| E hene, 07.02.2011, 06:57 PM |
 Janaq Pani, Toronto
Janaq Pani, Toronto
VRIMË E MIUT 500 GROSH - përrallë fabul
Thonë kjo na paska ngjarë
mijëra vite më parë.
 
...Një maçok sa një bulldok
dhe miushi vocërrok
shkonin rrugës të dy tok.
 
Miqësinë e mbanin  fort
sa në botë s'u gjendej shok.
 
Miqësinë fort e mbanin,
në një pjatë bashkë hanin,
vllazërisht çdo gjë e ndanin,
bashkë qeshnin, bashkë qanin.
 
Por miushi kapedani
nisi e na "përmbys sahanin".
 
Ja që na mësoi vesin
gërr, gërr, gërr të shponte thesin.
 
"Sillu mirë!"- i thosh maçoku,
-Ja, ia hapa grykën thesit,
ikë fut turinjtë e ngopu,
vetëm miell mos derdh sheshit.
 
Edhe thesin mos ma gris,
ndryshe, do të kullufis."
 
"Sot më fal, jo nuk bëj më!"
thosh miushi me një zë,
pastaj loz e qesh me të.
 
Ia kthen shoku: "Ja, të fala!
Veç mos më lozësh nga fjala,
ndryshe, të përpiu vala."
 
Dhe miushi ulte kokën:
" U pajtuam, jemi shokë!
S'ka maçok si ti në botë,
të kam mik e mik me kokë."
 
Kështu miu bënte lajka
deri sa të vinte darka.
 
Pastaj, fërr te thesi shkonte
dhe zakonin s'e harronte,
gërr, gërr, gërr thesin e shponte.
 
Dhe premtimet, si ngahera
fu e fuu i mirrte era.
 
Veshëngritur dhe maçoku,
prapa shpine ç'punon shoku,
ky miushi vocërroku.
 
Gërr, gërr, gërr i vin te veshi
sikur po i shpohet thesi,
ndaj inati xixat ndezi.
 
Dhe si shpatë i nxjerr thonjtë:
"Miush, ti e nise lojën,
në ta pafsha diku bojën
ta dish, do të ta brej kockën!"
 
Që ta dini si e qysh
vrap maçoku me yrysh,
miqësia na u prish.
 
Që ta dini, qysh aherë,
sa miushi bën poterë
thonjtë maçoku do nxjerrë.
 
Po miushi ia ndjen frikën
qoftë natën, qoftë ditën
dhe nga sytë-këmbët ikën.
 
Që lëkurën të shpëtojë,
iu desh shumë të gërmojë
dhe turirin ta hollojë.
 
Sa ia ndjen mikut gërhimën
vrap te vrima e mban frymën...
 
Ndaj dhe frikacaku thosh:
"Vrimë e miut pesëqind grosh!"
 
E, kur njeriu s'e do njerinë,
kur mbjellin armiqësinë,
bie cula në një vrimë:
"Shkojnë si macja me minë..."