Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Mall për atdheun

| E hene, 07.03.2011, 07:38 PM |


Luan Çipi

 

MALL PËR ATDHEUN

 

Atje, ditë vere, freski në Tiranë

Dhe xhaketën zbërthyer e mban,

Këtu bije borë e ftoma të than

Nga era  e marrë në Miçigan.

 

Përmallshëm  mendimi më shkon

Drejt Vlorës së bukur boll...

A thua në dete rinia noton

Dhe lozin me top vaterpol?

 

A ka dal të ndeshet ekipi i futbollit

“Flamurtari”, me emrin e madh

Po Nartjotët me varka gjolit

Janë nisur herët, sa dita  ka zbardh?

 

O sa më ahet një picë në Tunel

Te Bledi dhe Edi në “Aulona”

Se bajamja lulet po i çel

E në Jonufër u hap “Blerona”.

 

Në shkëmbin e varur te “Lirua”

Hoteli po pret e përcjell

Barbunjë, karkalec a cirua,

Fruta e detit, oreksin të ndjell.

 

Qengji në hell lëshon aromë

Radhima e bukur na thërret

Kryearza, bilbili këndojnë

Simfoni melodish për mbret.

 

Lart Llogorajit me borë

Te pishat shekullore, në hije

Me zorrë të qengjit qumështor

Arapash me gjalpë e me shije.

 

Dhe pyes: Vetëm  në gjumë  e punë

Pse i shtyni vitet e jetës  mërguar,

Kur Shqipëria ju pret e ju fton

Si vendi nga Zoti i bekuar?

 

Çikago, Mars. 5. 2011