| E hene, 14.03.2011, 08:58 PM |
ERDHËM EDHE
Pjesa e parë
Nga Luan Çipi
Kam më se dy muaj në Amerikë, te djali im, që ka ardhur para 14 vjetësh këtu. Pas pesë refuzimesh, Konsullata e Ambasada Amerikane e Tiranës, duket e pa të arsyeshme kërkesën time dhe së bashku me gruan, më dhanë vizë turistike një vjeçar me shume hyrje- dalje.
Erdhëm në palcën e dimrit në qytetin verior të Amerikës, Çikago, me klimë të ashpër, të ftohtë dhe më të shumtën e kohës, me erë. Si në fundin e dhjetori kur mëritëm, po dhe tani, vazhdon të bjerë herë pas here borë. Sipas zakonit të Shqipërisë edhe në Amerikë, ngrihemi çdo dit herrët në mëngjes. Gjumi këtu bëhet i rehatshëm, sepse brenda në çdo shtëpi, në të gjitha ndarjet deri në banjë e korridor, sigurohet ngrohje normale 24 orësh. Mëngjeseve, kur hedhim shikimin jashtë, tej dritareve të stërmëdha të katit 17, të “qiellçarëses” 40 katesh ku banojmë, në pjesën qendrore muzeore të Çikagos, shohim me një ndjenje gëzimi dhe madhështie, se të gjitha çatitë dhe sheshet për rreth janë të mbuluara tej e tej me një si qilim bore. Për çudi rrugët thuajse nuk kanë fare borë. Ato pastrohen prej borës gjatë natës e në vazhdimësi nga punonjësit e shërbimit komunal dhe në rrugët e trotuaret hidhet kripë e ashpër ngjyrë jeshile. Kështu ato duken si të ngjyera me bojë të gjelbër. Nga dritaret në lindje shtrihet pafundësisht liqeni i Miçiganit, shumë herë i ngrirë deri në largësi dhe “Kampusi Muzeal”i qytetit, me Akuariumin, Muzeun Field, Planetariumim dhe Stadiumin futbollit Amerikan.
Aty afër gjarpëron autostrada e buzëliqenit, si dhe linjat hekurudhore, që përshkojnë gjithë kontinentin e madh. Makinat dhe trenat ndjekin njeri tjetrin me nxitim e rritëm të paparë e të duket se njerëzit këtu, në këto rrugë të gjera e të gjata e në këto hapësira të pa ana, këtë punë bëjnë: lëvizin e lëvizin, pafundësisht dhe pambarimisht. Sistemi i rrugëve në Çikago, qofshin këto tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore, është i studiuar dhe i vendosur deri në përsosmëri, me kuadrate të një planimetrie rigoroze dhe me adresa në numra dhe emra të thjeshtë e që mbahen mend lehtë.
Ç’është e vërteta qytetarët këtu një pjesë të madhe të kohës e kalojnë në lëvizje, më së shumti me automjetet e tyre personale dhe me taksi, autobusë e trena. Ata shkojnë vijnë çdo ditë deri dhjetëra kilometra larg, në punë, apo në shkollë, kopshte e kurse, për nevoja shërbimi apo shëndetësore. Edhe për të blerë sendet për nevojat e përditshme, ushqime e veshmbathje në qendrat grosiste e sidomos në ato me produkte cilësore, qoftë dhe në kërkim të çmimit më të ulët, ata duhet t’u hipin autoveturave të tyre për të përshkuar shumë kilometra. Sistemi modern kompjuterik dhe informacioni mediatik dhe reklama, veç ndihmojnë në ketë drejtim dhe kanë hedhur hapa për shërbim e furnizim me porosi deri në familje.
Ne mëritëm në Aeroportin e madh të Çikagos në pasditen e datës 30 dhjetor 2010. Na priti Adela, nusja e djalit tonë, bashkë me Nikun (Kaman), nipin e madh gati pesë vjeçar që kishim dy vjet pa e parë. Në shtëpi u takuam edhe me nipin tjetër, Lukasin (Adrian), gati 8 muajsh, që e shihnim direkt për herë të parë. Gëzimi ynë ishte i madh, kur shihnim trashëgimtarët tanë të bukur e të shëndetshëm në një botë të re, të lirë e të lumtur dhe që rriteshin me kujdes të posaçëm, në kushte jetese që as nuk i kishim ëndërruar.
Dhoma e veçantë e Nikut ishte si një shkollë e vërtete me dhjetëra libra didaktik të çuditshme për ne edhe pse mësues prej shumë vjetësh. Më shumë u habitëm kur u ndeshëm me qindra lojëra fëmijësh: trena, makina, qen, mace, arinj, arusha, elefant, zebra, foka, kuaj, lopë, e deri dinosaura, po asnjë pushke, kallashnikov, mitraloz apo top allamani. Një vend të rëndësishëm në dhome zë pjanoforti i madh ku herë pas here vjen një mësues profesionist për t’i transmetuar Nikolasit,( që, mos harrojmë, emrin e dytë e ka, si baba dhe gjyshi i tij shqiptar Kaman), njohuritë fillestare dhe po qe se ai ecën dhe shfaq dhuntitë përkatëse, ta bëjnë, pse jo edhe muzikant të shquar.
-Plutoni (më thotë, me një shqipe të çalë, duke më habitur dhe më shumë im nip), nga ana e shkencëtarëve astrologë, tanimë nuk përfshihet më në radhët e planetëve të tjerë, që i vijnë rrotull diellit dhe pas pak: oktapodi ikën mbrapsht, prandaj e kollofit lehtë balena, ndërsa, një herë tjetër: pandat e murrme jetojnë në Kinën juglindore, se atje ka bambu..
Nëna e tij, Adela, na habit edhe me shume kur na shpjegon karakterin e tij tepër kureshtar e shpesh kundërshtues, Nuk na dëgjon lehtazi dhe për çdo porosi qe nuk i shkon për shtat gjen njëkohësisht me shume se tre argumente kundërshtues, qe me se shumti rezultojnë te pranueshëm. Kur ishte tre vjeç e gjysmë bëri një “skandal” në shkollë. Kur mësuesja, sipas programit mësimor, i fliste për sistemin diellor i tha se dielli është një lëmsh i zjarrte qe djeg e përvëlon dhe vetë ai digjet e digjet pa ndaluar.
Jo, mësuese e dashur, kundërshtoi Niku: Diçka që digjet, (sepse është ndezur deri sa përvëlon) do vazhdoj të digjet, deri sa të asgjësohet. Po të ndodh kjo me diellin, ai do shuhet, pasi të përfundojë plotësisht djegien. Atëherë dielli nuk do dërgojë rrezet e tij të ngrohta në tokë dhe ne do ngrijmë e do të vdesim nga të ftohtit. Nga ky arsyetim që i bindi fëmijët e tjerë se do ndodhte një katastrofë, ata nisën të frikësohen dhe papritur, njeri pas tjetrit, nisën të qarit në kor, derisa u bë problem në Drejtori dhe iu desh gjithë trupës mësimore të ndërhynin individualisht për ti qetësuar fëmijët, që edhe ditët e tjera, herë pas here, e kujtonin të frikësuar këtë ngjarje.
Unë dhe Hanëmja rinim dhe e shikonim krejt me habi (aq sa kishim frikë mos e “hanim me sy”) teksa ai fëmijë amerikano-shqiptar na çudiste dhe pa mbushur 5 vjeç, lexon lirshëm libra anglisht dhe na përkthen me lehtësi, duke na mësuar diku edhe ne pleqve ngjarje e fenomene që nuk i dinim aq saktë.
Çikago, 13 Mars 2011