| E merkure, 09.02.2011, 08:35 PM |
Dritëro Agolli, apo poeti më i madh i shqipes
Nga Ilir Sefaj
Dritëro Agollit nuk i nevojitet apologjet. Apologjet i këtij poeti është vepra e tij.
Kur them Dritëro Agolli, apo poeti më i madh i shqipes, nuk do të thotë se një përkufizim i tillë, nuk vlen, ose vlen më pak për Dritëro Agollin e prozës, dramaturgjisë, publicistikës, e cilës mjeshtri tjetër jo, që njeh bota e artit e në të cilën provoi ai.
Krijimtarinë letrare, Agolli do ta fillojë si nxënës i shkollës së mesme, mirëpo viti 1958 shënon datën kur letërsia shqipe merr statusin e saj të vërtetë, ngase kësaj të fundit i shtohet një krijues i ri në moshë, por i talentuar, një gjeni, gjë që s’e kishte njohur kjo letërsi më parë.
Nëse e parafrazojmë titullin e librit të tij të parë “Në rrugë dola” 1958, do të thoshim: “Në rrugë dola, se ky vend, ky popull, kjo letërsi është e cekët pa penën time”, gjë për të cilën me siguri nuk do të gaboheshim e këtë e dëshmon fakti se, poezia e Agollit nuk njeh kohë e hapësirë, nuk njeh ide e ideologji, nuk njeh skemë e dogmë, ajo i nënshtrohet vetëm artit, dhe, vetëm si e tillë, kjo poezi merr vlera tejkohore.
Duke mos dashur që ky elaborim t’i kalojë caqet e një eseje letrare, do ndalem te disa nga poezitë e këtij poeti të madh të shqipes, ngase jam i mendimit se para së gjithash, poezia është vokacion i këtij krijuesi.
Dikush ka thënë me të drejtë (mbase Gëte), kështu ose ngjashëm: “Poezia e mirë duhet të ketë kuptim ose muzikalitet”, e themi pa u hamendur se poezia e Dritëro Agollit ka kuptim, por edhe muzikalitet.
Ajo që e karakterizon poezinë e këtij krijuesi është fakti se poezia e tij, para së gjithash përçon mesazh te lexuesi, komunikon lirshëm me të, depërton në botën emocionale të tij, pra zgjon emocion dhe doemos se ky është qëllimi i parë dhe i fundit i poezisë së vërtetë.
Jo rrallë të krijohet përshtypja se është pothuajse iluzore të japësh një gjykim sado kudo real për poezinë e këtij poeti, ngase gjithmonë e ke përshtypjen se nuk i ke ndenjur besnik mesazheve, ideve që përçon te lexuesi poezia e Dritëro Agollit, sepse gjithmonë mbetet diçka pa u thënë, e kjo, jo se vargu i tij ta imponon këtë, përkundrazi, por për faktin se intelekti ynë, mbase shpeshherë kap vetëm nuanca të kësaj poezie.
“Poezia nuk shkruhet me këmbë në legen”- thotë Agolli. Sipas perceptimit të tij:
“Motivet janë vajza lozonjare
Që buzëqeshin në rrugë e të ftojnë...
Por po s’i ndoqe pas, të lënë përfare,
Të lënë,
fluturojnë!
Kjo strofë faktikisht mund të konsiderohet si çelës për një interpretim të mundshëm të poezisë së tij, e kjo, për faktin se lexuesit të këtyre vargjeve i krijohet përshtypja me siguri jo e gabuar, se poezia e Agollit nuk është poezi “laboratori”, përkundrazi ajo është poezi e bredhjeve, ecejakeve, e përvojës jetësorë, dhe vetëm si e tillë merr përmasat e saja universale.
Njëra nga poezitë me të cilën identifikohet ky poet është poezia “Poçari” e shkruar shumë vite më parë, ku një vazo e thyer bëhet shkas që të zbrazet një mall i mbledhur me kohë në shpirtin e mërgimtarit, “usta poçarit” për të cilin qoftë edhe e ofendimi (sharja) në gjuhën e nënës, i vjen e ëmbël si uji i burimeve të atdheut të tij.
Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!
