Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Masakër në Elbasan, shuhet familja

| E diele, 20.03.2011, 07:31 PM |


Shuhet nga vrasësi misterioz familja Mahmuti në qytetin e Elbasanit. Tre burra të shtëpisë janë ekzekutuar, ndërsa nusja e shtëpisë është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.I vetmi person i mbijetuar është djali i tretë i shtëpisë, i njohur me nofkën Nel Çami, shpallur në kërkim prej vitesh. Masakra e trefishtë ndodhi dje duke u gdhirë dita e shtunë në qytetin e Elbasanit, në lagjen “Syrja Dylgjeri”. Ngjarja e rëndë, sipas policisë, dyshohet të ketë ndodhur pak kohë para se ora të shënonte 6 e mëngjesit. Viktima të plumbave janë dy vëllezër dhe babai i tyre, ndërsa gruaja me dy plumba në kokë arriti të shpëtonte nga vdekja. Ende pa u zbardhura dita, autori ka kapërcyer murin kryesor që kufizohet me rrugën, në afërsi të shkollës “Jorgji Dilo”, ka mundur të hyjë në ambientet e oborrit dhe më pas në dhomat e shtëpisë private të familjes së Emin Mahmutit. Të gjithë kanë qenë në gjumë në ato momente, duke bërë që vrasësi të hyjë e të qëllojë dy të parët në befasi, pa mundur të bëjnë asnjë reagim mbrojtës. Sipas të dhënave të policisë, autori ka hyrë fillimisht në dhomën e gjumit ku ndodhej kryefamiljari Emin Mahmuti, 62 vjeç, me të birin, Xhelalin, 36 vjeç. Të dy kanë qenë duke fjetur përmbys kur autori me një armë pistoletë, e cila dyshohet të ketë qenë me silenciator, i ka qëlluar me nga një plumb pas koke. Vdekja ka qenë e sigurt për atë e bir, të cilët janë gjetur në të njëjtin pozicion kur ka mbërritur policia. Ndonëse e mbytur, zhurma e ka zgjuar djalin tjetër të shtëpisë, Pëllumbin, 42-vjeçar, i cili bashkëjetonte me shtetasen Myzejen Qosja. Vrasësi, me armën e mbushur, i është drejtuar dhomës tjetër të gjumit. Përballë i ka dalë Pëllumbi, të cilin e ka goditur me dy plumba pistolete, duke e rrëzuar përtokë. Personi i fundit që është përballur me autorin ka qenë gruaja e viktimës së tretë. Ajo ka qenë para armës së ekzekutorit, i cili kishte vendosur ta zhdukte dhe dëshmitaren e fundit të krimit në familjen Mahmuti. Dy plumba kanë goditur dhe gruan, e cila ka përfunduar e gjakosur. Duket se vrasësi e ka menduar të vdekur Myzejenin, duke arritur të dalë nga shtëpia i qetë, ashtu siç dhe kishte hyrë, me planin e tmerrshëm në kokë. Për disa momente nuk ka pasur asnjë shenjë jete në familjen e tragjedisë. Gruaja ka arritur të përmendet dhe të telefonojë njerëzit e saj. “Hajdeni se na vranë të gjithëve”, ka dhënë ajo alarmin. Mësohet se policia e ka marrë njoftimin pikërisht nga familjarët e së plagosurës, pasi ata e përcollën me urgjencë drejt Spitalit të Elbasanit, në pikëpyetje për jetën. Në vendin e ngjarjes zbarkuan me shpejtësi dhjetëra forca policie, të cilat zbuluan në dy dhomat e gjumit tri viktimat. Menjëherë nisën verifikimet duke zbuluar se bëhej fjalë për 3 burrat e familjes Mahmuti, të cilët ishin qëlluar për vdekje në një ekzekutim të mirëfilltë. Në pamundësi për të marrë dëshminë e gruas, e cila po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, oficerët e policisë dhe të prokurorisë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë dëshmi nga fqinjët. Këta të fundit nuk kanë qenë të aftë të tregonin detaje të rëndësishme për hetimin, pasi kanë pohuar se nuk kishin dëgjuar zhurma. Për policinë, krimi i trefishtë ishte i organizuar dhe i përgatitur në detaj, pasi autori kishte mundur të hynte dhe të realizonte planin e tij pa u penguar si nga familjarët, ashtu dhe nga banorët e zonës, të cilët e kanë marrë vesh fatkeqësinë vetëm kur në lagjen “Syrja Dylgjeri” mbërriti me urgjencë policia e më pas edhe oficerë të Krimeve të Rënda nga Tirana.

