Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Konsulli grek i Ambasadës Amerikane

| E premte, 11.02.2011, 08:32 PM |


Konsulli grek i Ambasadës Amerikane

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Në vitin 1994, kur PD ishte herën e parë në pushtet, qeveria shqiptare shpalli person non grata dhe dëboi nga Shqipëria konsullin e Greqisë në Gjirokastër, Hristos Iakovu, i cili kishte bërë veprime të ngjashme me ato që bën sot konsulli grek i Korçës, Theodhoros Ikonomu. Hristos Iakovu, në kohën që iku, u tha zyrtarëve shqiptarë një gjë që atyre iu duk si një gjë krejt e pavërtetë e thënë në zemërim e sipër: Për këtë që bëri Berisha, do t’ ia shikojë sherrin jo vetëm Greqisë por edhe Amerikës!

Zyrtarëve shqiptarë iu duk e çuditshme dhe e pabesueshme që, pasi një komando paramilitare greke, por e mbështetur qartësisht nga shteti, kishte vrarë ushtarë shqiptarë në kufi, pasi ky konsull kishte armatosur “Omonia”-n me kinse armë gjahu që në fakt qenë pushkë të fuqishme, pasiqë konsullata paguante veprimtarët e “Omonia” për të bërë propagandë për “Epirin e Veriut”, Shqipëria t’ ia shikonte sherrin Amerikës për shkak të konsullit Iakovu dhe njerëzve të tij. Por ja që kështu ndodhi vërtet. SHBA-të ndërhynë në konfliktin mes Shqipërisë dhe Greqisë, kinse për arbitrim por në fakt duke mbajtur hapur anën e Greqisë. Ndërhyrja amerikane natyrisht që ishte e mirëpritur në rast se Ëashingtoni do të bënte një arbitrim të ndershëm, të llojit good office, ashtu që, nga njëra anë Shqipëria të merrte satisfaksion, duke u dënuar pesë veprimtarët e “Omonia”, të gjendur fajtorë, në mënyrë që t’ i pritej rruga subversionit grek në Shqipëri, kurse në anën tjetër, edhe Greqia të shpëtonte fytyrën duke marrë një dënim më të lehtë njerëzit e Iakovu. Por amerikanët kërkuan lirimin e atypëratyshëm të pesë Iakovitëve të “Omonia”-s, çka Berisha e kundërshtoi prerë. Që prej këtij momenti marrëdhëniet shqiptaro-amerikane hynë në një periudhë të akullt, që vazhdoi derisa Berisha ra nga pushteti në 1997.

Konsulli Iakovu kur kishte thënë se Berisha do t’ ia shihte sherrin Amerikës, kishte pasur parasysh lobin greko-amerikan. Kështu doli se konsulli grek Iakovu kishte qenë i ambasadës amerikane në Tiranë, jo më pak se i ambasadës greke. Precedenti “Iakovu” bën që sot Berisha i rikthyer në pushtet, të jetë i paralizuar para Greqisë, si lepuri i gjendur para kobrës. Për këtë arsye Berisha pranoi kërkesat greke për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe religjioze, marrëveshjen e kufijve detarë, legalizimin e varrezave ushtarake greke. PS, e cila kundërshtoi marrëveshjen për kufijtë detarë, kur ishte në pushtet i dha Greqisë një bazë ushtarake në veri të Durrësit, në Bisht-Pallë, e ngritur qartësisht jashtë rrezes së çdo interesi sigurie të Greqisë dhe vetëm me synimin e qartë për të sfiduar Italinë, të cilën e shikon si rivale në Greqi. Gjithashtu, PS, kur ishte në pushtet lejoi ndërtimin e varrezave ushtarake greke, të cilat qeveria “Berisha” i legalizoi.

Unë personalisht e fajësoj Berishën për koncesionet që i ka bërë Greqisë, pas rikthimit në pushtet në 2005, por gjithashtu fajësoj edhe ata të cilët sot e fajësojnë Berishën për këto gjëra dhe për atë se e futi Shqipërinë në konflikt me Amerikën kur ishte herën e parë në pushtet. Por në origjinë të konfliktit shqiptaro-amerikan të asaj kohë qëndron pikërisht rezistenca e Berishës ndaj Greqisë! Ata që i kërkojnë Berishës që t’ i rezistojë Greqisë, kanë për detyrim t’ i thonë atij apo çdo kryeministri tjetër, të djathtë apo të majtë: Ti rezistoji Greqisë dhe kur Amerika të marrë anën e Greqisë ne do të protestojmë para ambasadës amerikane për këtë gjë! 

