| E diele, 13.02.2011, 08:53 PM |
Enigma egjiptiane
Nga Kastriot Myftaraj
Nëse doni që të kuptoni sadopak atë që po ndodh në Egjipt, kujtoni operan e famshme të Verdit, “Aida”. Në Egjiptin e sotëm e të nesërm, demokracia është si Aida, e cila e përndjekur nga rivalja e saj, e cila është si princesha shpirtkeqe Amneris e operas (gjeopolitika), vdes e ngujuar në dhomën e mbyllur hermetikisht të tempullit. Sot, sfida më e madhe që i paraqet Egjipti Perëndimit dhe Izraelit si pjesë e këtij të fundit, nuk është se Egjipti mund të bjerë nën kontrollin e fundamentalistëve islamikë, por se është prishur ekuacioni strategjik mbi bazën e të cilit u ndërtuan marrëdhëniet e Perëndimit, posaçërisht SHBA-ve e Izraelit nga njëra anë dhe Egjiptit, në anën tjetër, që prej Marrëveshjes së Camp David në 1978. Në thelb të konfliktit të Egjiptit me Perëndimin para Marrëveshjes së Camp David ishte fakti se Perëndimi nuk mund të pranonte dot një vend arab me kufij imperialë, brenda të cilit kishte pika me rëndësi strategjike globale dhe regjionale, si Kanali i Suezit, apo pellgu i Nilit, i cili vend të bëhej një fuqi ushtarake e rëndësishme, sa të bëhej dominuese në zonën përreth kufijve të tij.
Egjipti në fakt është një shtet me kufij perandorakë dhe këtë e them në sensin se Egjipti, jo vetëm zotëron një nga rrugëkalimet detare më të rëndësishme të botës, me Kanalin e Suezit, por brenda territorit të tij gjendet edhe pjesa më e madhe e pellgut të lumit më të gjatë në botë, Nilit. Lumenjtë e mëdhenj, rëndom shërbejnë si kufi mes shteteve dhe nuk gjenden brenda tyre. Kujtoni Danubin, Mekongun. Vetëm shtetet e mëdha, pasardhës të perandorive, të cilët edhe sot në pjesën më të madhe kanë përmasat gjeografike të perandorive, kanë luksin që të kenë lumenj të mëdhenj brenda territorit të tyre, në vend që ata të jenë kufijtë e tyre. Kështu ndodh me Kinën, Rusinë, Brazilin, SHBA-të, Indinë, të cilat në fakt janë perandori, ose trashëgimtarë perandorish. Egjipti i sotëm, megjithëse ajo trevë ka një traditë imperiale, është në fakt një krijesë koloniale sa u përket kufijve gjeografikë. Kufijtë më të gjatë tokësorë të Egjiptit, ata perëndimorë dhe jugorë, duke formuar një kënd të drejtë thuajse perfekt, janë kufij tipikë kolonialë, të hequr me vizore.
Egjipti në kufijtë e sotëm është një krijesë koloniale e Britanisë së Madhe dhe e nevojës së saj strategjike për të kontrolluar rrugëkalimin detar për në Oqeanin Indian, në përmjet Kanalit të Suezit, si dhe pellgun e Nilit, që ofronte një bazë fuqie koloniale me pasuritë e tij bujqësore, dhe si rrugëkalimin lumor të përshtatshëm për në thellësi të Afrikës verilindore, tek minierat dhe pyjet e saj. Fakti që Britania e Madhe, superfuqia e kohës kur u vendosën kufijtë kolonialë, kishte interes për një shtet nën tutelën e saj që të zotëronte kanalin dhe një pjesë të madhe të pellgut të Nilit, bëri që të lindë Egjipti modern. Kufijtë ekzistues të Egjiptit qenë caktuar prej Britanisë së Madhe në epokën koloniale, në kuadrin e një ekuacioni strategjik, ku Egjiptit i ishte lejuar të kishte kufij imperialë, por do të ishte protektorat britanik, duke pasur dhe një prani ushtarake britanike në territorin e tij. Natyrisht se britanikët kujdeseshin që balanca e fuqisë mes forcave të tyre ushtarake të cilat gjendeshin në Egjipt, dhe forcave ushtarake vendase, të ishte ndjeshëm në favorin britanik. Kur Egjipti u bë një vend i pavarur, çka në realitet ndodhi në 1954 me largimin e trupave britanike, Perëndimi nuk u ndje mirë që një shtet i pavarur arab të kishte kufij imperialë brenda të cilëve kishte pika me rëndësi tejet të madhe strategjike për Perëndimin. Aq më tepër që ky shtet ra në dorën e një diktature ushtarake, e cila shfaqi vullnetin e qartë për ta militarizuar atë me sa të kishte mundësi. Kjo e prishi ekuacionin e Egjiptit me Perëndimin.