E mbijetuara e masakrës: Autori i ngjarjes, i maskuar në fytyrë

Myzejen Qosja ka fiksuar të paktët elemente të autorit të ekzekutimit të bashkëshortit, kunatit dhe vjehrrit të saj. Gruaja, e cila prej rreth një viti bashkëjetonte me djalin e familjes Mahmuti, ka treguar për oficerët e policisë se autori ishte me maskë në fytyrë. Në ambientet e spitalit të Elbasanit gruaja ka mundur të tregojë me pak fjalë siluetën e vrasësit para se ajo të hynte në sallën e kirurgjisë për t’iu nënshtruar operacionit për heqjen e një plumbi. Sipas dëshmisë së 43-vjeçares mësohet se ajo ka parë një djalë të dobët, të gjatë rreth 1.70, i cili ishte i mbuluar në kokë. Ajo ka treguar se i është lutur atij të mos e qëllonte, por fjalët e gruas nuk e kanë prekur aspak atentatorin. Qëllimi i tij ishte të zhdukte çdo familjar, aq më tepër dëshmitar të 3 vrasjeve që i kishte kryer tashmë. Po ashtu, eliminimi i nuses së shtëpisë do t’i jepte kohë autorit të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në fakt, deri në momentin kur është lajmëruar policia ka kaluar një kohë e konsiderueshme, duke bërë që asnjë gjurmë të mos gjendej nga personi që qëlloi për vdekje tre personat.

Tiranë, e plagosura ruhet me policë

TIRANE – Myzejen Mahmuti (Qosja), nusja e shtëpisë, personi i vetëm që u përball me vrasësin e trefishtë në familjen e saj, ruhej dje nga policia në Spitalin Ushtarak. Në mbrëmje gjendja e saj shëndetësore paraqitej jashtë rrezikut për jetën. Ajo u qëllua dy herë nga autori i krimit, por një plumb arritën t’ia hiqnin në spitalin e Elbasanit, ndërsa për plagën e dytë e transportuan për në Spitalin Ushtarak. Pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak ajo i është nënshtruar një skaneri dhe kontrolleve mjekësore. Burime pranë stafit të mjekëve konfirmuan se te pacientja është konstatuar një plagë e shkaktuar nga armë zjarri në pjesën e djathtë të kokës, në pjesën sipër veshit. Po sipas mjekëve, predha e plumbit ka përshkuar pak centimetra nën lëkurë dhe ka mbetur në vertebrat e qafës. U mësua se trajektorja e predhës së plumbit nuk ka depërtuar në thellësi, çka ka bërë që truri të mos preket apo të pësojë dëmtime. Për largimin e predhës nga trupi pritet që 43-vjeçarja t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. “Gjendja e pacientes paraqitet e qëndrueshme. Parametrat e saj jetësorë janë në nivelet normale. Pacientja është e ndërgjegjshme”, u shpreh një nga bluzat e bardha. Mbrëmjen e djeshme askush nuk lejohej të kontaktonte me 43-vjeçaren Mahmuti. Për sigurinë e saj fizike në dhomën e saj ishte i pranishëm edhe një punonjës i Policisë së Shtetit dhe çdo hyrje në dhomë ishte e kontrolluar. Këto masa konsiderohen të nevojshme, pasi fakti që ajo është dëshmitare në ngjarje, e bën të rrezikuar dhe “shënjestër” të autorëve.

