| E shtune, 12.02.2011, 08:14 PM |
Kur Ina Rama e mbron Ilir Metën nga Ilir Meta
Nga Kastriot MYFTARAJ
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama brenda pak ditësh u ballafaqua me dy videoregjistrime të kryera privatisht, nga pikëpamja ligjore dhe të shfaqura në dy televizione private, videoregjistrimin e kryer prej deputetit Dritan Prifti dhe videoregjistrimin e dytë, të kryer nga një televizion privat ku tregohej episodi i vrasjes së një prej demonstruesve para selisë së qeverisë në 21 janar. Prokurorja e Përgjithshme, edhe pse në thelb kishte të bënte me të njëjtën gjë, ndoqi një standard të dyfishtë. Pak orë pas shfaqjes së videoregjistrimit të dytë, atij për episodin e vrasjes, institucioni i akuzës i drejtuar nga Ina Rama lëshoi urdhërin e ndalimit për drejtuesit e Gardës së Republikës.
Pas shfaqjes së videoregjistrimit të parë, atij të Dritan Priftit, Prokuroria e Përgjithshme, që në 12 janar, deklaroi zyrtarisht me anë të zëdhënësit Plator Nesturi, se kishte sekuestruar videoregjistrimin dhe kishte regjistruar procedimin penal për tre vepra penale, atë të korrupsionit pasiv, aktiv dhe të shpërdorimit të detyrës. Ilir Meta, nga ana e tij, doli para medias dhe bëri një bluff të madh duke deklaruar se hiqte dorë vullnetarisht nga imuniteti parlamentar, në mënyrë që t’ u hapte rrugë hetimeve. Por kjo deklaratë nuk e zhveshi Ilir Metën formalisht nga imuniteti parlamentar, se këtë status ai e ka fituar nga një dispozitë kushtetuese ex officio, dhe nuk mund ta lëshojë me dëshirën e tij. Deklarata e Ilir Metës kishte vetëm vlerë “morale”, pra e shumta donte të thoshte se ai e mirëpriste dhe nuk e kundërshtonte një kërkesë të Prokurorisë adresuar Kuvendit, ku të kërkohej heqja e imunitetit parlamentar të Ilir Metës.
Por Ilir Meta nuk kishte aspak ndërmend që të nxiste heqjen formale të imunitetit të vet parlamentar, ai thjesht donte që, nga njëra anë ta ruante imunitetin parlamentar, ndërsa në anën tjetër të shtirej sikur iu ishte nënshtruar hetimeve. Siç e di çdo jurist, Ilir Meta nuk mund të arrestohet sot mbi bazën e deklaratës së tij se heq dorë vullnetarisht nga imuniteti, madje as mund të thirret për t’ u pyetur nga Prokuroria përveçse kur paraqitet me dëshirën e tij. Që të mund të arrestohet Ilir Meta duhet që Prokurorja e Përgjithshme t’ i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të tij.
Bluff-in e Metës, me deklaratën për heqjen dorë vullnetarisht nga imuniteti parlamentar, mund ta kishte prishur Ina Rama duke e shfrytëzuar deklarimin e tij për heqjen vullnetare të imunitetit si një arsye shtesë që t’ i kërkonte menjëherë Kuvendit heqjen e imunitetit të Ilir Metës. Kërkesa për heqjen e imunitetit të një deputeti që akuzohet me prova serioze për tre vepra të rënda penale, dhe që deklaron se heq dorë vetë moralisht nga imuniteti, është gjëja më e natyrshme që bën Prokuroria në çdo vend të botës. Ina Rama nuk e bëri këtë gjë. Kështu gjërat u kthyen në komedi, pra dukej se Ina Rama po e mbronte ilir Metën nga… Ilir Meta!
