| E shtune, 19.03.2011, 08:12 PM |
Vaso Papaj
"Fragmente dimri të murosur ", nxjerrë dhe restauruar nga romani i murosur "Një Dimër mes Dimrash" shkruar në vitin 1969-70 dhe botuar dy herë, në vitin 1995 dhe 2006 nga Shtëpia Botuese UEGEN Tiranë.
Pushtimi i Pragës ( Gusht 1968 )
Unë jam sheshi Veçesllav.
“Endërr apo mjegull?!
Mjegull apo ëndërr?!”
Mirë nuk dalloj.
Fryma më shterroi.
Po më shtypin zinxhirët e tankeve,
nën gjëmimin e autoparlanteve…
Nga dolën këta brumbuj
të lagur nga vesa e fundverës?
Jam në ëndërr
apo i kthyer në mesjetë, njëherësh?
Zinxhirë e brinjë përzier në shesh….
Dikush rrethuar nga flakët po vdes .
Mos vallë liria?...
E pastaj: dashuria,…dituria,…rinia?...
Oh! Vdiq qetësia .
Përpëlitje, përpëlitje në shtrat.
Më shpojnë maja kashtash,
s’ bëj më rehat.
Do të shdërrohem në ajër.
Ajri është i përjetshëm, i çliruar.
Ajrit s’kanë ç’i bëjnë, i mban të rrethuar.
Nusja ime, Praga…
E bukura…
e arta…
e imja…Praga…
Gjethet e verdha i rrëmbeu era.
Drita përgjumet… Sa leht përkundet!...
Çek, Çeko…Çek,Çeko…
Çohu! Çohu!
Sa jam tronditur mbrëmë!?...
Drejt ç’polesh po shkojmë ne të dy , Lilianë?
Ç’forcë na largon?
Me ç’shpejtësi?
A do të mund të na tjetërsojë, njerì?
A do t’ia shtrëngonim dorën njëri tjetrit
në pleqëri?
Fëmijët tanë
do të mund të shkëmbenin dashuri?
Jepmë dorën Lilianë!
Me urimin:
Mos rënsh kurrë
në duart e sovranitetit të kufizuar.
Qofshë e lirë, Lilianë!
E lirë!
Cilido qoftë çmimi i kërkuar…
Lamtumirë!
Shi i butë, i bezdisshëm.
Tringëllima pjatash alumini
në mencën fushore sapongritur.
Lamtumirë, nënë!
Po shkojnë në luftë djemtë.
Janë rritur.
Mes trumpetash e tamburesh.
Sinusoidë historike e ditur.
Histori, mijëra vjetë e përsëritur …
S’dua të dëgjojë asgjë.
Dua të pushojë, por s’ mundem,
s’ mundem më.
Mesditë e hirtë që mezi zvarritet.
Ditë që rrotull vërtitet.
Ku do të shkojmë, vallë?
Ku?
Do të endem tërë jetën kështu?
Lëvizje e përjetëshme brouniane?
Gjithmonë lamtumirë do t’i them
lumturisë time tirane?
Shtegtojnë krillat
Rrugë e gjatë e përbaltur
Këpucë të rënda.
Plepa gjysmëlakuriq.
Ku jam nisur kështu, vallë?
Ku po shkoj? Në ç’ miq ?
Kjo jeta ime është zvarritje apo fluturim?
S’ gjendet leht…
Gjylet bien anash.
Kapica dheu e balte përpjetë.
Po humbon toka.
Toka e shkretë!...
Dielli ka humbur krejt…
Dhe qielli më rrotullohet si një fugë.
Qielli bashkë me gishtërinjtë e plepave
në shpërthim.
Vetja me ngjanë një krillë,
që është nisur për një rrugë .
Shtegëtim i gjatë në botën plot mundim.
Ah, po. Shtegtojnë krillat në jug.
Gjuetarët, gjuetarët, ku janë,
nga vanë?
Shtinë, shtinë… pim…pim…
Baltë dhe përsëri baltë,
pambarim…
Braktisje
Darkë
Tringëllimë pjatash
Rreth tryezës
Gëzim i veçantë, i vjetër.
Po Fredi, vallë, ku është?
Pse i mungon festës?...
Së munguari nuk rresht…
Ah, po…
Është sëmurë.
Po babai pse hesht?
Veç meje, mos mori një plagë tjetër?
Flitet për braktisje…
Tina, motër, shtrëngoji fëmijët fort.
Je trimëreshë, frikën s’ta kam.
Ata kujtojnë se gjithçka iku,
se përmbys ramë.
Kërkojnë të na largojnë nga vetja sa më parë.
Të shpëtojnë vetë….Të ndarë.
Tragji-komedi.
Futeni virtytin thellë në shpirt, të dashur.
Ruajeni nga përmbysja.
Dhe kur gjithçka të qetësohet,
do të jeni, në botë, njerëzit më të pasur.
Ty ende s’të besohet!…
Ana vogëlushe mbesë!
Ç’forcë më jep vështrimi yt inteligjent!...
