Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adriatik Kelmendi: Uka, djali i Rugovës

| E premte, 25.02.2011, 08:39 PM |


Uka, djali i Rugovës

 

Nga Adriatik Kelmendi

 

Në Kosovë kemi parë transfere e trafikime të deputetëve nga një parti në tjetrën. Por, Rugova i Ri ia ka arritur t’ua kalojë të gjithëve. Morali, nderi familjar, dinjiteti, devotshmëria, besnikëria? Çfarë janë këto?! Uka ia ka dalë të shpikë edhe një nënkategori politike për të cilën do të kompleksohej edhe vetë Platoni. Quhet: prostitu-politika!

 

BABË E BIR sigurisht se ia kanë dalë të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të Kosovës. Rugova i Vjetri ka mbetur në piedestal të të madhërishmëve si i pari i alternativës politike të Kosovës për t’u shkëputur nga Serbia, duke u vënë në krye të lëvizjes së atëhershme që simbolizohej me LDK-në, duke ngulur këmbë në rezistencën me çdo kusht ndaj regjimit të Beogradit e duke qenë president i Kosovës për katër mandate etj. etj. Edhe Rugova i Riu u përkujdes këto ditë që të mbetet në histori. Por, fatkeqësisht – në anën e errët të saj.

 

UKË I. RUGOVA të martën e mbylli qarkun e plotë politik. Ia doli ta bëjë këtë për një afat rekord prej më pak se gjashtë muaj jetë politike dhe u përkujdes që artit të së mundshmes t’ia shtojë edhe një nënkategori, për të cilën edhe vetë Platoni do t’ia merrte lakmi. Por të shkojmë me radhë.

Kur në verën e vonë i ra në të se e kishte formulën se si të bëhej dikush – natyrisht, duke pasur si vlerë të vetme në CV emrin e babait – rrugën më të lehtë e pa me anë të inkuadrimit të drejtpërdrejtë në politikë. Mirëpo, llogaritë i kishte të çuditshme, thënë së buti.

Së pari, shkoi edhe u bë bashkë me kundërshtarin më të madh të Rugovës së Vjetër brenda partisë, Bujar Bukoshin. Dihet botërisht se Rugova i Vjetër dhe Bukoshi nuk kanë qenë në marrëdhënie fort miqësore që nga mesi i viteve ’90. As Konferenca e Rambouillet-së, ku këta të dy u takuan për herë të parë pas 5 vjetësh, nuk ndikoi që të zvogëlohej  hendeku mes tyre, e kjo nuk ndodhi as pas riorganizimit të LDK-së pas luftës. Përkundrazi, Bukoshi formoi parti të veten me qëllim që ta dobësonte Rugovën e LDK-në. Por në zgjedhjet në të cilat mori pjesë PReK-u, jo vetëm që nuk e kaloi pragun si parti, por mori më pak vota se p.sh. kandidati i pavarur për deputet Fuad Ramiqi. Në këtë kohë, Bukoshi vazhdoi të kritikonte me gjuhën më të ashpër Rugovën e Vjetër, duke e akuzuar edhe vetë djalin e tij Ukën si të lidhur me “grupe kriminale e mafioze që kontrollojnë Presidencën” (sic!). Gjuhë më e ashpër lidhur me familjen Rugova nuk mbahet mend të jetë përdorur as nga kundërshtarët më të vrazhdë politikë të LDK-së në atë kohë, PDK-së.

Dhe kur u kujtua se, megjithatë, mbase do të duhej përshëndetur bashkimin e Ukës me Bukoshin në emër të ndonjë iluminizmi largpamës, se duhet harruar lajthitjet e mëritë e vjetra dhe se vetëm me bashkim arrihet fuqia kapërcimin e keqkuptimeve të vjetra – ndodhi e kundërta. Uka e Bukoshi

hynë në luftë të pakompromis me sharje të shumta kundër udhëheqjes së LDK-së, në krye me Sejdiun, vetëm për të kuptuar shpejt se s’kanë gjasa ta marrin partinë nga brenda, pasi që – ashtu siç ndodh zakonisht me ligjet e natyrës me frutet që s’mbërrijnë të piqen e bien në tokë –

partia i abortoi.