Ekzekutimet për hakmarrje ndaj Nel Çamit

U vranë për hakmarrje. Eliminimi i trefishtë në familjen Mahmuti në Elbasan nuk ka pasur shkak tjetër. Kjo është pista e parë dhe e vetme për momentin, mbi të cilën janë përqendruar hetimet e policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit.Strumbullari i ngjarjes së rëndë, sipas hetimeve të para, dyshohet të jetë djali i mbetur gjallë nga familja, Zenel (Andon) Mahmuti. Veç dy emrave, 46-vjeçari njihej me nofkën Nel Çami. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për një seri vrasjesh e plagosjesh në qytetin e Elbasanit dhe jashtë vendit. Fakti që ai është person në kërkim dhe gjendja ende e rëndë e kunatës së tij kanë bërë që grupi hetimor të punojë vetëm mbi bazën e të dhënave mbi familjen Mahmuti. Aty ku hetimet ngecin te background-i i njërit prej djemve, çka mendohet të ketë shërbyer si një hakmarrje e pastër ndaj tij, duke i ekzekutuar komplet familjen.
Bëmat e Nel Çamit
Të paktën tre ngjarje janë cilësuar se kanë si protagonist Zenel Mahmutin, i njohur edhe me emrin Andon. Burime nga policia dhe Prokuroria e Elbasanit pohojnë se janë duke mbledhur informacion të plotë mbi veprimtarinë e Mahmutit, për të arritur në gjurmët e autorit të mundshëm të krimit në familjen e tij. Andon Mahmuti, nga të dhënat e grumbulluara nga ana e policisë dhe Prokurorisë, rezulton person i përfshirë në vrasjen e shtetasit Spiro Binjaku, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2006 në Breshia të Italisë. Ky krim, i bërë në bashkëpunim me anëtarë të një tjetër familjeje nga Elbasani, solli një seri vrasjesh, ku më e fundit ishte ajo e një viti më parë, e biznesmenit Saimir Binjaku. Vetëm një vit më vonë nga krimi në Itali, në vitin 2007, pikërisht në qytetin e Granadës në Spanjë, Nel Çami akuzohet se është përfshirë në një tjetër krim, në vrasjen e të riut tjetër nga Elbasani, Alfons Caka. Burimet policore kanë hedhur dyshimet se Andon Mahmuti është autor edhe i një atentati të ndodhur në qytetin e Elbasanit në vitin 2009. Ai qëlloi me armë pistoletë shtetasin E. Banushi, ndërsa ky i fundit qëndronte para një dyqani për pjesë këmbimi. Banushi pohoi se e kishte njohur atentatorin, duke e lidhur atë me emrin e Andon Mahmutit. Hetimet u kryen në mungesë, pasi në asnjë momenti Mahmuti nuk është ndaluar, ndonëse ai është shfaqur herë pas here në qytetin e Elbasanit.
Vrasja e trefishtë
Aktiviteti i zgjeruar kriminal i Nel Çamit duket se e ka shtyrë dhe atentatorin e djeshëm, ose persona që e kanë paguar atë, për të zhdukur familjen e 46-vjeçarit në shenjë hakmarrjeje. Sipas policisë së Elbasanit, me përfshirjen e tij në ngjarje të ndryshme, Zenel (Andon Mahmuti) ka krijuar një numër të madh armiqsh. Megjithatë, deri tani, me gjithë akuzat e ngritura ndaj tij për disa vrasje, në asnjë rast Nel Çami nuk ishte bërë objekt atentati. Të dhëna nga qyteti i Elbasanit flasin për qarkullimin e tij herë pas here në këtë zonë, por ai nuk ishte pikasur as nga policia, as nga personat me të cilët kishte konflikt. Dyshohet se në rastin e atentatit ndaj Banushit ai të ishte implikuar për një ekzekutim me pagesë, megjithëse asnjëherë nuk u mësuan shkaqet. Policia dyshon se ekzekutimi i trefishtë në familjen Mahmuti ka marrë shkas nga bëmat e Nel Çamit dhe, në pamundësi për të arritur 46-vjeçarin, është marrë hak te familjarët e tij. Kjo është pista e parë e hetuesve, ndonëse nuk përjashtohet asnjë shkak tjetër, duke përfshirë dhe konflikte mes një rrethi të ngushtë familjar. Megjithëse viktimat njiheshin si konsumues të alkoolit, për hetuesit asnjë konflikt i tyre apo grindje me persona të tjerë nuk e justifikon krimin e trefishtë dhe tentativën për t’i marrë jetën një personi të katërt. Deri në mbrëmjen e vonë u shoqëruan mbi 50 persona në policinë e Elbasanit, por vetëm në cilësinë e dëshmitarit. Ata janë marrë në pyetje për t’u lënë më pas të largohen, ndërsa krimi i trefishtë vazhdon të mbetet pa autor.

