Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avni Halimi: Skuthi

| E premte, 25.02.2011, 08:59 PM |


Abdilaqim Ademi
Abdilaqim Ademi
Skuthi

 

Dy janë tezat me të cilat pandërprerë manipulon zv/kryeministri Abdilaqim Ademi: “Shkupi 2014” dhe moratoriumi mbi çështjet kombëtare shqiptare. Në të dy rastet z. Ademi gënjen si një skuth i keq, sepse faktet flasin ndryshe dhe janë të pamohueshme

 

Nga Avni Halimi

 

Të jeshë në postet më të larta prej nga mund të flasësh vetëm me gjuhën e fakteve dhe të argumenteve, ndërsa t’i shtrembërosh ato orë e çast, kjo flet për një karakter shumë të rrezikshëm dhe të dëmshëm për mbarë shoqërinë. Po pajtohemi se për këto tre vite vasaliteti A.A. është lodhur aq shumë sa i është dëmtuar edhe truri duke u shpërfytyruar në një sklerotip të cilit nuk i kujtohet çka ha në mëngjes, çka në drekë e çka në darkë. Por si mund të pajtohemi me A.A. kur me këmbëngulje instiston që gënjeshtrat t’ia pranojmë për shëndet! Faktet flasin ndryshe!

 

Moratoriumi si gijotinë

 

Nga viti 2006, për 18 muaj sa qeverisi PDSH-ja, u shpalosën  pakompromis çështjet shqiptare dhe, u arrit që sado pak ajo padrejtësi të zbutet përmes themelimit të institucioneve nacionale shqiptare. Ndërsa, nga viti 2008 e deri më sot (sipas marrëveshjes VMRO-BDI deri më vitin 2012) çështjet shqiptare u mbyllën hermetikisht vetëm për BDI-në, ndërsa për VMRO-në u hapën mundësi të reja për të shkelur edhe më rëndë mbi situatën e palakmueshme të shqiptarëve të Maqedonisë. Fill pas formimit të koalicionit qeveritar VMRO-BDI, e përditshmja “Vest” e datës 7 korrik 2008 sjell prononcimin e  drejtorit të Qendrës për Komunikim dhe deputet i VMRO-së, Ilija Dimovski, sipas të cilit: “VMRO-DPMNE dhe BDI-ja u pajtuan që bashkimi i Kërçovës me komunat e tjera përreth që do të duhej të ndodhte në mars të këtij viti, të shtyhet edhe për katër vjet. Për këtë mandat qeveritar moratorium do të ketë edhe për çështjen e përdorimit të flamurit, ligjit për polici, si dhe për sërë çështjesh që i përkasin çështjeve etnike. BDI në tërësi e pranoi programin “Rilindja në 100 hapa, i zgjeruar dhe i mbindërtuar për 2008-2012”. Në po të njëjtën gazetë, më 18 korrik të 2008-tës, zëdhënësja dhe deputetja e BDI-së, zonja Ermira Mehmeti-Devaja, do të prononcohet rreth kërkesës me ngulm të VMRO-së për të vënë moratorium mbi çdo temë që i prek interesat nacionale kombëtare. Zonja Mehmeti-Devaja do të shprehet se përkundër këtij qëndrimi të Gruevskit, bisedat me të nuk do të ndërpriten, si për çështjen e gjuhës, për ligjin për policinë, për viktimat e konfliktit të vitit 2001 dhe, sidomos, për përfaqësimin adekuat në administratën shtetërore. Në vazhdim artikulli sjell edhe prononcimin e opozitës maqedonase e cila shprehet tepër e brengosur për moratoriumin e vënë mbi çështjet etnike.

