Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hasko: Dardanët janë aty (V)

| E diele, 06.02.2011, 08:29 PM |


Skënder Hasko

                              

DARDANËT JANË ATY (V)

 

Po pse kjo nuse pa krushq e pa dasmorë?!

 

Kishte disa muaj që milicia serbe, njerëzit e Arkanit dhe çetnikët e Vojislav Sheshelit bënin lloj-lloj poshtërsishë nëpër Kosovë. Herë hapur e herë fshehtas, si cubët.

Të hënën mbrëma Rifat Bajrami u kishte treguar Besës e Qerimes, se ato monstra, diku kishin djegur në mesnatë disa bagëti të Uk Cenës; se Pal Dedën e kishin plaçkitur në buzëmbrëmjen e një të diele, kur po kthehej nga Prishtina, ku kishte blerë gjërat e nevojshme për dimrin që po afronte etj. Kishin bërë edhe një krim të fëlliqur, që s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Një pasdite, kur po shkonin krushqit, të cilët sapo kishin marrë nusen, një grup tre-katër vetësh të Sheshelit, të cilët kishin zënë pusi fshehur pas disa pemëve, kishin qëlluar e kishin vrarë nusen dhe dasma u kthye në mort.

- Pa le, po hapin edhe fjalë se gjoja këto paudhësi i bëjnë vetë shqiptarët, se ia bëjnë njeri-tjetrit për inat, e lloj-lloj shpifjesh që nuk i beson as dreqi, - kishte vazhduar të fliste tërë mllef Rifati dhe kishte psherëtirë. -  Siç e kini parë, jeta jonë, jeta e shqiptarëve është bërë skëterrë, e padurueshme. E si mund të rrinin duarkqyq djemtë e Kosovës?! Rrëmbyen armët, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur familjet e tyre, për të mbrojtur Kosovën tonë nga zhvatja e nga copëtimi. Kanë krijuar UÇK-në, oj grua. Herët  a vonë edhe unë atje e kam vendin, prandaj…

Rifat Bajrami nuk kishte vazhduar më tej. Nuk kishte folur hiç më. Besa e Qerimeja e kishin kuptuar nëntekstin e fjalës “prandaj…”  Ajo ndërprerje fliste shumë…

- Mirë ti, që paske vendosur të shkosh tek UÇK-ja, po ne të dyja, unë e Qerimeja, ku e si? - e kishte pyetur të shoqin Besa tërë merak.

- Edhe hallit tuaj do t’ia gjejmë shtegun kur të vijë koha, - ia pat kthyer Rifati. - Mos kujtoni se nuk e kam vrarë mendjen për këtë punë. Ja, Qerimen do ta martojmë, do ta çojmë te burri, te Azem Gurabardhi.

- Dasmë midis plumbave?! - ishte habitur Besa. - E si u bëka dasmë në këtë rrokopujë? Kush mundet me ardhë për krushk e për dasmor?…

- Ç’dasmë, oj grua! Kush foli për dasmë? Kështu deshi fati për Qerimen, veç t’i shkojë jeta mbarë e mirë! Unë e ti do të jemi “krushqit” e “dasmorët”…

- E unë?! - e kishte pyetur përsëri Besa.

- Ti do të shkosh matanë, në dheun amë, te kushërira jote, në Rrashbullje. Do kalosh nga Maqedonia dhe do shkosh atje ku thashë! Apo don me shkue te kushërinjtë në Izmir të Turqisë?

- Jo, more burrë, ç’po dua në Turqi, apo të kujtoj ato dhimbje që na shkaktoi përzënia me tren e njerëzve tanë për atje?! Nuk më harrohet ajo ditë, kur ata, me gjysmën e trupit varur nëpër dritaret e trenit, lëshonin lot e na, që nga peroni, vajtonim sikur po përcillnim xhenaze… Jo në Turqi, o burrë, jo! Aty në Rrashbullje, se aty është gjysma e trupit tonë… Po ti në luftë? Po sikur të… Mos o Zot, po luftë është…

- Ti e di qysh heret atë proverbin që thotë “dasmë pa mish nuk ka” e, po ndodhi ajo që të shkon ndër mend, ia kam bërë hallall, se vdes për lirinë e vendit tim, për lirinë time, për lirinë e vajzës e të djalit, për lirinë e nipave e të mbesave që do të vijnë më pas. Ata që vdesin duke luftuar për liri, mbeten gjallë, e ata që nuk luftojnë për atë qëllim, janë të vdekur së gjalli… Por, mos u merakos, grua, se mua nuk ka për të më zënë plumbi i të keqit… - Rifati kishte buzëqeshur pak, pastaj i kishte thënë prerazi: - Bëni çdo gjë gati dhe pasnesër nisim udhët, s’kemi si bëjmë ndryshe! Ky paska qenë fati ynë i mbrapsht. Këtë fat e kemi peshqesh nga pasardhësit e Pashiçëve, Çubriloviçëve e Rankoviçëve.