Qëndrimi i konsullit grek të Korçës, Ikonomu na e bën të qartë se Greqia synon që ta përdorë procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, mbi baza etnike dhe fetare, si ekspedient për të ndryshuar realitetin etnik të Shqipëri, ashtu që të rrisë artificialisht popullsinë greke në Shqipëri, duke blerë identitetin e vllehëve, romëve dhe të ashtuquajturve egjiptianë (magjypë ose jevgj). Pas kësaj nuk ka më kuptim që të kryhet kjo pjesë e regjistrimit të popullsisë që kërkon Greqia. Regjistrim popullsie mbi baza etnike dhe religjioze kryejnë vetëm shtetet e porsakrijuara dhe Shqipëria nuk është një shtet i tillë. Deri më sot as vetë Greqia nuk ka bërë një regjistrim të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, duke lejuar deklarimin e lirë të fesë dhe të etnikë, kështu që Shqipëria ka kohë që ta bëjë pasi ta ketë bërë Greqia.

Konsulli grek i Korçës, Ikonomu u tregua aq trim për shkak të precedentit të kolegut të tij “Iakovu”. Në fakt, konsulli Ikonomu foli si konsull greko-amerikan. Këtu është vendi që t’ i thuhet ambasadorit amerikan Arvizu, dhe vetë qeverisë amerikane që qëndron pas tij, të cilët kanë dalë si tutorët e institucioneve të pavarura në Shqipëri, për të garantuar ligjshmërinë në vend. Tashmë këto institucione të pavarura, Prokuroria e Përgjithshme, SHISH, gjykatat duhet që ta tregojnë veten edhe në rastin e konsullit Ikonomu dhe entourage të tij në Korçë. Me këtë nuk dua që të them se duhet të arrestohet Ikonomu, siç thotë Sabri Godo, por ai mund të survejohet, ndërsa njerëzit përreth tij, shtetas shqiptarë, mund dhe duhet që të arrestohen se kështu thotë ligji. Njerëz në Greqi që bëjnë atë veprimtari arrestohen në vend. SHBA-të duhet ta kuptojnë Greqia dëshiron që ta përdorë regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë në Shqipëri për të shpërbërë shtetin shqiptar.

Ata që thonë se përse ka në Shqipëri frikë nga regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, meritojnë përgjigjen se kemi frikë për shkak se ka frikë vetë Greqia që ta kryejë këtë lloj regjistrimi. Greqia ka frikë jo vetëm nga regjistrimi etnik, por edhe fetar, se në Greqi ka një traditë të bogomilizimit, të shtypur me dhunë nga Patriarkana e Stambollit në kohën bizantine dhe osmane. Kur Greqia shumë më e pasur se Shqipëria, nuk ka bërë ende regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike, nuk ka pse e bën Shqipëria.

Rasti i Konsullit Ikonomu duhet që të na shërbejë për të bërë një rivlerësim të marrëdhënieve me Greqinë dhe për të rifutur në agjendën shtetërore çështje delikate për të cilat Greqisë i janë bërë koncesione të rrezikshme. Institucionet e pavarura dhe në radhë të parë Gjykata Kushtetuese duhet të investohen për këto çështje, duke filluar që nga ajo e varrezave ushtarake greke në Shqipëri, të cilat duhen shpallur si në kundërshtim me Kushtetutën, se tek një monument zyrtar në Athinë, Ushtari i Panjohur, shkruhet se ushtarët grekë kanë rënë për çlirimin e tokës së shenjtë greke edhe në Korçë, Gjirokastër, Himarë, pra në territorin e Shqipërisë. Gjithashtu, si në kundërshtim me Kushtetutën duhet shpallur edhe prania e grekut Janullatus në krye të Kishës Ortodokse të Pavarur të Shqipërisë, pasiqë ai vjen nga një vend dhe kishë ku shteti nuk është i ndarë nga feja, çka vërtetohet lehtësisht nga Kushtetuta e Greqisë. Për këtë arsye në Kishën Ortodokse të Shqipërisë nuk duhen lejuar as priftërinj me shtetësi të dyfishtë, shqiptare dhe greke.

