| E shtune, 12.02.2011, 07:59 PM |
Gazeta SHQIP,Durrës,2011-02-10
Rikthehen në atdhe eshtrat e patriotit shqiptar
"Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!" Fjalët që tingëllojnë aq aktuale edhe sot i përkasin dom Nikollë Kaçorrit, eshtrat e të cilit mbërritën pasditen e së mërkurës në atdhe. Ato do të prehen pranë atyre të Vinçenc Prenushit, në kishën katolike të Durrësit, ku u mbajt edhe mesha e rastit për nder të këtij kleriku dhe patrioti shqiptar. Eshtrat mbërritën pasdite në Rinas nga Vjena. Që nga viti 1917 kur u nda nga jeta, varri i zv.kryeministrit të qeverisë së parë shqiptare ndodhej në Vjenë të Austrisë dhe kthimi i tyre në atdhe u bë falë përpjekjeve të një grupi klerikësh dhe të afërmish. Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917) njihet për veprimtarinë patriotike dhe kishtare. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë dhe numri dy i qeverisë së parë që doli pas shpalljes së saj në Vlorë. Petku i meshtarit nuk e mbajti larg problematikave të vendit, përkundrazi ishte një nga rilindësit më aktivë. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit, imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin”, për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Gjatë diktaturës figura e tij u la në hije, për të rimarrë vendin që i takon në historinë tonë. Sipas ipeshkvit të Durrësit, imzot Damian Kurtit, për afro 24 vjet dom Nikolla ishte famullitar i kishës katolike të Durrësit, pranë së cilës do të prehen këtej e tutje eshtrat e njeriut që gjithnjë bënte thirrje për predikimin në gjuhën shqipe. Dom Nikollë Kaçorri, emrin e të cilit mban një rrugë në Durrës, lindi në fshatin Krej-Lurë, fshat ky që ndan rrethet e Dibrës dhe Mirditës. Ai lindi nga martesa e dy prindërve me besime të ndryshme, nga një nënë myslimane dhe baba katolik. Gjatë një vizite në Lurë të arkipeshkvit të Durrësit në atë kohë, imzot Ambrosios, ra në sy Nikolla i vogël me dashurinë për shkollën dhe zgjuarsinë e lindur. Arkipeshkvi u kujdes për shkollimin e tij dhe në vitin 1884 Kaçorri mbaroi studimet filozofiko-teologjike për meshtar dhe u shugurua po në të njëjtin vit në Shkodër. Për pak kohë shërbeu në Delbnisht të Kurbinit dhe pastaj u emërua famullitar në Durrës. Për veprimtarinë e zellshme dhe të frytshme kishtare dhe njerëzore Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”. Pas zhvillimeve aspak pozitive në Shqipërinë e asaj kohe, së bashku me shumë atdhetarë të tjerë dom Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tre vjet në Vjenë, ku dhe vdiq më 29 maj të vitit 1917 nga një sëmundje e pashërueshme. Që nga dita e djeshme eshtrat e tij do të prehen përherë në atdhe dhe pikërisht në tokën ku shërbeu për afro dy dekada e gjysmë si famullitar dhe ku ushtroi një aktivitet me rëndësi të veçantë patriotike.
Logoreci: Si i gjeta eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit
Gazeta SHQIP,2011-02-10
Dje kanë mbërritur në Shqipëri eshtrat e një prej kolosëve të kombit shqiptar, patriotit, demokratit e politikanit, klerikut dom Nikollë Kaçorri, trupi i pajetë i të cilit prehej prej shumë vitesh në varrezat e Vjenës. Gjatë një interviste me Pjetër Logorecin, shkodranin që jeton prej vitesh në Austri, i cili është nismëtari dhe realizuesi i gjithë asaj që është bërë për gjetjen e varrit të meshtarit shqiptar, aktin e zhvarrimit, si dhe sjelljen e eshtrave në Shqipëri, mësojmë gjithçka rreth asaj që ndodhi në Austri.
Zoti Logoreci, si ju lindi ideja për ndërmarrjen e kësaj iniciative për gjetjen, zhvarrimin dhe sjelljen e eshtrave të dom Nikollë Kaçorrit në Shqipëri?
