Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vaso Papaj: Poezi nga vëllimi i fundit poetik "Mbeta mik me shpirtin"

| E merkure, 09.02.2011, 08:55 PM |


Vaso Papaj

 

Nga vëllimi i fundit poetik "Mbeta mik me shpirtin"

 

 

Furgoni niset n’ orën shtatë

 

Furgoni niset n’ orën shtatë

I përgjumur nga Berati

Këtë Tetor e solli fati

Të më kujtosh në orën shtatë

Të më kujtosh në orën shtatë

I përgjumur  nga Berati

Këtë Tetor e solli fati.

 

E pa pritur  të gjeta prapë

N’ një lokal te “Myslym Shyri”

Porsa t’ pash, s’ma besoi syri

Dot s’ të fshehu e zeza natë

Dot s’ të fshehu e zeza natë

Rrath’t e syve ngjyrë plumbi

Porsa t’ pash, s’ma besoi syri.

 

Furgoni niset n’ orën shtatë

T’ gjitha puthjet seç m’i mori

M’i rrëmbeu semafori

Mbeta vetëm në Berat

Po më shpon si thikë ky shtrat

M’u përgjak krejt krahërori

Ç’i pashpirt ky  semafori.

 

Furgoni niset n’ orën shtatë

I përgjumur nga Berati

Këtë Tetor e solli fati

Mos më kujto më n’orën shtatë

Mos më kujto më n’orën shtatë

I përgjumur nga Berati

Këtë Tetor e solli fati.

 

 

Jepmë hënën

 

Jepmë hënën, më të çuditëshmen në botë,

atë që e ke te xhepi i xhaketës së vjetër.

Jepma para agimit

dhe hidhi yjet në fund,

në fund të shportës së ëndrrave, në letër

 

Më fal, të lutem, magjin’ e fërgëllimës.

Mos më ik, mos më ik edhe gjatë ditës.

Mjaft se dielli po shkon

e në horizont po dorëzohet.

Etja ime e madhe për ty  nuk shterrohet.

 

Je një verë e shkurtër,

por me hireplotë.

Si një grup asketësh,

që bredhin më kot.

 

Ma fal, këtë hënë,

më të  dlirën në botë,

hënën që ke te xhepi i xhaketës së vjetër

dhe le të zhdukemi për një natë.

Nesër kthehemi prapë.

Nesër është ditë tjetër.

 

 

Heshtja

 

Mbyllur  katër muresh

vetëm je gjithmon

Nëse të trokasin

s’di a i dëgjon!

 

Nëse të trokasin,

mos shko menjëherë.

Pyete dashurinë:

- Ta hap atë derë?

 

Dhe mbetesh me heshtjen,

të sheh  nga çdo qoshe

e thot’ duke qeshur

mijra fjalë boshe…

 

Po mos rri i heshtur:

- Dil nga katër muret!

- Thuaje të vertetën!

Ajo s’mund të tkurret.

 

Grisi tisin heshtjes

e shih nga çdo anë .

Thuaja duke qeshur,

pa qën’ fjalaman.

 

Eh, moj ti, e mjerë!

Unë s’ të bindem ty.

Jam këngë në pranverë,

jam një, s’ bëhem dy.

 

 

Start i gabuar

 

Kur hodhe vështrimin mbi mua,

thashë se zemra krejt u çmend

Më ngjasoi  me një atlete,

që në pista vetëm rend.

 

Po kur ne bisedën nisëm

e më derdhe  fjalë  idiote,

zemrat tona befas krisën,

si gjithë qelqet e kësaj bote.

 

Të më ndjesh, po unë s’të dua.

S’më pëlqen  kënga e stisur.

Qe një start krejt i gabuar,

faji i një zemre të krisur.

 

Se magjepsje  më s’më jep.

S’mund të jesh një këng’ e stisur.

Qe një start krejt i gabuar.

Qielli ynë tashmë ka krisur.

 

 

Ca gjurmë Tirane

 

Ike nga unë dhe papritur të humba,

veç dy fjalë të thash: qiell mos ndrysho!

Ca gjurmë Tirane tek ret’ e plumbta,

që mos t’i harrosh, të lutem pikturo!

 

Jepmë pak qiell, me vete e  dua,

që ty në çdo çast në mendje të kem.

Ma mëso fluturimin, të lutem, dhe mua,

që kurrë i vetmuar në jetë mos të jem.

 

Nëse fjal’ zemre dikur më s’do të kesh,

un’ prap do të them: qiell mos ndrysho!

Në netët që vijnë, as  hënën s’do të gjesh,

prandaj  prej tokës kurrë, ti mos u largo!

 

Jepmë pak qiell, si hajmali e dua,

rrugëtimin tonë nga e para ta zem’.

Ma mëso fluturimin, ma mëso dhe mua,

që kurrë i vetmuar në jetë mos të jem.

 

 

Zemër lepuri

 

Nëse zemër lepuri ke gjetur,

mos u dëshpëro.

Ato zemra, plagë  të thella

lënë ngado.

Mblidhe mëndjen, se përpara

do të kesh humnerë.

Ç’po kalon ti sot,

kalova unë një herë.

 

Zemra lepuri ka plotë

në kët’ botë

E ç’ të duhen, flaki…

Ësht’ e  kotë

Flaki, mos nguro,

si lule, mos i mba në  gotë.

Mos u kthe në kohë,

mos  derdh lotë.

 

E ndjej, të dhemb.

Pendesa s’do ketë vlerë.

Ç’ po kalon ti sot,

kalova unë një herë.