| E premte, 11.02.2011, 08:29 PM |
Kush duhet (do) të jetë Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës
Për personalitete të shquara të politikës amerikane, ai është shembëlltyrë e gjeneratës së shekullit njëzetenjë. Për Prishtinën, ai do të jetë pasqyrë e së ardhmes së ndritur dhe qeverisjes së mire të shtetit të ri.
Nga: Luan Mazreku*
Chicago, IL, U.S.A.
9 Shkurt 2011
Realiteti i pozitës së Kosovës në sferën ndërkombëtare pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe dëmtimit të imazhit të vendit tek opinioni ndërkombëtar rrezikon të ketë pasoja të paparashikueshme dhe afatgjate për të ardhmen e vendit nëse vazhdohet të ndiqet e njëjta strategji e politikës së jashtme. Për të rritur numrin e njohjeve, rindërtuar dhe avancuar imazhin, si dhe për ta ngritur Kosovën nga pozicioni humbës i mbrojtjes në një pozicion përfundimisht fitues ndaj ofensivës diplomatike serbe, Kosova duhet të përfaqesohet jashtë nga Faton Bislimi në cilësinë e ministrit te jashtëm. Faton Bislimi do të luajë rol jetësor dhe shumë më të suksesshem se ministrat e deritashëm në mbrojtjen e interesave të Kosovës në domenin e sofistikuar dhe kompleks ndërkombëtar sepse ai personifikon pavarësinë më të lartë politike, profesionalizmin më të thellë, dhe komandon respekt te padiskutueshem tek institucionet ndërkombëtare. Për më tepër, ai gëzon admirimin e popullatës në vend, është perfaqesues i shoqërisë civile, dhe do të përkrahej nga partitë politike dhe parlamenti.
Pa marrë parasysh sfidat e mëdha që e presin Kosovën në luftimin e varfërisë dhe korrupsionit, Evropa dhe Amerika që kanë mbështetur pavarësinë dhe investuar në ndërtimin e shtetit më të ri demokratik presin që etika e pakontestueshme, kredibiliteti dhe pavarësia profesionale, si dhe përdorimi i kapaciteteve njerëzore vetanake të jenë tiparet kryesore të diplomacisë kosovare. Fundja, një qeveri me duar të pastra dhe më profesionale po kërkohen edhe nga përfaqësuesit e huaj në Kosovë. Kosova është e pasur në aftësitë e njerëzve të saj, dhe Faton Bislimi është përfaqësuesi më i denjë që Kosova mund ta perdorë si zërin e saj në punë të jashtme. Faton Bislimi është përfaqësues i fortë i një gjenerate të re me edukim dhe përvojë të admirueshme, i cili do fitojë betejat diplomatike aspak të lehta ndaj kundershtarëve të vjetër antishqiptarë. Populli i Kosovës nuk mund të pëballojë apo të pranojë pasojat politike dhe diplomatike që do të vijojnë nga vazhdimi i çasjes së deritanishme në rrafshin diplomatik. Në këtë mjegull të zymtë që e ka kapluar vendin në sferën e jashtme, duhet të bëhet shumë e qartë se sakrifikimi i mbrojtjes së duhur të interesave shtetërore për interesa partiake a personale do të krijojë një deficit të legjitimitetit të vetë egzistencës së shtetit të Kosovës para botës. Mungesa e legjitimitetit të një shteti të njomë si Kosova para fuqive solide botërore jo vetëm se është përdhosje e vullnetit të popullit për pavarësi të mirëfilltë, por paraqet një kërcënim serioz për konsolidimin e democracisë në një kohë kur avancimi i positës ndërkombëtare të Kosovës po minohet gjithnjë e më shumë nga armiqësitë e grupimeve të ndryshme politike. Prandaj, dështimi për të përmbushur me përpikëmëri prioritetet më të larta të diplomacisë së shtetit do të ishte një çmim kategorikisht i papranueshem dhe për këtë arsye, e vetmja alternativë e mundshme mbetet udheheqja e ministrisë së jashtme nga Faton Bislimi i cili do te mbush vakuumin e një perfaqesuesi që e afirmon Kosovën me kapacitetin e tij profesional, lidhjet me rrjetin e vendim-marrësve dhe qendrat e vendim-marrjes, dhe forcën apeluese të karakerit etik.
Ministria e jashtme duhet të udhehiqet nga Faton Bislimi sepse ai perfaqeson pavarësi të dëshmuar dhe të palëkunder politike; ka përgaditje dhe përvojë jashtezakonisht të lartë profesionale në çështjet e jashtme; gëzon respektin e klasës politike, akademike, dhe të popullit në vend; dhe ka çasje në rrethet e vendim-marrjes në Bruksel dhe Washington D.C. Për më tepër, Bislimi duhet të zgjidhet udhëheqes i ministrisë së jashtme sepse puna e tij e palodhur evidencon përkushtimin e tij të thellë për të mbrojtur interesat kombëtare të Kosovës në fusha të ndryshme. Në kohën kur vendi ynë po polarizohet gjithnjë e më shumë si rrjedhojë e animoziteteve të vjetra dhe të reja mes partive politike, ministria e jashtme e udhëhequr nga një person si Faton Bislimi do te mundësonte që shteti i Kosovës të sigurojë njohje të reja me një ritëm më të shpejtuar, dhe të vendosë Kosovën si shtet shembullor në Ballkan, dhe rindertojë imazhin e vendit.
