Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Shqipëria, si Amerika...

| E enjte, 03.03.2011, 09:09 PM |


Luan Çipi

 

SHQIPËRIA, SI AMERIKA...

 

Me avion u nisa, të takoj tim bir

Ikur prej shumë vjetësh, në kurbet larguar

Po atë e gjeta, rritur, përtërirë

Me dy djem të vegjël në familje shtuar.

 

Nikola, i madhi, po arrin pesë vjetet,

Luka-si, i dyti, i mbushi dhjetë muaj,

Unë, gjysh Luani, i ngjitem tetëdhjetës.

Gëzimi i madh, nuk më le të vuaj.

 

Nuk e ndjej pleqërinë, lodhjen dhe mundimin

Bredh e loz  me ta, “qethem me shelegë”,

Përralla u tregoj, u këndoj Naimin

U flas shqip për mollën, për dardhë e për shegë.

 

I emërtoj bukën, djathin edhe ujin

Si e çmojmë babën, sa e duam nënën

I tregoj Rozafën, Gjergjin edhe Mujin

Si  nderojmë diellin, sa adhurojmë hënën.

 

Ata më dëgjojnë, habitur, kënaqen

Përsërisin fjalën dhe e saktësojnë.

Do mësojnë shqip, do ma zbardhin faqen

Dhe për Shqipërinë nisin të mendojnë.

 

Vitet ikin shpejt, djelmoshat u rritën...

Si dikur Fan Noli dhe Faik Konica

Me punë e me dije do na sjellin dritën.

Vendi ynë do bëhet siç do Amerika.

                                                   

Çikago, Shkurt, 28.2011