| E marte, 15.03.2011, 07:59 PM |
Është botuar në SHBA libri më i i ri “Shpirti i mendimeve” i poetit, piktorit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Syl Mujaj. Ky libër është me poezi dhe pikturë të cilat Mujaj i ka krijuar gjate viteve të tij në burgjet jugosllave si i dënuar politik. Në fakt autori ka paraqitur realitetin e njeriu të vuajtur shqiptar, i cili burgosej vetëm pse ishte shqiptar dhe vetëm se kërkonte lirinë e popullit të vet. Kështu si njeri që kapërceu të gjitha këto vuajtje, Syl Mujaj është vet portret i njeriut të sakrifikuar për liri, prandaj edhe është përpjekur që të portretizoj realitetin i viteve të robërisë, por gjithnjë duke u mbështetur në simbole dhe personalitete që për të ishin mbështetje në idealet e tij për liri e çlirim. Redaktori i këtij libri Jeton Kelmendi shkruan se Syl Mujaj përpiqet të pikturoj nëpërmjet poezisë dhe të poetizoj nëpërmjet pikturës, kështu duke kombinuar dy këto forma të artit, poeti ja del ta pasqyroj një kohë dhe ta nxjerr në dukje si art. Bëhet fjalë për një kohë të rëndë por gjithsesi shumë me rëndësi historike për njeriun shqiptar dhe qenien shqiptare në përgjithësi.
Nga ana e tij recensenti i librit Ndue Ukaj shkruan:
Vështrim Kritik
Ndue Ukaj
Poezia është evokim i situatave dhe tendosjeve shpirtërore, është shprehja më sublime e emocioneve të trazuara, e atyre emocioneve të fashitura brenda qenies njerëzore, që marrin formë nëpërmes vargjeve, ku gërshetohen emocionet e thella njerëzore, me dhembjet, krajatat dhe sfidat e shumëfishta.
Në komunikimin poetik, poeti, duke synuar fjalën ta përjetësoi me vargje, figura dhe gjuhë poetike, i jep kohës, mesazhet dhe ndjesitë e brumosura, të njerëzve që përpëlitën në të, të subjekteve krijuese, të njerëzve që e përjetojnë atë, të njerëzve që sfidohen, në kohë e rrethana specifike. Dhe i tillë ishte poeti Syl Mujaj, njeriu dhe krijuesi që kaloi nëpër ferrin e burgut politikë, synon të bëhet në poezi, ferr letrar. Si krijues, piktorë dhe aktivist politikë, ai përjetoi dhe kaloi nëpër sfidat më të rënda të kombit. E, pikërisht këto motivojnë krijimtarinë e tij, letrare dhe piktorale. Prandaj, për poetin, i burgosuri politik është strumbullar ku gërshetohen dhembja dhe tragjikja, e mira dhe e keqja:
...është aurorë e kohës
E dhembjeve
E bukurisë. (I burgosuri politik)
Kjo, vetëm sa përforcon mendimin se nuk ka poezi pa drama shpirtërore, për aq sa, na lejohet të thuhet se letërsia është prodhim i trazimeve shpirtërore, të cilat, nisen nga qenia e poetit, si filiza jete dhe shpërndajnë aromën e tyre .
Letërsia shqipe, është prodhim i situatave dhe gjendjeve të tendosura kombëtare, i projekteve dhe idealeve kombëtare, i situatave të tendosura politike, prandaj, është thënë shpeshherë, nga studiues të ndryshëm se poezia shqipe, ka ngjyrën e politikës, ndërkaq shkrimtarët gjithmonë kanë qenë përveç krijues, edhe personazhe aktive të jetës politike, njerëz të cilëve u ka rënë barra kryesore e mbajtjes gjallë të gjëllimeve dhe synimeve për liri. Kjo formë e kreacionit, është motivuar, natyrshëm nga konteksti shoqëror e politikë shqiptar, nga gjendja e rënd e kombit dhe peripecitë e tij për ekzistencë, për liri, për kulturë e gjuhë, thënë shkurt, për identitet. Poezia e Syl Mujajt që shkruhet në qeli, është e ndrojtur, ashtu siç është vetë jeta e të burgosurit. Ai le shumë të nënkuptohet. Ajo është e shkruar me vargje të shkurtra dhe gjuhë metaforike, përmes së cilës shprehet realiteti i trishtë, si në poezinë Qethja në qeli:
Katër veta
Rresht për dy,
Presin gërshërët.
