Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihai Antonescu: Sadik Krasniqi dhe syri për një lot të madh sa Kosova

| E shtune, 05.02.2011, 06:29 PM |


Sadik Krasniqi dhe syri për një lot të madh sa Kosova

 

Zoti Krasniqi është një poet i kohës së tij, i cili din t’ia japë thellësisë dhe forcës së dëshmisë, veshjen stelare të vlerës lirike, aq sa t’ia dëgjojë jehonën në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve të vet, duke e ftuar dashurinë “në këtë tavernë”, ku mysafirët tanë do të adaptohen pa pamjen tonë, në tryezën që e preferojmë “me ngyjrë të portokalltë/ një ditë/ kur fjala nuk do rrijë mes nesh”.

 

Nga Mihai Antonescu

 

Jo gjuha i bën të ngjashëm popujt,  por buzëqeshja. Jo gjuha i afron popujt, por loti. Dashuria, thellësia e plagës, i bën të ngjashëm. Jo jeta në totalitetin e saj i përgjason popujt, por vdekja e tyre në një kontinuitet të pandërprerë. Gjuha është konnvencion i nevojshëm për të tjerët, jo vetëm për kuptimin dhe mirëkuptimin e tyre, por kusht esencial për familje dhe kombe. Vuajtja, malli, shpresa dhe aspiratat janë dhunti e përbashkët e botës, ndërsa translacioni përmes gjuhës paraqet shpeshherë vështirësi për të përfshirë thellësinë përmes konvencionit, që është përkthimi. Përkthyesi e shtrin rrjetën personale mbi tekstin e përkthyer, duke na mbështetur drejt asociimit apo, madje, edhe ndaj imagjinatës, në rastin kur një shprehje, një formulë, nuk e gjen korespondentin e përshtatshëm në lesikun e gjuhës tjetër.

 

Atëherë, si të arrish te Njeriu yt i afërt përmes konvencionit, po qe se e ndjen se kjo nuk është e mjaftueshme për ta kuptuar si duhet? Në art, dhe sidomos në letërsi, gjërat komplikohen edhe më shumë. Ajo që e ndihmon kritikun të kuptojë deri diku atë që duhet, është intuita, zbërthimi i konvencioneve të përkthimit dhe gjendjes së një autori në manifestimin e aktit të krijimit. Riskante gjatë rikëndimit nga njëra në gjuhën tjetër është humbja e një pjese nga forma dhe shprehja, në favor të besnikërisë së përkthimit dhe thellësisë së sentimentit të shprehur. Të gjitha këto i kam ndjerë duke e lexuar librin me vargje të poetit kosovar, Sadik Krasniqi, „Loti i jetës”, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë në përkthim të poetit Baki Ymeri.

 

            Poet i përjetimeve të thella, i prekur definitivisht nga ekzistenca e shtruar ndërmjet qenjes dhe mbijetesës përmes vullnetit të kohës historike, Sadik Krasniqi bazohet në krijimtarinë e tij përmes forcës së mesazhit me shpërthim bindjesh të befasishme dhe me një mision të mirëseardhur në shprehje dhe metaforë: “Edhe pas vdekjes sate/ Përsëri do të jetë fusha e blertë/ Lulet do të lulëzojnë të përgjakura/ Ndërsa unë do ti prek me zemër”. Kështusoj do të shprehet autori në vëllimin e tij “Loti i jetës” (Bukuresht, 2010), ndërsa ne që nga starti vijmë në përfundim se poeti na propozon një dëshmi historike, personale dhe kolektive, duke vizuar vuajtjen e shqiptarit të çrënjosurit nga plangu i vendit të tij, duke e plasuar në varg përhershmërinë dhe përjetësinë e mallit që ia trazon shpirtin dhe syrin për një lot sa Kosova e madhe, atje ku, në vatra të shkëputura mbi zjarret që refuzojnë të vdesin, koha do të lindë më në fund një dritë të re:

 

“Në atë qiell, fluturimi juaj i përhirtë, më shndërron në gur të gjallë/ rrugëve të qytetit/ më mbulon nostalgjia/ porsi muri i mbuluar me myshqe/ bluaj mallin e përkujtimit/ për kallirin e pjekur në vendlindje” (Fluturim kojrilash). Pyetjet e poetit janë ultimative, ngase tejmatanë shpirtit të tij, asgjë nuk mund mund të jetë më e trazuar se sa “Tre miniaturat për Kosovën” dhe deti ku freskohen fëmijët “në përrallën për ujkun dhe qengjin”. Më duket se autori nuk rend pas stilit, aq sa rend pas mesazhit dhe peshës së tij për të qenë i kuptuar nga lexuesi, ndërsa metafora nuk është tjetër veçse një “veshje e bukur” me të cilën poeti, i vetëdijshëm, orvatet, siç thekson një kritik letrar, të zbusë ashpërsinë e një realiteti: “Në këtë pritje të lagur/ nëse s´ma heq brengën/ bile ofshamën ma ndiej/ Për shenjë dhembjeje në fytyrën tende/ vuajtjen do ta vari në cep të yllit/ gjersa bebëzat të pikojnë mall” (Pritja e lagur). Nganjëherë ia arrin, herë tjetër jo! Pse?

 

          Ngase “Ende më shastiset kujtimi/ për ferrin që binte në këtë qytet/ e hapeshin portat e vdekjes/ cerberët mernin përkrahu/ engjëjt me sytë e urtë qielli/ e lotët e nënave të shkreta/ ua ndritnin rrugët për në Parajsë” (Kujtim i shastisur). Po, poemat e Krasniqit kanë ajrin dhe amprentat e një ditari të vuajtjes dhe përdëllimit të përfshirë në një ditar me vlera dokumentare, që mund të konsiderohen edhe si vlera letrare. Pa kurrfarë diskutimi, Sadik Krasniqi është një poet i kohës së tij, i cili din t’ia japë thellësisë dhe forcës së dëshmisë, veshjen stelare të vlerës lirike, aq sa t’ia dëgjojë jehonën në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve të vet, duke e ftuar dashurinë “në këtë tavernë”, ku mysafirët tanë do të adaptohen pa pamjen tonë, në tryezën që e preferojmë “me ngyjrë të portokalltë/ një ditë/ kur fjala nuk do rrijë mes nesh”. Pa ty, thot, poeti, këtë e ndjej, e dashur, që nga vera e shkuar. Vetmia në ndërkohë “e lëpin nga filxhani fundin e zi të ditës”. (Sadik Krasniqi, „Loti i jetës”, Bukuresht, 2010)