| E shtune, 19.01.2008, 07:05 PM |
"Sekretet" janë nga më të ndryshmet, por shijet janë të lidhura ngushtë edhe me kulturën e një vendi
Edhe pse synojmë shpirtëroren, shpesh vlerësojmë vetëm fiziken
Po. Të paktën në fillim. Fatkeqësisht, dhe duket se jemi qenie po aq sipërfaqësore sa edhe dukemi. Studime të shumta të bëra herë pas here tregojnë se njerëzit bëjnë bashkë të bukurën me të mirën, pra mendojnë se ajo çfarë është e bukur është edhe e mirë. Në një libër që trajton çështjet e psikologjisë së estetikës publikuar së fundi në Britaninë e Madhe "Psikologjia e tërheqjes fizike", autorët kanë dalë në përfundimin se sa më tërheqës të jesh aq më të shumta i ke mundësitë për të fituar vendet e preferuara të punës apo të të vijnë rrotull njerëz që sillen mirë me ty. Sigurisht, autorët nuk mendojnë se bëhet fjalë për një konkluzion të befasishëm, por thonë se nuk bëhet fjalë për çdo lloj bukurie, pasi femrat e tipit Merlin Monroe, për shembull, jo gjithmonë bëjnë përpara. Po sipas studimit, femrat tërheqëse kanë më shumë shanse për t‘u paragjykuar, në krahasim me meshkujt, kur pretendojnë pozicione menaxheriale në ndërmarrje, por jo nëse do të aplikonin për pozicione më të ulëta.
A ka rëndësi trupi?
Merrni në duar një revistë çfarëdo mode dhe do të dilnit menjëherë në përfundim se sipas tyre, forma ideale e një trupi femëror është ajo e një mashkulli në moshën e adoleshencës. Por edhe pse tendenca e viteve të fundit, për mishërimin e bukurisë femërore ka qenë ajo e një trupi të brishtë, skeletor dhe fare elegant ajo nuk mund të shmangë pasoja të padëshirueshme. Shpesh njerëzit që konsiderohen si ekstremisht të dobët, femra ose meshkuj qofshin, nuk kanë shumë përparësi në pëlqyeshmërinë e të tjerëve. Sipas studimeve, njerëzit pëlqejnë personat që kanë një peshë trupore normale. Edhe për sa u përket aksidenteve, njerëzit që kanë peshë trupore normale kanë më shumë shanse për të shpëtuar se ata që janë nënpeshë ose edhe mbipeshë. Sigurisht, eleganca (e përfaqësuar në formën e saj më të përsosur tek aktorja-ikonë, Audrey Hepburn) ende konsiderohet si një preferencë kulturore. Por jo çdo idhull imazhi funksionon njësoj në të gjitha kulturat e botës. Ka vende ku shëndeti dhe pesha trupore mbi mesataren konsiderohen si shenjë mirëqenieje materiale dhe pasurie, në të kundërtën pamja e një personi të brishtë fizikisht lidhet direkt me gjendjen modeste financiare. Si pasojë, femrat e plota e të shëndosha janë më të dëshirueshmet se ato të dobëta. Në kultura të tjera, fakti i të qenurit i/e hollë tregon se ai trup mund të përballojë më se mirë një operacion plastik në moshën e duhur. Si përfundim sa më larg që të ngjitesh në shkallën, hierarkinë sociale aq më shumë vë re se tendenca e preferuar është ajo e një figure të dobët, jo të shëndoshë. Sa më i pasur, aq më i dobët.
Mjekra te meshkujt i tërheq më shumë femrat?
Varet. Sipas studimeve të kryera në vitet ‘70 dhe ‘80 vijnë rezultate shpesh të ndryshme me studimet e zhvilluara pas viteve ‘90. Meshkujt me mjekër zakonisht konsiderohen si më të shkuar në moshë nga sa mund të jenë në të vërtetë dhe si pasojë më mashkullorë, më dominues, kurajozë dhe me besim, por kjo nuk do të thotë që femrat ëndërrojnë të shkojnë në shtrat me ta. Në fakt, disa gra i lidhin meshkujt me mjekër me papastërtinë dhe kjo ndjesi është pjesë e shumë kulturave, pra është pjesë e femrës vetë, pavarësisht vendit ku ajo jeton. Ndryshe nga forma e trupit, mjekra nuk kanë një histori evolucionare ajo ka qenë gjithmonë e njëjtë në të gjitha kohërat, ndaj nëse pëlqehet ose jo kjo varet nga preferenca personale e femrës.
