| E diele, 06.02.2011, 07:39 PM |
 Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
E PAQTË SI KRISTALI
NDIZE SONTE
Çepuri flet përmes pamjes
Me fytyrë malli
Rri dhe sonte
Ta përzëmë këtë erë
Këto re përmbi 
Që ikin tutje
Pa një pikë shi
Për muza s’ do kesh uri
Të ruaj nga cilado furi
Vetëm rri 
Ta ndezim këtë natë 
Asaj vashe pas kodre
Që ka humbë udhë
Dritë t’ i bëjmë 
Të tharat gjethe 
Këta rremba të tharë 
Të qofshin falë
Sall ndize sonte
Ndize 
Për atë hënëvashë
Çepuri nuk refuzohet
(4 tetor 2010)
ÇEPURI NË VJESHTË
Këtu jam
Në të njejtat rrënjë
I shtrirë e i ngritur
Si përherë
Sall ngjyra po më ndërrohet
Syve t'u plot mall
Po shkrihet e blerta
Në pritje të argjentë
E ngapak po shkundem
Prej erës 
Po qullem prej shiut
E po thahem prej ikjeve
Në thellësi
Dhimbjet e ëmbla s'gjejnë qetësi
S'flladitë ky shi
Kur tek unë
Mungon Ti
(1 tetor 2010)
AJO ERË FLOKËSH
Ajo erë e flokëve tua 
Solli shi
Shi a dashuri 
Ec e dije
Një re e zezë 
Na mbuloi sipri
Sa u trembëm 
Nga e papritura furi
Po iku ajo e mllefosur 
Humbi qiellit pakufi
Me Çepurin 
Mbetëm këtu
Për t'u larë mëkatesh 
Në një agim të ri
Nën diellin e syve Tu
Moj Ditë 
Që m'buzëqesh përsëri
(26 shtator 2010)
NUK ËSHTË VETËM
Në një cep të vetmisë sate 
Brenda atij kopshti të venitur 
Hyra fshehtas përmes erës
E po t' kundroj si ngahera 
Me admirim
Lulja e Shpirtit nuk është vetëm 
I përftohem pa pushim
(23 shtator 2010)
LUFTËTARI I PAEPUR
Dashuria 
Nuk është veç një pamje vjeshte 
Dashuria ka katër stinë
Sa mugullon qenies sate 
Të bën për vete
E të përzjarr deri në zenit 
Poaq të qull shpirtit 
Të ngrinë në lule kristalesh 
Deri në lumturim 
Ti s'i ndahesh
Prej saj rrëmbehesh 
Sa bie
Sa ngritesh
Rrugës drejt saj  
Prej pritjesh 
Heshtjesh
Nuk lodhesh  
Ecën 
Ecën 
Si një luftëtar i paepur
(21 shtator 2010)
MUND TË BËJ Ç’TË DOJË
Ajo mund të vijë me ditën 
Mund të fshihet me natën 
Mund të mos bëj zë 
Me ditë e net
Mund të mbyllet si lulja 
Nën petale të blertë 
Me muaj me vjet
O
Ajo mund të sillet si të dojë 
Dhe pa mua mund të jetojë 
Unë do ta ndjej 
Orë e çast
Në secilën secondë
OrëZemra do ta kujtojë 
Si tash
(17 shtaor 2010)
NJË BOTË U SHPËRGJUM
Shiu 
Dhembjen nuk e lau 
As flladiti
Vetëm Ajo kur trokiti
Një botë e fjetur 
U shpërgjum 
Rilindi
(4 shtator 2010)
E NESËRMJA
Pas secilës ditë 
Pritet një e  Nesërme  
E Nesërmja Jonë
Nuk soset kurrë
(3 shtator 2010)
RASTËSISHT
(variant)
 