Katër numra
Të krasitur.
(Burgu i Nishit, 1982)
Apo, ndryshe sikurse në vargjet tjera, ku i burgosuri është si në një teatër absurdesh:
Numri 712
Lojë me njeriun
lojë me emrin
loja me kohën.
Poezia shqipe, nëpër të gjitha kohët, u bë kësisoj vulë e kohës, një tekstografi, e cila, mori mbi supë të saj, misione politike, historike e kombëtar. Prandaj, ajo me retorikën e saj, mbetet pjesë e këtyre synimeve, pjesë e këtyre projekteve gjëllimeve kombëtare. Ajo, siç do të thoshte një studiues, nuk e ka pas në rënd të parë qëllimin dhe funksionin estetikë, por, një funksion mobilizues, një funksion shoqëror, një funksion, do ta thoshim, deri diku, të pastër politikë.
Poeti Syl Muaj vargjet e tij i pasuron me pikturat e tij, ato që i japin dimension të veçantë librit. Është kjo, siç thotë ky autor, një porosi e poetit të madh të Rugovës, Azem Shkrelit, prej së cilit vend vjen edhe Muja. Kësisoj, poezitë dhe punimet e bukura, këtij albumi i japin një rëndësi më të veçantë dhe paraqesin të vërtetat shqiptare, nëpërmjet gjuhës së figurshme dhe ngjyrave piktoreske, duke përplotësuar teksti pikturën apo anasjelltas, piktura tekstin, sikur del tek poezia Ankthi dhe vargjet e mëposhtme:
Lëndove bulëzimin
E rrënjës së gjakut
E rrënjës së ankthit
Aty ka origjinën
Jeta jonë,
Aty është burimi
Për besën tonë.
Ekziston një korpus i tërë i poezisë shqipe, që është krijuar nën rrethana robërie, nën rrethana burgosje, nën rrethana mërgimi. Kjo letërsi, e cila, nga disa zëra studiuesish quhet edhe letërsi e burgut, vjen me gjitha detajet e jetës së njeriut të burgosur, e poetit të burgosur. Kur burgoset poeti, krijuesi, atëherë s’ka sesi të mos shpërthej emocioni i dhembjes, i mallit për jetën përtej grilave, për jetën në liri. Këto trajta poetike, ndjehen theksueshëm në poezinë Vetvetes 2010, ku autori këndon kështu:
Përsëri kapërceva veten
Dola nga zvetënimi,
Si vala që tërhiqet zvarrë,
Dhe ashtu
Çuditërisht
Herë ngushtohem e herë zgjatohem,
Shpesh
Rrëmbimshëm,
Poezia e Syl Mujajt është poezi e njeriut që lirinë nuk e shijon në jetë, andaj e kërkon rrëmbimshëm në poezi, prandaj ajo në vetvete ka një ashpërsi, shpërthen me vargje, të cilat trajtojnë jetën e njeriut brenda qelive dhe përjetimet e atyre që janë jashtë. Kur e kurë, poezia e tij bëhet politikë e ditës, mbase me nuanca të fuqishme, në shërbim të projekteve specifike kombëtare, politike. Në këtë frymë, del edhe poezia Vogëlushet e Kosovës, e konceptuar si letër prej burgu, ku autori me çiltërsi poetike dhe një pasion poetik paraqet gëzimin e jetës që sjell fryma e rinisë, e fëmijërisë. Prandaj ai do mbush kohën dhe jetën e tij me këso fjalë poetike:
Fjalët e urta,
Fjalët e lira,
Fjalët e shtrenjta,
Fjalët e mira,
Fjalët e dashura,
Fjalët e dëlira,
I shkruam për ju.
