Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qosja, Godo dhe Xhaferri: Rrugëdalja nga kriza

| E marte, 08.02.2011, 07:17 PM |


Gazeta SHQIP,2011-02-08

·                                  

Tre intelektualët e njohur flasin për pasojat e 21 janarit

Sabri Godo: Duhet të lëshojnë të dyja palët, shqiptarët nuk ua kanë borxh

Si e konsideroni qëndrimin e faktorit ndërkombëtar për zhvillimet e fundit?

Më duket sikur Europa i ezauroi mjetet e veta, u thirrën këta të tanët atje dhe më në fund asgjë nuk u zgjidh. Gjërat mbetën njëlloj, madje u përkeqësuan, dhe kjo ndodhi vërtet nisur nga ngjarjet e fundit. Mund të them se ka një angazhim të diplomacisë amerikane kohët e fundit, por mesa duket është e pamjaftueshme përsëri. Diplomacia ka gjuhën e vet, ne që kemi 20 vjet që merremi me këtë punë kemi filluar dhe njohim nuancat, domethënë nëntekstin. Doemos, një deklarim i ambasadorit amerikan që bëhet në emër të Departamentit të Shtetit dhe ekspozon politikën amerikane ndaj vendit tonë, do të dëgjohet me vëmendjen më të madhe nga çdo shqiptar. Unë them që njerëzit janë përpjekur të marrin mesazhet që donte të jepet ky ambasador, që ka të bëjë në thelb me thirrjen që, “ju duhet t’i zgjidhni punët tuaj vetë, duhet të bisedoni, sepse vetëm përmes bisedimit arrihet zgjidhja”.
Nga ambasadori i SHBA-së pati përcaktime edhe për pozicionin e mediave në vend...
Unë mendoj se për mediat nuk ka nevojë të na thotë gjë ambasadori amerikan. Kjo, sepse shqiptarët arrijnë menjëherë me intuitën e tyre të dallojnë se nga cila anë shkon njëra nga masmediat. Por, nuk mendoj se është e udhës të ngresh gishtin ndaj “Top Channel”-it, që është një televizion i fuqishëm që ka një përhapje të gjerë. Po të përmendësh “Top Channel”-in dhe të lësh pa përmendur një varg të tërë televizionesh të tjera që janë më shumë militantë, që luftojnë me thikë në dorë në mbrojtje të pushtetit, është një fakt që nuk e mohon dot, dhe kështu që nuk mund të dallohet “Top Channel”. Nëse ne do të ankohemi për median, unë do të doja që t’i drejtohesha atij që duhet Televizioni Publik Shqiptar, që nuk është fare publik, por është një televizion shtetëror. Por, tani është e natyrshme që televizionet të kenë disa prirje, një herë t’i kalojnë tek një anë dhe njëherë tek tjetra. Më i lumtur është ai që përpiqet të jetë i paanshëm. Por, unë mendoj se edhe në SHBA, që njihen për shtyp demokratik dhe të lirë, edhe ajo media që duket krejt e paanshme, edhe ato e kanë një tendencë të tyre që e shfaqin herë pas here. Kështu që paanësi të plotë në media mos kërko, se nuk arrihet.
Cila mund të ishte zgjidhja më e mirë për këtë situatë?

Në situatën që jemi, sipas meje, shqiptarët ndjehen ngushtë. Ata nuk shohin ndonjë zgjidhje të afërt. Praktikisht, a do takohet Berisha me Ramën për ta nxjerrë vendin nga kjo gjë negative nga çdo anë? Pse është ndalur zhvillimi ekonomik dhe janë ndalur investimet e huaja? Ku jemi ne në raport me strukturat europiane, të cilat na thonë në mënyrë brutale se nuk jeni gati për të hyrë aty? Këtyre pyetjeve duhet t’i gjejmë një përgjigje. Kjo opozitë thotë që ne mund të bisedojmë, por pa Berishën, ne mund të shkojmë në zgjedhje, pa Berishën. Nëse ti vë kushte të tilla, nuk ke ndërmend të bisedosh. Sepse, ti thua do të bisedojmë me ju, po të mos jetë i zoti i shtëpisë. Nisur nga këto pozicione, duket se asnjë nuk kemi në vijë. Por, në këtë komunikim duhen dy palë, dhe ne shohim që edhe nga mazhoranca ka një agresivitet të shtuar. Vërtet ne në 21 janar pësuam një dramë të ngjashme me atë çfarë ndodhi në vitin 1998, por tani mjaft, sepse shqiptarët nuk ua kanë borxh.
A mund të mbahen zgjedhjet vendore me këtë klimë?

