| E marte, 15.02.2011, 07:56 PM |
DIMRI S’VJEN
    ME LULE
(Poemë)
Nga KALOSH ÇELIKU
Prolog
Dimrakeqi me shkop në dorë
Tak - taaak, troket në derë.
Veriu fryn, jashtë bie borë
Bilbili thërret një pranverë.
Që, e presim me vite e vite
Siç pret lulja një rreze drite.
Zjarri ndizet, ndizet me flakë
Shkollarët rrinë zgjuar mbi libër.
Djepin e përkund një nënëplakë
Maleve t’u ngjitemi në Dibër:
Me çanta krahut e plot halle
Xixat mbi çati heqin valle…
1. ( HAPA - HAPA PAS LISAVE )
Maleve më zen frika
Mjekrën ma tjerr dielli.
Furka e tij është me thika
                Këtu e te qielli.
Hapa - hapa eci pas lisash
Tinës, tinës me çeta bishash.
Trimat e mi si ujqërit sulen
Diellit ia shuaj zjarrin.
Këmba ime e shkel edhe lulen
                         Fushën, malin.
Hapa - hapa eci pas lisash
Tinës, tinës me çeta bishash…
2. ( DIELLIT IA LIDHA SYTË )
                                                     
Ushtarët e mi janë trima
Natyrën e mbajnë në zingjirë
Zogjtë thonë: unë jam egërsirë.
Qiellit kur e lëshoj kalin
Bajlozi i Zi jam i dytë.
Diellit me shami ia lidh sytë.
Ditë për ditë dua një dash të pjekur
Vashën të ma sjellin te shtëpia.
Bajlozi i Zi jam, jo Halil Garria.
Dora m’është mësuar të pres koka
Zjarr jam, s’di pse s’digjet toka?!...
3. ( LUMIT SI T’IA NDAL HAPIN )                             
                                                           
Pritën e vura pas një druri
Akull, thash lidhja duart, këmbët!
Lotët i shpërthyen edhe një guri
                        I nxorra dhëmbët:                      
                                                                                                     
Fushës rritë zemrën e barit
Luleve ua lanë faqet.
Kryengritje më bënë livadhit
                        Ngre bajraqet.
Duart i zgjatë, përqafon Rrapin
Lajme i dërgon detit.
Lumë, si të ta ndal hapin
                       Fushës, qytetit?!...
4. ( DELES IA DOGJA BARIN )
                                                      