Jetën  e dua
Jo etjen
 
Ama  në çdo krua
S' i  vë buzët
Për ta tretur shkrumin
 
Udhës s'i shmangem
Ecjes
Për t' i  thënë
Jo ngecjes
 
Qoftë dhe bërrylas
Gjunjëzash
 
Siytë bëhen çiçërr
afër një ure
një kthese
 
Se -  e papritura
bëhet e përhitura
 
Rastësia
 Si kafshata  e ndyrë
Të zverdhë  në fytyrë
 
 Ah
 Rastësisë i trembem
Prej saj  befas stepem
 
Sakaq  mund të m’i errë sytë
Me  ndonjë re pluhuri
T'më përplas për muri
 
Dhe zemrën
Mund të ma prekë
Të ma  dridhë
Rastësia
Atë strehë shpirti
Ku Ti rri
 
Me Ty
Jo pa Ty
Jeta Ime kodohet
Në katër sy
 
Jorastësisht i ruhem rastësisë
Duke të dashur Ty
Jeta Ime
 
(të përpunuara më 27 gusht 2010, Gjilan)
AJO ËNDËRR NË PRITJE
Duroj këtë zjarrmi  
Shpirtit  të etur për Ty 
Si Çepuri për një pikë shi 
Duroj 
E nuk e shuaj këtë ndjenjë 
Sado që më djersinë
Kjo kllapi
Më përvidhet në sy 
Në gjuhë
Në mua 
Më shumë dhemb 
Ai portret i përgjysmuar dashurie 
Ajo ëndërr në pritje
Që shprush dhe Çepurin 
Thellë në brendi
Lëre më mua
Kur nuk të kam në timin gji
(25 gusht 2010)
ISHE DHE MBETE
Deti shtrihet para meje 
Si një mashtrim i ri 
Në të thellën qetësi
Tutje 
Prapa krahëve të mi 
Çepuri dhe Ti 
Me gjethe 
Kapluar prej  vape 
E shikime të gjata
Deri tek unë
Në eter diku
Pa oksigjen mbeti mesazhi
Telat u këputën në pritje
Dhe zëri
Brengat e mia 
As rëra i dogji
I zbuti vetëm poezia
 
Ai qiell i kthjelltë 
E  i pafund 
Si dashuria vetë 
23 gusht 2010
MË SHKUND IMI TRAZIM
Ditenatë e pres 
Ajo zë s' lëshon 
As unë e thërras
Derisa pritja të pëlcas 
I përkushtohem 
Deri në agjërim 
Edhe kur më shkund 
Imi trazim
Falem e i lutem si zotit
Bëje të bukur çdo ditë pas sotit
(16 gusht 2010)
RRËMBYESHËM
 
Rrëmbyeshëm çau Çepurit
Shpatit me mal
E më rrëmbeu rrëmbyeshëm
Përmes flatrave të saj
 
Rrëmbimthi u stepa
Nga ai fluturim i rrëmbyeshëm
U rrëqetha flatrash
Në çdo pore trupi
U drodha i tëri
E as një pikë ujë
Më qëlloi afër
As edhe Ti
 
Si mëllenjë që ish
Rrëmbyeshëm hyri
Në malin e paprekur të shpirtit tim
E u fsheh
U struk
Thellë diku
Diku ku s' shihet e s'preket
Diku ku s' arrihet
As nga  hapi im
As nga imja dorë
  
Kot pres
Shtigjeve të Çepurit
Kot hapëroj
Ajo nën vapën verore
Nën zjarrin e shpirtit tim
Atij mali të dendur
E të paprekur
Pushon e zë s' lëshon
As kur e fton
As kur e dëshiron
 
Nuk do ia prish gjumin
A ëndrrën e re që po thurrë
Dhe njëmijë vite po u vonua
S'do  ta urrej kurrë
 
Afër do i rri
Pa le të më trembë përsëri
Zbathur a  majegishtash
Do ec malit tashti
Lehtas si një djalosh i ri
Do ta mbuloj sall me dashuri
Deri në një rrëmbim të ri
 
(Gjilan, 13 Gusht 2010)
TË DY KOHËT
Përkohësisht
SipërFaqes Sate eci 
Gjalloj e të dashuroj 
Përjetësisht 
Brendësisë sate fshihem 
E nuk tretem 
Të dy kohët 
Për Ty i jetoj
Moj
(11 gusht 2010)
TEK PRITJA
Sa herë të duket 
Që kam humbur 
Sa herë të duhem 
E nuk di ku jam
Rrugë tjera mos trupo 
As adresa mos gjurmo
Tek pret pritja 
Aty më kërko 
(29 korrik 2010)
PA TY NUK RRI MË
(variant)
Mure fjalësh rrëzoj
Bbërryla shqyej
Prej rrethit dal
Tavolina e fotele gëlltis
Për të t’u ofruar
Një puthje kujtim’ta lë
Rrugëve provinciale
Qetësinë ta prish
Lokaleve publike të ftoj
Me fjalë të ngacmoj
Me veten time nga zero kohë dal
Rob i një gruaje s' bëhem
Kundër dashurisë sime s'ngrihem
Në mure letrash s'e mbyl mël
Vetja s' më mjafton deri në sosje
Hap pas hapi
Afër teje afrohem 
Sysh nuk të liroj
Kënaqësinë tënde s'e përfil
Pa ty nuk dua të rri mël
(19 korrrik 2010)
ËNDËRR PËRJETËSIE
Ajo ëndërr jete 
Nuk heshtet as kur s' thuhet 
Thellësive tona fshehet 
Ruhet
Kahdo që lëvizim
S'kemi si e hedhim 
Në vete e mbajmë
Edhe pa frymë kur mbesim
A këpucët na vrajnë
Numër a rrugë tjetër 
Nuk kërkojmë
Vetëm shenjtërimin e saj 
Atë ëndërr përjetësie
Dëshirojmë
E nuk pendohemi
As kur na mveshin mëkate 
Pas saj ngashnjehemi
Të jetë fat apo dënim
Kjo mollë e ndaluar
Ëndërr e gjakim
Nga Adami e Eva 
Na mbeti trashëgim
(6 korrik 2010)
Ç' MUND TË TË OFROJ MË SHUMË 
Zoti nuk thotë 
Harroje 
As Zemra 
Një det ndjenjash 
Qepet Çepurit 
Po rruga përpjetë 
Deri në Kodër 
Shtigjet zik - zake 
I ka mbuluar dushku 
Bari i ri 
E paecura ime 
Vonohet për pak 
 