Në 8 maj diskutohet vërtet diçka me rëndësi të madhe, ka të bëjë me pushtetin vendor, ka të bëjë me vetë qeverisjen e popullit dhe kjo duhet të funksionojë. Socialistët kanë ndryshuar qëndrim për punën e zgjedhjeve, në fillim thoshin nuk bën Berisha, tani ata nuk duan të futen në zgjedhje. Do të ishte shumë e dëmshme për opozitën të mos merrte pjesë në zgjedhje. Socialistët nuk duhet t’i lënë këto zgjedhje, sepse në pushtetin vendor kanë qytetet më kryesore, ata nuk mund të izolojnë më veten.
Po për zgjedhje të parakohshme, mund të flitet?

Në këtë tension që jemi ne tani, që ka arritur në kulm, a mund të kemi zgjedhje të parakohshme? Të bësh zgjedhje në një Shqipëri të tillë, do të thotë të kemi një rezultat më të keq nga ato që kemi pasur në zgjedhjet e kaluara. Nuk jemi gati për zgjedhje të parakohshme, e para se na mungon infrastruktura, nuk kemi rregullime të Kodit Zgjedhor dhe nuk kemi klimën e duhur për të shkuar në zgjedhje. Vetë lajmi që do të shkojmë në zgjedhje do të sillte edhe një paralizë tjetër gjashtëmujore, që askush nuk ja ka ngenë.
 

Qosja: Shqipëria e privatizuar nga Berisha

Akademiku dhe shkrimtari i njohur, Rexhep Qosja gjatë emisionit “Shqip” në “Top Channel”, i bëri një analizë të gjatë dy figurave kryesore të politikës dhe dha versionin sesi zgjidhet kriza politike. “Ai që shkon kundër zgjedhjeve të parakohshme, kërkon të zgjatet kriza në Shqipëri”, - u shpreh Qosja. Akademiku o njohur o konsideroi ndërkombëtarët si pjesë e krizës, duke kujtuar në këtë rast edhe Kosovën e viteve 2002, ku sipas tij ndërkombëtarët ishin kundër saj dhe pavarësisë. Sipas Qoses, ndërkombëtarë nuk kanë konceptin për populizmin në Shqipëri. “Kemi populizmin stalinist dhe populizmin fashist. I pari i drejtohet ideologjisë dhe e përvetëson popullin me ide. Komunistët i japin popullit idenë, vizionet. E dyta është tjetër: i drejtohet asnjërit dhe njerëzve. Kujt i drejtohet Berisha: asnjërit dhe njerëzve. Ai i drejtohet emocioneve. Populizmi i Berishës është populizëm teknik fashist. Europa këtë s’do ta shohë”, - tha akademiku Qose. “Për mua, ai ka kaluar të gjithë kufijtë e tij. Ky njeri, që e quan mjerim deputetin që e ka zgjedhur populli, ‘ta bëjë fytyrën leckë’, dhe Topalli thotë njëkohësisht, ‘qiteni atë leckë jashtë’. Ç’është ky institucion?! Kjo ka pasoja të rënda. Njeriu dallon prej shtazës se ka vetëdijen dhe përveç saj, ka krenarinë dhe respektin”, - tha ai. Duke vijuar me analizën e tij, akademiku Qosja shprehet edhe për vlerësimet dhe kritikat ndaj drejtuesit të Partisë Socialiste. Shkrimtari Rexhep Qosja e shikon kreun e PS-së, Edi Rama me një mendje të kthjellët. “I dëgjoj fjalimet e tij, ato janë fjalë që nuk mund t’i formulojë gjithkush. Ai është i talentuar, racional, argumentet e tij janë të qëndrueshme. Prej atyre që janë në politikë, askush nuk bën analizë më të mirë të realitetit, por as analizat e tij nuk mjaftojnë. Përpos gojëtarisë, politikani duhet të ketë edhe diçka tjetër, që Edi Rama nuk po e tregon. Nuk kryhen punët me Sali Berishën me fjalimet politike. Me Sali Berishën do sjellë jo si Saliu, por duhet bërë një politikë më e vendosur. Unë i përkrah protestat. Kosova di të bëjë protesta. Në Shqipëri, Partia Socialiste nuk di të bëjë protesta. Bën protesta sot dhe pas një jave, kot”. Duke komentuar ngjarjet e 21 janarit, profesor Qosja thotë se në Shqipëri ka shumë dukuri që ai i shikon dhe çuditet. “Ka sjellje, veprime dhe mosveprime të njerëzve që unë nuk i kuptoj. S’e kuptoj heshtjen e disa intelektualëve dhe paraqitjen e disa intelektualëve të tjerë. Një menjanëri e pakuptueshme ndaj gënjeshtrës dhe të padrejtës. Në botë njerëzit humbin karrierën përgjithmonë nëse dëshmohet se flasin gënjeshtra, ndërsa tek ne kalohet në heshtje plotësisht”, - tha ai. “Më 22 janar pashë një emision ku ishin 6 intelektualë, regjisor, dirigjent, kompozitor, profesor, mjek. Ata folën për demonstratë. Të gjithë ishin kundër dhunës, por asnjë nuk e shqiptoi fjalën vrasje të tre vetëve. Asnjëri nuk flet për vrasjen. Po more burra, një është të çohesh në demonstratë, dhe merr shkop a çadër, por jo armë. Dhe, tjetra është me armë të vrasësh njerëz. Atyre nuk u bën përshtypje që janë vrarë tre burra që kanë lënë pas familjen. Si është e mundur të gjykojnë ashtu ata gjashtë intelektualë? Shteti ka vrarë qytetarët e vet që kanë dalë të protestojnë”, - tha Qosja. Sipas tij, “grevat janë të lirshme në të gjithë botës. Protesta është organizim i njerëzve për të shtuar më shumë një problem në shoqëri. Dhe, ata njerëz u çuan në demonstratë që ta shohin më qartë korrupsionin në Shqipëri dhe përpjekjen dhe realizim për ta bërë Shqipërinë shtet privat. Shqipëria është shtet privat, i privatizuar prej kujt? Prej Sali Berishës, ka dëshmi sa të duash. Ai bën betejë për të privatizuar shtetin. Kur është në pushtet, bën betejë që të gjitha institucionet të jenë të tij; kur është në opozitë, bën çdo gjë që të futet me dhunë. Ai bën një puç, një grusht shteti. Në 21 janar nuk kishte grusht shteti, ai nuk bëhet me çadra, as me shkopinj. Grusht shteti u bë në ’98, që morën institucionet e shtetit me tanke”.
 

