Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Gosti dashurie

| E enjte, 10.02.2011, 08:57 PM |


Vangjush Ziko

 

G O S T I   D A S H U R I E

 

ESE

 

Të shkruash për dashurinë nuk është kurrë vonë ashtu siç nuk është herët asnjëherë.Asnjë brez njerëzor nuk mund të thotë se i tha të tëra që mund të thuhen për dashurinë.Ashtu sikurse nuk duhet të mburret se e këndoi më bukur këngën e dashurisë.

Ndër këngët e para të shkruara,të ardhura gjer në ditët tona,është KËNGA E KËNGËVE e SOLOMONIT.,që çuditërisht është përfshirë në shkrimet e shenjta të Testamentit të Vjetër.Mbase edhe jo çuditërisht.

Këtë shkrim po e shkruaj pasi kam lexuar shumë shkrime për dashurinë në poezi dhe në prozë.Shfletova edhe fjalorin e gjuhës për shpegimin që i jep fjalës Dashuri dhe fjalëve të tjera në bashkëlidhje të drejtpërdrejtë me të,siç janë fjalët: pasion,epsh,neps.

 

Po veçoj vetëm epitetet dhe metaforat që i shoqërojnë këto: e zjarrtë,e pastër (Dashuria),i fuqishëm,i thellë,i qëndrueshëm (pasioni),zjarr i madh i mishit dhe i gjakut (epshi),lakmi e tepruar (nepsi). Pra,bëhet fjalë për kategori ndjesore biologjike me një intesitet maksimal dhe për kategori morale të karakterit njerëzor.Dashuria si institucion biologjik dhe etik.Dashuria si përjetim intim dhe si gjykim moral.Raporti midis tyre në epoka të ndryshme,për breza të ndryshëm dhe për njerëz të ndryshëm nuk ka qenë i barazvlershëm gjithmonë.Dhe nuk ka për të qenë.

 

"Kënga e Këngëve" është himni i himneve të dashurisë tokësore.Është burimi i burimeve të dashurisë.

Subjekti i saj është shumë i thjeshtë.Mbreti,që ka gjashtëdhjetë mbretëresha,tetëdhjetë shemra dhe vajza të reja të panumurta,dashurohet me një vajzë që në vështrimin e parë.Më saktë.Të dy dashurojnë njëritjetrin vetëtimthi.

"Kënga e Këngëve" është kompozuar në formë dialogu midis Gruas dhe Burrit.Është edhe Kori i Grave.

Ja dialogu i përmbledhur midis Gruas dhe Burrit.

 

Gruaja:-Sa i bukur je,o i dashuri im...më ka sëmurur dashuria.

Burri   :-Sa e bukur je e dashura ime.Si shkëlqejnë syt' e tu nga dashuria. (Kënga e parë)

Gruaja:-I dashuri im është vetëm i imi dhe unë jam e tija. (Kënga e dytë)

Burri   :Dashuria jote më jep kënaqësi,o e dashura ime dhe nusja ime. (Kënga e tretë)

Gruaja:-I dashuri im është i bukur dhe i fortë. (Kënga e katërt)

Burri   :-E dashura ime je befasuese.Hiq pak sytë prej meje,se vështrimi yt më robëroi.Ti më ke bërë të etur për dashuri.Sa i bukur            është i  gjithë trupi yt.Sa të plota janë kënaqësitë e dashurisë sate.

Gruaja:-Unë i takoj të dashurit tim dhe ai ka nevojë për mua. (Kënga e pestë)

Gruaja:-I dashuri im e di se bashkë me atë gjej kënaqësi dhe paqe. (Kënga e gjashtë)

 

Në këtë dialog zbulojmë veçoritë e kësaj dashurie-legjendë të lirikut të madh të dashurisë,Solomonit,mbretit të Izraelit.