Me kaq ishte mbyllur biseda e asaj të hëne mbrëma në familjen e Rifat Bajramit dhe ne morëm vesh se përse Qerimeja u bë nuse pa krushq e pa dasmorë.

 

 

Natë në ankth

 

Të enjten e javës që erdhi pas martesës së Azemit me Qerimen, Riza Gurabardhi u rëndua.

Ishte e mërkurë mbrëma. Një mbrëmje krejt e qetë, nuk pipëtinte asgjë, veç dëgjoheshin këmborët e bagëtive në ecje. Diku u dëgjua krrakërrima e një shpendi. Një hutin fluturoi përmbi shtëpinë e Gurabardhëve dhe u ul në degën e një peme mbi Shkëmbin e Shqipes.

Azemi po mbyllte bagëtinë në plevicë, ndërkohë që dëgjoi zërin e trembur të Qerimes që po e thërriste:

- Eja shpejt, eja shpejt! Nxito!

Azemi sosi me një frymë pranë së shoqes, që po e prista te dera e shtëpisë tepër e shqetësuar dhe e pyeti:

- Ç’ka ashtë, oj Shote?!

- Baba! - ia ktheu ajo dhe u fut brenda si suferinë. Pas saj edhe Azemi.

Të dy u sulën te shtrati i Rizait dhe, Azemi, gati duke u dridhur, i mori njerën dorë midis duarve të veta dhe nisi t’i fliste:

- Babë! Babë! Fol babë, çfarë ke?!

Ndërsa Qerimeja i kishte marrë dorën tjetër dhe po ia fërkonte ngadalë, sikur po e përkëdhelte. Rizai lëshoi një rënkim të vogël, po nuk po nxirrte dot fjalë. Azemi, duke mos e lëshuar dorën e të atiti tha së shoqes:

- Shpejt ilaçet!

Qerimeja mori ilaçet nxitimthi, gotën e ujit dhe, me një kujdes si t’i shërbente një fëmije disa muajsh, u përpoq t’i fuste në gojë kokrrat e ilaçit. Me durim e mundim, më në fund, ia arriti qëllimit. Pas dy-tri minutash Rizai çeli sytë dhe pa duart e tij në duart e nuses e të djalit. Vërejti edhe lotët në sytë e tyre.  U gëzua për kujdesin që po tregonin për të, por edhe u pezmatua që ishin trishtuar. Nisi të fliste fare ngadalë e me ndërprerje:

- Mos lotoni, fëmijët e mi, mos lotoni! Njeriu, qysh se vjen në jetë, e di se edhe do të iki përsëri… Askush, fare askush s’ka mbetur pa u larguar nga kjo jetë: edhe vrfanjaku-edhe mbreti, edhe i miri-edhe i keqi… Kështu…edhe unë…, po gatitem të shkoj. Por, më parë dua t’ju lë disa amanete, që dëshiroj të m’i plotësoni!

- Oh, baba, mos kështu të lutem! - i tha Qerimeja dhe pështeti faqen e saj te dora e tij.

- Më dëgjoni, nuse, më dëgjoni e mos u frigoni, se nuk vjen asgjë nga fjalët, as e mira, as e keqja! Fati s’do të dijë çka po themi ne, ai na merr për dore e na çon ku i pëlqen të na çojë… E pra, më dëgjoni e mos u pezmoni!

- Fol, babë, -  tha Azemi, - po të dëgjojmë e do të bëjmë siç të na porositësh!

Rizai u mbush me frymë, pastaj, me atë ritmin e ngadaltë, nisi të jepte amanetet:

- Do të më shtini në një vorr te lëndinëza ku kemi shti Nexhmien. Kur të çlirohet Kosova, do të na qitni nga vorret e do të na çoni te vorret e të parëve tanë. Do të na shtini në ato vorret e pavërteta që ka saju Rifat Bajrami, me mashtrue shkjahun. Shkoni e ngrini shtëpinë po në ato themeli ku i kemi pasë  qysh moti. Qysh se do të shkoni aty, nuk do të mbani më mbiemrin “Karadaku”, por, siç e kemi pasë në jetë të jetëve: Gurabardhi! Edhe diçka tjetër: lindni sa më shumë fëmijë, se i duhen Kosovës sonë, për ta bërë të begatë, kur të çlirohet nga kthetrat e shkjahëve të Millosheviçëve!