Të ka faj Ilir Meta që ai deklaron se heq dorë nga imuniteti që t’ u nënshtrohet hetimeve dhe Prokuroria, e cila ka atributin ligjor për ta bërë këtë formalisht, nuk kërkon heqjen e imunitetit të tij? E shikoni pra, o shqiptarë dhe ndërkombëtarë se si një deputet dhe ish-qeveritar i shumicës i respekton institucionet e pavarura, duke bërë gjithçka ka në dorë për luftën kundër korrupsionit, por janë institucionet e pavarura që i nxjerrin pengesa Ilir Metës që përpiqet për hetimin shterues të Ilir Metës? Ilir Meta ka të drejtë të thotë atë batutën e famshme të atij filmit të realizimit socialist: “Këtu ka tradhti burra!” Ilir Meta kërkon të hetohet por është Prokuroria ajo që sjell pengesa.
Nuk ekziston asnjë rast në botë që, për një deputet, për të cilin janë bërë publike prova që e akuzojnë për korrupsion, në lidhje me të cilat Prokuroria ka regjistruar një procedim penal, të mos kërkohet formalisht heqja e imunitetit, kur ky deputet është deklaruar për heqjen dorë publikisht të tij! Në fakt këtu ka një pakt të fshehtë mes Metës dhe Ina Ramës. Meta, kur deklaroi se hiqte dorë nga imuniteti kishte marrë siguri se kjo deklaratë demagogjike e tij nuk do të sillte si pasojë të menjëhershme kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit parlamentar të tij. Kjo do të thoshte se Ilir Meta do të hetohej për aq sa do t’ i pëlqente vetë dhe kur t’ i pëlqente atij. Dhe në fakt sot, në kohën që Prokurorët mund ta pyesin Ilir Metën vetëm nëse i pëlqen atij, ky i fundit del në konferencë për mediat së bashku me avokatët e tij dhe sfidon Prokurorinë me deklarime kinse teknike, në kohën që Prokurorët as që ka të drejtë ta thërresë dhe ta pyesë për këto gjëra.
Dikush mund të thotë se, nëse ka një pakt mes Metës dhe Ina Ramës, atëherë nuk ka rëndësi nëse i hiqet imuniteti Metës ose jo, se është Ina Rama e ka në dorë arrestimin e tij në të dy rastet. Por gjërat nuk janë pikërisht kështu. Ilir Meta e di Ina Rama do ta arrestojë atë kur këtë gjë t’ ia thonë nga ambasada amerikane. Në këtë rast imuniteti është jetik për Metën, për t’ i shpëtuar arrestimit dhe për t’ u arratisur atje ku e ka bërë plan ai. Se në këtë rast Ina Rama nuk mund të lëshojë drejtpërdrejt urdhërin e arrestit për Metën, por duhet t’ i dërgojë në fillim Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të tij, çka do t’ i japë Metës kohë të mjaftueshme që të shkojë të çmallet me fshatin e tij të lindjes në Skrapar, para se të arratiset nga Shqipëria, për të shkuar në ndonjë vend nga ku as amerikanët nuk e sjellin dot në Shqipëri. Kështu që thelbi i paktit mes Metës dhe Ina Ramës nuk është e vështirë që të kuptohet, nga veprimet e tyre. Ina Rama i thotë Ilir Metës se unë të mbroj deri në momentin që më kërkojnë amerikanët të të arrestoj dhe që nga ai moment ti ke aq kohë sa do të japë Berisha. Natyrisht se Ina Rama ve në rrezik karrierën e saj me këto veprime, çka do të thotë se ajo është paguar shumë nga Ilir Meta.
Madje Ina Rama ka bërë edhe më tepër se kaq. Që çështja “Meta” të hynte më tepër në labirintin e kurtheve teknike dhe juridike Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se do të thërriste ekspertë të huaj për të shqyrtuar autenticitetin e videoregjistrimit të Priftit, dhe iu drejtua për ndihmë ambasadës amerikane. Çudi, se e njëjta Prokurori ishte në gjendje që pa ndihmën e ekspertëve të huaj të arrinte brenda disa orëve në natën e 21 janarit në përfundimin se videoregjistrimi ku tregohej njëra nga vrasjet ishte autentik. Nëse videoregjistrimi i 21 janarit ishte i mjaftueshëm për Prokurorinë e Përgjithshme që të kërkonte ndalimin e drejtuesve të Gardës, videoregjistrimi i Priftit duhet që të ishte i mjaftueshëm së paku për të kërkuar heqjen e imunitetit të Ilir Metës.
