| E premte, 04.02.2011, 08:58 PM |
GRUEVSKI NË INTEGRALEN
Nga Xhelal Zejneli
xhelalzejneli.hotmail.com
Kryeministri i RM-së Nikola Gruevski, në një seancë të Kuvendit, Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e quajti “e ashtuquajtura UÇK”. Edhe luftëtarët e UÇK-së, ai i quajti “të ashtuquajturit luftëtarë”.
Këtë fjalor Gruevski e përdori në prani të liderëve të partive shqiptare, në prani të deputetëve shqiptarë, në prani të ish luftëtarëve të UÇK-së si dhe në prani të komandantëve, përkatësisht të eprorëve të lartë të ushtrisë.
Kryeministri foli me këtë gjuhë, para kamerave, e kjo do të thotë se fjalimin fyerës të tij, nëpërmjet ekranit, kanë mundur ta përcjellin edhe familjet e dëshmorëve të luftës së 2001-shit, invalidët e luftës dhe mbarë populli shqiptar.
Gruevski duhet ta dijë se në vitin 2001, në Maqedoni ka pasur luftë. Kjo luftë u zhvillua ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në një anë dhe forcave të armatosura të Maqedonisë, në anën tjetër. Me fjalë të tjera, UÇK-ja ka luftuar kundër ushtrisë maqedonase, kundër policisë maqedonase, kundër njësiteve paramilitare maqedonase dhe kundër mercenarëve në radhët e forcave të armatosura maqedonase.
Gruevski dhe paraardhësi i tij Lubço Georgievski duhet ta dinë se lufta e 2001-shit në Maqedoni ishte luftë e brendshme, ishte rrjedhojë e pakënaqësisë së shqiptarëve me rregullimin e shtetit. Pakënaqësinë e shqiptarëve në atë kohë, e konstatoi edhe gjeneral Uesli Klarku. Gruevski duhet ta dijë se luftën e 2001-shit e mbështeti i tërë populli shqiptar në Maqedoni si dhe mbarë kombi shqiptar në Ballkan dhe në diasporë. Gruevski dhe paraardhësi i tij L. Georgievski duhet ta dinë se UÇK-ja, duke u pozicionuar në hapësirat etnike shqiptare, u doli zot këtyre hapësirave.
Lufta e 2001-shit tregoi qartë se Maqedonia përbëhet prej dy hapësirave etnike: hapësirës etnike shqiptare dhe hapësirës etnike maqedonase. Gruevski dhe paraardhësi i tij L. Georgievski e dinë mirë se lufta e 2001-shit e solli Marrëveshjen e Ohrit me të cilën duhet t’i jepet fund Maqedonisë unitariste, monoetnike dhe centraliste.
Ata duhet ta dinë se me marrëveshjen e sipërthënë Maqedonia ripërkufizohet si shtet unitar, por me përbërje multietnike, (d.m.th. dyetnike), shqiptaro-maqedonase.
Gruevski duhet ta dijë se rruga e Maqedonisë për në NATO dhe në BE, kalon nëpërmjet sendërtimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe zgjidhjes së kontestit rreth emrit me Athinën. Jetësimi i kësaj marrëveshjeje është condito sine qua non për integrimin e Maqedonisë në Perëndim.
Lufta e 2001-shit ua vuri në dijeni maqedonasve se shqiptarët në Maqedoni jetojnë në trojet etnike, stërgjyshore. Lufta tregoi se shqiptarët posedojnë kapacitet për t’u organizuar për luftë dhe se posedojnë forcë për kryengritje. Lufta tregoi se forcat e armatosura maqedonase, d.m.th. ushtria maqedonase, policia maqedonase, paramilitarët maqedonas dhe mercenarët në radhët e tyre, nuk mund të mateshin me ushtarët e UÇK-së, të mbështetur nga tërë populli shqiptar.
Gruevski e di mirë se luftën e 2001-shit e fitoi UÇK-ja d.m.th. shqiptarët, ndërsa forcat e armatosura maqedonase e humbën luftën dhe të mbuluara me turp, u rikthyen në kazermat e veta.
Lufta e 2001-shit dhe UÇK-ja, gëzonte edhe legjitimitetin e Uashingtonit, të NATO-s dhe të BE-së.
Për t’iu shmangur një konflikti ndëretnik me pasoja të rënda si në Bosnjë dhe Hercegovinë, lufta e 2001-shit ishte një konflikt i armatosur, i kontrolluar nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes.
Lufta e 2001-shit nuk ishte luftë brendashqiptare, nuk ishte luftë e shqiptarëve kundër shqiptarëve. Këtë e dëshmon edhe takimi i Ali Ahmetit me Arbën Xhaferin dhe Imer Imerin që rezultoi ne Deklaratën e Prizrenit.
Ku e merr forcën Gruevski që para ish-ushtarakëve të UÇK-së, të fyejë UÇK-në dhe ushtarët e saj? Arroganca dhe antishqiptarizmi i Gruevskit buron nga përçarjet dhe konfliktet brendashqiptare. Në qoftë se ndër shqiptarë ka të tillë që luftën e 2001-shit e quajnë tradhti, atëherë është e qartë se nga buron kjo sjelle paranojake e Gruevskit.
Lufta e 2001-shit nuk është çështje partiake, nuk është çështje e politikës ditore, nuk është çështje e komplekseve se kush e bëri luftën, cili ishte në krye të saj, kush nuk e pati rastin që në atë moment historik të ndodhej në anën e luftës dhe jo matanë saj.
Gruevski është i frustruar. Me qëndrimet e tij antishqiptare dhe me pikëpamjet dritëshkurtra, ai tregon se nuk është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ai luan në letrën e përçarjes brendashqiptare. Ai luan në letrën e konfliktit brendashqiptar. Luan me ndjenjat e shqiptarëve dhe me historinë e tyre.
