke bërë padashur “striptizë”,guximin për t’i “marrë syrin diellit
e për të hyrë brenda zemrës së të dashurës”.
Albert Pepkolaj është poet që dialogon me vehten për problemet e kohës duke na
sjellë para syve format poetike dhe prozaike të Migjenit të madh.Shumë poezi të
librit “Kështu lindi vjeshta” të sjellin një lojë poetike sikurse bënte poeti
ynë i madh verior si në poezitë e titulluara “Dhimbja ime”,”Plagë e
vjetër”,”Unë”,”Pak mikpritje dua”,”O det” etj.
Në poezinë “O det” ka këtë impresion:
“Po ti s’flet,
apo s’arrijnë njerëzit të të kuptojnë,
diçka me ty ngjet
sikur dallgët diçka duan të thonë.”
Poeti Albert Pekolaj zbaton me përpikmëri ndikimet nga poetë lirikë të kohërave
të ndryshme si Naim Frashëri dhe Robert Bërns.Janë ndikime pozitive që
përcjellin idenë për të veshur me rrobat e sotme të peisazhit njerëzor dhe
natyror të Shqipërisë.Por ai ruan personalitetin e tij,një profil delikat ku
natyra dhe mendimet e poetit kërleshen dhe japin tabllo delikate sa pranverore
në pamje aq dhe të rënda në brendësi.Rëndesa është shqetësimi i veçantë i poetit
që i hap keto fare hapur jo vetëm në librin e tij,por edhe në facebook-un e
përditshëm.
Kështu ky poet me origjinë nga Kthella e Epërme ka shumë dritare ku shpall
deklaratat poetike,duke ndjekur jo vetëm pakticitetin e Robert Bërns-it
simpatik,por dhe të bardëve mirditorë.
Pikërisht janë këta bardë popullorë që me çiftelitë e tyre kanë transmetuar brez
pas brezi këngë,vargje dhe ndërmjet tyre idetë e popullit,të rinisë e të
moshuarve,të paqes dhe të luftës e kështu me radhë.
Albert Pepkolaj ka arritur të fokusojë këto transmetime në stilin e vet sa
origjinal aq edhe të përputhur me të kaluarën në mënyrë artistike.
2.Shfaqje e poezisë haiku natyrshëm dhe pa paramendim.
Në parathënien e librit të tij Albert Pepkolaj shkruan:”Të dhurojë kënaqësi
përsëri si në çastet më të bukura.Hyj në botën e mrekullueshme të poezisë,ndezi
ndjenjat e saj matanë kufinjve të pafundësisë,jepi jetë me leximin tënd”.
Këto konstatime të vetë poetit janë me bazamente të teorisë së zen budizmit ku
mbizotëron fenomeni i çastit dhe që shkon drejt pafundësisë.Kështu pa e kuptuar
as vetë ai hyn në lojën me gracka të poezisë lindore haik.Është një grackë ku
kanë rënë shumë poetë amerikanë e europianë që në fillimet e shekullit
20-të.Është një lojë që po e zhvillojnë sot me mijëra e mijëra poetë nga mbarë
bota.
Por të paktë janë ata që bëjnë haikun natyrshëm.E ky do ishte haiku i vertetë,pa
patur nevojë të ndërtojë skela të ngatërruara për të vendosur tulla të gabuara
në tre katër vargje të haikut.
Kështu në libër gjenden poezi-haik të tilla si:
Mbeti vit i ftohtë
me dimër të gjatë
ende i duken plagët.
ose
E ai mur
mbetet mes nesh
përsëri pengesë.
Mjafton të lexosh këto dy haiku e të nxjerrësh kokluzionin se idetë janë të
plota,mendimi është i plotë dhe forma realizuese është ajo e haikut.Ose në
poezinë “Gracka” e cila ne tre strofat ka formën e haikut,por nuk ka realizim të
plotë.Por e dhënë në natyrën e haikut ajo është shumë konçize,filozofike dhe me
trajtim ekzistencialist.Kjo lloj mënyre përpunimi e poezisë nga Albert Pepkolaj
është e veçantë.Në pamje të parë duket sikur ësht dhënë direkt d.m.th pa
menduar,por në leximin e dytë,atë të vëmendshmin,sheh se brenda tre vargjeve ka
botë të brendshme që shpreh filozofikisht idetë dhe mundimet personale të
poetit.Ai përdor një prakticitet për futjen e këtyre ideve dhe mundimeve në
forma të thjeshta,me pak vargje e vargje me pak rrokje.
Natyrisht që poezia më e bukur është “Lindja e vjeshtës”.Ndonëse edhe kjo nuk
futet në poezinë haik,ka formë të ndërtimit me nënkuptime,bazuar në ligjet e
zakonshme të natyrës.Po citoj vetëm fundin e kësaj poezie të bukur:
Si për t’u hakmarrë
dielli i thau
të gjelbrat gjethe,
e era furishëm fryu,
të gjitha i këputi.
Kështu lindi vjeshta.
Paralelizmi me jetën e njerëzve është mëse i dukshëm.Nëse poeti Albert Pepkolaj
do vazhdojë me këtë “regjim” pune dhe krijimtarie,ne do shijojmë vepra të tjera
të vërteta që pse jo do të konkurojnë drejt vendeve të parë në poezinë e re
shqiptare të ditëve tona.