Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Një frymëmarrje demokracie

| E hene, 21.02.2011, 08:58 PM |


Një frymëmarrje demokracie

 

Nga Lavdrim Lita

 

Njerëz, ngjyra, diell dhe sheshi “Nënë Tereza”. Ditën diel patëm një frymëmarrje demokracie. Na duhej një ditë e shëndetshme lirie për marrë frymë freskie përtej moçalit të kësaj politike infantile të reduktuar në demonstrata. Ishte një lehtësim të takosh fytyrat e një Shqipërie ndryshe, reale. Sa ishin? Kushedi. Nëse besnikët e Ramës thonë se para tre ditësh ishin 200 mijë, atëherë këtu ishin pesëfishi i atyre. Mjafton të krahasosh fotot. Përtej llogaritjeve numerike ajo që ka rëndësi ishte të shikoje të rinj dhe të reja, qytetarë dhe qytetare, pleq dhe plaka, me histori të ndryshme mbi shpatulla që përkujtonin të gëzuar se ku ishin dhe ku do të dëshironin të kishin qenë dy dekada më parë. 

Një ditë e bukur me të vërtet. Qindra mijëra fytyra të ndritura nga një diell pranveror mbushën me gjallëri entuziaste ditën përkujtimore të rrëzimit të shtatores, njëzet vjet më parë, të diktatorit të fundit stalinist në Shqipëri dhe Ballkan. Ngjyra blu të flamujve të PD-së, të Nato-s dhe Bashkimit Europian, në një aleancë unike me qiellin dominonin katër horizontet e sheshin Nënë Tereza dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të dhënë mesazhin se, ne, jemi shumica e shëndetshme, qytetare, që beson ende tek liria dhe demokracia liberale. Një mesazh i thjesht që duhet të lexohet po thjesht, pa shumë ngjyrime emocionale dhe intelektuale, nga politikë-bërësit e opozitës së bashkuar që janë gati të bëjnë 13 mijë martirë për të korrur fitoren, sepse njerëzit asgjë nuk janë, siç tha avokati i djallit. Natyrisht kontrasti me demonstratat socialiste dhe protestat opozitare ishte aq i dukshëm saqë është e pamohueshme fakti se njerëzit e mbledhur në shesh galvanizoheshin nga spontaniteti dhe jo nga shtrëngimi politik.

Ditën e diell gjëja me e rëndësishme ishte konstatimi se s’kishte as mercenarë, as të paguar apo të dhunuar psikologjikisht për të qenë prezent në plotësimin e efektit të numrit. Kush pretendon të kundërtën s’ka kuptuar asgjë nga dita e djeshme, as nga liria e demokracisë. Cilido që mundohet të zhvlerësojë gjallërinë dhe qytetarinë e ditës së djeshme në Tiranë është thjesht një nihilist i pandreqshëm, që plotëson normën e pesimizmit të urdhëruar. Industria e shpifjes, me gjithë përpjekjet e saj kolosale, s’do mund të fshehë dot bukurinë dhe brohoritjen solidarizuese që demokratët dhuronin për kënaqësinë e liderit të tyre.

Pjesëmarrësit në koncert ishin në shtyrë nga atdhedashuria, nga vlerësimi i asaj sakrifice që studentët, artistët, punëtorët dhe intelektualët ndryshuan regjimin e frikës, të idhujve të rremë, të asaj kulture paradoksale me forcat tona, dhe bar do hamë për inat të Europës, etj. Dje u panë në veprim anti-trupat penicilinë e organizmit demokratik që neutralizuan metastazat e shpërbërjes morale të shoqërisë, të demokracisë qytetare. Ato njerëz plot buzëqeshje, me ngrohtësi, harmoni, gjallëri dhe hare manifestonin një qytetari qetësuese për këtë kryeqytet të dhunuar çdo të xhuma nga hordhitë socialiste kinse opozitare. Edhe një qen bastard që lehu afër derës së presidencës, dikush tha me shaka që është qen socialist. 

Kështu kultura e vdekjes dje mori një leksion dashurie, pa urrejtje për kundërshtarët politik, përpos refuzimit të kulturës së bunkerit, të asaj kulture që iu shemb busti memorial. Demokratët treguan edhe një herë tjetër se janë shumicë në mbështetje të reformave, të qeverisë Berisha, në mbështetje të mbajtjes së premtimeve, me hyrjen në NATO, me lëvizjen e lirë në Europën, me rritje rrogash dhe pensionesh dhe janë kundër propagandës jakobine, kundër fuksave dhe kulturës së çimkës së montuar, kundër asgjësë si alternativë politike dhe qeverisëse të Partisë Socialiste. Prania e shumtë e qytetarëve të Tiranës në koncertin festiv është një tregues optimist për ndryshimin e pritshëm që kryeqyteti po pret pas katër vitesh stanjacion dhe prej dy vitesh obsesion demonstratash pa kokë dhe këmbë, pa mend dhe pa rend. Prania e shumtë e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria është sinjalizues për mposhtjen e frikës, të refuzimit të sekuestrimit të së ardhmes së tyre europiane nga një grusht-bashkuar njerëzish me precedentë anti-demokratikë. Të gjithë së bashku, të bashkuar në betejën e së drejtës kundër padrejtësive.