A e ekziston ndonjë formë që mund ta identifikosh si forma e femrës perfekte?
Merlin Monro, Venusi i Milos, Sofia Loren, Skarlet Xhohanson. Në epoka të ndryshme historike këto femra janë konsideruar gjithmonë si modeli pranë të përsosurës dhe format e tyre pranë formës më shumë të dëshirueshme nga meshkujt. Po çfarë kanë këto femra që i bëjnë meshkujt t‘u bien në gjunjë? Pavarësisht fytyrave të tyre, ato kanë një gjë të përbashkët: raportin bel/kockat e legenit. Ky raport që te këto femra konsiderohet si perfekt në lidhje me kërkesën themelore që ka një mashkull: riprodhimin. Ky raport tregon se femra është e shëndetshme dhe e aftë për të dhënë pasardhës. Kjo shpjegon edhe faktin se përse meshkujt pëlqejnë femrat me linja të theksuara trupore, por sigurisht jo domosdoshmërisht mbi peshë. Po a ka ky raport një pëlqyeshmëri universale? Një studim që mati 300 skulptura të vjetra indiane, greke dhe afrikane zbuloi se pikërisht ky raport perfekt i mesit është idealizuar në të gjitha kulturat dhe në të gjitha epokat. Ndërkohë, në disa fise të veçanta e të izoluara të botës preferencat ndryshojnë çuditërisht shumë, pra në to figura ideale e femrës është femra e dobët e me këmbë të gjata. Sipas psikologëve, baza e kësaj preference është të perceptuarit që kanë meshkujt në ndërgjegjen e tyre për shëndetin. Për shembull, kur burimet ushqimore, gjatë historisë, kanë qenë të pakta një femër e shëndoshë ishte simbol i shëndetit dhe mirëqenies, ndërsa sot që nuk vuajmë më për ushqim modeli është ai i femrës elegante, pasi mbipesha sot shoqërohet me një listë të gjatë problemesh shëndetësore.
A është gjoksi i madh tërheqës?
Shpesh merret si i mirëqenë fakti se sa më i madh të jetë gjoksi i femrës aq më tërheqëse është femra. Në fakt, shumë studime e kundërshtojnë një gjë të tillë. Nuk ka ndonjë provë shkencore që të tregojë se mund të ekzistojë ndonjë lidhje mes madhësisë së gjoksit dhe fertilitetit të një gruaje. Ndërkohë, studimet për gjoksin ideal nuk janë asnjëherë përfundimtare dhe rezultatet ndryshojnë në varësi të shijeve personale dhe kulturës së një vendi. Por një gjë mund të shihet me siguri, që preferohet ai gjoks që është në proporcion të drejtë me përmasat e trupit pra me gjatësinë dhe peshën.
Depilimi
Depilimi te femrat zakonisht konsiderohet si diçka e mirë, sepse perceptohet si tregues i rinisë dhe fertilitetit. Megjithatë, një depilim i plotë si te femrat, ashtu edhe te meshkujt nuk konsiderohet si tërheqës, pasi trupi merr pamjen e një trupi adoleshenti dhe si pasojë të përcjell ndjesinë e një personi që nuk është i aftë të ketë fëmijë. Për sa u përket meshkujve depilimi është një modë që ka hyrë së fundi në Perëndim. Sipas një studimi të vitit 2005, 60% e meshkujve në Perëndim depilohen rregullisht. Nuk dihet ende se si është bërë diçka e modës depilimi tërësor i meshkujve, duke qenë se qimet e trupit janë pjesë e pandarë e të qenurit mashkull, të paktën sipas preferencës së pjesës më të madhe të femrave. Por jo gjithmonë tendencat e modës janë afatgjata dhe mbi të gjitha të suksesshme. Psikologët mendojnë se dëshira e meshkujve për t‘u depiluar do të ikë shumë shpejt, pasi bëhet fjalë për një tendencë afatshkurtër dhe deri diku të pakuptimtë.
A është bukuria raciste?