Ngacmimi kryesor për të ndërmarrë këtë iniciativë më erdhi krejt rastësisht, gjatë një interesimi që pata në arkivën e Vjenës, duke ndihmuar prof. Mentor Qukun që kërkonte materiale për Mjedën, disa dokumente origjinale të Kaçorrit që i drejtonte autoriteteve austriake të asaj kohe për të protestuar për keqtrajtimin e banorëve të dioqezës së tij nga ushtarët turq. E, në këtë kohë, dëgjova nga prifti i komunitetit tonë në Vjenë që ai ka vdekur në Vjenë, në një spital dhe është varrosur po këtu.
Prifti kishte arritur të identifikonte që varri i tij ishte në varrezën qendrore të Vjenës. Më vonë mora informacion që një nip i tij, me banim në Kanada, Edmond Kaçorri, ishte i interesuar për të marrë eshtrat, por nuk kishte arritur.
Po më pas, cila ishte ecuria e ngjarjeve?
Rastësia, duke kërkuar, më hasi me një grua shqiptare nga Maqedonia, e cila punonte në administratën e varrezave; sapo mori vesh për kë bëhej fjalë, nisi të kërkonte në arkivën e varrezave. U mundua shumë, sepse në regjistrat e varrimeve ishte shkruar Nikolaus Caciori e jo Nikollë Kaçorri, por ishte i cilësuar “famullitar i Durrësit” dhe viti i vdekjes 1917. Ajo arriti të më gjente me ekzaktësi dhe koordinata, vendin ku ishte varreza e tij. Kur shkova për të gjetur varrin, pashë që dikush kishte qenë para meje dhe kishte vendosur lule artificiale.
Të kujt kishin qenë ato lule?
Më vonë mora vesh që kishte qenë një nip i tij nga Kanadaja me priftin e misionit tonë, Pren Kola. Por nuk i kishin dhënë leje për nxjerrjen e eshtrave. Prandaj, vendosa të provoj edhe unë dhe kështu fillova rrugën e gjatë të zyrave për të nxjerrë lejen për hapjen e varrezës. Pasi sigurova lejen e hapjes së varrit më duhej financimi, që ishte një shumë e madhe dhe nuk kisha mundësi për ta siguruar nëpërmjet komunitetit shqiptar në Vjenë.
Kush e bëri të mundur financimin?
Vendosa t'i bëj një kërkesë një instituti që financon projekte në Europën Lindore, ku gjeta mirëkuptim dhe ndihmë financiare. Pasi bisedova me udhëheqësin e misionit katolik në Vjenë, dom Pren Kolën, i bëra një kërkesë Ministrisë së Jashtme shqiptare, me anë të ambasadës sonë në Vjenë, për pranimin e eshtrave. Kështu filloi të lëvizë procedura e nxjerrjes së eshtrave dhe pasi bëra pagesën dhe mora lejen më datën 1.2.2011 në orën 6:00 të paradites, u gjenda në varreza bashkë me dom Pren Kolën dhe pritëm aty derisa u nxorën eshtrat e patriotit Kaçorri.
Si e ndjetë veten në momentin e nxjerrjes së eshtrave?
U gëzuam shumë kur pamë që eshtrat ishin në gjendje shumë të mirë, të mbështjella me një copë mëndafshi që dukej se ishte flamuri kombëtar, por që nuk mundemi ta përcaktojmë me saktësi. Punëtorët i vendosën në sargun e caktuar dhe u depozituan në dhomën frigorifer në varrezat qendrore, duke pritur datën 9 shkurt për të fluturuar drejt atdheut. Ka mbi pesë vjet që merrem me këtë punë dhe gati 100 vjet pritje në tokë të huaj e më në fund, po realizohej dëshira jonë për ta kthyer në tokën ku ka lindur.
Gjatë interesimeve tuaja, çfarë mësuat më tepër për Dom Nikoll Kaçorrin, pse u gjend ai në Vjenë?
Me sa kam pyetur e lexuar, ai ishte i sëmurë nga mushkëritë dhe erdhi në Vjenë për ekzaminim e mjekim, por sëmundja kishte përparuar aq shumë sa edhe mjekësia e përparuar austriake nuk kishte çfarë të bënte më tepër. Vdiq në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë.
