Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arben Llalla: Presionet e lobit greko-amerikan për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri

| E premte, 18.02.2011, 08:00 PM |


PRESIONET E LOBIT GREKO-AMERIKAN PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË NË SHQIPËRI

 

EKSKLUZIVE nga ARBEN LLALLA

 

Ende pa filluar regjistrimi i popullsisë në Shqipëri që pritet të mbahet në prill, janë shfaqur nxitjet e qarqeve të caktuara greke dhe serbe për të rritur artificialisht numrin e minoriteteve të tyre në vend. Shoqata të ndryshme serbe, greke të cilat veprojnë në Shqipëri po bëjnë shtypje të madhe që formulari i regjistrimit të ketë edhe pyetësorët për vet përcaktimin e etnisë dhe besimin fetar. Këto dy kërkesa të shoqatave të minoritetit serb dhe grek kanë mbështetje politike dhe financiare nga Serbia dhe Greqia. Kërkesa të cilat janë të rrezikshme sepse në asnjë vend të botës individi nuk e ka të drejtën të vet përcaktojë se kujt etnie i përket. Kërkesa e deklarimit fetar nuk duhet të përfshihet në pyetësorë sepse është vërtetuar që shtetasit e Shqipërisë në bazë të interesave ekonomike e ndryshojnë besimin fetar sa herë që ju intereson. Të paktën ndërrimi i fesë këto 20 vitet e fundit është bërë si pjesë e një loje fëmijësh. Sot në një familje shqiptare mundet që pjesëtarët e shtëpisë ti përkasin më shumë se dy religjioneve. Shqiptarët nuk shquhen për ndjenjë të fortë fetare, feja asnjëherë nuk ka luajt rrol vendimmarrës në çështjet madhore kombëtare. Naimi i Madh thotë: “Të gjithë ne jemi një fis i vetëm, një familje e vetme, jemi të një gjaku e të një gjuhe”.

Këmbëngulja e diplomacisë greke që vllehët e Shqipërisë ti përkasin minoritetit grek nuk ka baza juridike, gjuhësore, kulturore dhe gjenetike. Vllehët e Shqipërisë nga ana gjuhësore dhe kulturore nuk kanë pika të përbashkëta me grekët. Historikisht vllehtë kanë dhënë një ndihmë të çmuar në përhapjen e shkollave shqipe në vitet kur Greqia vriste çdo njeri që bënte përpjekje për hapjen e tyre. Në qoftë se do bëhen kërkime për lidhjet e martesave midis vllehëve me shqiptarët dhe me grekët, do të vërejmë se në tërë Republikën e Shqipërisë nuk do të gjejmë më shumë se pesë familje që krijimi i familjes të jetë vlleh me grek. Ndërsa ka me mijëra raste ku vllehët kanë bërë martesa me shqiptarët.

Vellehët kanë jetuar me shqiptarët vëllazërisht dhe në mirëkuptim. Ndërsa në Greqi vllehët sulmohen, nënçmohen dhe përndiqen kur vërehet se ata duan të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre. Me emrin vlleh në Greqi cilësohet një njeri nga fshati, i trashë nga mend, njeri i huaj për vendasit. Grekët kur duan të nënçmojnë thonë: vllahos ise (vlleh je).

Duke shikuar se regjistrimi i popullsisë që është paraparë të mbahet në prill shumë intelektual, politikanë dhe shoqata të ndryshme shqiptare kanë bërë thirrje të shtyhet regjistrimi për një periudhë më të përshtatshme.

Nënkryetari i KLD z.Kreshnik Sahiu gjatë kontrollit që ka bërë në disa gjykata në jug të Shqipërisë ka vërejtur se mbi 2.000 qytetar kanë bërë ndryshimin

Kongresmeni Gus M. Bilirakis
Kongresmeni Gus M. Bilirakis
e kombësisë duke shkelur ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Spahiu deklaroj se me ndryshime të kombësisë në masë të gjerë po kërcënohet sovraniteti i Shqipërisë.

Pak ditë më parë Federata Panshqiptare “VATRA” në Sh.B.A kërkoj shtyrjen e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, pas tentimeve dhe skenarëve greke në zonat e jugut.

Në deklaratën zyrtare të kësaj organizate të vjetër kombëtare thuhej: “Rëndohet shqetësimi rreth regjistrimit të popullsisë në Shqipëri për shkak të veprimtarisë haptas agresive që grekët po zhvillojnë, sidomos në zonat e jugut, për të rritur artificialisht numrin e qytetarëve shqiptarë me etni greke. Aktivisti grek në Amerikë, Nicholas Gage sillet lirshëm nëpër Shqipëri duke inkurajuar qytetarët të deklarohen grekë në regjistrimin. Ai është një armik i njohur i Shqipërisë, i cili punon për realizimin e planit grek që synon autonominë më parë dhe pastaj aneksimin e pjesës jugore që ata e quajnë Epiri i Veriut”.

Shumë studiues, politikanë dhe publicistë janë shprehur se klima politike aktuale me protesta, fushata e nxehtë për zgjedhjet e pushtetit vendor do të vështirësojnë punën për regjistrimin e drejtë të shtetasve shqiptar. Nga kjo situatë shovinistët grekë janë duke përfituar dhe kanë shtuar aktivitetet e tyre për t’ia arritur qëllimin armiqësor për kërkesën e vjetër të Autonomisë së Vorio Epirit.

