Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Nofullat e dragoit fluturues

| E marte, 08.02.2011, 08:59 PM |


Nofullat e dragoit fluturues

 

Nga Lavdrim Lita

 

Ai përthyet por nuk thyhet. Si purtekë thane Edi Rama lëkundet sa andej- këtej për të  luftuar betejën e përhershme kundra mullinjve të erë, duke rrëfyer dhe dëftyer versionin e tij të gjërave. Gjendet i mbërthyer në fortesën socialiste, në kullën Fildishtë ku është peng i një universi paralel që s’pranon asnjë çelës tjetër për të hapur mendjen. Errësira i mbizotëron arsyen. 

Mirëpo për diçka duhet të falënderojnë Ramën. Ai na mundëson të shikojmë në sy pafytyrësinë, të durojmë të padurueshmen dhe të kuptojmë moskokëçarjen, përgjithësimin dhe egoizmin… në këtë pikë vetëm duke parë nga afër nofullat e dragoi të zi të Biblës, një çast përpara se të përpihemi, vendi do të kuptojë që s’ka shpresë, të bindet, të qetësohet, të pijë ilaçet. Vetëm nëse të gjithë ne do të arrijmë të kapim çastin e një këndvështrim tjetër, atëherë para-politika e Ramës do të na lejë diçka të mirë.

Sepse përballë degjenerimit edvinesk, përballë ekzibicionizmit patologjik të defekteve personale, është natyrore që qytetarët emigrojnë diku tjetër për të gjetur vlera të përbashkëta me moralin e tyre. Është natyrore që mazhoranca e qytetarëve dënoi me indiferencë përbuzëse politikës e dhunës, që dhunoi principet themelore të të jetuarit civil: nderin, dinjitetin, sinqeritetin, respektin, seriozitetin dhe sensin e Shtetit. Për të zbuluar atë çka na bashkon dhe jo atë çfarë na ndan. Për të zbuluar pjesëmarrjen nga e drejtë. Për të zbuluar politikën që i shërben qytetarit dhe jo qytetari politikës.

Është e kundërta e asaj çka përfaqëson Zoti Rama. Dhe për këtë dragoi zvarritet dhe zhytet në vrimën e zezë të instinkteve zanafillore përpara humbjes përfundimtare, duke kërkuar dëshpërimisht për të ndarë armiqtë me çdo mjet: duke i korruptuar, duke i fryrë xhelozisë dhe ndasisë pa princip. Teksa e shikon në konferenca përshtypja  e parë që të vjen është se ky njeri ndjehet i lodhur. Pa frymë. Ka bërë shumë rrugë për askund, shumë hapa janë harxhuar pa ndonjë qëllim dhe miqtë e dikurshëm janë armiqtë  e tanishëm.

Ai e di shumë mirë se magjia është thyer, siç ka ndodhur pasqyrat e bashkisë, duke i rënë murit me kokë. Tash mpreh thikat, u flet më të dobëtëve, sajon alibi dhe bënë premtime. Paguan po aq mirë kurtizanë, çakejtë dhe industrinë e shpifjes. Me një llaf prostitucion fizik dhe intelektual. I pa përkryer në shpirt kërkon të vishet me pamje njerëzore. Pavarësisht faktit të kryer ai na thotë se jeta e tij është normale, që si ka bërë asgjë kurrkujt, gjallon brenda suazave amorale. Dhe cilido i rebelohet mënyrës së tij të drejtuarit është një i shitur tek Saliu.

Sidoqoftë me politikën e dhunës të 21 janarit ka shkuar përtej normales. Përtej asaj që mund të cilësohet njerëzore. Shqiptarët do zbulojnë dhe  do të zbulojnë se me cilin kanë të bëjmë realisht, në sajë të urisë së tij të pashtershme për pushtet. Do të arrijnë të kuptojnë dredhinë e dragoi që desh të behej kryeministër. Do të zbulojnë vetveten, një çast përpara se të përpihen nga gjuha e bishës shtazore. Do të dinë të rebelohen. Dhe do të dinë të ri-ngrihen, të gjithë së bashku.