Ty të ruaj 
Thellë në veten time 
Edhe kur më ikën me mëngjes 
Edhe kur më kthehesh 
Rrallë e përmallë 
Përmes ndonjë ëndrreje 
 
E dashur 
Po e deshe malin 
Qe ku jam 
Po e lype detin 
Qe ku e ke 
Në shpirtin tim 
Dhe mua të tërin 
Thellësive tua 
Të paprekura 
Ç' mund të të ofroj më shumë 
Pos shpirtin tim 
Të rinuar prej dashurie 
(3 Korrik 2010) 
GJURMËT E SHPIRTIT
Dallgët  
Fshijnë vetëm gjurmët 
E çastit
Gjurmët e shpirtit 
Nuk i fshijnë as oqeanet
2 korrik 2010
PËRTEJ NJË VETËTIME
Shiu vërshoi 
Nëpër këpucët e mia të zeza 
Qorapët e qullura 
Më gostitën 
Me ngjyra të mbyllura 
Pjesëve të sipërme 
Të këmbëve 
Thembrave
E unë trupoja rrugën 
Para makinave
Semaforëve të heshtur 
Të lagur
Zebrave të fshira 
Të harruara
Se Ti 
Më prisje diku
Përtej një vetëtime 
Syve përmallim
Këpucët po thahen 
Në ballkon
Dhe ngjyra e fituar gratis 
U shly tashmë
Mbete vetëm Ti 
Qiell i kaltër dashurie
(29 qershor 2010)
SHPRUSHJE
Ditën ma vidhnin
Lendinat
Shpatijet
Po mendja s'hiqej nga Ty
Nata 
Ëndrrash më torturonte
Të prisja pas Lame
Te Pojata
Të prisja
E s'vinte as Hëna
Qielli m'rrolej
Frynte
Binte dhe shi
Ti strukeshe
Flije 
Në sytë e mi
(28 prill  2010)
RRËZË ÇEPURIT
Të pres rrëzë Çepurit
Përjetësisht
S'kam ku shkoj
As do vdes
Pa të parë në gjiun tim
Të të përkëdhelë 
Të të puthë dua
Pa pushim
Eja
Adresë imja
Është kjo brengë
E pashuar
Këtu rrëzë Çepurit
Frymoj 
E s'ngopem  dashuri
(25 prill 2010)
RRËNJË ËNDRRASH
Rrënjë ëndrrash lëshohen
Thellë shpirtit tënd
T'i prekë s'kam se si
Vetëm i ndjejë
Përmes zjarrëmblës dashuri
(23 prill 2010)
E PËRJETSHME
Nuk kam kohë
As vend
Për tjetërkend
Të pres Ty
Këtu e në përjetësi
(23 prill 2010)
BRENDA MEJE ËSHTË
Qullur kohëve me shi
Kot varë buzët
I përgjumur isha
Si i përhënur
Udhëve të vjetra 
Trupoja
E porta shtëpish
Rraplloja
Që të takoja
Ti u rrudhe fletësh
Deri në palcë
Botës virtuale
S'mbete as për shportë
Buzëvarur
Tek unë sërish u ktheve
Nga ëndërr e keqe më shkunde
Oh
Sa të desha
Sa m'u dhimbse
Rrugëve virtuale ç'hoqe
Nëpër adresa
Kode
Përhënia ime
Më trazoi
Ajo që dua
Brenda meje është
(21 prill 2010)
ROJA E LULES
Prilli i trimërisë
Ruan Lulen e Dashurisë
Në Dritaren Time
Jashtë qielli mbulohet
Me re vullkani
Natën s' e lanë
As një javë shi
Oh
Po të mungosh
Dhe Ti
Më vërshon pastaj
Një shekull mërzi
(21 prill 2010)
E PAQTË SI KRISTALI
Ajo që mbiu në mua 
Lëshoi rrënjë 
Shtresave të Shpirtit  
Nga thashnaja
E stuhi
Nuk u vërshua
Dashuri mbeti 
Në mua e me mua  
Nuk e mohoj 
Ajo është vetë jeta
E hidhur 
Dhe e ëmbël 
Sa reale 
Poaq dhe  ëndërr
 
Nuk e shikoj vëngërr
As kur më tremb
Si një shpend 
Nga rrembi në rremb 
Mbiu e mbeti 
E paqtë si kristali  
(5 korrik 2010)