            Shoqatat e ndryshme greke që veprojnë në Shqipëri, Greqi, Evropë dhe Lobi greko-amerikane kanë më se katër vite që ushtrojnë presione të ndryshme nëpër organizatat ndërkombëtare me qëllim që gjatë regjistrimit qytetari të vet përcaktohet se kujt etnie kombëtare dhe fetare i përket. Kjo gjë paraqet rrezik të madh për vetë kohën që po jetojmë ku janë shtuar ndarjet e thella politike midis liderëve partiak. Sot klasa politike shqiptare në Maqedoni është e hutuar dhe në gjumin dimëror. Në Kosovë vërehet etja e madhe për pushtet dhe pasuri në rrugë jo ligjore, ndërsa në Shqipëri sëmundja e Faraonëve ka prekur dy politikanët e vijës së parë.

 

 Kongresmeni greko-amerikan Gus Bilirakis i shkruan znj. Kondoliza Rajs për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri

 

Më 28 maj 2008, Kongresmeni Republikan greko-amerikani Gus(Kostandin) Bilirakis i shkruan znj.Kondoliza Rajs Sekretare e Sh.B.A-as. Duke i shprehur shqetësimin e tij për mungesën e informacionit dhe mosveprimin e autoriteteve shqiptare, në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që të ofrojë të drejtat themelore të njeriut për pakicën greke në Shqipëri. Ndër të tjera z.Bilirakis thotë: “Unë mendoj se do të ishte më mirë që ambasada e SH.B.A në Tiranë, duke mbledhur të dhëna të sakta statistikore, të bëjë një vlerësim në lidhje me atë se çfarë veprimesh janë ndërmarrë që të bindë qeverinë shqiptare të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave. Shqipëria është e obliguar që të realizojë analiza që të përcaktojë se a është dhe deri në ç’masë është gjendja e rëndë e disa minoriteteve, rezultat i diskriminimit etnik ose racor kundër tyre”.

Kongresmeni i Lobit greko-amerikan z.Gus para se ti shkruante Sekretares së Shtetit znj.Rajs kishte zhvilluar një takim në Amerikë me kryetarin e Omonias dhe të bashkisë së Himarës Vasil Bollanon duke dëgjuar nga ai ankesa të shumta për keqtrajtimin që Shqipëria u bën minoritetit grek si “refuzimin nga qeveria shqiptare për të miratuar legjislacionin që të sigurojë titujt e pronës dhe tokave kullota që u përkasin familjeve të minoritarëve grek”. Gjithashtu Bollano shfaqi shqetësimin e mos kthimit të pronës së kishës ortodokse dhe artifaktet fetare të përvetësuara gjatë diktaturës komuniste.

Në letrën rekomande të z.Gus drejtuar znj.Kondoliza Rajs e përfundonte: “Shtetet e Bashkuara kanë qenë kampionë të të drejtave të njeriut për gjithë pakicat etnike dhe fetare në botë. Unë kam çdo besim që SH.B.A-ës do të marrin udhëheqjen në sigurimin e mbrojtjes së pakicës greke në Shqipëri. Unë do ta çmoj shumë të di se çfarë veprimesh planifikon Departamenti i Shtetit që të bindë zyrtarët shqiptarë të përmirësojnë trajtimin që ata u bëjnë pakicave në vend, dhe çfarë bën për momentin ambasada amerikane drejt këtij qëllimi.

Çështja është personale për mua, pasi shumë nga zgjedhësit e mi duke përfshirë edhe familjarët e gruas sime, vijnë nga një rajon i Shqipërisë jugore i njohur si Epiri i Veriut ku është i koncentruar minoriteti grek. Unë besoj fuqimisht, se është në interesin më të mirë të Shqipërisë që kërkon integrimin në Europë, që të trajtojë pakicat e veta në atë mënyrë që insiston të trajtohen shqiptarët etnikë në vendet fqinje.

Ju Faleminderit për kohën dhe konsideratat tuaja. Unë shikoj para që të punoj me ju që të garantojmë që gjithë pakicës greke në Shqipëri ti sigurohet liria fetare, politike dhe ekonomike”.

 

Kush është Kongresmeni Gus Bilirakis

 

Kongresmeni Republikan Gus Bilirakis (greket e thërrasin Kostandin) ka lindur më 1963 në Florida. Babi i tij Michael Bilirakis është zgjedhur disa herë Kongresmen nga viti 1983-2006, duke ja pasuar më tej frontin të birit. Gus Bilirakis është zgjedhur për herë të parë Kongresmen më 7 nëntor 2006. Momentalisht ai gëzon mandatin e dytë si Kongresmen dhe shërben në Komitetin e Sigurisë së ShBA-ës, në çështjet e Veteranëve dhe Punëve të Jashtme, është kryetar i nënkomitetit për emergjencë. Jeton në Palm Harbor, i martuar dhe babai i katër fëmijëve. Kongresmeni Bilirakis është shumë aktivë në Lobin greko-amerikan në çështjet e minoriteti grek në Shqipëri dhe për zgjidhjen e çështjes së Qipros.