Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Agjenda liberale e Berishës

| E premte, 04.02.2011, 09:00 PM |


Agjenda liberale e Berishës

 

Nga Lavdrim Lita

 

Një propozim serioz dhe një deklaratë lufte për zhvillimin dhe integrimin. Kryeministri Berisha më shumë se çdo gjë tjetër do të qeverisë, të realizojë programin e tij, agjendën liberale të penguar dhe të sabotuar nga forca obskurantiste që “tejkalojnë popullin”. Ushqen përditë, pak nga pak, me zbardhjen e grushtit steril të opozitës bamirëse. Kryeministri Berisha është i qartë, pas një periudhe në cilën i është dashur veç të mbrohet nga sulmet e çakejve mbi familjen, mbi miqtë, mbi qeverinë, mbi reformat dhe mbi drejtësinë. Sulme janë realizuar haptazi, pa ndonjë preokupim dhe me një cinizëm të frikshëm nga eksponentë të sponsorizuar nga kundërshtari i tij më madh, Edvin Rama. Partia Socialiste herë vetë dhe herë me sponde të pilotuara në media ka ngritur një stuhi akuzash, plot me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, për të gjunjëzuar në parlament dhe në media qeverinë e dytë Berisha. Për të marrë skalpin e Saliut ajo ka bërë aleanca të pamoralshme, kurdoherë amorale, me njerëz që për Partinë Socialiste dhe për liderin e saj kanë thënë një mijë të zeza, aq sa e kanë quajtur arkiv të krimeve.

 

Sidoqoftë problemi është se Sali Berisha duhet të mbajë premtimin, siç e mbajti për liberalizimin e vizave, të zgjedhjeve me standarde Europiane. Më të larta së Osbe-Odihr. Prandaj ka shumë gjasa që zgjedhjet lokale të 8 majit do të jenë guri i provës për qeverinë që ai drejton, jo vetëm për sytë e ndërkombëtarëve, por edhe në zemrën e mendjen e qytetarëve. Sot ne po notojmë në një pellg të helmuar, të dhunuar nga regresi maniakal i krokodilit dhe lotëve të tij, me të vërtetë ndjehemi pis. Kryeministri Berisha ia doli në më pak se një javë ta prapakthente liderin e PS-së nga pozicioni sulmues, në një llogore mbrojtjeje. Tymi i zi po largohet. Shiu i të premtes  së fundit zboi retë e zeza që kërcënonin Republikën. Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë Berisha, një burrë shteti, krijoi kushtet e domosdoshme për ta “shëruar” Shqipërinë, të bukurën e dheut, për të kthyer në dashurinë e re mesdhetare. Për ta arritur këtë stad atij i nevojiten antibiotiku infrastrukturor: ndërtimin i autostradës Tiranë-Elbasan, si pjesë e akseve të këtij vendi, nga Vermoshi në Kakavijë. Sa do ta mbështesë buxheti afatmesëm zhvillimin këtu do të jemi dhe do të konstatojmë.

 

Afërmendsh në këto momente është e rëndësishme që skuadra e Berishës,  një qeveri me ministra të aftë, por shpesh të paralizuar nga fushata de-legjitimuese e çakejve të medies afër sëndukut të  Ramës  dhe të një pjesë të opozitës, të lëvizë me shpejtësi, të fusë një marsh tjetër makinerisë së Shtetit, me një sens optimizmi dhe përgjegjshmërie, padyshim guximi. Stafi i kryeministrit, bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe këshilltarë  në Parlament e Kryeministri, si dhe në Partinë Demokratike, janë të gjithë të thirrur për të bërë një sforco të jashtëzakonshme  të disiplinës dhe të largpamësisë politike. Mesazhi ndaj vendit është i pakundërshtueshëm: mjaft me trazira, parësore është qeveria e ekonomisë dhe turizmit, drita verbuese e propagandës kundërshtare duhet fikur nga një sipërmarrje politike vitale dhe e vendosur në institucione dhe në terren. Prioriteti i agjendës së të djathtës është një: Integrimi Europian. Kundërofensiva sapo ka nisur. Jemi në luftë: dhe Berisha duhet ta fitojë.