Dashuria e çiftit solomonas është,në radhë të parë,mishërim i kategorisë estetike të së bukurës.I bukur është i gjithë trupi i Burrit dhe i Gruas.Kjo bukuri ka jo vetëm  veti magnetike,por edhe veti hedonistike reciproke.Ajo është një pleksje e cilësisë fizike,materiale me atë ndjesore,gati abstrakte,që,së bashku, u japin të dyve "kënaqësi" dhe "paqe".Ajo është befasuese,mahnitëse,pasionante.Atë e shoqëron edhe "lektisja","sëmundja","zjarr i madh i mishit dhe i gjakut".E gjithë kënga është një ethe,kllapi së bashku.Në të gjen dhe nepsin,dhe epshin,dhe pasionin dhe,mbi të gjitha,Dashurinë.

 

Një pyetje lind vetiu.

A mund të ekzistojë dashuri pa këto "komponente"?

Dashuria biblike,dashuria klasike,dashuria romantike,historikisht,i mishërojnë ato së bashku.

Dallim bëjnë dashuria platonike dhe dashuria,kryesisht,seksuale e shekullit tonë,më e avancuara,më modernia e shekullit të revolucionit seksual.

Në të parën,për neps dhe epsh reciprok as që mund të bëhet fjalë,sepse dashuria platonike mbetet një dashuri në distancë,virtuale,platonike.Kurse e dyta absolutizon "epshin" dhe "nepsin".të cilat zëvendësojnë "pasionin".Dashuri të përjetshme dhe lidhje të qëndrueshme nuk ka,"prangat" e saj janë këputur;dashuria bëhet "endacake" duke bredhur,siç thotë populli,"lule më lule";"liria e personit" arrin apogjeun e vet,çlirimin e plotë nga normat e moralit,duke iniciuar një moral të ri,ku ekzistenca biologjike e njeriut përcaktojnë pasionin e tij.

 

A mos vallë,dashuria po kthehet në origjinën e vet fillestare kur ndërgjegjja humane nuk kishte lindur akoma,ky mekanizëm kontrollues i "epshit" dhe "nepsit" ?

A mos është vjetëruar dashuria e vërtetë,apo dashuria biblike e Solomonit?

Vërtet ! Gruaja në ato epoka ishte "skllave" dhe "pronë e burrit".E...megjithatë...

 

Gruaja e Këngës është "e zeshkët si tendë beduini",atë e kanë detyruar "të punojë në vreshtë";ajo është e mbuluar me ferexhe,"i shkëlqejnë sytë pas ferexhesë që ka hedhur";"pas ferexhesë që ke hedhur,buzët të kuqëlojnë".Por në dashuri ajo na qenka e barabartë me burrin.Të dy e respektojnë njëritjetrin dhe përgjërohen një lloj duke ndjerë "kënaqësi dhe paqe".Të dy vlerësojnë dhe çmojnë një lloj bukurinë trupore të njëritjetrit.

Në dashurinë e vërtetë njerëzore nuk ka "skllavopronar" dhe "skllave".Dashuria e vërtetë jeton në "perandorinë e barazisë së ëndërruar"!

 

Burri  -Sa të bukura janë këmbë e tua.Vija e lakuar e kofshëve të tua është si vepër arti...Gërshetat e flokëve të tua shkëlqejnë si atllasi më i mirë,bukuria e tyre mund të robërojë edhe mbretin...(Kënga e pestë)

Gruaja-Dashnori im është i bukur dhe i fortë...Trupi i tij është si fildish i lëmuar...Kofshët e tij janë si shtylla alabstri...Ai është i madhërishëm si malet e Libanit dhe cedrave të tyre u ngjan në hijeshi...(Kënga e tretë)

 

Edhe sharmi i pasionit i deh të dy.

Burri  -Dua të rri në kodrën tënde të mirrës,në kodrën tënde të temjanit,gjersa të fryjnë flladet e mëngjesit dhe të zhduket errësira...(Kë nga e katërt)

Gruaja-Më pëlqen të rri nën hijen e saj(mollës në mes të pyllit) dhe t'ia shijoj frutat e ëmbla e plot lëng...Dora e tij e majtë është nën kokën time dhe dora e djathtë e tij më përkëdhel...(Kënga e parë)

 

Dashuria si ndjenjë,si përjetim biologjik dhe shpirtëror,mbetet ai instrument kompleks me të cilin na ka pajisur Krijuesi që në zanafillën tonë,dashuria "lakuriq"."Rrobat" që vesh ajo në epoka të ndryshme,është tjetër gjë,janë "modat" e dashurisë.