Arbën Xhaferri: Po nuk pati moral në politikë, do të ketë trazira

Të jem i sinqertë, më vjen shumë rëndë kur i dëgjoj ato formulimet e kota që ne i dimë më mirë se ata, por që nuk arrijmë dot që të ndryshojmë qëndrimet. Ndryshimi i qëndrimit është i lehtë, për shkak se e gjithë kjo polemikë që zhvillohet është në rrafshin e një gjuhe të urrejtjes. Të paktën të mund të zëvendësojmë këtë gjuhë të urrejtjes me një sjellje normale. A mundemi ta bëjmë? Të gjitha familjet shqiptare në Shqipëri nuk e përdorin këtë gjuhë të urrejtjes. Janë shumë të kulturuara, kanë një respekt ndaj njëri-tjetrit. Mirëpo çuditërisht, kur hyhet në rrafshin politik, xhindosen njerëzit dhe përdorin fjalë që as në ëndërr nuk duhen përdorur as kundër komshiut. Çfarë do me thënë kjo gjuhë e urrejtjes? Është, mendoj, një zëvendësim ndaj një oferte të munguar reale politike, mungesë e projekteve të vërteta për rimëkëmbje ekonomike shpirtërore të Shqipërisë, dhe meqë do të hyhet në zgjedhje, atëherë potencohet, sajohen artificialisht kundërshtarët. Në këtë mënyrë arrihet, pandehin ata, se do të grumbullohen votat. Mendoj se me këtë mënyrë nuk fitohen zgjedhjet. Fitohet vetëm me një mandat për të bërë çdo lloj ndryshimi të situatës. E kam të vështirë ta nënvizoj, për shkak se mund të jenë motive banale, ndërkaq nga ana tjetër ne filozofojmë, japim kontributin tonë për të analizuar situatën dhe në fund mbetet një polemikë, një debat që nuk shpjegon asgjë, që nuk zgjidh asgjë.
Dikush u shpreh në KE se, në Shqipëri nuk shikoj jo vetëm dritë në fund të tunelit, por edhe tunelin. Po çfarë mund të bësh që të hapësh rrugë që të duket drita?
Në Europë, megjithatë, gëlojnë këto probleme; këto ditë sërish pamë nisjen e një procesi të shqyrtimit të bashkëjetesës mes valonëve dhe flamandëve, pikërisht në qendër të Europës, në Bruksel. Këto fenomene janë ekzistuese gjithkund në botë, por në botën e qytetëruar paraqiten në forma të kulturuara të debateve, të krahasimeve të interesave, e kështu me radhë...Unë këtë e quaj si njerëz të ideve që krijojnë kohezion në shoqëri. Pa kohezion, në Shqipëri nuk ka stabilitet. Qytetarët, nëse nuk tregojnë luajalitet ndaj shtetit, por tregojnë atë ndaj etnikumit, atëherë shfaqet kriza. Demokracia në Europë ka tradita të mëdha, dhe ato arrijnë përmes institucioneve që t’i qetësojnë këto energji të egra. Mendoj se duhet të aktivizohet ndershmëria që ekziston te çdo individ. Ndoshta ju duket një qasje naive ndaj problemit, mirëpo tani në Shqipëri kuptohet mirëfilli se politika pa moral nuk duhet të zbatohet. Njerëzit vuajnë kriza të kota. Pa respektim të parimeve elementare etike, pa moral, do të kemi revolucionarizëm të vazhdueshëm.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip