| E diele, 06.02.2011, 07:16 PM |
PIRRO LOLI
METODË
PËR LEXIMIN
E HIRIT
PROTAGANIST
Një turmë qensh shkoi me vrap
E la gjurmët
Mbi asfaltin e patharë.
Të gjithë kalimtarët e mëvonshëm
Hap pas hapi kalonin nëpër putra të ngrira
Historia i tha të gjitha, ç’kish për të thënë
Dhe për fajin e asfaltit
Ngjyrën e qenve, borën, shiun e erën
Po, asnjë fjalë për
Të lehurat dhe dhëmbët
Që kishin vënë vulën mbi ngjarjet.
ENIGMË
Pas gjethes së fikut
Nuk fshihej dora që këputi mollën
As buzët që ia thithën lëngun
As dhëmbët që e kafshuan
...
Poetët e kuptuan thelbin tragjik
Që e priste njerëzimin dhe nuk qëndruan
Krejt lakuriq si Adami e Eva.
Gjethen e fikut e ngjitën në ballë
Që dikush të zbërthente enigmën
Larg organeve mëkatare,…
Te rrudhat.
KJO THIKË…
(L.Aragonit)
Nuk e di kush ma nguli këtë thikë në Zemër
Ndoshta një fëmijë i uritur,
Një nuse që shiti trupin
për të blerë një fustan nusërie
Tehu i mprehtë thikës është
Nëna ime Që e kam braktisur
Tani kam tri barkushe me gjak të kulluar
Të thellë si nata
Që nxë miliona fëmijë të uritur
Miliona nuse që presin një fustan nusërie Dhe
të gjitha nënat e braktisura
Kirurgët që më prisin në sallë
Me bisturi në duar
Më kot do ma çajnë barkun e natës!
Jam i pavdekshëm nga çdo dhimbje tjetër
Në zemër kam këtë thikë,
Burim i gjakut të kulluar.
DRITA MBI DUAR E BABAIT
Ngujuar në mermer
Dremit brenda ëndrrës sime babai
I ftohtë
I bardhë
Me flokët anash si të miat
Me sy e buzët prej bryme
Përsipër mbi varrin e rëndë i rritet bari
Dhe dielli ka ngrirë.
“Cliromë nga ky nder – më tha sonte në gjumë -
Janë shumë të rëndë këta blloqe mermeri
Nuk e dua as emrin, as fotografinë
E mbërthyer në beton.
Nëse nuk mbjell dot një pemë pranë meje
Lermë të më mbulojë bari i gjelbërt
Ta shoh me sy shiun dhe ylberin
Lulja e gjëmbaçit si drita
Të çeli mbi duart e mia…”
METODË PËR LEXIMIN E HIRIT
Nëpër duar po ua lë lëndën e ftohtë
Hermetik është hiri dhe Koha e shkuar
Prushi
Dhe flaka
Nëse doni të lexoni fletët e hirit
kujtimet e zjarrit dhe flakët e puthjeve
Ringjallni barishtet, degët e gjethet
Trungjet e trashë që kam djegur
Temperaturat. Gjeni flakët e kaltra
E prushet ku dimrat ngrohin duart.
Edhe me një qiri në cep të syrit
Mund të shikoni zambakët
të çelur. Metafora të shuara pemët.
Ndoshta,
me një fije shkrepse ndizet çarçafi i diellit
E merr trajtë vdekja e poetit
E butë
Fosforeshente
Që fëshfërin e mëndafshtë
Në një natë të bardhë
Prej hiri
Dhe letre...
POEZI HERMETIKE
Ti je vajzë prej letre. E palexueshme.
E bardhë shkruar me të bardhë. Nuk e dija
Që kodi i leximit Ishte puthja ime në kërthizë. Sytë e tu shkrepën
Dhe mu hodhën në qafë.
Pasdita e Adamit ishte e qetë
Flokët e tu
mbanin erë mollë.
PËR TY
Ditën të bëj roje pranë fytyrës sate
Të ta ruaj ballin nga dielli
Dhe syrin nga bora.
Natën do hipi nëpër degët e hënës
T’i shfletoj të gjitha fletët e njoma.
T’i gjej duart e mia
Dhe të ndez një cigare
ZGJIMI I BLETEVE
Para meje iku mitra e zërit tim
Tani fjalët më
Rrukullisen si gurë
të ashpër. Miqtë e mikeshat m’i presin në dorë
E gurët më bëhen qingja të bardhë.
Kullosin barin e njomë
Që mugullon në livadhe të gjera
dhe kudo Zgjohen bletët e vdekura.
MIQTË
Me laps të kuq heq viza
Mbi emra shokësh e miqsh. Në heshtje
I shtyj tutje në honet e harresës. Ata
Më ngrihen si lugetër në gjumë Më plagosin
Me thonj në shpirt, e zhurmojnë.
Eci gjithomë e më tepër drejt vetmisë Dhe ngec
Nëpër klithma violinash e gërmadha
poezish të harruara.
DIDAKTIKE
Nëse do të më puthësh, hiqi buzët prej bryme
çvidhose dorën e drunjtë
thirri shënjtorët prej mishi.
Të Ndezet sërish eshka e shpirtit
Të rrotullohet sërish globi Të dridhen meridianët Të çelin paralelet
Kështu e nisin lojën
magjistarët.
POEZI E HARRUAR
Copa copa këputur këtu e atje
Tek e përpjeta e thiktë,
Pas tufave të rralla të çajit. Atje
Flinte një nepërkë pika - pika
Atje m’u gjakos këmba nga sandalet me tela
Prerë rripa rripa nga palldëmi i gomarit.
Në plasën e imtë të një guri të bardhë,
Ku çdo mëngjes çmendej thëllëza
Kam fshehur dhëmbin e qumështit
Që me dy pika gjaku e prita në dorë.
Mbeti bosh dhëmbi i qumështit.
Një jetë të tërë
Pikë
–pikë
gjaku i ngrirë.
Poezi e harruar.
SHEJTANI DHE ZOGU
(Shakirës)
Sonte
Shakira këndoi lakuriq
Krejt lakuriq Sytë i vesonin
dhe nga qerpikët shpërthenin copa yjesh e vezullimesh
Një gji i kërcente si kokërr breshri
tjetri hidh e prit në duar spektatorësh
Një nepërkë e hollë i niset nga mesi
Dredhon e i zgjatet mbi flokë. Zgjohet
shejtani në mes të shalëve
Dhe në çdo shkarje të belit
telat e kafazit një nga një i këput. Yjet përplasen
E digjen. Zezakët të dehur zezojnë.
Gruaja ime diçka pyet për këngën
...
unë them i hutuar : “ nuk qe shejtan
por zog...
JAM I SHËMTUAR
Ke të drejtë të mos më duash, e dashur
Më janë rritur gjymtyrët si përbindësh
Jam shëmtuar
Në zemër kam një vrimë të pashërueshme
Mbi shpinë një gungë si të Rigoletos
Mos më prit
Në portat e ngushta të manifestimeve tona
Nuk hyj dot
As dora dorës me ty
Me dëshirë
U përkulem vetëm pemëve të heshtura
Dhe fëmijve që qeshin
AUTOKRITIKË SORRE
Bëra ca kërcime pupthi mbi çati
Shpupurisa leckat e zeza në ajër dhe
Për inat të shqiponjës
Qiellin do ta shkatërroj-
thashë,
Jam e zonja
- por,
Kjo nuk është provë
qiell do të thotë pamundësi sorre
Ose shqiponjë
që mban yjet mbi shpinë.
GJURMËT E ZOGUT
(Montales)
Në oborrin tim me pllaka guri.
Shtresë e butë bore
Mbi të ca gjurmë të ndrojtura zogu
Të vogëla fare, hollake
Pranë e pranë kthetrave të maces.
Kryqe. E vija. E pupla. E rrathë që ndërpriten
Mbi dëborë. Të pambaruara
Të pa deshifrueshme. Si heroglife kineze.
Ndoshta zogu ka qenë i plagosur
A ndoshta kthetra e hollë
E kish prekur në zemër.
I mbërthyer në këto diagrama
ia preva kthetrat maces
Lus erën të mos fryjë lus shiun të mos bjerë
Gjer në fund
ta deshifroj shpirtin e zogut
shkruar mbi dëborë
ËNDËRR PELLGU
Pa në ëndërr pellgu sikur u fry furtunë
E turravrap me gurgullimë
U derdh pllajave të pjerrta,
Një çast
Shkumëzoi si ujvarë
Në të aguar
Një çift bretkokash i krokitën brenda barkut
Dhe u zgjua
Ashtu faqe më faqe
Me gulçet ofshamat myshqet e shushunjat
I tha vetes:
“Të q...nënën pse nuk je i vërtetë si në ëndërr”...
FSHATI
Tërë jetën ndoqa këmbakëmbës
një dhi të bardhë. Që më tërhiqte rrugëve të pjerrta
deri në zgrip të shkembit. Vetëm atje
ngopur me diell. Nëna më thoshte është e bekuar e
unë shikoja ëndërra me shkumë qumështi e kulloshtër
e sikur bëja kakërdhi të bardha dhe blegërisja si dhi.
qumështi ishte i trashë
dhe e hollonim me ujë
një ditë
tek zgjatesha për gjethet e diellit në zgrip
shkajta
dielli më plasi
si një kupë e kristaltë me qumësht
e ëndrra
më humbi
në ëndërr.
“TEMPULLI I PLEQËRISË”*
Më në fund e gjeta pyllin
që kërkoja në Athinë. Nuk pashë
as shkretëtirë trungjesh të braktisur
as vjeshtën
të hynte e të dilte
për një gjethe e uritur
Orë e çast këtu vijnë gjyshër
me nipër e mbesa pas dore
Ndoshta
u tregojnë këtë trung stërgjyshor prej lisi
Që nëpër palcen e tharë
Fsheh një gjarpër të frikshëm
*- kështu quhet një pyll në Athinë
POHIM I NJË DIELLI TJETËR…
i grisa të tëra ato që kam shkruar Mbetën
vetëm kopertinat që s’janë të miat Si vjeshta
frutat dorëshkrimet
e mblodha grusht si letër të zhubravitur
të kaltrën e qiellit Ia përdhrodha qafën diellit
që ndriçoka për të tërë(!)
që breshëri dhe shiu të mos
bien kur të dua unë
që të mos fshihen pas meje shpirtrat e pistë
që akujt e urrejtjes detit të shkihen si kripa
(Nisja nga fillimi është fakt i kryer
Si fryma…).
Athinë- Tiranë 2001-2010