Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Erkand Qerimaj, medalje e bronzit në kampionatin evropian të Peshëngritjes

| E enjte, 10.03.2011, 07:27 PM |


Një dhuratë si e rënë nga qielli. Erkand Qerimaj është bërë medalist i bronztë europian pasi një shtangist bjellorus që mbante vendin e tretë është skualifikuar nga Federata Botërore e Peshëngritjes sepse është gjetur pozitiv me doping.

 

Fjala është për kampionatin europian të këtij sporti, zhvilluar vjet në prill në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk, kampionat ku sportisti kuqezi zuri vendin e katërt në peshën deri 77 kg.

 

Medalist i bronzit u shpall vendasi Mikalai Çarniak, me 346 kg të ngritura në dygarësh, dy kg më shumë sesa shkodrani.

 

Pas skualifikimit të Çarniakut, Qerimaj u shpall zyrtarisht si fitues i vendit të tretë në atë Europian, në një garë ku ishte më i vogël në moshë sesa medalisti i artë, Tigran Petrosjan i Armenisë dhe polaku Kristof Shramiak.

 

Qerimaj pret të marrë medaljen e bronzit nga Federata Botërore dhe kjo gjë me shumë gjasa do të ndodhë në kampionatin europian që do të zhvillohet në prill të këtij vitin në Kazan të Rusisë.

 

Për Qerimajn 22-vjeçar kjo është një medalje tjetër në karrierë, pas doli kampion i Mesdheut, medalist i argjendtë në kampionatin euriopian të vitit 2009 në Rumani si dhe kampion i Europës që nga mosha 15 vjeç e deri për të rinj.

 

TV Klan