| E premte, 18.03.2011, 07:13 PM |
Venka Capa
Unë prek me frymë
Rrugëtoj, notoj... Le pas vetes
një det të ngrohtë ku spirancat duhen përmbytur.
Pastaj duhen ngritur, ag i nisjes...
nëpër frymë dashurish alveolat e mija te brishta
krahë engjëjsh, gugatje të porsalindura 
horizonte drithëruese, mole poezish
dhe trishtimi i lehtë i valës se tij...
Ajo prekje ere e mbarë kthimi....
Sytë më gënjejnë si klithma pulëbardhash
të shkrifëta, direkeve duke i përkëdhelur 
me pendë nëpër kocka, nëpër thinja,
ku gulçet e dhimbjeve dhe meraku për brigjet,
malli për dheun, për bymimin e Burrit të Vogël të Dheut
që lëshon klithma urithi të uritur....
Unë nuk prek me dorë, unë prek me frymë,
mbështetem me zemër, jo me gjinj,
nuk lëshohem me kurmin tim, por me ëndrra
dhe çapitem me ndjesi....
Të kërkoj
Të kërkoj
Në sqep të ëndrrës,
Larguar 
Muzgjeve të shpëlara….
Të kërkoj 
Në kurmin e trëndafilit,
Thyer 
Në duar dëshpëruese…
Të kërkoj
Labirinteve të dritës,
Fshehur qelizave
Të shpirtit tim.
Të kërkoj,
Ankthit të zemrës,
Të më duash kjo që jam,
Shpirtëbardhë!
S’kam faj 
Dielli më ka kthyer krahët
Hëna më belbëzon nën zë,
Yjet ikin, ikin, më paskan frikë...
S’di në kam bërë ndonjë faj,
Hiret e natën në gji dua t’i mbaj! 
Udhës së errësirës së gjatë,
Dëgjoj psherëtimat e reve përqark...