Tërheqja fizike nuk ka si të jetë raciste. Po të mos merrnim parasysh paragjykimet me të cilat jemi ushqyer nga shoqëria që në fëmijërinë tonë, të gjitha racat, të gjitha ngjyrat dhe format e njerëzve të kësaj bote janë të mrekullueshme dhe kjo vjen nga fakti se janë të ndryshme. Të gjitha racat mund të joshin njëra-tjetrën pa asnjë lloj pengese, sepse në artin e joshjes ajo çka është më e rëndësishme se ngjyra janë përmasat dhe proporcioni fizik i një trupi. Psikologët evolucionistë argumentojnë se vetëm personat më të shëndetshëm kanë aftësinë të jenë simetrikë në fytyrat dhe trupat e tyre. Kjo është edhe arsyeja se përse njerëzve si Uill Smith dhe Brad Pit u duken tërheqës. Dhe kjo teori nuk vlen vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët. Pra fiziku dhe jo ngjyra na bëjnë që të ndiejmë tërheqje nga një person tjetër. Sigurisht flasim për pamjen e jashtme.
A duhet një djalë të jetë shumë i gjatë?
Femrat gjithmonë preferojnë dikë që është i gjatë dhe simpatik dhe jo shumë i ndrojtur. Asnjëra prej tyre nuk e përshkruan personin ideal si "të shkurtër, të turpshëm e të shëmtuar". Por sa është në të vërtetë e rëndësishme gjatësia e një mashkulli? Psikologu i famshëm Alfred Adler nxorri frazën "kompleksi i Napoleonit" për të përshkruar meshkujt më të shkurtër se normalja, të cilët e kompesonin mungesën e gjatësisë trupore me shtim të agresivitetit dhe dëshirë për të sunduar botën. Eshtë provuar tashmë se meshkujt më të gjatë janë më shumë pjellorë se ata më të shkurtër. Megjithatë ka edhe një studim të fundit që thotë se meshkujt me gjatësi mesatare janë më të preferuarit, të paktën në një pjesë të Evropës Perendimore, pasi pjesa më e madhe e femrave të pyetura bënte një lidhje mes gjatësisë së madhe dhe problemeve shëndetësore të një mashkulli.
Si ia arrijnë disa djem të shëmtuar të kenë të dashura të bukura?
Norma e do që meshkujt të jenë gjithmonë në kërkim të një femre të bukur fizikisht, ndërsa femrat zakonisht janë në kërkim të meshkujve me një status dhe me para. Nuk është se pamja e jashtme nuk ka rëndësi për një femër,por ajo ka më pak rëndësi se të gjitha tek një mashkull, pasi paraja është e lidhur me sigurinë. Kjo me siguri ka qenë edhe arsyeja që njeriu i vogël, por shumë i pasur dhe i fuqishëm i Formulës Një, Berni Eçleston ka një fuqi e pushtet të jashtëzakonshëm tek femrat. Por ka ende paqartësi për atë se çfarë kërkon një femër në të vërtetë te një mashkull. Ka raste kur tiparet e theksuara mashkullore si nofulla e dalë, hunda shumë e theksuar në vend që të konsiderohen si shprehje burrërie mund të konsiderohen nga disa femra edhe si shenja sëmundjeje apo parazitizmi. Shpesh tiparet femërore në fytyrat e meshkujve janë më tërheqëse për femrat se në rastin e kundërt. Kështu Brad Pit ka buzë mishtore e sy lozonjarë të cilët mund të viheshin fare mirë në fytyrën e një femre e të kishin shumë sukses. Të mendosh që Pit është një nga simbolet mashkullore më tërheqëse në botë. Por ka një karakteristikë e cila duket se është e pëlqyeshme nga të gjitha llojet e femrave: shpatullat e gjëra. Pjesa më e madhe e femrave pëlqen meshkujt me supe të zhvilluara e mes të hollë. Për sa i përket trupave shumë të fryrë me muskujt e të stërvitur ata sa vjen e po bëhen gjithnjë e më pak të preferuar për shkak se e vetmja përshtypje që të jep ai trup është se është i aftë vetëm për luftë dhe rrahje.
Sa interesante është zbehtësia?
Në pjesën më të madhe të shoqërive para-industriale të kishe fytyrën e skuqur do të thoshte që femra, ose mashkulli ishin punëtorë në terren, pra ishin zanaçinj dhe i përkisnin një statusi të ulët shoqëror. Historikisht fytyrat e zbehta të tilla si ajo e Nikol Kidmanit ishin tregues pasurie dhe aristokracie, pasi personi kishte aq të ardhura sa të mund t‘i lejonte vetes të qëndronte në shtëpi gjatë gjithë ditës. Pra zbehtësia ka qenë e lidhur me bukurinë. Në shekullin XX të kishe fytyrën e skuqur sidomos në dimër dhe në hemisferën veriore ishte tregues pasurie, pasi duhet ta kishe xhepin plot që të bëje plazh në mes të dimrit në vendet e largëta ekzotike.