Riza pushoi disa minuta për të marrë veten nga lodhja, pastaj i pyeti:

- A do të m’i kryeni këto amanete?

- Si po e vë në dyshim, babë! - tha Azemi.

- Po qe se jo, mos e gëzofshim të ritë tanë! - u betua Qerimeja.

- Qofshi të bekuar e gjithmonë të gëzuar, fëmijët e mi! - ua ktheu Rizai dhe nuk vazhdoi më tej. Donte të qetësohej. Azemi dhe Qerimeja i qëndruan pranë, duke mbajtur duart e tij ndër duart e tyre.

Atë natë ata të dy nuk vunë gjumë në sy. Qëndronin pranë shtratit të Rizait, që dukej se kishte rënë në kllapi. Ai merrte frymë me shumë vështirësi. Kjo dukej nga gjoksi që i hovte dhe i ulej thuajse ritmikisht. Aty afër mëngjesit, kur po dukej se po fekste, Rizai u kollit nja dy herë në të thatë, pastaj… lëshoi frymën e fundit. Riza Gurabardhi u nda nga jeta. Qerimeja bërtiti me të madhe:

- Babë! Oh, babë!

Azemi e mbajti veten me zor dhe i tha së shoqes:

- Mos gërthit! Thonë se e gërthitura dhe vajtimi me zë i bën keq të vdekurit.

Qerimeja e mbyti zërin në gjoks dhe vazhdoi të ngashërehej pa zë. Lotët i zbrisnin faqeve deri në majë të mjekrës. Edhe pse Azemi përpiqej ta mbante veten për “burrë”, lotët nuk i ndali dot. Të dy të rinjtë, pa asnjë përvoë në raste të tilla, s’dinin ç’të bënin. Pas pak, Qerimeja, si të ishte përmendur nga ndonjë ëndërr, i tha Azemit:

- Celularin!

- E ç’ka të duhet?!

- Babën, - ia ktheu ajo, - të lajmëroj babën për çka na ka ndodhur!

Ajo e mori celularin dhe shkoi në dhomën tjetër ngaqë i dukej se po shqetësonte vjehrrin e pajetë.

Ende pa zbardhur dita e re, Rifat Bajramin e zgjoi prej gjumit zilja e celularit dhe ai mësoi nga e bija se miku i tij Riza Gurabardhi ishte larguar nga kjo jetë. E shoqja, Besa, u merakos dhe e pyeti se ç’ishte ajo telefonat që pa u gdhirë. Rifati foli fare shkurt:

- Bëhu gati për rrugë! Miku Riza na la, do shkojmë t’i bëjmë nderet e fundit.

Nuk mënuan të visheshin, shaluan kuajt dhe u nisën tërë pezëm.

***

Kur Rifat Bajrami me Besën mbërritën te Shkëmbi i Shqipes, Qerimen e gjetën me lotë ndër sy, duke pastruar verandën, ndërsa Azemi sapo kishte mbaruar hapjen e gropës, pranë varrit të nënës Nexhmie, ku do të shtinin trupin e Rizait. Edhe sytë e Azemit ishin skuqur e ishin bërë si thëngjilli në vatër.

- Paçi të mira tash e mbrapa! - tha Rifati.

- I qoftë dheu i lehtë e ju pastë lënë uratën! - tha Besa dhe e mbështolli Qerimen në gjoks, e cila, sapo prindërit vunë këmbët në oborr, u ngashërye.

- Nënë, - i  tha Besës, - mos e pata unë këmbën ters, që ai vdiq sa u mbush java që unë hyra nuse në këtë shtëpi?

- Ç’po flet marrina, moj bijë! - e qortoi e ëma. - Ai e dinte se do të ikte, ndaj deshi që ti të vije, që të mos mbetej Azemi i vetëm.

- Oh, ashtu qoftë, moj nëna ime, se më ka mbetur merak ikja e atij njeriu të mirë, - tha Qerimeja, duke fshirë lotët, që ia kishin pushtuar mollëzat e faqeve.

Atë paradite Riza Gurabardhin (Kardakun) e shtinë në dhe, atje te lëndinëza, pranë së shoqes Nexhmie. Ai iku pa e marrë vesh se Qerimeja kishte ngelur shtatzanë qysh ditën e parë të martesës. Njëra nga porositë e tij të fundit: “lindni sa më shumë fëmijë, se i duhen Kosovës sonë, për ta bërë të begatë, kur të çlirohet nga kthetrat e shkjahëve të Millosheviçëve”, kishte nisur udhën për t’u plotësuar.