Po komuniteti shqiptar në Austri, si po e pret këtë ngjarje?
Më 6 shkurt në misionin katolik në Vjenë kemi programuar organizimin e një meshe përkujtimore me ligjërime nga jeta dhe aktiviteti i tij. Kemi ftuar gjithë mërgatën shqiptare në Austri, ambasadat e vendeve fqinje të Shqipërisë, miq e autoritete austriake. Më 9 shkurt, rreth orës 16:30, mbërriti në Rinas sargu me eshtrat e tij.
Kush ishte dom Nikollë Kaçorri?
Dom Nikollë Kaçorri lindi në vitin 1868 në Krejë, Lurë, në Shqipëri dhe vdiq më 1917 në Vjenë. Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kaçorri shkoi në Itali, ku dhe u diplomua në shkollën teologjike “Propaganda Fide”. Menjëherë pas studimeve të larta u shugurua prift në vitin 1890 dhe tre vjet më vonë, në vitin 1893, u emërua prift i Kishës Katolike në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si zëvendësi i arqipeshkvit me disa ndërprerje të shkurtra. Pas emërimit të tij si prift në Durrës, ai ishte i përfshirë në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive.
Në këtë periudhë të shërbimit të tij në Durrës, ai kishte shumë marrëdhënie të mira me qeverinë austro-hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsisë katolike, pasi në perandorinë osmane gëzonte privilegjin e administrimit apo protektoratit ndaj popullsisë katolike. Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip dhe po ashtu i shtypit shqiptar patriotik. Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patriarkun grek. Ai ishte edhe pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Po ashtu mori pjesë në kryengritjen e Kurbinit të viteve 1905-1907. Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe kërkonte angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 Nëntor 1908 – ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, qëllimi i cilit ishte synimi i xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, me ç'rast Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë dhe hetoi synimet e xhonturqve. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe. Në vitin 1909 themeloi Klubin Patriotik të Durrësit. Më 18 qershor 1910 Kaçorri u arrestua nga forca turke dhe si kundërshtar i urdhrave të Qeverisë Osmane dhe Sulltanit. Merr pjesë në organizimin e kryengritjes së vitit 1911 dhe 1912 kundër turqve. Më 28 Nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga Luigj Gurakuqi. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët Kaçorri nënshkroi i dyti. Dom Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912. Ai ishte një personalitet i Kishës Katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Pas një lëngimi 3-4 muajsh vdiq në Vjenë më 29 maj 1917.
Mbërritën në atdhe eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit
Panorama,e enjte, 10 Shkurt 2011
U rikthye në atdhe pas 94 vjetësh. Eshtrat e Imzot Dom Nikollë Kaçorrit, një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, mbërritën në Rinas, dje në orën 15:00, ndërsa janë pritur me nderime nga dhjetëra qytetarë e të afërm të tij. Pas ceremonisë së thjeshtë, të organizuar nga vetë kisha katolike, në Rinas eshtrat janë nisur drejt Durrësit, ku do të rivarrosen me datë 13 shkurt, në ambientet e Kishës katolike të qytetit bregdetar, pas një ceremonie përkujtimore, e cila do të mbahet në sheshin “Liria”. Kërkesa për riatdhesimin e eshtrave në Shqipëri është bërë nga Kisha Katolike e Durrësit, e cila u ka drejtuar një kërkesë autoriteteve austriake. Eshtrat e Imzot Kaçorrit preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri, që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës shqiptare në Vjenë, me ndihmën e veçantë e autoriteteve austriake, të cilat mbuluan edhe shpenzimet e këtij procesi, më në fund u bë i mundur kthimi në atdhe. Një kontribut të veçantë për riatdhesimin e eshtrave kanë dhënë dhe anëtarë të Misionit Katolik Shqiptar nën drejtimin e meshtarit dom Pren Kola. Imzot Dom Nikollë Kaçorri, ishte figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi. Nënkryetar i qeverisë së Vlorës l9l2, një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkvisë së Durrësit, me qendër asokohe në Delbnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim dhe kishat e famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, përkrah Fishtës dhe personaliteteve të tjera të kohës. Në vitin l909, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe. U nda nga jeta në Vjenë, në vitin l9l7, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55-vjeçare.