Prej këtej lufta e vitit 1956, ku Britania e Madhe, Franca dhe Izraeli sulmuan Egjiptin, për të siguruar kontrollin mbi Kanalin e Suezit. Amerikanët, duke iu trembur ndërhyrjes sovjetike në Egjipt dhe në regjion ndërhynë dhe i detyruan aleatët e tyre që të tërhiqen. Por SHBA-të nuk mund të kënaqnin lakminë e diktaturës ushtarake të Naserit për ta militarizuar Egjiptin, kështu që Egjipti u armiqësua me Perëndimin dhe u afrua me Bashkimin Sovjetik, i cili u tregua i gatshëm që të furnizonte Naserin me armatime. Kjo politikë e çoi Egjiptin në katastrofën e vitit 1967 kur Izraeli ndërmori një luftë preventive ndaj tij, si dhe ndaj Sirisë e Jordanisë, duke i marrë Egjiptit Gadishullin e Sinait, rripin e gjerë të tokës mes Kanalit të Suezit dhe kufirit me Izraelin. Kanali i Suezit u bë kufiri ushtarak mes Egjiptit dhe Izraelit. Egjipti u riarmatos nga Bashkimi Sovjetik dhe kërkoi që ta merrte revanshin në 1973, por përsëri pësoi disfatë.
Atëherë establishmenti ushtarak egjiptian ndryshoi kursin duke pranuar ofertën e SHBA-ve për partneritet brenda një trekëndëshi strategjik SHBA-Egjipt-Izrael. SHBA-të pranuan që të kënaqin egon e elitës ushtarake egjiptiane, duke i dhënë ndihma të mëdha në armatime Egjiptit, por duke u kujdesur që forcat ushtarake egjiptiane të mos u afroheshin atyre izraelite, posaçërisht sa i përkiste forcës ajrore, e cila kishte qenë vendimtare në luftrat arabo-izraelite. Egjipti u bë përfituesi i dytë në botë i ndihmës ushtarake amerikane pas Izraelit. Por, kur amerikanët i jepnin asistencë ushtarake Egjiptit, ata e shikonin fuqizimin e ushtrisë egjiptiane si një aspekt të politikës së brendshme egjiptiane, ashtu që ushtria të mund të ishte shtylla e stabilitetit politik dhe shoqëror në Egjipt, duke mos lejuar që vendi të binte nën kontrollin e fundamentalistëve islamikë. Nga pikëpamja amerikano-izraelite, Egjipti mund të mbante një ushtri të madhe, por një sasi të kufizuar armatimi modern, posaçërisht në forcat ajrore, aq sa duhej për të siguruar kufijtë e Egjiptit, duke konsideruar si postulat strategjik se vendit nuk do t’ i vinte rrezik nga Izraeli. Fqinjët e tjerë të Egjiptit qenë të vegjël dhe të dobët, për të përbërë kërcënim për të.
Izraelitët nuk ndanin të njëjtin mendim me amerikanët, ashtu që izraelitët në vitet tetëdhjetë-nëntëdhjetë qenë të shqetësuar nga kërkesat gjithëherë e më të mëdha që Egjipti u bënte amerikanëve për armatime moderne, duke përfshirë edhe aeroplanë modernë luftarakë amerikanë Falcon (F), të njëjtë me ata të cilët përbënin forcën kryesore goditëse ajrore izraelite. Por amerikanët qenë të prirur që t’ i shpjegon kërkesat egjiptiane me pasionin e Mubarak, si një ish-pilot ushtarak dhe me teori të tilla psikologjike. Kështu që Egjipti mori nga SHBA-të edhe një numër të madh aeroplanësh ushtarakë F-15 dhe F-16, duke u bërë Egjipti shteti i tretë i huaj që zotëron më shumë aeroplanë të tillë, veç SHBA-ve. Gjithsesi dukej se ekuacioni strategjik në trekëndëshin SHBA-Izrael-Egjipt po funksiononte mirë.
