| E hene, 21.03.2011, 08:13 PM |
Vangjush Ziko
KËTU PRANË POLIT TË BOTËS
EMIGRANTI
Më këmbë
a me urbanë.
Me çantën hedhur pas shpine.
Emigranti
përhumbet në rrugëtime.
Tërë shtegtarët e botës
nisen drejt një Meke.
Vendin e ëndrrës kërkojnë
me torbën e kripës me vete.
Kërkojnë
fatn' e premtuar.
As vetë s' e dinë nga kush.
Lerini të kërkojnë
atë që s' ka gjetur askush.
Më këmbë
a me urbanë.
Me torbën e punës pas shpine,
Lereni emigrantin
të ëndërrojë lumturinë.
EMRI
Emigrant!
Emër i ri për mua.
Dhe zgjuar.
Dhe në gjumë
kështu thirrem unë.
As din.
As iman
Ky emër nuk ka.
Atdhe,
aq më pak.
Më duhet ta mbaj.
Përkëdhel.
Mos e shkel.
Me djersë ta laj.
As nëna.
As Zoti s' ma njeh.
(Por për atje është shpejt).
Zot,
më jep fat
ta çaj këtë shteg.
QUHEM NJERI
Zogjtë merren vesh
me cicërima.
Qentë me ulërima.
Era e luleve
thërret bletët.
Unë ngjaj me memecët.
Gjuhë kam.
Gjuhë s' flas.
Më mbeten rrokjet në gurmaz.
Rrokjet e reja
që kam nxënë,
i përtyp me rrokjet
e gjirit të nënës.
M' u përzjenë
jeta dhe bota.
Amerika dhe Europa.
Më pranoni
kështu siç jam.
Këtë që kam
Dhe atë që s' e kam.
Hibrid ujem
nuk dua të jem.
Emrin,
kush s' ma di,
Quhem:
Njeri.
MALLI
Ndjenjat tona
i njohim.
Dhe s' i njohim.
Shpesh i harrojmë.
Shëndetin
kur e humbim
e çmojmë.
Në zemër
një gur nga vendlindja
më therr
e më djeg si dhimbja.
Ky gur
as i madh,
as i vockël,
Zemrën ma bëri me kockë.
Vetëm me mallin
dot s' përrallesh.
Po të vdiq,
më nuk ngjallesh.
KËTU PRANË POLIT TË BOTËS
Kolombi zbuloi Amerikën.
Amerika
mua.
Ky dhe' buzë Arktikut
i ngrohtë
dhe akulluar.
Mësova lundrimn' e ajsbergut
me këmbët thellë në jetë.
Të jem vetë
dhe bregu
dhe oqeani vetë.
Pranë ariut të bardhë
fole shqiponje ngrita.
Emigrant ardha.
Shtetas u rrita.
Torbën time të kripës
akoma s' e kam mbaruar.
Akull' i frikës
s' ka shkrirë i tëri në mua.
Por aguliç' e Moravës
çeli në pragu i portës.
Pranverës i them
Mirë se ardhe!
Këtu
pranë polit të Botës.