| E merkure, 02.03.2011, 08:00 PM |
Radio Evropa e Lirë
Dy ushtarë amerikanë jane qëlluar për vdekje nga një person i armatosur në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.
Autoritetet rajonale nuk përjashtojnë as mundësinë e një lidhjeje terroriste, por asgjë nuk është e qartë.
Personi, i cili vrau dy ushtarë dhe plagosi rëndë dy të tjerë, sipas informacioneve, është nga Kosova, tha ministri i Brendshëm i shtetit Hes, Boris Rein.
Incidenti ka ndodhur kur është sulmuar autobusi që transportonte ushtarët amerikanë. Nuk është e qartë nëse sulmi ka ardhur nga brenda autobusit. Vrasja ka ndodhur në terminalin 2 të Aeroportit të Frankfurtit.
Zëdhënësja e forcave ajrore amerikane për Evropë, majorja Beverli Mok, tha se të katër viktimat, dy të vrarët e dy të plagosurit, u takojnë këtyre njësive. Ajo nuk dha detaje se ku ishin të stacionuara viktimat apo emrat e tyre.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka dënuar sulmin.
“Dua që çdokush ta kuptojë se nuk do të lëmë asgjë pa bërë derisa të mësojmë si ndodhi ky akt i tmerrshëm. Do të punojmë me autoritetet gjermane për të siguruar që të gjithë autorët do të dalin para drejtësisë”, tha Obama.
Ministri i Brendshem i Kosoves, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar se policia gjermane e ka identifikuar te dyshuarin si Arif Uka, shtetas i Kosoves nga qyteti i Mitrovices.
"Kjo është një ngjarje dërrmuese dhe tragjike. Po përpiqemi të kuptojmë nëse ishte diçka e organizuar apo çfarë natyre kishte sulmi", tha Rexhepi.
Presidenti dhe Qeveria e Kosovës kanë dënuar ashpër vrasjen e dy qytetarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve.
"Institucionet e Kosovës u shprehin ngushëllimet më të thella popullit amerikan, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane dhe familjarëve të viktimave", thuhet në komunikatë.
"Ky rast makabër është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, që gjithmonë dhe përjetësisht do t'u jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe Qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë popullit të Kosovës gjatë procesit të lirisë, pavarësisë dhe tani zhvillimit dhe integrimit të Kosovës", thuhet në reagimin e Qeverisë.
I dyshuari gjendet në paraburgim. Burimet gjermane raportojnë se sulmuesi është i moshës 21-vjeçare.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dënuar sulmin duke e cilësuar si "ngjarje të tmerrshme". Ajo ka shtuar se vendi i saj do të bëjë “gjithçka që është e mundur” për të hetuar deri në fund sulmin ndaj autobusit të ushtarëve amerikanë.
“Dua t'iu shpreh ngushëllimet ushtarëve amerikanë, familjeve dhe të afërmve të tyre. Kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe Gjermania do të bëjë gjithçka që është e mundur për të gjetur shpejt çfarë ka ndodhur”, tha Merkel.
Ushtria amerikane ka një numër bazash në rajonin e Frankfurtit.
_____________
Ngjarja e Frankfurtit revolton Merkel
Top Channel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh “e revoltuar”, pasi dy ushtarë amerikanë gjetën vdekjen dhe dy të tjerë u plagosën, në një sulm të armatosur të një shtetasi kosovar në aeroportin e Frankfurtit.
"Dua të shpreh se sa e revoltuar jam me këtë ngjarje. Ne do të bëjmë gjithçka për të zbuluar përse ndodhi ky krim tragjik. Mendimi ynë në këtë moment shkon pranë familjeve të pilotëve trima që humbën jetën”, deklaroi Merkel përpara gazetarëve në Berlin.
Reagimi i saj erdhi disa minuta pasi edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, dënoi “fuqimisht aktin mizor”, në të njëjtën kohë që konfirmoi se atentatori është një kosovar me etni shqiptare, nga qyteti verior i Mitrovicës.