Dëshirat e lira,
Dëshirat e shtrenjta,
Dëshirat e mira,
Pikërisht brenda këtyre strubullarëve, sillet edhe poezia e Syl Mujajt, autorit i cili robërinë e përjetoi njëherë në burg e pastaj në mërgim, një robëri të dyfishtë, e cila e motivon për poezi e pikturë, për krijimtari dhe veprimtari kombëtare. Këto komponentë, bëhen pjesë e pandashme e poezisë së tij, ashtu sikurse edhe jeta e tij prej të burgosuri, e më pas prej të mërguari. Në poezitë e tij, ka një tufë të tekstesh poetike që trajtojnë tema e motive të ekzistencës së kombit dhe rrekën pas temave të ditës, atyre temave që autori dëshiron t’i kthejë në poetikë, në gjuhë të figurshme, në gjuhë poetike. Poeti është pjesëtar i dhembjes, e këtë e transfiguron në poezi, në poezi ku retorika e fjalës është e veshur me tipare kombëtare, ku natyrshëm politika zë vend funksional, sepse ai është pjesë e saj. Ky tipar poetik shfaqet si në poezinë, Parlamenti në Prishtinë, ku autori shkruan me nota kritike:
Po bëhet
Ikonë në Prishtinë.
Kur ende vrapon
Kali i Trojës.
Autori në poezinë e tij trajton shpesh e në variante të ndryshme figurat historike, ato të kaluara e të tashme, e kështu, përçon mesazhet e tij prej njeriu e veprimtari që do atdheun, për njeriun e lashtë të identitetit të tij dhe atë të afërt. Ai ju këndon figurave të lashta historike dhe bashkëkohësve të tij. Ai shkruan për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, siç bëjnë shumica e krijuesve shqiptar, sepse ai është sinonimi i identiteti shqiptar. Prandaj ai ngazëllohet kur shkruan këto vargje:
Sot, bjeshkët e Nemuna,
Ndërruan emër
Ëndrrat e shprishura
U bën realitet,
Kori i të shurdhërve
Hyri në përralla
Në Kosovë
Po vije Skënderbeu.
Me mjaft ndjesi dhe dhembje evokohet në poezinë e Syl Mujajt edhe tema e mërgimit, tema e emigrantit, e cila, për qenien e tij, ka dy kuptime, sepse është dhembje e mall. Dhe për aq sa është dhembje, mall zhuritës, është një dashuri e pamatur që e trondit njeriun e epur për vendin e tij dhe njerëzit e tij. Këto motive dhe tema, autori i trajton në një tufë poezish, ndërkaq me realizuar del te poezia Loti i qyqes, ku autori hovshëm shpreh dufin e shpirtit të trazuar dhe revoltua me mërgimin. Ai kështu rropatet dhe:
Në shtatë kallinj bari,
Lot,
Brenga,
Kobe
Në shtatë rruaza.
Largoni fëmijët
Të mos i prekin
Gërshetat e këtyre luleve
Me "margaritarë"
Nga loti i qyqes.
Ndërsa, po me këtë lloj temperamenti poetik, autori shkruan edhe poezinë Ëndrra mërgimtare, në të cilën përçon ndjenjat dhe ndjesitë e emigrantit që jeton duke ëndërruar, të emigrantit që kthehet në ëndërr.
Lulen e shtogut i pari e pashë
Me mëngjes, herët në pranverë.
Dorën mbi vetull
Drejt në lindje të diellit;
Bu - bu, është toka ime kjo ?
Në përgjithësi, poezia e Syl Mujajt, është poezi, me karakter të theksuar patriotik, një poezi patriotike, që ecën kur e kur në tehun e trajtave politike. Ajo ka ngjyrën e dhembjeve kombëtare. Ajo ka trajtat e një poezi burgu dhe një letërsi burgu. Me këto elemente dhe gjuhën poetike, kur e kur me ritmin e brendshëm poetik, ajo është një poezi që dëshmon për kohën, për jetën dhe klithjet e autorit dhe bashkëkohësve të tij në një kohë dhe rrethana specifike.