Më 11 korrik të vitit 2008, gazetarja e “Makedonsko Sonce”, Magdalena Andonovska, në analizën e vet me titull “Ali Ahmeti e gëlltiti “Marrëveshjen e Majit” do të nënvizojë: “Gruevski lirisht mund të ndjehet si fitues absolut, sepse falë koalicionit që e arriti me BDI-në, në fakt arriti që t’i ngrijë për një periudhë më të gjatë të gjitha çështjet shqiptare që i ishin bërë plagë kanceri gjatë dy viteve të qeverisjes me PDSH-në (2006-2008)... Gjatë bisedimeve ndërmjet Gruevskit dhe liderit të BDI-së, sipas zërave që vijnë nga VMRO-DPMNE-ja, Ahmeti nuk ka kërkuar asgjë porse i ka pranuar të gjitha kërkesat e partisë së Gruevskit. Ka pranuar që të hesht për ligjin mbi gjuhën shqipe në tërë territorin e Maqedonisë që ishte pjesë e “Marrëveshjes së Majit”, do të hesht për ligjin mbi viktimat e konfliktit 2001 dhe të pranojë zgjidhje që ofrojnë ligjet ekzistuese. Të heshtet Ligji për përdorimin e flamujve, Ligji për polici, të shtyhet edhe për katër vjet bashkimi i komunave me Kërçovën, thënë shkurt, përgjatë këtyre katër viteve të qeverisjes VMRO-BDI të mos hapet asnjë çështje që e tangon etninë shqiptare. Pra, moratorium absolut mbi çështjet politike tepër të nxehta shqiptaro-maqedonase”! Kurse më 31 gusht të vitit 2009, në “Utrinski Vesnik”, autori Manço Mitevski, artikullin e vet e përfundon me këtë fjali: “ VMRO-DPMNE dhe BDI tani po i bllokojnë këto procese përmes moratoriumit të heshtur, dhe për pasojë po pengohen eurointegrimet si dhe po ftohen raportet ndëretnike duke dhënë shenjë se shumë shpejt mund të ndodhin edhe eksese ndëretnike. Pra, për momentin në Maqedoni prioritet janë proceset joevropiane dhe joreformuese të cilat negativisht mund të ndikojnë dhe mbi sigurinë”.

A. A. lirisht mund t’i hulumtojë këto fakte dhe pastaj përfundimisht të heq dorë nga gënjeshtrat dhe sajesat e tij tepër bajate. Nuk i takon një zv/kryeministri të gënjejë ditë e natë përsa i përket moratoriumit, siç nuk i përket të gënjejë as për “Shkupin 2014”, projekt ky që tërë bota e di se u promovua në fillim të shkurtit të vitit 2010, pra, plot një vit e gjysëm pas formimit të koalicionit qeveritar në mes të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Cila është e vërteta e vetme rreth këtij projekti.

 

Kur nisi “Shkupi 2014”

 

Më 30 nëntor të vitit 2004, Kuvendi i Qytetit të Shkupit, nën udhëheqjen e socialdemokratit Strasho Nellkovski, pra, në kohën kur në koalicion qeveritar e komunal ishin LSDM-BDI, u miratua programi për ngritjen e dhjetra përmendoreve në qendër të Shkupit, në mesin e të cilave edhe përmendorja e Aleksandrit të Madh, Mbretit Samuil, Justinianit, Karposhit, Mihail Apostolit etj. Që në 2006-tën VMRO-ja u ngut që ta përvetësojë këtë program dhe mos ta lë nën ingerencat e Komunës së Shkupit, sepse, fare qartë dihej që në këtë Komunë përfshihen edhe komuna shqiptare të cilat pastaj do të duhej “të stoliseshin” edhe me ndonjë përmendore nga historia dhe kultura shqiptare. Dhe, në fillim të shkurtit të vitit 2010, pra, një vit e gjysëm pas formimit të koalicionit qeveritar VMRO-BDI, u hodh në diskutim publik Projekti “Shkupi 2014”. Objektet monumentale mbetën nën mbikëqyrjen e Qeverisë, ndërsa përmendoret nën mbikëqyrjen e Komunës Qendër. Meqë moratoriumi akoma është në fuqi, qëllimi i qeverisë maqedonase ishte që të shfrytëzohet ky rast dhe “të stoliset” vetëm qendra e Shkupit.

