| E merkure, 09.02.2011, 08:58 PM |
Puplat kolumniste në gëzofin lojalist
A e merrni me mend se sa ndjehet i relaksuar kryeministri kur për kundërshtar ka politikanë të tillë, të cilët stolisen me puplat e kolumnistit dhe me gëzofin e tyre ai krijon konforin e brendshëm lojalist
Nga Emin AZEMI
Një përplasje publike në mes të dy funksionarëve të lartë të BDI-së ka mjaftuar ta hapë edhe një herë dilemën e kahmotshme, nëse demokratizimi i një partie vjen nga brenda, apo bëhet jashtë saj, në formë kolumnash e debatesh. Por, saora kërshërinë e dilemës na e zbehi një reagim anësor, që erdhi nga vetë autorja e kolumnës “problematike”, e cila duke iu kundërvënë bashkëpartiakut të saj, kishte insistuar në të sajën se kushdo ka të drejtë të pajtohet, apo mos të pajtohet me të dhe se strukturat e larta partiake janë ato që vendosin për legjitimitetin e saj partiak. Me fjalë të tjera, sipas kolumnistes partiake, këtu s’ka kurrfarë dileme, sepse demokratizimi partiak mund të ndodhë edhe nga jashtë. Me përkthye ndryshe këtë qëndrim, i bie që ne nga jashtë, që s’jemi pjesë e strukturës partiake, na takon ta bëjmë demokratizimin e brendshëm të partisë së zonjës kolumniste, sepse ajo tani për tani mendimet e saja kritike i ka të rezervuara vetëm për një opinion të caktuar maqedonfolës dhe mospajtimeve të saja ende s’u ka ardhë rendi të shprehen në forumet e partisë.
Edhe kolumniste edhe nënkryetare e partisë edhe deputete. Trinomi i kësaj figure politike që prodhon protagonizëm dihotomik e ka vështirë të na bind, se fjala e saj merret seriozisht nga një opinion më i gjerë që i njeh rregullat elementare të komunikimit publik e politik. Derisa në fund të kolumnës së saj nuk figuron poshtëshënimi se “mendimet e autorës nuk përfaqësojnë qëndrimet partiake”, ne të gjithë kemi të drejt të pyesim, se a është i njëjti person, i cili ulet në kolltuqet e parlamentit dhe voton ekspres ligjet e kryeministrit “satrap”. Ajo që në gazetë e shanë kryeministrin, kurse në parlament i voton ligjet e tija, nuk ka të drejtë të na shes dushk për gogla dhe më së paku të na mbajë ders, se qëndrimet e saja janë vetëm personale dhe gjithkush paska të drejtë të mos pajtohet me të.
Liria e qëndrimeve është edhe vetë thelbi i demokracisë, por me kusht që kjo liri të mos kuptohet si anarki e njerëzve, që ndryshe veprojnë zyrtarisht, e ndryshe qytetarisht. Të heshtësh aty ku nuk duhet dhe të bësh zhurmë aty ku më së paku ka nevojë, nuk është demokraci, por manipulim i injektuar në një konfuzitet politik. Cilit politikan t’i besojmë? Atij që shkruan kolumnë, apo atij që hesht në forumet partiake dhe në parlament?
Ventilimi i mendimit ndryshe, asnjëherë nuk ka ndodhë të jetë praktikë e teksteve autoriale, përpara se ai mendim të jetë fermentuar brenda partisë. Pse kjo rregull të prishet tash? Pse duhet t’i çohet selam Gruevskit përmes një gazete, kur kjo mundet (dhe duhet, patjetër) të bëhet në linjë institucionale, zyrtare e shumë dinjitoze. A e merrni me mend se sa ndjehet i relaksuar kryeministri kur për kundërshtar ka politikanë të tillë, të cilët stolisen me puplat e kolumnistit dhe me gëzofin e tyre ai krijon konforin e brendshëm lojalist. Një ngrohtësi e paparë së brendshmi, me aromë nënshtrimi dhe një acar së jashtmi, me nota të egra keqkuptimi publik, ky është kopshti i kristalt i realitetit tonë politiko-arkaik, me opinga dhe xhinsa, me simfoni dhe kanagjegj.
Natyra homoduplekse e figurave politike që manifestojnë konfuzitet qëndrimesh, duke ia ndërruar qëllimisht vendin kuvendit, e ka tkurrur në përmasa mikroskopike peshën e presionit partiak kundrejt linjave rigjide qeveritare. Poqëse do të kërkonte pranim te kryeministri autorja që nuk pajtohet me të vetëm nëpër kolumna, ajo me siguri ka të ngjarë të merr këtë porosi nga sekretaresha e tij: “Le të urdhërojë brenda kolumnistja, por me kusht që ta lëjë pas dere politikanen”.
Duke e lënë pas dere politikën dhe duke e marrë me vete hijen që ngelë nga ajo, politkbërësit që shkrijnë mend nëpër kolumna është mirë t’ua lëjnë vendin atyre që mjeshtrinë e mospajtimit politik e kan ë profesion, e jo hobi. Sepse deficiti i të qenit profesionist te ne ka prodhuar inflacion vlerash, që shiten lirë në tregun parapolitik.