11 shtatori i vitit 2001 bëri që të dy palët të luajnë me letra të hapura. Pas kësaj date elita sunduese e Egjiptit, edhe pse aleate e SHBA-ve, bëri veprime që dhanë të kuptohet qartë frikën e saj se Perëndimi, posaçërisht SHBA-të dhe Izraeli do të kërkonin që ta shpërbënin Egjiptin, duke e ndarë në disa shtete. Në vitin 2002, Egjipti, megjithse tashmë kishte 216 aeroplanë luftarakë modernë amerikanë F-16, të cilët e bënin atë shumë më superior se të gjithë fqinjët përveç Izraelit, sa i përket forcës ajrore, kërkoi të blinte 35 aeroplanë luftarakë F-15. Aeroplanët F-16 dhe F-15 janë forca kryesore goditëse e aviacionit ushtarak amerikan dhe izraelit. Izraeli, atëherë dhe sot disponin 290 aeroplanë luftarakë F-16 dhe 70 aeroplanë luftarakë F-15. Vetë SHBA-të, atëherë dhe tash kishin dhe kanë 1260 aeroplanë F-16 dhe 490 aeroplanë F-15, por të cilët janë shpërndarë në të gjithë botën.
Egjipti po kërkonte që të rriste fuqinë e vet ajrore me synimin e qartë që të ngushtonte në maksimum hendekun me Izraelin në aeroplanë modernë ushtarakë. Kjo nuk kishte kuptim tjetër përveç atij se për herë të parë që pas Marrëveshjes së Camp David, në 1978, Egjipti e shikonte si rrezik për sigurinë e vet Izraelin. Izraeli u kërkonte SHBA-ve që ta refuzonin kërkesën egjiptiane, se Egjipti po kërkonte që të ndërtonte një forcë ajrore që nuk mund të drejtohej kundër kurrkujt tjetër veç Izraelit. SHBA-të e pranuan kërkesën izraelite, duke përbërë kjo të çarën e parë serioze në marrëdhëniet amerikano-egjiptiane që pas Marrëveshjes së Camp David. Pas kësaj Egjipti u drejtua në Rusi për të blerë aeroplanë luftarakë modernë, duke u rikthyer njëfarëlloj në politikën naseriane. Prej vitit 2007 Egjipti është në negociata me Rusinë për të blerë jo pak, por rreth 150 aeroplanë modernë luftarakë. Kjo praktikisht do të thotë se Egjipti kërkon të vendosë barazi në forcat ajrore me Izraelin, në mos po të ketë superioritet ndaj tij. Për të ndaluar rifillimin e marrëdhënieve ushtarake egjiptiano-ruse, SHBA-të pranuan që t’ i japin Egjiptit 20 aeroplanë ushtarakë F-16, çka në Kairo në fakt krijoi shijen e fruteve që vijnë nga loja me të dy fuqitë e mëdha globale.
Në kohën që Egjipti shfaqi ambicje të qarta për të rritur fuqinë e tij ushtarake përtej limiteve të arsyeshme, ai shfaqi ambicje edhe për zgjerim territorial në dëm të fqinjit jugor, Sudanit. Kjo ka të bëjë me faktin se Lumi Nil, i cili ka rëndësi ekzistenciale për Egjiptin vjen nga fqinji jugor Sudani, i cili ka qenë zotërim egjiptian deri në 1956. Fakti që ushtarakët që përmbysën me puç mbretin egjiptian Faruk në 1952, pranuan kërkesën e Britanisë së Madhe për pavarësinë e Sudanit, të cilën monarkët egjiptianë e kishin refuzuar, u bë shkak për spekulime se britanikët e kishin mbështetur puçin ushtarak. Më pas Egjipti dhe Sudani do të hynin në konflikt për burimet ujore. Egjipti ka dhënë të kuptojë se nuk do të tolerojë që të jetë në mëshirën e Sudanit sa u përket burimeve ujore dhe ka lënë që të kuptohet se nuk do të ndalet as para aksioneve ushtarake. Kështu, në vitin 2000 Egjipti mori përfundimisht nën kontroll ushtarak një rrip toke sudaneze të njohur si Trekëndëshi Hala’ ib, që është një zonë midis paralelit 22º gjatësi veriore dhe kufirit të dikurshëm sudanezo-egjiptian, me sipërfaqe 20 580 km². Kaosi në Sudan, vendin më të madh afrikan, me 2. 5 milion km², nuk mund të mos e joshte Egjiptin e fuqishëm ushtarakisht për të ndërhyrë më tej në territorin e fqinjit jugor.