Gjatë vitit 2006-2008 derisa qeveriste VMRO dhe PDSH, në asnjë program, as në atë partiak të VMRO-së por as në programin qeveritar, nuk përmendej “Shkupi 2014”! Në fakt, në Programin për punë të Qeverisë së Maqedonisë (2006-2010), në faqen 33-34, në pjesën e Kulturës, thuhet se qeveria do të investojë në ndërtimin e muzeve të reja (muzeu i VMRO-së, muzeu i viktimave të komunizmit), restaurimi autentik i përmendoreve të kulturës (Kulla e Qytetit, Teatri i Shkupit i rrënuar nga tërmeti dhe Shtëpia e Qytetit), ndërtimi i një salle të re koncertale si dhe restaurimi i Godinës së Parlamentit të Maqedonisë! PDSH këtë politikë të Gruevskit e kapitalizoi me qëndrimin e paluhatshëm që për secilin projekt maqedonas të themelohet edhe nga një institucion nacional shqiptar në Maqedoni. Për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore në Maqedoni nisi themelimi i institucioneve kulturore shqiptare: Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore i Shqiptarëve, Muzeu “Shtëpia e Nënës Terezë”, Teatri Kombëtar i Tetovës, Galeria e Arteve në Tetovë, Qendra për Konservim dhe Restaurim në Gostivar! Kjo është e vërteta e pamohueshme sa i përket projekteve të asaj kohe. Ndërsa sa i përket Kishës në qendër të Shkupit si dhe xhamisë në qendër të Tetovës, Gjykata Kushtetuese i anulloi që të dy projektet, sepse, qeveria nuk mund të ndërtoj objekte fetare. Atëherë Gruevski i  ndau parcelë Kishës Ortodokse Maqedonase, ndërsa BDI-ja (Hazbi Lika, ish prefekt i Tetovës) i ndau parcelë kësaj Kishe në qendër të Tetovës!

Çfarë faji ka këtu PDSH-ja kur koalicioni qeveritar VMRO-BDI miraton buxhete dhe lejojnë mjete financiare për ndërtimin e këtyre objekteve kapitale: Përmendorja e Nikola Karevit, Përmendore për themeluesit e VMRO-së, përmendore e Presidiumit të LAÇKM, Përmendore për Heronjtë e rënë për Maqedoninë, fasadat e reja të ndërtesave rreth qendrës “Makedonia”, Përmendore për Mbretin Samoil, për Çenton, Fontanë në qendër, Hoteli “Meriot”, Rrotë gjigante panoramike, Rezidencë për kryetarin e Shkupit, Ndërtesë për shërbimin amë, Përmendore për Justinianin e Parë, për Goce Delçevin, për Shën Klimentin dhe Naumin, për Shën Kirili dhe Metodi, për Karposhin, ngritja e Urës SYRI, Porta triumfale, Ndërtesë për Gjyqin Kushtetues, për Ministrinë e Jashtme, për Arkivin Shtetëror, për Muzeun arkeologjik, për Agjensionin për komunikim elektronik, Godinë për Prokurorinë, Policinë financiare, Kolonada Maqedonia e Pavarur, Ura e Artit e stolisur me dhjetra përmendore dymetërshe, Luanët, Teleferiku i Vodnos. Të gjitha këto përbëjnë Projektin “Shkupi 2014” i promovuar në 5 shkurt të vitit 2010.

Zv/kryeministri A.A. duhet ta dijë këtë të vërtetë dhe të hesht së përpjekuri për të krijuar një gënjeshtër fantomike dhe t’i detyrojë qytetarët që ta përceptojnë si të vërtetë. Nuk i ka hije! Të gjithë dështakët heshtin, mbulohen me veshë dhe vdesin nga dëshpërimi. Kjo veti nuk është e keqe, është veti e burrave që ulin kokën para dështimit. Trimi nuk e lejon veten të shndërrohet në skuth të shpifur.