Asnjë shenjë për Zenel Mahmutin

Paraprakisht dyshohet se është bërë shkak për vrasjen e të atit dhe dy vëllezërve, por deri në mbrëmje asnjë shenjë nuk dukej nga ana e Zenel (Andon) Mahmutit. I kërkuari ndërkombëtar qëndron i fshehur nga policia dhe as masakra në shtëpinë e tij nuk e ka nxjerrë nga ngujimi. Për policinë, Mahmuti është kyçi që mund të zbardhë vrasjen e Emin, Pëllumb e Xhelal Mahmutit, të cilët u qëlluan pabesisht në gjumë.

Viktimat, pa precedentë penalë

Banorë të lagjes “Syrja Dylgjeri” në qytetin e Elbasanit tregojnë se tri viktimat e djeshme nuk ishin persona me precedentë. Dy djemtë e Emin Mahmutit punonin, njëri në uzinën e demontimit të municioneve në Mjekës, ndërsa tjetri në Ujësjellësin e qytetit. Mësohet se ata jetonin bashkë në një shtëpi, të katërt, pas vdekjes së gruas së Eminit dhe shpalljes në kërkim nga policia të Zenel Mahmutit.

Elbasan, policia, 50 mijë dollarë për çdo informacion mbi autorin

ELBASAN – Një shumë prej 50 mijë dollarësh u vu dje nga policia e Elbasanit në dispozicion të cilitdo që do të jepte një informacion të rëndësishëm në identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes së trefishtë në familjen Mahmuti. Shuma e madhe tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të shumtë, të cilët telefonuan në numrat e policisë së Komisariatit të Elbasanit, por që pas verifikimeve rezultuan se nuk ishin të frytshme. Policia e Elbasanit, nisur nga precedenti në familjen Mahmuti, pikërisht djalit të tyre të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka shoqëruar persona apo familjarë të tyre që kanë pasur konflikt apo janë përfshirë në ngjarje ku protagonist ishte dhe 46-vjeçari. Paralelisht me hetimet, forcat e policisë së Elbasanit, të mbështetura dhe nga ato të Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë rrethuar qytetin për shkak të masakrës ende të pazbardhur. Patrulla e postblloqe të shumta janë përqendruar në qytet prej momentit kur u mësua ngjarja e rëndë e deri në mbrëmjen e djeshme. Situata duket më e ngarkuar, pasi ngjarja e së shtunës e çoi në pesë numrin e viktimave brenda 24 orësh në qytetin e Elbasanit, duke shpërndarë panik te banorët e tij. Deri në orët e vona të ditës së shtunë policia ka bërë të ditur se janë kryer një sërë kontrollesh dhe janë marrë në pyetje shumë shtetas, por pa mundur të zbardhin asgjë përsa i përket autorit. Forcat e policisë dhe ato të FNSH-së mësohet se do të qëndrojnë në qytet dhe ditën e sotme, deri në qetësimin e situatës nga krimi që tronditi elbasanasit.

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Panorama