Në ballafaqimin me Greqinë duhet të jenë më aktive institucionet që nuk pësojnë presion të drejtpërdrejtë politik, pra që nuk votohen drejtpërdrejt. Prandaj, kur deputeti Oketa, mbështetës i Presidentit Topi, i kërkon qeverisë që të shpallë person non grata konsullin grek të Korçës, ai duhet që së pari t’ i kërkojë Presidentit Topi që të prononcohet si kryetar i shtetit, se fjalët që ka thënë konsulli grek venë në rrezik unitetin e popullit, të cilin sipas Kushtetutës e përfaqëson Presidenti i Republikës. Nëse Oketa nuk e bën këtë gjë, atëherë ai në vend të një gjesti patriotik, ka bërë thjesht një manovër për ta futur qeverinë në konflikt me Greqinë, ashtu që të fërkojnë duart ai, Topi dhe të tjerë.

Kujdes me Greqinë se kemi një milion shqiptarë atje, thonë njerëzit e paguar të Greqisë në Shqipëri. Gënjeshtër e madhe! Ëikileaks treguan se vetë qeveria greke, me gojën e kryeministrit të kohës, Simitis, e pranonte që në vitin 1998 se në Greqi nuk kishte më shumë se 400 mijë emigrantë shqiptarë. Grekët e fryjnë shifrën e emigrantëve shqiptarë atje për të përfituar ndihma nga Bashkimi Europian dhe për t’ i futur panikun Shqipërisë. Sot në Greqi ka më pak se 400 mijë shqiptarë, se një pjesë jo e vogël e tyre janë larguar në SHBA-të, Kanada, apo edhe Europën Perëndimore, për shkak të krizës ekonomike në Greqi.

Unë mendoj se Mentor Nazarko ka të drejtë kur thotë se Greqia me deklaratën e konsullit, shpalli apo më saktë rishpalli luftën për Shqipërinë e Jugut. Por Nazarko qartësisht gabon kur shkruan: “meriton vëmendje personi i zgjedhur për shpalljen e luftës. Greqia zyrtare zgjodhi një konsull. Ky akt është gjithashtu pjesë e mirëmenduar e provokimit. Konsulli në veprimtarinë ndërkombëtare të një shteti është thjesht figurë administrative dhe jo politike, figurë e profilit të ulët, dhe me zgjedhjen e tij, Greqia ka dashur ndoshta të lërë një moment tërheqjeje për diplomacinë e vendit të vet, nëse Shqipëria do të reagojë me forcë. Pra të thotë se ishte thjesht një konsull dhe jo ambasadori, apo një titullar i politikës së jashtme që bëri deklarime të tilla. Ndërkohë, me zgjedhjen e një niveli të ulët të përfaqësimit për të lëshuar deklarata kaq të forta, Greqia duket sikur do të dekurajojë dhe nivelet e larta të reagimit shqiptar.” (Gazeta “Panorama”, 8 shkurt 2011, f. 16)

Në Ballkan ka një traditë të gjatë, që prej kohës osmane, të konsujve që merren pikërisht me punë të tilla. Këtë gjë e dinë mirë në Athinë dhe në kancelaritë ndërkombëtare. Konsulli ka qenë gjithherë figurë diversive dhe subversive në Ballkan. I tillë gjendet ai edhe në letërsi. Konsulli grek i Korçës ndjek traditën e konsujve grekë të kohës osmane. Çështja është nëse ky Ikonomu është një “Iakovu” i ri, do të thotë a është vetëm konsulli i ambasadës greke, apo edhe konsulli grek i ambasadës amerikane.

Coptimi i Shqipërisë nuk mund të jetë në asnjë rrethanë kompatibël me interesat amerikane në Ballkan, ndonëse influenca e lobit grek në Washington mund ta bëjë qeverinë amerikane të punojë në këtë linjë. Unë personalisht, vite më parë  kam arritur në përfundimin se mënyra më e mirë për ta çliruar “Ulisin” amerikan nga magjia e “sirenave” greke, është që t’ i tregojmë atij vizionin e Shqipërisë së coptuar ku çon politika amerikane në Shqipëri, e influencuar nga Greqia, e cila ka tentuar në përdorimin e resentimenteve historike në Shqipëri, të cilat nuk mungojnë as në vende të tjera dhe as në Greqi, siç tregon frika e Greqisë për të bërë regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al - Gazeta Sot