| E marte, 15.03.2011, 07:58 PM |
 MAGJIA E FJALËS POETIKE E XHEMIL BYTYÇIT
MAGJIA E FJALËS POETIKE E XHEMIL BYTYÇIT
/ Xhemil Bytyçi : „Rreze yjesh”, „Piramida”, Prishtinë, 2010 /
Nga MAZLLUM SANEJA
     Emri i Xhemil Bytyçit , urologut të njohur shqiptar në përmasa evropiane, po na imponohet gjithnjë më tepër si një poet i veçantë, duke ngjallur kureshtjen me poezinë e tij interesante.
    Vëllimi më i  ri poetik i poetit Xhemil Bytyçi  „Rreze yjesh”ndryshe nga vëllimet e mëparshme poetike: „Dëgjoj shushurimën”(2007), „Zjarr i lënë në harresë”(2008),”Fijet e fjalëve”(2009)   pa mëdyshje shënon një kthesë të madhe në artin e tij poetik, duke lëvruar me sukses llojin e poezisë japoneze çfarë janë  Haiku dhe Tanka. Dhe në këtë udhëtim poetik, poeti ynë ka shënuar një arritje të rëndësishme. 
     Libri hapet me poezinë „Liria shpirtërore” – një himn kushtuar jetës, këngës, lirisë dhe njeriut, që përputhet me poezinë përmbyllëse të librit „Platoja e yllësisë”, që mesazhi poetik i poetit është që në botë të mbretërojë dashuria, harmonia dhe liria, e që fatkeqësisht jetojmë në një epokë marramendëse të frikës dhe të trishtimit.
     I lidhur shpirtërisht me fatin e atdheut të vet, ku deri dje „lëviznin gjarpërinjtë”, dhe në shpirtin e paepur të poetit „Nga Ilirida e humbur/Një grusht dhe mbeti/Për shpirt Kosove...”/, se erëra Arbërie fryjnë këtej pari, për ta përjetësuar qeniesinë tonë kombëtare, se „Vdekjen  nuk e kisha frikë” thotë poeti, i cili nuk e humb dot shpresën dhe besimin, se në shtegtimin e tij kërkon paqë, që sot është e trazuar në planetën tonë të shqetësuar.
     Duke qenë një vëzhgues analitik i realitetit qe e rrethon poetin, na kthen ne nje kohë jo fort të largët në atdheun e vet, ku skuadronet paramilitare serbe mbillnin shkrumb e hi, dhe vrisnin, thernin e masakronin fëmijë, burra e gra të pambrojtura dhe gjithçka shqiptare:
            „Nënat flinin të qeta mbi imazhe
            Të fëmijëve
            Të burrave
            Të vëllezërve e motrave
            Në një kasaphane
            Të quajtur luftë
            Flinin në hapësirën që nuk i përkiste askujt
            Nënat ecnin me flakën e zjarrit” 
                                          (“Në hapësirën që nuk i përkiste askujt”) 
     
        Dhe, së këtejmi ajo porosia e poetit që të nderojmë gjakun e derdhur të bijëve më të vetëdishëm të kombit, që të mos nëpërkëmbim lirinë e fituar me gjak.  Është ky zëri i poetit që vjen si jehonë, që kërkon shoqëri të pastër e dinjitoze.
Është ky zëri i poetit që vjen si jehonë, që kërkon shoqëri të pastër e dinjitoze.
       Ndërkaq, duke lexuar me kujdes Haiku dhe Tanka të poetit Xhemil Bytyçi kam përshtypjen sikur kam para vetes një imazh të gjallë, sikur plotësojnë një çast, një moment. Leximi i vëmendshëm i  Haiku-t dhe Tanka-së të poetit tonë më shpuri deri te leximi i Haiku-t japonez, kur për një moment shoh fluturimin e patave, dëgjoj fëshfërimën e gjetheve, këngën e bulkthit, e sikur shoh djaloshin e ulur diku në një shkëmb duke përsiatur. Duke shkruar këtë shkrim për poetin Xhemil Bytyçi me kujtohet një mendim kontemplativ i nobelistit polak Czeslaw Mi?osz, i cili me të drejtë  shkroi: “Për mua është kjo një mjeshtëri e botës, e kondensuar në tri vargje, kaq emocione dhe çfarë imazhi të gjallë, tri vargje, aq shumë flasin. Diçka gjeniale...”
       Poeti ynë Xhemil Bytyçi, duke qenë i vetëdishëm se iu ka përveshur  një lloji kaq të vështirë e të ndërlikuar të vjershërimit çfarë është Haiku dhe Tanka (ku zanafillën e ka në Japoni, me prijatarin e vet të parë Matsuo Basho(1644-1695), vazhdon me sukses të lëvrojë edhe më tej Haiku-n dhe Tanka-në, që me siguri më vonë do të frymëzojë brezin e ri të poetëve shqiptar. Duke lexuar me vëmendjen e lexuesit kureshtar Haiku-n dhe Tanka-në, ku me minimum fjalë ngërthen një porosi  të thellë brenda tri vargjeve dhe pesë vargjeve:
           “Kur gjinkallat këndojnë
          Llafazanët qetësohen
          Dëgjojnë këngën në vijim”
                                  (Haiku, fq. 46)
         Patkoin e kalit të bardhë
         E gozhdova mbi pragun e lartë të derës
         Që fati të skalitet në ballë...
                                 (Haiku, fq. 49)
                     
         apo: 
         Mes shtyllave elektrike
         Në tela shënojnë zogjtë
         Notat e melodisë
         Në fërfëllizë dëgjohet
         Koncerti i simfonisë së tyre
                                 (Tanka, fq. 76)
         Turma e njerëzve
Turma e njerëzve
        Në çark u zu
        Mbi shtratin e varreve
        Shpirtrat lundronin
        Në ëndrra mbi gjak.
                               (Tanka, fq.83)
 
       Këtu brenda Haiku –t dhe Tanka-së poeti ka paraqitur dhe dëshmuar një përqëndrim maksimal, në përshkrimin e atij imazhi që e sheh dhe e ndien, duke i lënë vend imagjinatës së lexuesit. Dhe në këtë mënyrë, krijohet dialogu i mirëfilltë: autori-lexuesi.
       Si përfundim, mund të theksojmë se poeti Xhemil Bytyçi është një poet i kursyer në fjalë, duke shkruar poezi të shkurtra, lakonike dhe domethënëse përplot metafora, të kondensuara e të sakta, që përbëjnë një tërësi të fuqishme poetike. Dhe, kjo është garancia më e fuqishme  e poezisë së Xhemil Bytyçit, i cili me ndjeshmërinë e vet dëshmon  magjinë poetike të fjalës.
Varshavë,
fillimi i marsit 2011