Neutraliteti politik e ka karakterizuar karrierën e spikatur të Faton Bislimit gjatë jetës së tij publike në fushën publicistike, akademike, dhe kërkimeve shkencore. Ky fakt i garanton popullit të Kosovës por edhe partive politike se ministria e jashtme do të jetë në shërbim te qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Në këtë situatë të ndjeshme, neutraliteti politik i shkallës më të lartë i jep profesionalizmit besim, liri të kreativetit qeverisës, dhe legjitimitet para botes së lirë. Vetëm pavarësia e padiskutueshme politike e Faton Bislimit në një kohë kur besimi ne institucionet është aq eluziv mund të sjell një dozë të freskët të besimit tek qeveria si nga ana e popullit e po ashtu nga ana e botes demokratike.
Faton Bislimi posedon disa nga kualifikimet më të larta profesionale të mundshme për të udhëhequr ministrinë e jashtme gjatë kësaj faze kritike për të ardhmen e vendit. Kalibri i profesionalizmit të tij bazohet në edukimin e tij të shkelqyer në disa nga universitetet me të njohura te Amerikes Veriore si dhe në pervojën e tij të gjërë si ligjerues i çështjeve ekonomike, shkencave politike, kërkimeve shkencore, dhe udhëheqës i shumë projekteve me karakter hulumtues. Ai ka mbaruar me nderimet më të larta akademike Fakultetin e Matematikes dhe Shkencave Kompjuterike në Texas në 2005; ka magjistruar në universitetin prestigjioz të Harvardit në Administratë Publike dhe Zhvillim Nderkombëtar me titull nderi “Kennedy Fellow” në vitin 2007, ndërsa ka mbaruar një magjistraturë të dytë në Marredhëniet Ndërkombëtare në shkencat politike në universitetin e mirënjohur Dalhousie University në 2010 dhe tani po mbaron doktoraturën po ashtu në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në të njëjtin universitet. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA ai ka punuar aktivisht dhe shumë ngushtë me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane si dhe organiza të tjera të shqiptarëve në Amerikë ku ka mbrojtur me dinjitet te larte interesat shtetërore të Kosovës për liri, pavarësi, dhe paqe. Po ashtu gjatë kësaj kohe, Faton Bislimi sherbeu me devotshmëri në Komitetin për Marredhenie me Jashtë në Kongresin Amerikan në 2004 ku ai mori pervojë të dorës së parë mbi dinamikat e përditshme të politik-bërjes dhe vendim-marrjes në Washington D.C.
Prandaj, Faton Bislimi ka krijuar një reputacion të larte tek disa nga personalitet më të larta dhe më me ndikim në shtetin më të fuqishëm në botë. Përvec veprimtarisë së tij me ndikim në SHBA, Faton Bislimi ka bërë prezantime në një varg konferencash ndërkombëtare për ta sensibilizuar opionin botëror në lidhje me disa nga problemet më akute në vend sic janë mungesa e një edukimi kualitativ, ekonomia e pazhvilluar, dhe shkalla e lartë e papunësisë.
Faton Bislimi ka treguar aftësite e tij të larta edhe në fushen akademike dhe publicistike. Ai ka punuar si ligjërues në disa universitete në Kosovë (duke përfshirë edhe Universitetin Amerikan), dhe tani ligjeron pranë Dalhouese University mbi zhvillimin ekonomik dhe pranë Mount Saint Vincent University mbi ekonominë dhe shkencat politike. Ne fushën publicistike, ai ka botuar një opus artikujsh dhe raportesh mbi shoqërine civile, zhvillimet e gjithanshme në vend, si dhe sfidat e politikave publike me të cilat Kosove perballet në sferën e brendshme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Persiatjet mbi jetën ne Kosovë mbesin vetëm aq nëse nuk materializohen në veprime konkrete per të krijuar nje urë qe lidh trurin intelektual të vendit me mundësite edukative të SHBA-ve. Dedikimi mbresëlenes i Faton Bislimit për ofrimin e mundësive për të studjuar jashtë vendit mund të shihet edhe tek puna e Fondacionit Grupi Bislimi i cili ka mundësuar dhënien e bursave të plota përmes Universitetit Luteran të Texasit për studentët e talentuar të Kosovës për vite me rradhë. Kjo tregon se Bislimi nuk ia ka kthyer shpinën të ardhmes së Kosoves: të rinjëve të etur për dituri.
Kjo përgatitje e suksesshme në arsimin e larte të Faton Bislimit tregon per intelektin e tij te rrallë per të kuptuar ne tërësi jo vetëm praktikat më moderne të qeverisjes demokratike dhe profesionale por edhe aplikimin e mjeteve të duhura në manovrimin frutdhënës të diplomacise ndërkombëtare. Në kohën kur Kosova po përjeton një skleroze te njohjeve të pavarësisë në rrafshin diplomatik, dhe një rënie të përshkallëzuar të besimit të qytaterëve dhe botës së lirë te Kosova dhe institucionet qeverisëse të saj, alternativa e udheheqjes së ministrisë se jashtme nga Faton Bislimi është nevojë urgjente.
Fundja, dilema për mandatarin e qeverisë së re, kryeministrin Thaçi, dhe për koalicionin e ri, është e lehtë: interesi i Kosovës dhe miqësia e saj me vendet më me ndikim në botë mbeten prioritet i Kosovës. Faton Bislimi gjithësesi i shërben këtij interesi. Për figura të njohura të politikës amerikane si kongresisti Tom Lantos, senatori John McCain, senatori Bob Dole, etj., ai është shëmbëlltyrë e gjeneratës së shekullit njëzetenjë. Për Prishtinën, Bislimi duhet të bëhet pasqyrë e Kosovës për qeverisje të mirë.
*Luan Mazreku ka mbaruar fakultetin e Studimeve Politike Ndërkombëre në Universitetin e Drurit si dhe ka magjistruar në Administratë Publike në Universitetin Shtetëror te Missourit.