Në krye të LDK-së u zgjodh Isa Mustafa, por sërish, Uka me të tijtë, deshën të katapultoheshin në pozita partiake, pavarësisht se nuk kishin marrë pjesë në Kuvendin e rregullt Zgjedhor. Të mbetur duarthatë, me dy skenarë të dështuar në duar, Uka niset drejt aventurës së radhës. Bashkë me atë që e quajti “Lista Dr. Ibrahim Rugova”, në minutat e fundit u renditën në listën zgjedhore të AAK-së, e cila u tregua ekstremisht zemërgjerë, duke ia dhënë Ukës edhe numrin 2 në listë, që në fakt nënkuptonte të parin, në mungesë të liderit Ramush Haradinaj. Siç u pa, “Lista” e Ukës nuk i solli ndonjë dobi AAK-së, por i mjaftoi vetë Rugovës së Ri që të përvidhej si deputet në Kuvendin e Kosovës, në vend të ndonjë anëtari të pafajshëm të AAK-së. Natyrisht se pritej: ashtu siç tradhtoi edhe më herët, Uka nuk ngurroi të tradhtojë edhe partinë që iu gjend në kohën më të vështirë dhe nuk e la në rrugë. Pavarësisht se AAK-ja vendosi të mos bëjë koalicion me PDK-në, Uka që ishte nisur me çdo kusht drejt kolltukut, ndonëse me një votë të vetme, “u shit” te PDK-ja. E këtu duhet ndalur pak më tepër. Pa dashur të gjykoj tash nëse ka qenë veprim i drejtë ose jo, ka qenë pikërisht Ibrahim Rugova, i cili për gjallje të tij nuk e la assesi Hashim Thaçin që ta realizonte aspiratën e

tij jetësore – të bëhej kryeministër i Kosovës. Të gjithë i kujtojnë zgjedhjet nacionale të vitit 2001 dhe negociatat rreth tremuajshe për t’ia mbushur mendjen Rugovës së Vjetër për ta pranuar Thaçin si kryetar të qeverisë – mirëpo qëndrimi ishte stoik. Kompromisin u detyrua ta bënte Thaçi – Bajram Rexhepin kryeministër.

Tash, pesë vjet pas ndarjes nga jeta të Rugovës së Vjetër, pikërisht Rugova i Ri iu vu në ndihmë atij që nuk u bë kryeministër për shkak të babait të tij. Bile të kishte ndonjë votë më tepër, por një votë të vetme dhe të marrë në mënyrë klandestine nëpërmjet të listës së një partie tjetër, ia çoi Thaçit, që në mënyrë ironike i bie – ta ndihmojë atë të arrijë diçka për të cilën babai i tij kishte qenë kundër.

E sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, satelitët e Ukës së Ri nga “Lista” po bëjnë përpjekje titanike për ta shkëputur edhe ndonjë deputet nga LDK-ja, partia të cilën e themeloi babai Rugova i Vjetër, e për t’ia çuar në megjen e rivalit të vjetër, Thaçit e PDK-së.

Dikush këtu mund të shtojë: Mirë që s’ka qenë ndonjë parti e minoriteteve mandatare për formimin e qeverisë se rrezik që Rugova i Ri të ndërronte edhe etninë!

 

DORËN NË ZEMËR, nuk është se nuk kemi parë në Kosovë transfere e trafikime të deputetëve nga një parti në tjetrën. Por, Rugova i Ri ia ka arritur t’ua kalojë të gjithëve. Morali, nderi familjar, dinjiteti, devotshmëria,

besnikëria? Çfarë janë këto!

E, sigurisht, s’do t’ju mbetem borxh në shpjegimin e nënkategorisë politike që e ka shpikur Ukë Rugova, ajo quhet: prostitu-politika.

Përveç ndonjë familjari të tij, Rugova i Ri do ta bënte edhe Platonin e urtë të rrotullohet në varr.

Sa larg mund të të çojë – lakmia?

 

adriatik@kohavision.net - Koha Ditore