E megjithatë sot jemi në situatën qesharake kur të kundërligjshme kur një deputet deklaron se ai ka hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti parlamentar dhe Prokurorja e Përgjithshme nuk vepron për t’ i kërkuar Kuvendit heqjen formale të imunitetit. Sa i besueshëm mund të jetë hetimi që po bën Prokuroria për këtë çështje, kur edhe sot një muaj pas procedimit penal Prokuroria nuk i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të Metës? Ina Rama, për këtë arsye dhe për disa arsye të tjera, po e bën hetimin e Ilir Metës si flokët e saj, bionde false. Në këtë hetim po ndodhin disa gjëra të çuditshme. Deputeti Prifti paraqitet në Prokurori, merret në pyetje nga prokurorët dhe të dy palët thonë se Prifti dorëzoi videoregjistrimin, të cilin prokurorët e morën në dorëzim, çka nënkupton veprime formale ngas pikëpamja juridike. Pastaj, pas disa ditësh, faktikisht pasiqë unë në një shkrim hedh dritë mbi një episod të pashfaqur të videoregjistrimit, Prokuroria e thërret përsëri Priftin, dhe i kërkon videoregjistrimin e plotë dhe mjetet me të cilat u krye ai?! Ç’ kuptim ka kjo? A thua ishin analfabetë prokurorët që e thirrën dhe e morën në pyetje herën e parë Priftin? A nuk e thirrën ata për t’ i kërkuar pikërisht videoregjistrimin e plotë dhe mjetet e kryerjes së tij, përderisa atë pjesë që u shfaq publikisht, ata e kishin konfiskuar në Top Channel?
Kështu siç duan që të na i paraqesin gjërat del sikur Prifti u thirr në Prokurori, ku dorëzoi një kopje të videoregjistrimit, dhe pastaj e thirrën përsëri dhe i kërkuan mjetet e regjistrimit, ku ruhej krejt videoregjistrimi. Por a nuk kërkon procedura e sigurimit të provës që kjo gjë të bëhej që herën e parë, duke e shoqëruar oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurori Priftin deri në shtëpinë e tij, për të marrë provat, aq më tepër që nga pala tjetër kishte akuza për manipulim. Nëse do të ndiqej kjo procedurë nuk do të kishte shkelje të imunitetit parlamentar të Priftit se ai vetë ishte vënë plotësisht në dispozicion të Prokurorisë për hetimin e kësaj çështjeje.
A thua nuk e dinte prokurori dhe oficerët e policisë gjyqësore se ndaj deputetit Prifti, i cili u kishte bërë të ditur se ishte i disponueshëm për të përmbushur çdo kërkesë të tyre për mbarëvajtjen e hetimit, duhet që të kërkonin videoregjistrimin e plotë së bashku me mjetet e regjistrimit? Natyrisht u mbajt një proces-verbal ku pasqyrohet si disponimi maksimal i Priftit dhe shkalla e interesimit të atyre që e pyesnin atë, për të përfituar nga gatishmëria e tij. A nuk u bënë pyetje të sakta për këtë gjë? Si paska mundësi që pastaj na doli se qenka dhe një pjesë tjetër e videoregjistrimit, ku na qenka koha e përgatitjes dhe momentet para dhe pas fillimit të bisedës. Këtu ka vetëm një shpjegim, prokurori dhe oficerët e policisë gjyqësore qenë të interesuar të mbronin Ilir Metën, t’ i jepnin atij mundësi që të hidhte sa më tepër dyshime mbi videoregjistrimin dhe e vetmja arsye që të vjen në mendje këtu është se ata janë paguar prej tyre, ashtu si shefja e tyre, Ina Rama.
Ina Rama është qartësisht në konflikt interesi në çështjen “Meta” (është interesante se gazetat dhe televizionet më të informuara nga Prokuroria e quajnë madje Çështja “Prifti” (?!), se ajo ka bërë veprime që asnjë Prokuror i Përgjithshëm në botë nuk mund t’ i bëjë përveçse në rastin kur është i paguar nga personi të cilin supozohet që ta hetojë në mënyrë të pavarur.