| E merkure, 09.02.2011, 07:59 PM |
''BISEDA TË HAPURA'': NJË TRYEZË E RRUMBULLAKËT PËR KRIZËN POLITIKE NË SHTETIN SHQIPTAR
Nga Shenasi Rama
NË KUADËR TË ‘BISEDAVE TË HAPURA” U ZHVILLUA NJË TRYEZË E RRUMBULLAKËT PËR KRIZËN POLITIKE NË SHTETIN SHQIPTAR
Të premten me 4 Shkurt 2011, në vazhdim të takimeve “BISEDA TË HAPURA PËR PROBLEMET SHQIPTARE” në Nju Jork u organizua një Tryezë e Rrumbullakët për Krizën Politike në Shtetin Shqiptar. Në Tryezë morën pjesë disa dhjetra intelektualë të rinj, studentë pasuniversitarë e profesionistë nga Bashkësia Shqiptaro-Amerikane.
Në diskutimet shumë të pjekura të pjesëmarrësve, me një nivel maturie të admirueshme politike, përgjegjësi të lartë qytetare, e kulturë shembullore politike shumë nga pjesëmarrësit vunë në dukje shqetësimin e thellë për krizën e rradhës që po kalon shteti shqiptar. Po ashtu, shumë folës shprehën skepticizmin e tyre për aftësinë e gatishmërinë e shtresës politike për të nxjerrë vendin nga kriza.
Duke diskutuar lidhur me shkaqet e krizës, Vasil Makoci, Marceza Kotoni, Taulant Malaj, Prel Dedaj, Veton Grajcevci, Oliana Gegprifti, Ilir Karroqe, e te tjerë debatuan pikëpamjet që e lidhin krizën e demokracisë në shtetin shqiptar me trashëgimninë e sistemit të mëparshëm, vazhdimësinë e shtresës së politikanëve, ekonominë, me bindjet fetare, me ndarjen në Toskë e Gegë, apo me mangësinë e ndjenjave demokratike të popullit shqiptar, apo edhe të kulturës së duhur politike.
Shumica dërmuese e pjesëmarrësve ishin të mendimit që asnjë nga këto shkaqe nuk qëndrojnë. Në shtetin shqiptar, nuk ka parti fetare, as rajonale, përvec partive të minoriteteve. Nuk ka as parti fetare që kanë mbështetje të gjerë. Ashtu si edhe përtej nivelit shoqëror feja luan një rol të vogël në politikën shqiptare. Mendimi i shumicës së pjesëmarrësve ishte se shkaqet për mungesën e sjelljes së përgjegjshme politike duhen kërkuar tek politikanët kryesorë dhe tek strukturat që ata drejtojnë.
Në debat e sipër, u ngritën shumë ceshtje që ishin të lidhura me rolin e rregullave në politikë, me natyrën e gjendjen delikate të demokracisë shqiptare, me përpjekjen sistematike të disa palëve për të lindur e cytur konfliktin politik. Shumë nga pjesëmarrësit vunë në dukje se kjo gjendje është si rezultat i nji loje cinike të palëve me elektoratin, dhe se mbajtja ndezur e sherrit politik nuk iu shërben interesave afatgjata të popullit shqiptar.
Pjesëmarrësit diskutuan me shumë interes rolin e bashkësisë ndërkombëtare dhe theksin që vihet tek stabiliteti, sjellje e cila po e dëmton demokracinë shqiptare dhe që i shërben vetëm interesave të një grupi të caktuar. Dorian Kulla, student i Brooklyn College, vuri në dukje se ka një shterpësi ideologjike dhe se përdorimi i turmave në politikë ka cuar në minimin e demokracisë. Mungesa e vizionit politik dhe dështimi i ndërtimit të një shoqërie të drejtë janë nga shkaqet e krizës së tanishme që shpesh duket sikur po degjeneron në sundimin e turmave e jo në vendosjen e një rendi të duhur shoqëror.
