| E hene, 14.03.2011, 08:57 PM |
U MBAJTËN “TAKIMET POETIKE TË KARADKUT” NË KUMANOVË
Nga Arsim Halili
Qyteti i bukur i Kumanovës më 11 mars kishte festë dhe kishte arsye për këtë. Kumanova po e përkujtonte një nga ngjarjet e përmasave kombëtare tridhjetë vjetorin e “Demonstratave studentore 1981” dhe mbahen “Takimet Poetike të Karadakut”, tani më tradicionale. Tribunën kushtuar “Demonstratave të 1981” E nderuan personalitete të veprimtarisë kombëtare: Adem Demaçi, Flora Brovina, Ali Ahmeti , Njazi Idrizi, Fazli Veliu dhe veprimtar të tjerë të arsimit dhe kulturës shqiptare anembanë hapësirave shqiptare të cilët dhanë kontributin e tyre me kumtesat e tyre, për ato ditë kur çështja shqiptare vazhdoj me ngulm kërkesat për realizmin e aspiratave kombëtare të nisura nga veprimtarët e çështjes kombëtare shumë më herët, por për të vazhduar me ngulm deri në ditët e sotme. Ishte mbase kërkesë e të gjithë diskutuesve me kumtesat e tyre që të unifikohet faktori shqiptar në të gjitha aspektet që çështja shqiptare të mos mbetet peng, por proceset të ecin drejt bashkimit Evropian. Pas përfundimit të tribunës. Nikoqiri i takimeve poetike Klubi i shkrimtarëve të Kumanovës “Jehona e Karadakut” në Kumanovë në krye me kryetarin e këtij klubi Burhanedin Xhemaili, e shpallë të hapur orën letrare. Në fillim në pika të shkurtra përshkruan ecejaket e këtij organizmi letrar. Duke i uruar çaste të këndshme të pranishëmve, fillon ora e madhe letrare me karakter garues, ku fillimisht zgjidhet juria profesionale në përbërje të: Mexhid Mehmetit, Agim Bajramit, Burhanedin Xhemailit. Nga krijimtaria letrare lexuan poetët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës si: Agim Bajrami, Pëllumb Gorica, Kujtim Morina, Bajazit Cahani,Man Bogo Mexhid Mehmeti, Flora Brovina,Xhemë Kardaku, Lumnije Thaçi, Arsim Halili, Bilall Maliqi, Demush Berisha, Kalosh Çeliku, Fadil Curri, Seida Beganoviq,Ismail Bahtijari, Shaip Emerllahu, Rahim Ganiu, Arben Ibrahimi Rexhep Bajrami, Sarë Gjergji, Fazli Veliu, Njazi Idrizi, Bejtush Mehmeti, etj. Pas pauzës dhe darkës së shtruar nga nikoqirët, juria profesionale i shpall fituesit e kësaj ore letrare si vijon :
Me vendin parë u shpërblye Flora Brovina
Me vendin e dytë u shpërblye Kujtim Morina
Me vendin e tretë u shpërblye Lumnije Thaçi.
Humanistja dhe poetja Flora Brovina, pasi ju nda shpërblimi I luti jurinë që shumën e dhënë të jap donacion ndonjë familje në nevojë, e që shkoi për një familjar të një dëshmori.
Klubi i shkrimtarëve “ Jehona e Karadakut” në Kumanovë, para të pranishmëve kishte përgatitur edhe një befasi letrare e që ishte në nderë të gjithëve e posaçërisht për poetet nga Lugina e Preshevës, ku bë përurimi i numrit të parë të revistës letrare” Qëndresa” e cila doli këto ditë nga shtypi dhe është revistë nga Klubi letrar “ Feniks”, si dhe librit të dytë me vështrime kritike, përkatësisht librit të katërmbëdhjetë të radhës të shkrimtarit Bilall Maliqi, për librin foli redaktori i këtij libri Mr.sc Nazmi Beqiri,pastaj u lexuan fragmente nga ky libër. Ndërsa kryetari KL “ Feniks” Bilall Maliqi e falënderoj KL “Jehona e Karadakut” në Kumanovë, redaktorin e librit dhe të gjithë të pranishmit. Me kaq edhe Burhanedin Xhemaili e përmbyll këtë eveniment kulturor duke i falënderuar dhe uruar suksese të mëtejshme mysafirët.