Ç’shpresë!
Tirana e vjetër
Sipari:
Labirinth rrugicash e sysh të hutuar.
Dora e ngrohtë e Lumit.
Trokëllimë hapash.
Tak, tak, tak…që s’kanë të mbaruar.
-E sheh, Patri, kjo është Tirana e vjetër.
Porta të kërrusura oborresh çdo metër.
Asgjë nuk ka ndryshuar.
Ja, degë hurmash përmbi mure kapluar
Ndonjë llampë e drojtur, tek-tuk…
Ca oxhakë tymosin si çibukë.
Një degë fiku duket si ketër…
Patri, si kjo Tiranë, nuk ka tjetër.
-Jo, jo !… Lum, këtu, çdo gjë ka ndërruar…
Lehje e një qeni. (si intermexo)
Hape ! Hape ! (po intermexo)
-Mbaje mend mirë, Lum.
Këtu, dita të duket një shekull……
Përsëri lamtumirë!
Lamtumirë shtëpizë e vogël me dy porta.
Lagje e vjetër Moisiu, te kodra.
Kur do të shihemi më?
Fredi, tërë këto ditë, s’ bëri zë!?...
S’ erdhi të më shohë!?
S’është sëmundja, jo…
Ana, shpirti i dajës!
Më duket e paske fatin të rritesh pa baba?!...
Baba-lesh…
Tina, pse hesht?
Ç’ka ndodhur ? Pse ma fsheh?
Pse më shikon ashtu, me të syrit bisht?
Duhet të jemi të fortë, Patri!
Në ndershmërinë tone të kërcënuar
seriozisht.
Kështu vitet s’do të mund të na bëjnë asgjë.
Jo vitet, baba: Tjetër gjë.
Zhani!
Hipi gjyshit në kurriz!
I janë lodhur kockat e ngrata.
Shtypja!
Janë shkëmbinjë nga Rozafa.
Mendimi i tyre më mundon çdo ditë…
Vallë, do t’i përballojnë stuhitë?…
Natë pa gjumë
Natë.
Furnela e ndezur duket sikur shkrin .
Dëgjohet vetëm gërhitja e lehtë e shokut tim.
Të kujton dhomën e konviktit me numur 23.
Fotografitë e revistave prerë me ngé.
Ngjitur pas derës së dollapit me atak.
Vaçe Zela…Pano me Shulcin…
Aksioni në Mirakë…
Na iku rinia, Gjergj.
Sa shpejt! Sa shpejt!
Kujtoj dy djemtë që këndonin me kitarë.
Poshtë, në plepishte si diejt.
Ja, te dritarja jonë, përballë…
Kurse tani, qetësi…vetëm gjallë.
Gërhitje e leht apo gërvishje nate, vallë!?...
Mos ish ftohur, shoku im, atje, në stallë?!
Mos ka ndjekur vajzat,
si djal pa andrrallë?
Jo, jo…tërë natën në kërkim!?
I kishin humbur derrat.
Portën kishin shqyer me tërbim…
Gjergj, Gjergj…gër…gër…gër…
Ç’ natë pambarim!...
Djersitje xhamash, xhamash, xhama,…xha…
Gër…gër…gër…
S’ mund ta ndreq…
Sa shpejt na iku rinia, Gjergj!
Janar 1945
Janar i largët i pasluftës,
me erën e barutit nëpër mure.
Me shpresën: Për një botë “ të re “,
më të mirë,
më të drejtë.
Ngazëllimi i babait kur i dhanë lajmin:
Djalë… rroftë për jetë!...
Po tani?
Ç’bilance të bëj? Ç’ projekte,ditë e netë?
Jam një llogari e hapur, pambarim.
Një përpjekje dhe një mundim,
por mbi të gjitha lumturi, gëzim.
Duart e mia mbetën të pastra!
S’do ta kenë të lehtë.
Do të djersinë për jetë.
Arrest natën…
Shkurt 1947
Mesnatë
Tek porta e madhe me dy kanatë,
kondakë…
Bam, bam, bam…
Vishu, o plak!
Në emër të popullit, je i arrestuar!
Shpejt! Luaj!
Ulurima grash…
vajzash…
kalamajsh…
Puthe!
S’do ta shohësh më pragun…
Popullit, i ke pirë gjakun.
Ia kam pirë, mor djalë, ia kam pirë…
Po… jo të gjithë…
Ka mbetur akoma, akoma,
gjersa miletit t’i bjerë ftoma…
Mbylle, të thashë!
Bam, bam, bam…
Përplasje portash e vaje grash…
Tang, tang, tang… nëpër shkallë.
Kish nisur i ftohti i madh
Rikthyer dimri-hekur…
S’u pa më i gjallë…
S’u pa, as i vdekur…
Bam, bam, bam…
Tang, tang, tang…
Akoma, ftoma, fto… a…ftoma…a…
Hijet
Komisar! Hijet, komisar!
Po më ndjekin pas, kudo.
