Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: 56 gonxhe trëndafili që kundërmojnë puthje

| E merkure, 23.02.2011, 06:29 PM |


56 GONXHE TRËNDAFILI QË KUNDËRMOJNË PUTHJE...

 

(Rreth vëllimit poetik “Sikur s’më ke puthur kurrë…”të poeteshës korçare

Raimonda Moisiu)

 

Nga PËLLUMB GORICA

 

“Sikur s’më ke puthur kurrë…”! Çfarë do të thotë vallë poetesha e talentuar Raimonda Moisiu me këtë titull që i ka vënë vëllimit të saj të suksesshëm poetik të nxjerrë për lexuesin nga shtëpia botuese Argeta-LGM? Dhe nuk është lodhur shumë për t’i gjetur një emër kuptimplotë. Ajo, pasi ka bredhur në parqet plot gjelbërim dhe në qiejt plot kaltërsi, me sinqeritet gruaje arrin në përfundim për dashurinë dhe forcën vitale që ka puthja te çdokush, e sidomos tek poetët. Është një titull kuptimplotë për të gjithë ata që preken sadopak nga poezia dhe dinë të vlerësojnë aq shumë dashurinë e sinqertë. Puthja është një simbolikë domethënëse, që përmendet në shumë poezi të Raimonda Moisiut. Ndodh kështu, sepse, puthja nuk është thjeshtë takim fizik apo cekje buzësh në faqe apo në buzë. Puthja në poezinë e saj merr krahët e shqiponjës e shpirtin e pëllumbit dhe pushton madhërishëm hapësirat e një dashurie që mban gjallë jetën. Koncepti i saj për dashurinë është jetësor në çdo varg, i thurur mjaft bukur e me figura të spikatura artistikisht.

 

Unë dhe ti, si dy pëllumba që gugatnin ëmbëlsisht

dhe puthje, puthje pambarim

Aq e kishim humbur ndjesinë…

Vallë, po lulet kur kanë çelur që mbushin me kundërmime.

 

Një puthje ndjell dashuri dhe një dashuri ngërthen në vetvete forcën e ndryshimit, të përtëritjes së jetës, të progresit të natyrës dhe të jetës në përgjithësi. “Po dielli a nuk është tjetër sot? - thotë poetesha në poezinë e titulluar “Dashuri ti je aq e bukur”. Kur shprehet ndjeshëm në këto vargje “Po dielli a nuk është tjetër sot” a nuk të kujton kjo vargjet brilante të Naimit të madh: “Atje nata është tjetër natë / dhe dita tjetër ditë”, por me një ndryshim të vogël; nëse Naimin e shkallmon malli për atdheun, poeten tonë e transferon në diçka tjetër plot ëndrra e shpresë, forca e dashurisë jetëdhënëse. Për dashurinë mund të shkruaj vetëm ai që e përjeton atë me sinqeritet, që metamorfozohet nga forca e saj, ai që e kërkon dhe ua dhuron atë me çiltërsi vetëm atyre që e meritojnë, ndoshta edhe atyre që vuajnë për dashurinë e sinqertë. Poetja e konsideron dashurinë si një fuqi motorike që e lëviz, i jep guxim e shpresë, e fut mes njerëzve dhe e bën të admirojë dhe vrapojë pas gjërave të bukura e të mira të jetës. “Gjuhën e dashurisë e kuptojnë të gjithë”, – thotë një filozof. Por edhe të tjerë thonë se, “dashuria u merr mendtë atyre që i kanë dhe ua jep atyre që s’i kanë”.

Por për poeten tonë ndodh e kundërta. Ndonëse ajo e kupton shumë mirë gjuhën e dashurisë, kurrë nuk e lë veten të bëhet preh e saj, që ta marrë zvarrë, t’i marrë mendjen e ta flakë tutje në honet e një tradhtie të vrazhdë, as të bjerë viktimë e një sinqeriteti naiv. Edhe kur dashuria atë e thërret “eja me mua dhe mbylli sytë”, ajo nuk i mbyll të dy sytë e të ecë kuturu, por me sytë e mendjes sheh rrugët nga do të shkelë dhe më shumë e bën ajo dashurinë forcë të saj për ëndërrim se sa dashuria e bën atë robin të saj. Ajo na jep një pasqyrë të asaj çfarë i trazon shpirtin dhe dëshirat e zemrës. Me mënyrën e saj të veçantë shprehet se dashuria e vërtetë nuk vdes kurrë.

Raimonda Moisiu me poezinë e saj futet në rrjedhën e furishme të jetës dhe mban mbi shpinë mijëra tonelata dashuri dhe çdo puthje i rri e freskët përmbi buzë. Dhe nuk është vetëm puthja e të dashurit, sepse ajo nuk e kufizon dashurinë vetëm si dashuri instiktive midis dy sekseve. Dashuria për të është një det i gjerë, ndaj ajo mban gjithmonë me vete, krahas puthjes që i ka dhuruar i dashuri për ditëlindjen e saj, edhe puthjen që i ka dhuruar një vogëlush në kopsht, nipi apo mbesa e saj, mban puthjen e shoqes së ngushtë dhe mallin për puthjen e nënës e të gjyshes. Sepse për poeten Rajmonda Moisiu, pa dashuri jeta nuk mund të rrijë në këmbë dhe dashuria nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por mjafton një puthje e vërtetë me ofshamë njerëzore. Ndaj ajo në poezinë “E përhumbur në meditim “ shkruan:

 

Ndërsa e shtangur unë vështroja si e ngrirë

Dora po më tërhiqte ëmbël për në hapësirë.

 

Vargu i Raimonda Moisiut, i armatosur me ndjesinë e veçantë femërore, ngrihet në hapësirat jetëdhënëse dhe, herë bëhet mall e brengë, herë këngë e lot dashurie, herë fëshfërin në një pendë pëllumbi, herë dënon një tradhti të paragjykuar, herë flladit plagët e një mërgimtareje e herë lëshohet në rrezet e diellit të një buzëmbrëmjeje dhe si një melodi e lehtë të hyn në shpirt ashtu si hyn dashuria në zemrën e poeteshës.  Për poeten Rajmonda Moisiu, dashuria është edhe një dallëndyshe që lajmëron pranverë mirësie e pasurim shpirtëror, ndaj zemra e saj plot ndjenjë e pasion ka gjithmonë një qiell për këtë dallëndyshe.

56 poezitë e vëllimit “Sikur s’më ke puthur kurrë… “ janë si 56 gonxhe trëndafili, që sa më shumë t’i mbash në dorë aq më shumë kundërmojnë arome rinore e ëndrra shpresëndjellëse. Edhe pse në thelb ato kanë të gjitha dashuritë, nga ana artistike dhe figuracioni poetik, mënyra e shtjellimit dallojnë nga njëra - tjetra nëpërmjet specifikës që është karakteristike për shpirtin poetik të Raimonda Moisiut.