 

Nuk e di se sa mund të këndonte më ëmbël për këto çaste intime pena e një poeti apo poeteje të ditëve tona!

 

 Dashuria,na thotë Solomoni,është e fuqishme si vdekja:

"Ndizet dhe digjet si zjarr bubullues.Uji nuk mund ta shuajë,asnjë baticë nuk mund ta përmbytë"(Kënga e katërtë).

Kushti i parë për një dashuri të tillë,sipas personazhit Grua,është "privatësia" e dashurisë.

"Mbylle zemrën tënde për çdo zemër,përveç zemrës sime,mos mbaj në duar askënd përveç meje.(Kënga e gjashtë).

E thotë këtë gruaja,por ka edhe frikë.Ose më mirë,merak.

 

Në Këngën e Këngëve personazh është edhe Kori i Grave,që ndërhyn herë pas here duke këshilluar,ndihmuar,sugjeruar apo duke pyetur.

Në fund të këngës së dytë,Gruaja i drejtohet Korit të Grave:

"Më premtoni,o gratë e Jerusalemit;betohuni në emër të gazeleve të shpejta që nuk do të na e ndërprisni dashurinë."

Kjo lutje përsritet edhe në fund të këngës së pestë:

"Më premtoni,o Gratë e Jerusalemit,që nuk do ta ndërprisni dashurinë tonë."

Pra,dyshimi,frika,kërcënimi për të prishur këtë "privatësi" qëndron pezull gjatë gjashtë këngëve të kësaj poeme.

Një këshillë dhe sugjerim bën Kori i Grave:

"Hani,pini,o dashnorë,deri sa të deheni me dashuri."(Kënga e tretë)

 

Gostia e dashurisë është e magjishme:

"Kam hyrë në kopshtin tim,e dashura ime,nusja ime.Kam mbledhur rrëshirën dhe mirën time;po ha mjaltin dhe hojet e mia...Po dridhem.Ti më ke bërë të etur për dashuri,si luftëtarin e karros së luftës për betejë."(Burri,Kënga e tretë)

 

Solomoni nuk na thotë se a do të mbarojë dhe kur mund të mbarojë kjo gosti e magjishme dhe pasionante e dashurisë.Na thotë vetëm se dashuria ka fuqinë e vdekjes,që jep verdiktin e fundit ajo dhe askush tjetër.Kaq e fuqishme dhe e pamatshme është kjo dashuri,që i bën dashnorët skllevër dhe sundimtarë të njëritjetrit!

 

Kënga e Këngëve e Solomonit mbetet një dashuri e gërshetuar natyrshëm të biologjikes me moralen,të ndjenjës me arsyen,të pasionit dhe logjikes.

Ajo e quan të shenjtë jo vetëm besnikërinë reciproke në dashurinë vepruese,korrente,por edhe në një aspekt tjetër moral,ruajtjen në tërësi të parimeve,normave dhe rregullave që përcaktojnë sjelljen e njeriut  shoqëror.

"Në qoftë se ndokush do të kërkonte ta blinte dashurinë me pasurinë e tij,do të fitonte vetëm përbuzje",e mbyll dialogun e saj Gruaja e kësaj poeme biblike për dashurinë njerëzore dhe hyjnore.

 

Këngë më e bukur dhe më realiste për Dashurinë nuk është shkruar dhe nuk do të shkruhet!

Sa mirë kanë bërë që e kanë përfshirë në Testamentin e Vjetër!

 Dashuria është e shenjtë!Është ndjenja më e magjishme,më e madhërishme dhe më intime që na ka dhuruar Krijuesi!

 

Shkurt 2011