Fakti se fqinji i tij jugor, Sudani, është duke u shpërbërë me shpejtësi, e bën të nevojshme ndarjen e Egjiptit. Nuk është rastësi që protestat në Egjipt filluan në 25 janar, vetëm një javë pasi në Sudanin e Jugut u mbajt një referendum ku shumica e popullsisë votoi për të shpallur pavarësinë nga Sudani, e cila do të formalizohet në korrik të këtij viti. Sudani i Jugut ka një sipërfaqe prej 619 745 km² dhe një popullsi prej 8 deri 10 milion banorë. Gjithashtu, një zonë tjetër e Sudanit, Kurdufani i Jugut, i cili gjendet në Sudanin Qendror, në kufi me Sudanin Jugor, brenda vitit 2011 do të mbajë një referendum për të përcaktuar statusin e vet të ardhshëm. Kurdufani i Jugut ka 158 355 km² dhe vetëm 1.2 milion banorë. Darfuri me 493 180 km², me 6 milion banorë para fillimit të luftës atje, do të mbajë një referendum brenda vitit 2011. Edhe Sudani Lindor, me 330 860 km² gjendet në prag të shkëputjes. Në 8 janar 2011, Aleanca Federale e Sudanit Lindor në bashkëpunim me Lëvizjen për Drejtësi dhe Barazi të Darfur, deklaroi se do të luftojë për rrëzimin e Presidentit të Sudanit, Bashir. Sudani Verior do të mbetet një vend me 904 673 km² dhe me 20 milion banorë. Në këtë territor janë pjesa më e vogël e pasurive natyrore të vendit. Ky vend i vogël dhe i varfër në krahasim me çfarë është sot, do të trashëgojë një konflikt jetik me Egjiptin për shkak të burimeve ujore. Shpërbërja e Sudanit rrit shumë fuqinë e Egjiptit në regjion dhe posaçërisht në kufijtë e tij jugorë. Një Egjipt në përmasat që është sot do të ketë joshje të madhe që të projektojë fuqinë e vet në hapësirën e ish-Sudanit, duke përfituar nga situata e favorshme gjeopolitike atje.
Por kishte dhe gjëra të tjera që e bënë jofunksionues ekuacionin e Egjiptit me Perëndimin. Egjipti reagoi ndaj krizës ekonomike globale duke vendosur të zhvillonte industrinë bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim që të ishte në gjendje të eksportonte më shumë naftë dhe gaz natyror. Por SHBA-të dhe Izraeli nuk e mirëpritën këtë gjë. Mubaraku u ndje i poshtëruar kur SHBA-të shpallën në 2008 se do të asistonin projektin bërthamor të Algjerisë, ndërsa nuk qenë të gatshme që ta bënin këtë gjë për Egjiptin. Në 2010 Mubarak shpalli zyrtarisht se Egjipti do të ndërtonte industrinë bërthamore për qëllime paqësore. Duke qenë se Franca është vendi që ka marrëveshje me një sërë vendesh të Afrikës Veriore për zhvillimin e industrisë bërthamore, nuk është e rastit që kryeministrit francez Fillon, i cili i ka nënshkruar të gjitha këto marrëveshje vitet e fundit, u gjend në Egjipt në fund të vitit 2010, pak kohë pasi Mubarak shpalli zyrtarisht ambicjen e tij bërthamore. Elementi bërthamor e komplikoi përfundimisht ekuacionin egjiptian, për SHBA-të dhe Izraelin. Egjipti tashmë u bë për amerikanët dhe izraelitët një anomali e rrezikshme gjeopolitike dhe strategjike. Kjo bëri të nevojshme inicimin e një lëvizjeje për përmbysjen e Mubarakut dhe instalimin e demokracisë në vend, si ekspedient për shpërbërjen e afërt të Egjiptit.
