| E marte, 22.02.2011, 08:59 PM |
Realitete të largëta
Nga Dorian Koçi
Pak kohë pasi nisën trazirat politike në Tunizi, ndodhën dhe ngjarjet e 21 Janarit në Shqipëri. Ashtu si ndodh rëndom në shoqërinë shqiptare menjëherë u mundua që të hiqej një paralele midis këtyre ngjarjeve nga të dyja anët e politikës. Skena në fakt i përngjau një zakoni të vjetër të shqiptarëve për të identifikuar personazhe dhe ngjarje të botës me ato të tyret. Kështu p.sh të gjithë mund tu vinë ndërmend emrat e shumë të futbollistëve dhe aktorëve të huaj që mbajnë shumë shqiptarë apo njësimi dhe përjetimi i luftës së Vietnamit në të shkuarën që zinte faqet e para të revistave dhe gazetave por dhe ishte tema kryesore e bisedave të kohës.Edhe kësaj radhe nuk munguan emërtimet si “skenar tunizian” apo identifikimi i situatës shoqërore politike të Shqipërisë me atë të Tunizisë. Të dy krahët e ndryshëm politikë i interpretuan në mënyra të ndryshme ngjarjet duke u munduar që një kontradikte që ka nisur për zgjedhjet e qershorit 2009 ti veshin një sofistikim ideor. Më andej shpërthyen revoltat në Egjipt dhe u harrua për një çast Tunizia dhe filluan sërish krahasimet me revoltat egjiptiane dhe situatën në Kajro. Përmendja dhe ngjashmëria me situatën në të dy shtetet arabe të Afrikës Veriore nuk qëndronin dhe përdorimi i tyre në fjalorin politik të medies dhe politikës shqiptare dëshmuan një kulturë të ulët shtetformuese nga ana e tyre. Aq e vërtetë ishte kjo sa dhe kur pati politikanë evropianë që dëshironin që ti lidhnin këto ngjarje për ti diskutuar sëbashku në Bashkimin Evropian, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian Baronesha Ashton nuk pranoi që ti bashkonte të tre rastet pasi i konsideronte si raste të veçanta. Me këtë akt në fakt Baronesha Ashton u përfaqësua si një mbrojtëse më e mirë e shqiptarëve në arenën politike botërore sesa klasa politike e Tiranës.
Tunizia dhe Egjipti edhe pse mund të duken afër , vetëm në bregun tjetër të Mesdheut janë në fakt larg si realitete nga Shqipëria përsa i përket zhvillimeve shoqërore politike. Të lindur të dy si shtete në gërmadhat e botës koloniale ata sa mbartës të kultururave administrative evropiane dukeshin kur u pavarësuan, po aq filluan të ravijëzojnë profilet e tyre të veçanta politike që nuk kishin gjë të përbashkët me moralin evropian të të qeverisurit. Kjo gjë erdhi si rezultat jo vetëm i kundërvënies antievropiane që u karakterizuan lëvizjet e tyre për pavarësi por dhe si rezultat i degradimit të brendshëm të klasës së tyre politike që përveç disa periudhave shumë të pakta,në përgjithësi shkanë të gjitha drejt autoritarizmit. Më andej është një formulë e njohur që nuk kërkon shumë dije për të kuptuar se ç’ndodh në një shtet kur vdesin liritë dhe të drejtat e njeriut dhe institucionet punojnë formalisht. Rënia dhe shkatërrimi i tyre është çështje kohe, edhe pse në rastin e regjimeve të vendeve arabe kjo kohë ishte relativisht e gjatë si rezultat i Luftës së Ftohtë. Për më tepër struktura e shoqërive të këtyre vendeve të bazuara gjerësisht në familjen patriarkale dhe thellësisht fetare nuk lejon shfaqje të individualizmit mbi bazën e të cilit është ndërtuar gjerësisht qytetërimi evropian. Kolektiviteti, respekti ndaj traditës dhe mungesa e iniciativës paralizuan për një kohë të gjatë shoqëritë e këtyre vendeve derisa nën efektin e shtimit të kontaktit me botën perëndimore dhe pranimin pothuajse njëzëri të lirive dhe të drejtave të njeriut si të drejta fondamentale për çdo kulturë dhe qytetërim ato shpërthyen në një vullkan urrejtje dhe mërie ndaj klasave të tyre drejtuese.
Në rastin e Shqipërisë edhe pse dyshuesve mund tu vinë në ndihmë argumentet e prezencës së Islamit dhe qenia nën të njëjtën perandori për një farë kohe si ishte ajo Otomane, sërish ia vlen të theksohet se trashëgimia otomane në Shqipëri pas viteve 20 fillon dhe zbehet dhe impakti i qytetërimit evropian është i ndjeshëm kudo. Një faktor tjetër pozitiv në rastin e Shqipërisë është se popullsia shqiptare ishte kompakte pa ndarje të mëdha në tribu të ndryshme më gjuhë të ndryshme si mund të jenë berberët dhe arabët në Tunizi apo arabët dhe popullsia e Egjipti të poshtëm në Egjipt,dhe për rrjedhojë popullsia shqiptare e kishte më të lehtë orientimin e saj drejt së drejtës civile dhe publike çka përbënte një nga shtyllat e qytetërimit evropian. Përcaktimi brenda zonës të së qenit evropian dhe të kontributit në qytetërimin evropian nëpërmjet humanizmit shqiptar dhe të intelektualëve të tjerë shqiptarë të integruar në diasporat shqiptare në botë ishin faktorë më tepër që përforconin dallimet midis dy brigjeve të ndryshme të Mesdheut. Vitet 90’ e përforcuan këtë traditë me pranimin apriori të funksionimit të demokracisë liberale çka solli Shqipërinë shumë më pranë Evropës dhe institucioneve të saj. Edhe pse ne mund ta kritikojmë shumë sot sistemin tonë si jo të përsosur përsa i përket funksionimit të tij, ai nuk ka të krahasuar me sistemet që ekzistonin në Tunizi dhe ai që vazhdon ende në Egjipt.
Është mëse e qartë se funksionimi i një demokracie të vërtetë kërkon një kulturë të thellë të pranimit të bashkëjetesës me mendimin ndryshe dhe përcaktimin dhe pranimin denjësisht të shumicës që votohet në zgjedhje të lira dhe të pavarura si pala që do qeverisë vendin për një periudhë të caktuar sipas kushtetutës së vendit. Nëse Shqipëria për shumë arsye që nuk kanë të bëjnë vetëm me sistemin , por më tepër me raportin e qytetarëve të vet me demokracinë dhe me klasën e saj politike që ka dështuar të krijojë besueshmëri mes vetvetes, kjo nuk është arsye që klasa politike për të justifikuar veprime të saj të papërgjeshme ta krahasojë vendin e vet me realitete të tilla të largëta dhe për më tepër të heq vija paralele mes tyre. Kumti i Baroneshës Ashton duhet lexuar mirë, të paktën nga ata që pretendojnë se po na çojnë aty ku ka qenë orientimi i disa brezave të shqiptarëve dhe prej nga Baronesha Ashton bën deklaratat e saj të dobishme për Evropën, përfshi këtu dhe Shqipërinë.