Ndërkohë, media gjermane ofron edhe kronologjinë e ngjarjes, së ndodhur rreth orës 15:20, në parkingun e jashtëm të aeroportit të dytë më të madh në Europë.
Kosovari ndodhej brenda autobuzit, kur ai hapi zjarr me një pistoletë. Nuk dihet se si mundi të hynte brenda, duke qenë se autobuzi ishte i rezervuar vetëm per personelin ushtarak.
Pas ngjarjes, 21-vjeçari u përpoq të humbte gjurmët duke u ngatërruar me turmën në terminalin e dytë të aeroportit, por u arrestua nga forcat e rendit të aeroportit.
Besohet se kosovari mund t’i përkasë ndonjë organizate fondamentaliste islamike dhe kjo është edhe pista që po ndjekin autoritetet gjermane në këtë moment.
Dy viktimat dhe dy të lënduarit e tjerë u konfirmuan nga ushtria amerikane si pilotë të bazës së Ramstein, e cila ndodhet pranë Frankfurtit dhe është një prej bazave më të mëdha amerikane jashtë territorit të SHBA-së.
_____________
Arif Uka dyshohet se vrau amerikanët
Presidenti dhe Qeveria e Kosovës dënuan aktin e vrasjes së ushtarëve amerikanë nga një shtetas kosovar. “Populli i Kosovës e dënon me rreptësi këtë akt të lig”, tha Presidenti Pacolli. “Ky rast makabër është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, që gjithmonë dhe përjetësisht do të jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet ndërkaq në komunikatën e Qeverisë.
Nga Jeton Musliu, Express
(E Plotesuar) Presidenti Behgjet Pacolli i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Presidenca e Republikës së Kosovës mësoi me hidhërim të thellë për incidentin e ndodhur në aeroportin e Frankfurtit kur dy persona, mes të cilëve një ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës humbën jetën si pasojë e një akti vrastar të kryer nga dikush që është shtetas i Kosovës. Akti i rëndë i shkaktuar nga një bashkëqytetar i tyre ka krijuar dëshpërim te të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Në emër të qytetarëve të Kosovës unë i shpreh ngushëllimet më të thella popullit amerikan, ushtrisë amerikane, autoriteteve amerikane dhe familjeve të të vrarëve për këtë humbje të shkaktuar nga një akt i paprecedent”.
“Populli i Kosovës e dënon me rreptësi këtë akt të lig, individual pavarësisht motiveve që e kanë përcaktuar atë, kryer ndaj njerëzve me rrobën e ushtrisë që pati rol thelbësor në çlirimin e Kosovës, ushtrisë që ka rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në gjithë botën. Ky moment i dhimbshëm shërben për të rikonfirmuar më fuqishëm se më parë, ndjenjën e simpatisë dhe mirënjohjes së popullit të Kosovës për SHBA’të”, përfundon komunikata.
Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar aktin e tmerrshëm që ndodhi në Frankfurt.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e prekur rëndë dhe dënon ashpër vrasjen e dy qytetarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga një qytetar me prejardhje nga Kosova, që ndodhi sot në Gjermani”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, të lëshuar në orën 19:25 minuta.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të thella popullit amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane dhe familjarëve të viktimave. Ky rast makabër është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, që gjithmonë dhe përjetësisht do të jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe qeverisë së SHBA’ve për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë popullit të Kosovës gjatë procesit të lirisë, pavarësisë dhe tani zhvillimit dhe integrimit të Kosovës”.
Qeveria dhe gjithë populli i Kosovës, vazhdon komunikata, në këto momente të rënda solidarizohen me dhimbjen dhe qëndrojnë pranë qeverisë amerikane, popullit amerikan, ushtrisë amerikane dhe familjeve të viktimave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh besimin dhe bindjen e plotë që aktorët e këtij akti monstruoz do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar”, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.
18:15:16
Rexhepi konfirmon lajmin
Përderisa Policia Gjermane ende nuk ka komentuar rreth identitetit të dyshuarit që vrau dy ushtarët amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit, portali “Spiegel.de” raporton se Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i ka thënë agjencisë amerikane të lajmeve “AP” se “Policia e ka arrestuar dhe identifikuar për këtë rast Arif Ukën, qytetar i Kosovës”.