Shqiptarët nuk duhet ta ushqejnë dhe të jenë inspirues apo animatorë të pikëpamjeve retrograde dhe anakronike të tij. Antishqiptarizmi i Gruevskit e vonon Maqedoninë në rrugën drejt Perëndimit.
Gjatë luftës së 2001-shit, edhe paraardhësi i tij Lubço Georgievski, erdhi në konflikt të hapur me Uashingtonin, me NATO-n dhe me BE-në. Për situatën në Maqedoni, në vend që të fajësonte ideologjinë garashaniniste dhe shënstefaniste të kuazi-politikanëve maqedonas të llojit gligorovian, ai i fajësoi qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes. Si rrjedhojë (dhe si rezultat), ai përfundimisht doli nga skena politike për të vajtur në harresë.
Ndërkaq Gruevski doli në krye të skenës politike, pikërisht mbi dështimin dhe devijimin e pararendësit të tij. Po qe se vazhdon me këtë diskurs antishqiptar, edhe kryeministri i përtashëm mund ta pësojë fatin e vojvodës Georgievski.
Situata rreth zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës – në vitin 2008 – kur u shpall pavarësia e saj, dëshmonte se proceset në Ballkan, ende s’kishin përfunduar. Gruevski me politikën diskriminuese dhe restriktive do të bëhet shkaktar i riciklimit të krizës në Maqedoni dhe në rajon.
Kur ishte në opozitë, ai e kundërshtonte me pasion jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit. Herë pas herë, ai para shqiptarëve belbëzon nga një fjali në gjuhën shqipe. Belbëzimi në shqip i ndonjë fjalie dhe ofendimi i ish UÇK-së dhe i ish luftëtarëve të saj, e bëjnë atë të duket grotesk. Edhe S. Milosheviqi dikur, para aktivit politik të Prishtinës, përshëndeti shqip dhe përfundoi njashtu siç e dimë të gjithë.
Gruevski me qëndrimet e veta antishqiptare, dëshiron ta rikthejë kohën e perënduar të Kiro Gligorovit, të Branko Cërvenkovskit, të Lubço Georgievskit dhe të Lubisha Georgievskit, i cili shqiponjave deshi t’ua presë kthetrat.
Kështu sillen në Beograd aleatët e Putinit – Voislav Koshtunica dhe Boris Tadiqi. Me konceptet e veta antihistorike, Gruevski është duke u bërë integrale e aleancës së të keqes, të krizës virtuale dhe të destabilitetit të rajonit, të udhëhequr nga kryetari serb Boris Tadiqi, i cili ecën gjurmëve të Koshtunicës, të V. Sheshelit dhe të S. Milosheviqit.
Gruevski duhet ta dijë se kërkesat e shqiptarëve janë kërkesa themelore që nuk e prekin territorin e vendit. Çdo kërkesë që nuk e cenon tërësinë e tokave, është i zgjidhshëm lehtë.
Për ta kuptuar çfarësinë e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski dhe gligorovët e perënduar duhet ta lexojnë Planin e Ahtisarit, ku do të mund të shohin sasinë e të drejtave të një grusht serbëve destruktivë.
Dhe derisa shqiptarët dy dekada janë faktorë stabiliteti në Maqedoni dhe në rajon, serbët e Kosovës, me duar të përlyera me gjak, luajnë rolin e kolonës së pestë të vozhdit të fikur.
Ushtarët e UÇK-së luftuan për një Maqedoni të re, të atillë që do të ecën me hapa të shpejtë drejt gjirit të familjes së vendeve demokratike. Në vend të diskursit pezhorativ të kryeministrit Gruevski, ushtarët e UÇK-së e meritojnë respektin e të gjithë qytetarëve të vendit.
Marrëveshjen e Ohrit që do ta festojnë një ditë edhe maqedonasit, e sollën pikërisht këta trima shqiptarë. Ndërkaq kundërshtarët e tyre – forcat e armatosura maqedonase – ishin në pozita antihistorike.
Çfarë paradoksi?! Ata që i sollën ndryshimet – fyhen, ndërsa ata që mbrojtën të paqëndrueshmen, shpërblehen.
Kushdo që ta shkruajë historinë, do të theksojë se në Maqedoni, në vitin 2001, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të armatosura maqedonase, shpërtheu lufta.
Lufta e 2001-shit, ishte luftë kundër një Maqedonie serbo-komuniste dhe ideologëve garashaninistë dhe shënstefanistë.
Shqiptarët ngadhënjyen. Mohimi i këtij fakti historik, i çon mohuesit në terrin e honeve të tradhtisë historike. Me teoritë: përse bëhen luftërat, për çlirimin e territoreve apo për pushtimin e tyre, do të merren strategët ushtarakë, ideologët kombëtarë dhe historianët.
Ata që pandehin se në 2001-shin kanë qëlluar në anën tjetër të historisë, luftën mund ta cilësojnë edhe si “konflikt të armatosur”. Vlerën nuk do t’ia ulin. Ndaj fyerjeve të Gruevskit shqiptarët duhet të reagojnë si popull.
Edhe në Meçkin Kamen të Krushevës, me rastin e manifestimit të Republikës së Krushevës (më 2 gusht të vitit 2007), në fjalimin e tij, Marrëveshjen e Ohrit Gruevski e përmendi vetëm shkarazi, ndonëse bëhet fjalë për një marrëveshje me të cilën ripërkufizohet Maqedonia. Shqiptarët ndërkaq, ai i futi në grupin e pakicave siç janë romët, turqit, serbët, vllehtë etj. Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe tre shqiptarë.