Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Anullimet e vizitave

| E merkure, 09.02.2011, 08:59 PM |


ANULIMET E VIZITAVE

 

Anulimet e vizitave te dy zyrtarëve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare,  të ministrit të jashtëm italian Franko Fratini dhe të zevendës-sekretarit të shtetit amerikan Katriman,  në Kosovë brenda një jave,  flasin qartë se Kosova ndodhet jo vetëm në krizë institucianale,  por edhe diplomatike.

 

Nga Dibran Demaku

 

Në prag të tre vjetorit të pavarësisë, Kosova në raporte diplomatike ndërkombëtare ndodhet në pikën e saj më të ulët.Dhe atë me fajin e vet politikes së saj. Kur themi kështu e kemi parasyshë faktin se Kosova tash sa muaj ndodhet në krizë institucionale.Politika e saj tash sa muaj mbahet gjallë vetëm me ushtrues detyre të Presidentit, me Kryeministër në largim,  me ministra dhe zevendësministra në largim.Pastaj edhe zvarritja tej mase e procesit të zgjedhjeve të jashtzakonshme e bëri të vetën.

Çertifikimi i këtyre zgjedhjeve u bë vetëm pas dy muajve të mbajtjes së tyre.Pastaj nëpër koluare flitet se këto zgjedhje edhepse të çertifikuara nga Komisioni qendror i zgjedhjeve, lënë shumë për të dëshëruar.Shumica e partive parlamentare, pjesëmarrëse në këto zgjedhje, edhepse i kanë njohur rezultatet e tyre, flasin për manipulime të shumëta dhe karshi kësaj edhe rezultatet e tyre përfundimtare na dalin si të dyshimta.Andaj edhe thuhet se institucionet qeverisëse të Kosovës që do të dalin nga këto zgjedhje do të jenë të brishta dhe vështirë se do t`u qëndrojnë sfidave të kohës.

Përkundër të gjitha këtyre, për Kosovën në këtë moment është imediate themelimi i institucioneve të reja të Kosovës.Themi kështu pasiqë Kosovën e presin sfida të mëdha si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar.Në rrafshin kombëtar kosovën e presin shumë sfida në aspektin socio-ekonomik, ndërkaq në rrafshin ndërkombëtar bisedimet me Serbinë të kërkuara dhe të aranzhuara nga bashkësia ndërkombëtare.Pastaj raporti i senatorit Dik Marti si dhe shumë akuza të tjera( të pabazuara) të ardhura nga anë të ndryshme.Pra thënë shkurt dhe shqip institucionet e pritshme të Kosovës do të balafaqohen me sfida të mëdha.

Lind pyetja: Kur di të themelohen institucionet e reja politike të Kosovës të dala nga zgjedhjet e fundit?!

Lideri i partisë fituese, tash sa ditë në prononcimet e tij para mediave elektronike dhe të shkruara ka deklaruar se trevjetori i pavarësisë do ta gjejë Koeovën me institucione të reja dhe kredibile.Por, ditët po ikin shpejt dhe 17 shkurti është në prak.A do të mund vallë që partia fituese e zgjedhjeve ta plotësojë premtimin e vet para qytetarëve të Kosovës dhe me 17.shkurt Kosova të festojë trevjetorin e pavarësisë me President, kryeparlamentar dhe Kryeministër legjitim?

Na mbetët që të shpresojmë, edhepse thënë të drejtën koha është shumë e shkurtër!

Por të kthehemi edhe njëherë tek anulimet e vizitave në Kosovë të zyrtarëve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.Ato po ndodhin në momentin më kritik të ngritjes dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.Dhe e tëra kjo po ndodhë për vet fajin e politikanëve të Kosovës.Sepse siç thamë edhe më lartë Kosova tash sa muaj udhëhiqet nga një President-ushtrues detyre, nga një Kryeparlamentar në largim dhe nga një Kryeministër në largim…E diplomatët e njohur të bashkësisë ndërkombëtare siç duket nuk dëshirojnë të takohen me udhëheqës në largim.

Politika dhe politikanët e sotëm të Kosovës duhet të reflektojnë karshi këtyre anulimeve.Sepse anulimet e vizitave të diplomatëve të shteteve të mëdha dhe me ndikim në politikat ndërkombëtare, flasin diçka!Anulimet e vizitave të dy zyrtarëve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, të ministrit të jashtëm italian, Franko Fratini dhe të zëvendës-sekretarit të shtetit amerikan Katriman, në Kosovë brenda një jave, flasin qartë se Kosova ndodhet jo vetëm në krizë institucionale, por edhe diplomatike.