Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Redan Bushati: Demokrat, por jo pa “demokraci”!

| E marte, 01.03.2011, 08:59 PM |


Demokrat, por jo pa “demokraci”!

 

Nga Redan Bushati

 

     Jam i ri në moshë, por kam kaluar në “sitën”e strukturave partiake, duke filluar nga rangjet më të ulta në strukturat e forumit rinor, e deri në përfshirjen në seksione. Nuk është shumë, por nuk është as pak, për çështjen të cilën kam marrë përsipër të analizoj.

     Sot, në rrugët e kombit ka jashtëzakonisht shumë njerëz që derdhin “gjak” për Sali Berishën. Mund të jem njëri nga ato, ndoshta! Por, di rreth vetes që japin edhe jetën si Ervis Isufi dhe Nazmi Kurti e disa miq, që për arsye etike nuk po i përmend emrat, pasi ndodhen në poste drejtuese. Të gjithë janë demokrat dhe janë me PD-në, por mbi të gjitha janë me Sali Berishën.

     Në mars-prill të 2009 kemi ringritur nga e para strukturat e FRPD në shkollat e mesme me shumë vajza e disa djelmosha. Ishim të etur për nisma dhe aktivitete. E donim njëri-tjetrin shumë dhe punonin gjithë bashkë për këto struktura rinore. Larg nesh (isha i pamësuar) shikoja disa që u afronin pranë këtyre të rinjve dhe ju kërkonin numrat e telefonin. Ditën e nesërme i merrnin në telefon për t’i bërë për vete. Ka edhe nga ato, që i kam sjellur deri në kryesi të forumit rinor, por që demokracia për to, fatkeqësisht nuk e dija, ishte organi gjenital. Më vjen keq, por s’më mbetet tjetër të them përveçse “lum nëna e babai që i kanë për hise”!

     Servilizmi dhe madhështia e të ndjerit mirë, me atë që ka post drejtues apo pushtet është një ndër problematikat kryesore, që dëshmojnë demokracinë, por keqpërdorimi i tyre sjell të kundërtën e saj. Shumë gënjehen nga ofiqet e dikujt, e duke “tentuar” psikisht t’i ketë edhe ai për vete, fillon e bëhet bishti i dardhës së mbretit, që rron në pushtet. Tashmë, kjo është një sëmundje e pashërueshme, që në përgjithësi kaplon ato me shpirt katran dhe arsim mjeran.

     Frika dhe burracakëria, janë dy modele të tjera që vërdallisen rreth nesh. Dështimi i tyre lidhet për një fije peri. Këtë fije e ndan frika e tij, për të zbritur apo për t’u ngjitur. Gabimi kushton rëndë, e për demokraci asqë bëhet fjalë. Fundja, ç’lidhje ka demokracia me frikën e të thënit të gjërave ashtu siç janë apo ngritja e një mendimi ambicioz?

     Imitimi, është një ndër veset e tjera të liga që mbërthejnë, individin e sapohedhur në skenën e teatrit që mban emrin “politikë”. Ai, imiton jo se do, porse e do puna. Kështu, arrin të bëhet më i besueshëm dhe afrueshëm me sozinë e tij, në mënyrë që të “vjelë” ndonjë gjë nga ai. Kjo është demokracia?

     LMN-Lëvizja për mendim Ndryshe. Ndjej respekt, jo për individët e përfshirë, por për idenë që më në fund kemi edhe diçka ndryshe brenda llojit. Kanë apo nuk kanë të drejtë, është një çështje tjetër, të cilën nuk më pëlqen ta gjykojë. Për një LMN të tillë, kanë nevojë edhe strukturat rinore, por mbase edhe në degët e partive në rrethe e më gjerë. Demokracia funksionon nëpërmjet fjalës së lirë, e nëse ka fjalë të lirë është e pamundur që të gjithë të bien në një mëndje. Po nëse të gjithë ngrenë dorën, sipas direktivave të drejtuesit/es, ka demokraci? E nëse nuk ka, më vjen keq, unë e fus vehten tek demokratët me demokraci, pasi për këtë luftoi familja ime dhe Azemi me shokë. Po ti o demokrat, ku e fut vehten tënde???