Hijet. Hijet…
Do të jetoj me ‘to…
Do të vdes me ‘to…
Dielli, kur do të dalë?
Maji, kur do të çel, vallë?
Hijet, kur do t’i shpërndaj?
E kaluara rëndon mbi të tashmen.
E tashmja përgatit të ardhmen.
Uff!...
S’marr dot frymë.
Tym, tym…
Hapini dritaret! Hapini dritaret!
Të fryjë! Të fryjë!...
Dëshirë në errësirë…
Foto!
Sa mirë që gërhet!
Sa të trasha i ke kallot e duarve!
Sa mirë… në gjumë
me voglushen tënde flet.
Foto! Shoku im!
Do të desha të isha si ti!
Të lumturohesha si ti!
Të këndoja polifoniken si ti…
Ty nuk ta prish njeri lumturinë.
Ti je pika e mbështetjes së Arkimedit.
Lumturia jote është prova e pushtetit…
Eh, si u vërtitkan hijet këto netë?!
Po le të guxojnë ta prishin lumturinë tënde
këta lugetë…
Atëhere do të shpresoja,
se do t’u vinte një fund.
Dhe shpresa, si dëshirë në errësirë,
të mund…
Gërhi, Foto, gërhi!
Si këto netë, s’ ka kërkund…
Hapësira me n-dimensione
Nxënësit e mi!
Vizioni i plotë i botës.
Bëni gjimnastikën e trurit.
Truri i shëndoshë,
nuk i bie murit.
Zhvillimi dhe përparimi
Thellësia…
I sati dimension?
Hapësirat, kush i kufizon?...
Lerini të lira.
Lerini të lira
dhe do të shihni çudira.
Pa titull
Isha I juaji.
I juaji vërtetë.
Vetëm një i çmendur,
vret birin e vet
Vetëvrasje…
Pse më fut në ngasje?...
Ëndërr e shqetësuar.
Vdekje, të thërras!
Në vrasje s’ zhytem.
Më mirë ty të vras.
Qesh i juaji…
I juaji…
Ju desha pamasë.
Lumturia e vërtetë
Thellë, thellë!...
Ktheji plisa !
Aroma e tokës.
Aroma e bukës.
Lumturia…Tolstoj…Levini…
Thellë!
Ktheji plisat!
Të dalin në diell krimbat .
Të digjen.
Qofsh i lumtur, Mikel!
Rroftë lumturia e punës!
Lumturinë e vërtetë po mbjell…
Po lumturia e gunës ç’ të sjell?...
Fushë e pafund e lëruar.
Një harmonikë vibron ajrin
shpirt drithëruar,
si në ca filma të harruar.
Rrofsh Mikel!
Qofsh i lumtur!
Si Levini, vini, vini, ni, ni…
I lumturuar.
Për mësueset e fshatit
Udhëkryqe,
trasta mbi kurriz,
kamionë për në veprat e pesëvjeçarëve
Miqësi mësuesesh dhe shoferësh,
që u ngjajnë nëpër netë fanarëve…
Drojtja ka mbetur diku,
atje në qytet,
në krahët e mamave…
Mësuese dhe shoferë…
Solidaritet me besë,
i vendosur tashmë.
I provuar nga të dy palët.
Shfaqet në çdo kthesë.
Shi… Dëborë…Diell
Ndërsa goja e ligë nuk pushon,
vetëm vjell…
Mos e ngacmoni jetën e tyre heroike,
ju të përkëdhelurit ,
që iu kanë falur nga një karrike?!
Ju lutem !
Pak pranverë
Dashuri e shqyer.
Pragë e shkelur.
Abazhur i përkulur.
Pranverë në klasë e mbetur.
Dritë e zbehtë.
Si s’po bie nga qielli një kometë??...
Uff… Uff…
Sillu e përsillu nëpër shtrat.
Dritaret mbyllur dy kanatë.
Janë aktivizuar majat e kashtës,
si t’ishin majat e ashtës.
Rrota tankesh.
Zinxhirë…Vampirë…Mugëtirë…
Po afron vjeshta, vjeshta e përjetëshme.
Kalendari ka ngecur në datën e djeshme.
Sa shumë i kam dashur një herë vjeshtat!...
Ana! Zemër e dajës!
Sa bukur i thua vjershat!
Do të mbetesh jetime me baba të gjallë.
Baba i shqyer, gërdallë.
Rrufe të egra, të përbindëshme,
më janë ndërsyer.
Bum-bum, fronti i përtejmë.
Kërr-kërr, dërrasat. Krimbat i brejnë.
Dashuri e shqyer…
Dritë e murrëtyer!
Pragë e shkelur.
Pak pranverë, e pavjelur.
Pranverë Prage.
Uff…Uff…
Të thënat e babait
në një natë pa gjumë
Muroseni, bijtë e mi!
Dhe kur të bjerë muri i zi,
të bardhë, si guri i qumështit,
të keni mbetur përsëri!
Të ndritur,
si Kashta e Kumtrit!
Amanet…