Në diskutimin lidhur me shkaqet e gjendjes, Grid Rroji, i Forumit Shqiptaro-Amerikan Për Demokraci theksoi se ato duhen kërkuar tek shembja e sistemit njëpartiak, tek mungesa e respektit për rregullat, por edhe sepse sistemi është i ndërtuar për të lindur konflikte, që në mungesë të vlerave demokratike, acarohen e cojnë në përplasje të herëpashershme duke e minuar funksionimin e demokracisë në shtetin shqiptar. Në ndërhyrjen e tij, Dr. Ilirjan Cane e përforcoi këtë argument duke theksuar se ndarjet politike janë të acaruara artificialisht dhe se politikanët i shtyjnë njerëzit që ti shohin gjërat bardh e zi. Duhet që të shihet e ardhmja e përbashkët dhe e mira e përbashkët dhe të gjithë duhet të punojnë për të arritur këtë.
Profesionistja e re Mirza Omari shprehu shqetësimin lidhur me gjendjen e të shtresave të persektuara në regjimin e mëparshëm dhe rolin e tyre në politikën e sotme shqiptare. Duke e konsideruar këtë si një faktor me peshë, pjesëmarrësit vunë në dukje se kjo ndarje në të persekutuar e në komunistë është përdorur me shume efikasitet nga shtresa politike për të ruajtur monopolin e kontrollit mbi mbështetësit e vet. U vu në dukje se tranzicioni ka krijuar një shtresë të re me njerëz të persekutuar nga ky system oligarkik që i shërben vetëm shtresës së politikanëve të Tiranës. Po ashtu u theksua se zgjidhja është në ndërtimin e një sistemi të drejtë, ku ka barazi e drejtësi për të gjithë.
Ndër të tjerë, Alfred Tollja dhe Taulant Malaj theksuan natyrën e aleancave fluide të shtresës politike, dobësinë e madhe të shoqërisë civile e të organizmave të saj, si dhe përkeqësimin e gjendjes ekonomike. Këto janë edhe disa shkaqe të tjera që i kontribuojnë gjendjes së rënduar politike.
Studentët shqiptarë nga Kosova, Drilon Gashi dhe Behar Xharra u ndalën në aspektet e influencës reciproke që kjo gjendje ka në shtetin e Kosovës e mbi shtresën politike të atjeshme.
Cafo Boga, një nga aktivistët e njohur të bashkësisë Shqiptaro-Amerikane theksoi se ka pasur arritje pozitive dhe këto nuk duhen harruar. Duke vlerësuar ndryshimet positive, pjesëmarrësit theksuan se ato janë arritur me një cmim shumë të lartë për shoqërinë shqiptare. Po ashtu u diskutua se cfare mund te ndodhe nese emigrantet vendosin te bojkotojne ekonomikisht shtetin shqiptar. Shumica e pjesëmarrësve ishte me mendimin se nje bojkot I gjerë nga ana e emigrantëve do të ulte në gjunjë shtresën sunduese politike të Tiranës dhe do të shtynte masat e popullit që të mendonin seriozisht për efektet e sjelljes së tyre.
Financieri Altin Tirana theksoi se ka një përpjekje të dallueshme për të përdorur shtetin e strukturat për të minuar demokracinë e sundimin e ligjit. E në këtë kontekst, Naser Cobaj e Kole Gjelaj vunë në dukje se është e domodoshme që të gjenden rrugët e zgjidhjes, sepse kjo krizë i kalon caqet e shtetit shqiptar dhe se ajo po ndikon shumë edhe mbi shqiptarët që jetojnë në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Ndikimi i asaj qe ndodh ne shtetin shqiptar ndjehet shume edhe tek te gjithe shqiptaret e tjere.
Në mbyllje, shumë nga pjesëmarrësit theksuan se mungesa e respektit për rregullat, mungesa e respektit për vlerat demokratike, interesat e shtresës sunduese, dhe paaftësia e saj për të gjetur gjuhën e përbashkët e ka bërë gjetjen e zgjidhjes së krizës së tanishme, thaujse të pamundur. Por gjithsesi, u theksua se edhe po të arrihet një marrëveshje midis palëve, ka ardhur koha për të treguar se demokracia është e mundur që të bëhet funksionale, që të vihet në shërbim të të gjithë punuar për të ardhme më të mirë.
Forumi “BISEDA TË HAPURA” është një aktivitet i përmuajshëm që organizohet nga një grup studentësh e profesorësh shqiptarë në New York University. Për më shumë mund të kontaktoni sar6@nyu.edu.