Gjokut i hipa në shpinë
Shqipet: këtu e kemi shtëpinë.
                       Edhe këngëtari
                       Edhe luftëtari.
Qiellit u ngjita si shqiponjë
Kosova: këtu jam vetë zonjë.
                             Për punët
                             Për rrugët.                   
Hapin e lëshova me gjokun
Dielli: s’e japim shoku - shokun.
                                 Nëpër stuhi
                                 Jemi bërë hi.
Trimërisht dikur zbrita në tokë
Malet më thanë me shokë:
                   Këtu nëse bie terri
                   Këndon mauzerri.
Fushën e zbardhova, malin
Deles ia dogja barin…
5. ( BURIMIT I VURA DRY )
Dora - dorës si bleta
Përronit zbriste çeta:
Kitrat me gjithë bishta
Lepur trimi më gishta.
Kaprolli me brirët si lis
Dhelpra, që u dilte fis.
Sorkadhja e bukur hopa-hop
Gjyshe drenusha me shkop.
Sorra që i dhimbte këmba
Iriq Ferra me dy shtëmba.
Zogu me këngën në sqep
Gushkuqi nga një plep.
Qukapiku me disa lajme
Laraska me gunë të larme.
Ujkun s’e kishin thirr te burimi
Balli m’u mrrol, m’hipi zemrimi:
Trimave vrik u dola sy më sy
Burimit rrëzë malit i vura dry…
6. ( ZOGJËVE UA PRISHA
            SHTËPITË )
Frikë s’patët, mbetët në shtëpia
Lejleku, dallëndyshja me shoqe e shokë
Vjeshtës s’ju thirrën kur ikën me mijëra?
Zogjtë: Kurrë s’e lëshojmë këtë tokë
            Kurrë s’e lëshojmë këtë tokë!
Erë, fryj sa të mundesh me gojë
Majat tërhiqi deri në tokë
Trimave t’ua mësoj një lojë.
Zogjtë: Burrat vdesin kokë më kokë
            Burrat vdesin kokë më kokë!
Vit për vit u rash në kulla
Vullnetarë t’i lëshoni këto shkrepa
Lisa, pemë me dorë i shkula.
Zogjtë: Kënga jonë na rritë në djepa
            Kënga jonë na rritë në djepa!...
7. ( UJKUN E LËSHOVA 
         TE QËNGJAT )
Zemra m’u egërsua, m’u skuqën sytë
Gjoksin para, u rroka fyta - fyt.
Shpat më shpat ngrita dorën
Tungjatjeta miq, pse ma hani borën?
Qengjat qeshën me këtë lajkatar:
O burrë, mos u ngutë, ne hamë bar!
Motin që shkoi, kur erdha në vizitë?
Lum miku, ne kemi lindë këtë vit.
Baballarët, atëherë, ata brirëdredhur
Ujkun e lëshova te qëngjat e trembur…
8. ( DHELPRA M’I FSHIN
             GJURMËT )
Natën, kur eci si hije
Maleve t’ua vjedhi bilurët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët.
Kurthat i vë pranë çdo lisi
Cung pas cungu i fus hundët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët.
Hënën, kur e zgjoj nga gjumi
Darkën ta haj - jam i urët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët.
Dorën ua shtri - ua jap besën
Miqësi të lidh me fatlumët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët…
9. ( LISAT U BËNË 
 KOKË MË KOKË )
POETI: 
Ditë për ditë salmon furtuna
Malin, fushën i mbuloi guna.
Era turret, gjëmon moti
Malet tona s’i tremb baroti.
Këngën e vet këndon përroni
Gjoksin para qëndron ftoni.
Thanës së fortë i ngrinë gishtat
Drerit me shokë iu sulën bishat.
DIMRI:
Gjoks më gjoks rrokem me drurin
Copë - copë e bëj edhe gurin.
Trimat në luftë ma dinë hujin
Frikë s’e kam as Gjeto Basho Mujin.
Djersët s’di pse më rrjedhin ballit
Obobooo, kreshniku i hipi kalit!
POETI:
Ditë për ditë sulm, o shokë!
Lisat u bënë kokë më kokë…
10. ( XHA NAIMI MU TURR 
              ME VARGJE )
Maleve bëra kërdi, të zbres fushës
Rruza të bardha t’u varë gushës.
Nxënësit t’i ndaj nga mësimi,
                             Xha Naimi.
Pusi t’u vë mu te dera
Librat le t’ua marri era!
Dry t’i vë sot asaj nuses,
                   Njësh mësueses.
Sulm u bëra syve, fytyrës
Besnikë i qëndruan detyrës.
Vargjet mu turrën te këndimi
                             Xha Naimi…
11. ( POETËT MË SULMUAN 
              ME VJERSHA )
Zemra mu dobësua, ujë mu bënë teshat
Maleve u nisa të ikë nga vjershat:
Mehmedali Hoxha më vuri pritë
Ali Huruglica pas tij një ditë.
Gaqo Bushaka me një roman
Rifat Kukaj nxorri jatagan.
Vehbi Kikaj m’i lëshoi gurrat
Abdulazisi Artan Artën si burrat.
Odhise Grillo pusi me një tregim
Ymer Shkreli: duart lart, o trim!
Fadil Bekteshi në “ Gëzimi “
Vahit Nasufi në libër këndimi.
Ymer Elshani me një përrallë
Adelina Mamaqi ballë më ballë.
Gani Xhafolli më ndali n’rrugë:
Zotëri, mjaftë hëngre me dy lugë!...
12. ( BILBILI E THIRRI
           PRANVERËN )
Majë malit u ula mbi një gur
Kufiri është këtu, ngula flamur.
Fytyrën do t’ma freskoj era
Këmbët të më pushojnë te dera.
Kreshnikët s’do t’ma shkelin pragun
Poetët do ta urtësojnë pak vargun.
Maleve të rritem, të bëhem trim
Vitin tjetër të sulmoj me guxim.
Lotët po ç’më rrjedhin si lumi
Frikë kam, mos më zej gjumi!
Kënga e maleve e përplasi derën
Bilbili e thirri pranverën.
Dimri i zemruar e thirri ujkun
Bilbili me një këngë bujkun.
Dimri: unë jam Bajlozi i Zi
Bilbili: unë Gjergj Elez Ali…
                 
13. ( ADEM JASHARI U NGRITË
                 NGA SHTRATI )
Moti u prish, fryn veriu
Ademit ballin ia lag shiu.
Nëntë vjet ratë në shtrat
Nëntë plagë nëpër shtat.
Kosova plagët ia lan me lotë
Bajlozi i Zi del nëpër botë.
Kosovën ia kërkon ose mejdanin
Ademi s’e turpëroi vatanin.
Armët ngjeshi, muarr malin
Tym e mjegull e bëri kalin.
Bajlozit të Zi ia preu kokën
Ademi s’e jep Kosovën, tokën.
Nëntë vjet, nëntë plagë i pati
Ademi sot u ngrit nga shtrati…
14. ( E BUKURA E DHEUT
        ERDHI NË KOSOVË )
Dielli buzëqeshi, përshëndeti me dorë
Tungjatjeta lule, zogjë - ju zgjova!
Kënga dëgjohet larg shtatë orë
                               Festë ka Kosova.
Dasmorët ia marrin një kënge kreshnike
Cuca e heq vallen përkrah djalit.
Nusen e solli në Kosovën heroike
                                    Ademi i malit.
Daullet, krisma m’zgjoi n’Kërçovë
E Bukura e Dheut erdhi në Kosovë…
Shkup, 1985 - 1999