Fati apo fatkeqësia e shqiptarëve të tillë që njihte ajo kohë, por që njeh edhe koha jonë, bëhet frymëzim edhe për një numër jo të vogël të poezive të tij.
Duke qenë njëri nga ata që “fjalën e shtron vetë në kartë”, në poezinë “Kujdes me fjalën”, që është njëra nga poezitë më të mira të letërsisë shqipe, e që gjithsesi do të meritonte të futej në ndonjë antologji të letërsie evropiane apo botërore, Agolli jep fuqinë çudibërëse të kësaj të fundit, ngase siç i thonë asaj thënies “gjuha (fjala) eshtra s’ka, por eshtra thyen”.
“Pushteti i fjalës është i veçantë”- thotë Agolli, ngase ajo, pra fjala “gatuan male dhe kakërdhi”, për të vazhduar më tutje në plasimin e kësaj ideje me vargjet:
Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë,
Pikojnë çezma me helm të zi.
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë,
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!
Në vargjet e sipërcituara vihet re përpjekja e Agollit për të dhënë pa ekuivokë, fuqinë ndërtuese, por njëkohësisht edhe rrënuese të fjalës, pushteti i së cilës është i pakontestueshëm.
Tekste të tilla të kultivuara e të gdhendura (siç është poezia ‘Kujdes me fjalën’), jo vetëm në planin e idesë, përmbajtjes, formës, por edhe në nivelet e tjera, nuk njeh edhe shumë letërsia shqipe, e mbase as ajo botërore.
Vargjet e poezisë së Dritëro Agollit i përshkon muzikaliteti. Pastaj, në të shumtat e rasteve, vargu i tij është i shkruar në forma të rregullta metrike, ndërsa kur flasim për status/tekstin, mund të themi se poezia e tij i përgjigjet diskursit elegjiak, satirik, përkushtues etj.
Kur jemi te rrafshi i shprehjes gjuhësore, konkretisht te metrika e tij, mund të themi pa u hamendur se te ky poet gjejmë të gjitha llojet e strofave e të vargjeve, vargun e lidhur e të matur, vargun e lirë, rimën, por megjithatë strofa katërshe (katrena) me varg të matur është më e shpeshtë në krijimet e tij.
Shenjat e autoreferencialitetit janë evidente në poezinë “Kur të jesh mërzitur shumë”, ku përmes vargjeve:
Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë,
autori plason idenë e asaj, se vepra mbetet pas jetës, ku të parën e karakterizon e gjithkohëshmja, ndërsa të dytën e përkohshmja.
Agolli është i mishëruar me tokën, natyrën, me gjërat konkrete e abstrakte që ngërthen në vete hapësira shqiptare. Pra, në poezinë e tij pasqyrohet shpirti i vendit e i popullit të tij, dhe për këtë me të drejtë e ka fituar epitetin e poetit të Tokës.
Edhe pse poezia e Agollit jo rrallë ngërthen në vete një gjuhë simbolike, ajo, të shumtave, komunikon lirshëm e drejtpërdrejt me lexuesin, sepse për mendimin tim ky poet është çliruar me kohë nga ndjenja, që mbase mund ta kenë poetë të ndryshëm, të cilët vargun hermetik e shohin si sinonim të modernes, përderisa në fakt sinonim i modernes është komunikimi i drejtpërdrejtë i lehtë, në të gjitha lëmit e jetës, e sidomos në fushën e artit. Duke qenë një poet eksplicit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, poezia e Agollit i dedikohet fëmijës, nxënësit, mësuesit, fshatarit, intelektualit, ngase siç thotë eseisti i njohur anglez Tomas Strns Eliot: ”Kur një qytetërim është i shëndoshë, atëherë poeti i madh do të ketë diçka t’i thotë edhe shokut të tij fshatar të çdo shkalle të edukimit”, dhe gjithsesi është ky poeti ynë i madh nga Devolli, që me penën e tij prej një mjeshtri të vërtetë, pati çfarë t’u thotë të gjithë atyre që sado pak e njohin artin e poezisë.
Së fundi, gjykuar racionalisht, e, duke u bazuar në kualitetin e poezisë së tij, mund të themi se Agolli është pa mëdyshje poeti më i madh i shqipes, e prej këtij konstatimi njëherë për njëherë nuk mund të lëshojmë pe fare.