| E diele, 20.03.2011, 08:07 PM |
Gjergj Fishta
GJUHA SHQIPE
Porsi kanga e zogut t’verës,
Që vallëzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli fllad i erës,
Që lëmon gjijtë e drandofillit;
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,
Porsi ushtima e një tërmeti,
Ashtu asht gjuha jonë shqiptare.
Ah!
Porsi gjumi n’nji kërthi,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtrì;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubinit,
Ka’ u bje qiejve tue flutrue
N’t’zjarrtat valle t’amëshmit.
Pra, mallkue ai bir shqiptari,
Që këte gjuhë të Perëndisë,
Trashigim, që na e la i Pari,
Trashigim s’ia lë ai fëmisë,
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Që e përbuzë këte gjuhë hyjnore;
Që n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore.
Në gjuhë shqipe nanat tona
Shi prej djepit na kanë thanë,
Se asht nji Zot, që do ta dona;
Atë, që jetën na ka dhanë;
Edhe shqip na thanë se Zoti
Për shqiptarë Shqipninë e fali,
Se sa t’enden stina e moti,
Do ta gëzojnë këta djalë mbas djali.
Shqip na vetë, po pikë ma para,
N’agim t’jetës, kur kemi shkue
Tue ndjekë flutura nëpër ara,
Shqip ma s’pari kemi këndue;
Kemi këndue, po, armët besnike,
Që flakue kanë n’dorë t’shqiptarëve,
Kah kanë vdekë për besë jetike,
Kah kanë vdekë këta për dhé të t’Parëve.
Në këte gjuhë edhe ai Leka,
Që ‘i rruzullim mbretninë s’ia zuni,
Që kah binte ai, shkelte vdekja,
Shekullit mbarë ligj t’randë i vuni;
Në këte gjuhë edhe Kastriota
U pat folë atyne ushtrive,
Që sa t’ndrisë e diellit rrota,
Kanë me qenë nderi i trimnive.
Pra, shqiptarë, t’çdo fesë që t’jeni,
Gegë e Toskë, malësi e qyteta,
Gjuhën tuej kurrë mos ta lini,
Mos ta lini sa t’jetë jeta,
Por për te gjithmonë punoni;
Pse, sa t’mbani gjuhën tuej,
Fisi juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambës s’huej.
Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njoftë se ç’fis ju keni,
Ka me u njoftë ju për shqiptarë;
Trima n’za sikurse jeni.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhe malësia
Prej nji gojë sot t’brohorisin:
Me gjuhë t’veten, rroftë Shqipnia!