“Jemi duke u përpjekur që të konfirmojnë nëse sulmi është organizuar apo është sulm i ndonjë natyre tjetër”, ka thënë Rexhepi.
Mirëpo në një prononcim për ExpressOnline, para pak çastesh, Ministri Rexhepi u shpreh i pasigurt nëse vërtetë bëhet fjalë për shtetasin Arif Uka nga qyteti i Mitrovicës, megjithëse deklarata e tij për “AP” tashmë është publikuar në të gjitha mediat botërore.
Ndërkohë Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se Gjermania do të bëjë gjithçka është e mundur për zbardhjen e rastit.
Ajo dënoi, siç e quajti incidentin e tmerrshëm, që ndodhi në Aeroportin e Frankfurtit.
17:55:16
Kosovari vret dy ushtarë amerikanë
Personat e vrarë dhe të plagosur, sipas një burimi të CNN-it, janë pjesëtarë të forcës ushtarake ajrore amerikane nga baza Lakenheath në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithëkëtë, sipas tij, këto janë vetëm informacione preliminare.
Ata ishin forca të sigurisë dhe ndodheshin rrugës për në misionin e tyre, për t’u ndërruar, ka deklaruar burimi i CNN-it, pa mundur të tregojë në mënyrë specifike se ku kanë qenë duke shkruar.
Sipas burimeve, ata fluturonin me një linjë civile fluturimi dhe jo me ndonjë aeroplan ushtarak.
Besohet se policia gjermane ka ndaluar një të ri nga Kosova, dyshohet se ai është i nacionalitetit serb.
Baza amerikane Ramstein në Gjermani rregullisht përdor fluturimet komerciale nga aeroporti i Frankfurtit.
17:25:16
Sipas mediave gjermane, të shtënat kanë ardhur nga brenda autobusit.
Ndërkohë, Policia Gjermane ka deklaruar se dy persona kanë vdekur pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një autobus që bartte ushtarë amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit.
Vozitësi i autobusit dhe një ushtar amerikan raportohen se janë vrarë, kurse dy të tjerë janë plagosur rëndë.
Një 21 vjeçar që dyshohet se është nga Kosova është arrestuar nga policia, nën dyshimet se ai ka qëlluar mbi amerikanët.
Autobusi ndodhej përballë Terminalit 2 në Aeroportin e Frankfurtit që është i dyti për nga madhësia në Europë.
Policia u ka deklaruar mediave gjermane se ende nuk është e qartë nëse kjo ka të bëjë me ndonjë akt terrorist.
Zëdhënësi i Policisë Gjermane, Jurgen Linker i ka deklaruar gazetës "Die Welt" se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda autobusit.
Ndërkohë, korrespondenti i BBC'së në Berlin, Stephen Evans ka njoftuar se aerporti nuk është shumë larg nga baza ajrore Ramstein, ku ndodhet e vendosur selia kryesore e Forcave Ajrore Amerikane në Europë.
17:07:16
Dy ushtarë amerikanë janë qëlluar për vdekje sot në Aeroportin e Frankfurtit.
Ndërkohë, burime të Sky News tregojnë se edhe dy persona të tjerë janë plagosur në këtë incident kurse policia ka arrestuar menjëherë një 21 vjeçar nga Kosova që dyshohet se e ka kryer aktin.
Sipas raporteve, të shtënat mbi ushtarët kanë ndodhur në autobus ose afër tij.
Ngjarja ka ndodhur përballë terminalit 2 të Aeroportit të Frankfurtit që është i dyti më i madh në Evropë, ka deklaruar zëdhënësi i Aeroportit.
______________
Obama: Jam i indinjuar për sulmin
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës denoi vrasjen e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit.
“Jam i trishtuar dhe i indinjuar nga ky sulm u shpreh presidenti Obama. Nuk do kursejmë përpjekjet tona për të mësuar si ndodhi ky akt mizor” shtoi ai.
Shefi i shtëpisë së bardhë nuk pranoi pyetje nga gazetarët lidhur me sulmin në Frankfurt.