Amerikanët, natyrisht se e kanë të qartë se instalimi i demokracisë në Egjipt do të sjellë në pushtet islamikët, përplasjen e tyre me ushtrinë dhe rënien e Egjiptit nën kontrollin islamik, ose futjen në kaos të vendit të madh arab. Por ky rrezik duket se është marrë parasysh për shkak të rrezikut që paraqet Egjipti në gjendjen që është sot. Amerikanët e dinë se demokracia nuk mund të sjellë në Egjipt as një minimum prosperimi se Egjipti është duke u shndërruar në një bombë demografike të një lloji të veçantë. 98% e popullsisë prej 80 milion banorësh të Egjiptit jeton në pellgun e Lumit Nil në 55 mijë km². Kurrkund në botë nuk ka një gjë të ngjashme. Problemi i Egjiptit nuk është korrupsioni, siç pretendojnë kundërshtarët e Mubarak, por kombinimi fatkeq i gjeografisë me demografinë.
Kur Egjipti të hyjë në kaos, Perëndimi do të stimulojë ndarjen e tij në së paku dy shtete, Egjipti Lindor dhe Egjipti Perëndimor, kufiri i të cilëve do të jetë Lumi Nil. Egjipti Lindor, me kryeqytet Kairo, do të zotërojë të dy anët e Kanalit të Suezit, dhe që ndoshta mund të quhet edhe ai “Suez”. Egjipti Lindor, ai me rëndësi të vërtetë strategjike globale, do të ketë një sipërfaqe prej 320 mijë km² dhe rreth 30 milion banorë. Ajo që do të ketë veçanërisht rëndësi, një pjesë e rëndësishme e banorëve të Egjiptit Lindor, do të jenë të krishterë. Egjipti ka një popullsi të madhe të krishterë që shkon nga 10-20%- statistika të sakta deri më tash nuk ka. Ushtarakët si Mubarak dhe dy paraardhësit e tij, Sadat dhe Naser, të cilët kanë sunduar Egjiptin që në vitet pesëdhjetë kanë reputacionin e forcës laike që ka frenuar rënien e vendit nën kontrollin e fundamentalistëve islamikë. Por në fakt Mubarak dhe paraardhësit e tij kanë lejuar që popullsia në shumicë muslimane të keqtrajtojë pakicën e krishterë të vendit. Krishterimi Egjiptian është ndër më të hershmit në botë, më i hershëm se në shumë prej vendeve europiane. Egjipti Lindor do të ketë shumë më tepër arsye se Egjipti i sotëm i bashkuar për të qenë i kujdesshëm ndaj Izraelit, ashtu që të mos bëjë asnjë veprim që do të konsiderohet si i rrezikshëm nga Izraeli. Egjipti Lindor do të bindet që t’ i japë fund problemit të Gaza duke e aneksuar atë.
Egjipti Perëndimor, me kryeqytet qytetin port Aleksandria, mund të ruajë emrin e sotëm, “Masr”. Emri “Egjipt” nuk ka asnjë rëndësi në këtë ndarje se atë e përdorin vetëm të huajt, duke iu referuar emrit antik. Egjiptianët arabë të sotëm e quajnë vendin e tyre Masr, apo siç njihet në shqip, “Misir”. Egjipti Perëndimor do të ketë 680 mijë km² dhe rreth 50 milion banorë. Egjipti Perëndimor do të shikojë nga Magrebi.
Egjipti i ndarë do ta harrojë projektin bërthamor. Nuk përjashtohet mundësia që të dy shtetet trashëgimtare të Egjiptit, të hynë në konflikt mes tyre për ndarjen e Deltës së Nilit, ku përcaktimi i kufirit mes tyre do të jetë jo pak problematik. Perëndimi në çdo rast do të mbështesë Egjiptin Lindor për shkak të zotërimit të Kanalit dhe fqinjësisë me Izraelin. Demokracisë-Aida, në rastin më të mirë, do t’ i duhet që të presë nën hijen e piramidave, atje ku koha matet jo me vite e dekada, por me shekuj. Emri i gruas së atij që po na paraqitet si lideri i lëvizjes demokratike në Egjipt, Muhamed El Baradei, për një koincidencë kurioze, është pikërisht Aida! Egjipti në kufijtë aktualë është një anomali gjeopolitike, ashtu si fqinji i vet jugor, Sudani. Sudani është duke u shpërbërë dhe Egjipti do ta pasojë së shpejti. Më pas shpërbërja e shteteve në kufij imperialë, apo mikroimperialë, do të vazhdojë zinxhir në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.